Hysaj pritet titullar ndaj Milanit, por rrezikon 25% të pagës. De Laurentis u merr 2.5 milionë euro “dezertorëve”

Nov 23, 2019 | 12:06
SHPËRNDAJE

Dje ka qenë dita e fundit në dispozicion të klubit të Napolit për të dërguar në kolegjin arbitrar kërkesën për sanksione ndaj lojtarëve të cilët refuzuan urdhrin e klubit për të vijuar grumbullimin pas sfidës së Champions-it kundër Salcburgut. 

napoli

Teksa nuk ka ende ndonjë raportim zyrtar, përvoja tregon se në të tilla raste, gjoba për lojtarët varion deri në 25 për qind të vlerës së pagës vjetore. Përveç këtij sanksioni, Aurelio De Laurentis thuhet se do të kërkojë edhe një dëmshpërblim nga ana e “dezertorëve” me akuzën se me sjelljen e tyre kanë dëmtuar rëndë imazhin e klubit. Presidenti napolitan nuk duket se është penduar për nismën e tij dhe ka qëllim t’i shkojë deri në fund.

Sa i përket organikës, asnjë lojtar nuk ka folur për mediat, një zgjedhje e imponuar edhe nga urdhri për heshtje për shtyp, megjithatë mësohet se secili syresh ka kontaktuar avokatin përkatës për të studiuar një kundërpërgjigje ndaj planit të De Laurentis. Në fakt, fillimisht ishte përfolur një gjobë prej 5 për qind të rrogës së çdo lojtari, por presidenti ka kërkuar dorë të hekurt dhe “përfitimi” i tij në rast se lojtarët do të dënohen me 25 për qind të pagës sezonale, do të arrijë deri në 2.5 milionë euro.

Hysaj

 FORMACIONI

Me Napolin në heshtje për shtyp, trajneri Ançeloti nuk ka dalë në konferencë për mediat. Me Alan të riaftësuar në minutat e fundit dhe pa dy mëngjarashët Gulam e Mario Rui, tekniku është gati t’i besojë Elseid Hysajt krahun e majtë të mbrojtjes. Kandidatura e shqiptarit kërcënohet nga Sebastiano Luperto.

23-vjeçari i rritur në akademinë e klubit jugor penalizohet nga përvoja dhe rëndësia e sfidës mund ta shtyjë Ançelotin të besojë te kapiteni i Shqipërisë. Risia tjetër është përfshija e Kajehonit në treshen e mesit të fushës, ndërsa në sulm pyka do të jetë Mertens i mbështetur nga Lozano dhe Insinje.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura