Hygerta Sako: Pse u shfaqa e nervozuar në emisionin për ndeshjen Shqipëri-Armeni

Apr 6, 2015 | 13:10
SHPËRNDAJE

“Më kishin thënë se do vinte një specialist futbolli në studio, prandaj i kërkova regjisë të mos më nxirrte në transmetim”

Në foto: Hygerta Sako pas ndeshjes Shqipëri-Armeni
Moderatoja e emisionit “Ëndërr Kuq e Zi” në TVSH, Hygerta Sako, u komentua në rrjetet sociale për një incident gjatë ndeshjes Shqipëri-Armeni. Hygerta flet për “Panorama Plus” për momentet e nervozizmit gjatë emisionit “live”, arsyen pse refuzoi të dilte në transmetim dhe si është për një femër të moderojë një program që dominohet nga audienca mashkullore.  
Të dielën, e gjithë vëmendja ishte te ndeshja Shqipëri-Armeni. Je e lidhur emocionalisht me sportin dhe e përjetove lojën?
Bukur. Atmosfera ishte fantastike. Të gjithë e prisnim me padurim këtë ndeshje, sepse nga rezultati i saj varej ëndrra e të gjithë shqiptarëve për të parë Kombëtaren tonë në një kompeticion të rëndësishëm siç është Europiani “Francë 2016”. E pashë ndeshjen me shumë emocion dhe vërtet u ndjeva e lumtur që ia dolëm të marrim tri pikët. Futbollin e kam ndjekur gjithmonë dhe më jep emocione të bukura. Kur bëhet fjalë për Kombëtaren shqiptare, për më tepër në këto momente, që po na bën të gjithëve të ëndërrojmë, emocioni është i pakufishëm. Çdo rezultat që kemi marrë, e kam përjetuar shumë si emocionalisht, ashtu dhe profesionalisht, duke qenë se drejtoj emisionin “Ëndërr Kuq e Zi”.
Ke krijuar tashmë eksperiencën tënde për sa i takon lojës në fushë. Të pëlqeu ndeshja dhe cilët do të veçoje nga djemtë e Kombëtares?
Pjesa e parë nuk u interpretua dhe aq mirë nga trajneri De Biazi, edhe pse ishte një skemë që na kishte dhënë rezultat në ndeshjet e mëparshme. Me sa duket, nuk ishte mënyra e duhur kundër Armenisë. Kurse pjesën e dytë djemtë tanë na dhuruan vërtet momente magjike, duke përmbysur rezultatin dhe duke na dhuruar fitoren. Personalisht më tërheq loja sulmuese, kështu që do më pëlqente që edhe Kombëtarja jonë të guxonte më shumë, sepse i ka potencialet. Më të spikaturit sipas mendimit tim modest ishin: Lenjani, Mavraj dhe Gashi, pa u hequr meritat të gjithë djemve tanë, që dhanë shpirtin në fushë.
Momenti i nervozizmit tënd gjatë transmetimit të ndeshjes në TVSH u komentua më pas shumë në rrjetet sociale. Si do e argumentoje?
Fillimisht dua të sqaroj se unë nuk e dija që kisha dalë në transmetim. Këtë e mësova vetëm më pas, kur filloi pjesa e dytë e lojës. Pra, për mua ishte një komunikim i zakonshëm me regjinë, ku shpeshherë ka dhe momente nervozizmi kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. E dyta, nuk e kuptoj pse duhej të komentohej aq shumë, kur në historinë e televizionit ka pa fund raste të tilla, madje edhe në televizionet më të mëdha të botës. Nuk e kuptova ku qëndronte lajmi në këtë rast dhe mbetem ende e habitur me negativizmin e shumë njerëzve që qimen e bëjnë tra pa shkak.
Pse refuzove  të dilje në transmetim, ishte planifikuar diçka tjetër në atë hapësirë televizive?
Në pushimin e ndeshjes ishte llogaritur që të dilja në transmetim me një specialist futbolli, i cili duhet të analizonte pjesën e parë të ndeshjes. Fatkeqësisht, ai ende nuk kishte mbërritur për shkak të tifozëve të shumtë në shkallët e stadiumit. Unë nuk mund të merrja përsipër të dilja vetëm në transmetim, sepse sado informacion të kem për futbollin, shkon kundër etikës profesionale të flas për gjëra që nuk janë në kompetencën time. Unë jam thjesht moderatore dhe nuk mund të merrja përsipër të analizoja ndeshjen. I komunikova regjisë që nuk isha gati të dilja në transmetim pa specialistin, por kur je në limite të kohës, sigurisht që nervozizmi është i pranishëm. Një situatë që besoj i ka ndodhur çdo kolegu që punon në televizion. E megjithatë, sqaroj edhe një herë se nuk kisha dijeni që kisha dalë në transmetim, sepse kam eksperiencë 20-vjeçare tashmë e mund të dal nga çfarëdolloj situate, sado e vështirë qoftë. Në dijeninë time, isha duke komunikuar me regjinë, siç ndodh gjithmonë në momentet kur nuk je “on air”.
Edhe pse nuk u dëgjuan fjalët e tua, nga leximi i buzëve u fol se përdore edhe fjalë fyese ndaj regjisë…
Kjo është pjesa që më ka lënduar më shumë në gjithë këtë histori. Sepse tregon edhe një herë se për hir të disa klikimeve abuzohet. Kurrë në jetën time nuk i kam lejuar vetes të flas jashtë etikës jo vetëm me kolegët, por as në jetën e përditshme. Respektoj këdo në maksimum, që nga punëtori i skenës deri te drejtuesi më i lartë, dhe këtë mund ta vërtetojë kushdo që ka punuar me mua, edhe regjisori e redaktori që ishin në regji atë mbrëmje. Nervozizëm në momente pune sigurisht që ka, por kurrsesi nuk mund të tejkaloj normat e mirësjelljes dhe komunikimit. Të marrësh përsipër të më lexosh buzët e të më vësh në gojë ofendime që kurrë nuk i kam përdorur, nuk është vetëm papërgjegjshmëri, por edhe negativizëm.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura