“Hungaria na mundi 12 me 0 se ishim të tronditur nga arratisja e dy shokëve, që u hodhën nga vapori…”/ Dëshmia e rrallë e legjendës së “Partizanit” që u shua në moshën 94 vjeçare

Oct 6, 2022 | 7:20
SHPËRNDAJE

Nga Uvil Zajmi

Capture

 

Biseda me Sulejman Maliqatin, ish-portierin e famshëm të “Partizanit” dhe Kombëtares të viteve ’50 -’60-të, është tepër e veçantë. Sapo ka kaluar të 92 vjetët (2 gusht), ruan një freski moshe të mahnitshme. E kupton kur flet në celular, por më shumë kur je pranë tij. Si një aktor Hollivudi, nga ata të famshmit, kur e sheh, komunikon, tejet estetik, po ai Maliqati si dikur. Një memorie brilante, korrektesë, i qeshur, i gëzohet jetës me të mirat dhe fatkeqësitë që i ka sjellë.

“Dua të jetoj aktiv në vitet që më ka falë dhe po më jep Zoti”, shprehet ai. Nga ndeshja me Hungarinë ku humbnim 12 – 0, kanë kaluar disa dekada dhe nga ai brez, nga ajo plejadë, mjaft prej protagonistëve fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Sot pas 70- vitesh, Sul Maliqati i rikthehet asaj përballjeje me detaje nga udhëtimi, arratisja e Vathit e Kavajës, pastaj ndeshja. “Zëvendësova Voglin në pjesën e dytë. Isha djalë i ri, vija nga Kavaja dhe direkt kundër Pushkashit. Ai turne filloi jo mirë, që në grumbullim”, kujton ai.

Z. Maliqati, çfarë kujtoni nga ai turne?

Para nisjes, në grumbullim, një tjetër skuadër u mendua të shkonte, por për “njolla” në biografi nuk erdhën Pal Mirashi, Vasfi Biçaku dhe Teliti. Pati ndërhyrje, u morën lojtarë që ishin anëtarë partie.

Ndodheshit në Bosfor, si u arratisen Bule Vathi dhe Bahri Kavaja?

Jemi nisur me një anije sovjetike që kishte sjellë grurë. Afër Bosforit, po qëndronim në bordin e saj, kur papritur Bulja me Bahriun u hodhën në ujë. I pamë, na i bënin me dorë: “hidhuni, ejani”, por askush nga ne nuk guxoi.

Shkojmë te ndeshja në Budapest, çfarë ndodhi aty?

Para saj humbëm 3-0 me Çekosllovakinë në Pragë. Në Budapest, bëmë dy seanca stërvitjeje. Kujtoj një stadium dërrase, jo i madh, dhe në 20 minutat e para luajtëm mirë, fakti e tregoi se nuk pësuam gol. Tifozët i vërshëllyen hungarezët.

Ju zëvendësuat Qemal Voglin, pse?

U aktivizova në pjesën e dytë se u dëmtua Qemali. Pësova katër gola, dy prej të cilëve nga Pushkash. Në një rast iu hodha te këmbët, ia rrëmbeva topin.

Ishit shumë i ri, pa asnjë eksperiencë apo jo?

Kam qenë 23 vjeç, djalë i ri, vija nga Kavaja dhe direkt ndaj Hungarisë së madhe, në Budapest e ndaj Pushkashit. U futa me frikë. Të ngjallnin frikë kur i shihje e jo të luaje kundër tyre.

Jeni kritikuar edhe ju nga gazeta “Sporti Popullor”?

Po, u kritikova, sepse nuk u tregova një portier kalibri ndërkombëtar, siç shkruhej në gazetë. Si Qemali edhe unë, kishim përballë një skuadër të jashtëzakonshme.

Si mund ta përballoje Pushkashin?

Gazeta nuk kursente as Loro Boriçin…! U kritikua trajneri Jakova që e ktheu Loron në mbrojtje në fund të lojës, që të mos pësonim gola të tjerë. Shtatlartë dhe ishte në formë, një rol që e kishte praktikuar edhe në Itali. Kujtoj se nga ne, Boriçi ishte më i miri. Hungarezët thoshin: “Ta kemi ne Boriçin, mundim botën”.

Paraqitje e dobët, si e gjykoni pas kaq vitesh?

Ne ishim të lodhur, të rraskapitur. Udhëtimet e gjata me tren, qëndronim në klasin e tretë, kategoria e fundit e vagonëve. Pastaj tronditja që vazhdonte te ne pas arratisjes së Bule Vathit e Bahri Kavajës. Të mos harrojmë ishte Hungaria, e të pësoje 5 – 6 gola prej saj nuk ishte turp.

Z. Maliqati, ju dhe Sabri Peqini jeni “heronjtë” e mbetur nga Hungaria e 70 viteve më parë?

Më janë ndarë nga jeta të gjithë shokët, i fundit ishte Miço Papadhopulli nga Partizani.

Humbja më e thellë e Kombëtares Shqiptare në të gjithë historinë e saj

Ajo ka qenë dhe mbetet humbja më e thellë e Kombëtares në historinë e saj. Hungari-Shqipëri 12-0, shtator i 1950-ës, 70 vite më parë. Madje, pas atij takimi ka një kuriozitet: kurrë më një përballje me Hungarinë, as miqësore as zyrtare për më shumë se një gjysmë shekulli, deri në tetor 2008, Hungari-Shqipëri 2-0 (Grupi I – Eliminatoret e Kampionatit Botëror – 2010).

Edhe me klube, vetëm në Champions League, 2004-2005, turi i parë, “Tirana” – “Ferencvarosh” 2-3 / 1-0 në Budapest, asnjëherë më parë. Duke iu rikthyer mes shekullit të kaluar, çfarë ishte ajo ndeshje, ai rezultat, ajo humbje aq e thellë me “Under time”? Cilët ishin lojtarët, si e përcolli shtypi disfatën, kritikat e rënda ndaj trajnerit Jakova, Voglit, Jarecit, Gjinalit, pa kursyer as Boriçin.

KRONO-HUMBJET E THELLA TË KOMBËTARES SHQIPTARE

Janë disa të tilla, që i përkasin shekullit të kaluar. E para është ajo me Hungarinë, miqësore që regjistron humbjen më të thellë në historinë e Kombëtares: 24 shtator 1950, Budapest, Hungari-Shqipëri 12-0. Disfatë tjetër është ajo me Spanjën në Sevilje 19 dhjetor 1990 (Eliminatoret e Kampionatit Europian, Spanjë-Shqipëri 9-0.

Një dekadë më parë, Dortmund 18 nëntor 1981, EKB, Republika Federale Gjermane – Shqipëri 8-0; pastaj 8 prill 1967, Dortmund, EKE, RF Gjermane – Shqipëri 6-0 dhe miqësorja 5 tetor 1950, Rumani-Shqipëri 6-0; vijmë më 1980, 15 nëntor, Vjenë, EKB, Austri-Shqipëri 5-0; 1987, Sevilje, EKE, 18 nëntor, Spanjë-Shqipëri 5- 0, dhe “Uembli”, Londër EKB, 26 prill 1989, Angli Shqipëri 5-0.

Viti 1950: Finalja për titull “DINAMO” – “PARTIZANI” DHE SFIDAT NDËRKOMBËTARE

1 maj 1950 në Stadiumin “Qemal Stafa”, ku asiston edhe Enver Hoxha. Pas manifestimit tradicional, zhvillohet miqësorja Shqipëri-Poloni 0-0.

SHQIPËRIA: Bonati, Spahiu (Vathi), B. Boriçi, Dibra, Shaqiri, Kavaja, Parpani, Gjinali, L. Boriçi, Biçaku, Mirashi.

Arbitër: G. Danko (Hungari)

ME 4 QERSHOR NJË TJETËR MIQËSORE, SHQIPËRI-BULLGARI 2-1.

Golat: L. Boriçi 21′, Biçaku 26’/ Spasov 76.

Shqipëria: Bonati, Dibra, Llambi, Spahiu, Peqini, Vathi, Teliti, Kavaja, L. Boriçi, Biçaku, Karanxha (Lacja). Trajner: L. Jakova Arbitër: Vicev (Çeki)

Për titullin kampion:

“Ndeshja më e rëndësishme dhe vendimtare, “Partizani” – “Dinamo”, dy kandidatët që kryesojnë tabelën e klasifikimit”,- njofton “Sporti Popullor”.

10 korrik, finalja: “Dinamo” – “Partizani” 2-1, për herë të parë blutë kampionë.

TAKIMET MIQËSORE ME HUNGARINË: NGA E PARA 3-0…

Me Hungarinë janë tri takime, të gjitha në harkun e pak viteve e në shekullin e kaluar. E para: 20 gusht 1947, në Budapest, Hungari-Shqipëri 3-0:

Shqipëria: Pozeli, Dibra, Spahiu, Fagu, LLambi, Shaqiri, Parapani, Biçaku, Boriçi, Teliti Mirashi. Një ndeshje pa histori, luhet për Kampionatin Ballkanik. Më pas, dy miqësore radhazi në Tiranë, midis përfaqësueseve të dy kryeqyteteve. 11 prill 1948, në “Qemal Stafa”, Përfaqësuesja e Tiranës- Përfaqësuesja e Budapestit 1-2 (0-1).

TIRANA: Pozeli, Dibra, Hajdari (Fakja), Llambi, Fagu, Spahiu, Parapani, Boriçi, Spahiu, Kavaja, Mirashi. Trajner: L. Jakova ARBITËR: R. Kuka

“LOJË E SHKËLQYER NË NDESHJEN E PARË” SHKRUAN “SPORTI POPULLOR”

Kronika: Në të 17′, skuadra përfaqësuese e Budapestit shënon golin e saj të parë me një shut të fortë të Bihari, që tund rrjetën duke kaluar pak nën shtyllën e sipërme të portës.

Në të 28′ një shut i rreptë i Kavajës, rreh shtyllën pingule të Tohi, në një moment që ky nuk mund ta ndalonte në asnjë mënyrë hyrjen e topit në rrjetë. Topi kthehet përsëri në fushë dhe në një lëmsh para portës mike, më në fund Lahorz largon rrezikun. Në të 52′, Budapesti zbret në portën e Pozelit dhe Hraski shënon golin e dytë.

Në të 58′, Biçaku tund rrjetën me një shut mjaft të matur. Nga skuadra mike u shquan Hraski, Suhay, Lahorz dhe Toth, nga skuadra e Tiranës, sidomos Llambi, Parapani, Biçaku e Spahiu”. Nga skuadra hungareze, 4 lojtarë janë nga Ujpesht, katër nga MTK, Ferencvarosh 2 dhe Vashash 1 futbollist.

E dyta, pas dy ditëve, 13 prill po në “Qemal Stafa”: P. Tiranës – P. Budapestit 3-1 (2-0). “Fitore e madhe në ndeshjen e dytë” është titulli i gazetës: Shqipëria: Pozelin, Dibrën, Spahiun, Llambin, Fagun, Fakjen, Parapanin, Kavajën, L. Boriçin, Biçakun dhe Mirashin.

Gjyqtar loje: R. Kuka

Kronika: “Minuta e 7-të, penallti, gjuan Fagu dhe gol; 53′ Boriçi me një shut të sigurt shënon golin e dytë; 77′, Hrastki gjuan nga një distancë e largët, topi rreh shtyllën pingule dhe ndalon në rrjetë. Në të 87′, Boriçi pas një serie të gjatë pasash me shokët e tij, zbulon golin e tretë.

Një minutë më vonë rreh shtyllën pingule të portës. Ndeshja merr fund me fitimin e bujshëm të skuadrës tonë, kundër skuadrës së famshme të Budapestit në mes të një entuziazmi të pa përshkuem të publikut”. Për të ardhur te barazimi i madh pa gola në maj të ’50-tës.

TE BARAZIMI 0-0 NË TIRANË, KU ASISTON EDHE ENVER HOXHA

Në Tiranë, për atë takim skuadra hungareze aktivizoi jo futbollistët kryesorë të Kombëtares. Midis tyre, Pushkash, lojtari kryesor që nuk vjen. E diel 23 maj 1950, gazeta “Sporti” shkruan: “Kampionati Ballkanik dhe i Europës Qendrore:“Shqipëri-Hungari 0-0. Asiston Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, etj.

SHQIPËRIA: Pozeli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Vathi, Parapani, Kavaja, L. Boriçi, Biçaku, Mirashi. Trajner: Adem Karapici

HUNGARIA: Toth, Kovaç II, Konya, Horvat, Kispeter, Zakariash, Iliovski, Kubala, Silagi, Kreshel, Pinter. Trajner: Gunar Tibor

ARBITËR: L. Lemeshiç (Jugosllavi)

Kronika: Që n’orën 10, masat e panumërta të popullit drejtoheshin vazhdimisht nga stadium aq sa shumë kohë përpara ndeshjes, afro 40.000 spektatorë mbushnin tribunat e tija. Një numër i madh sportdashësish kishin ardhur nga qytete të ndryshme të vendit tonë për të parë këtë mach kaq të rëndësishëm”.

Një ndeshje e cila shoqërohet me parashikimet, që sipas Sportit, nga 957 të tilla, rezultati i vërtetë u gjet vetëm nga dy parashikonjës: Lumtura Mahmuda dhe instruktori i fizkulturës në shkollën 7-vjeçare, “Lidhja e Prizrenit”, Elez Maha. Komisioni i parashikimeve, pasi hodhi shortin për fitonjësit i dhuroi koleksionin e gazetës “Sporti” të lidhur me pëlhurë, L. Mahmudës.

Renditja: Shqipëria, Polonia, Hungaria 3 pikë në 2 ndeshje; Bullgaria 1 pikë në 1 ndeshje; Rumania 0 pikë në 1 ndeshje, dhe Çekosllovakia 0 në 2 ndeshje. Jugosllavia nuk ka zhvilluar akoma ndeshje.

FTESA PËR TURNEUN MIQËSOR TRIANGOLAR DHE ARRATISJA E BULE VATHIT DHE BAHRI KAVAJËS

Ai ishte një turne miqësor, në kuadër të bashkëpunimit midis vendeve të miqësisë të kampit lindor, të demokracisë popullore me pjesëmarrjen e Hungari-Çekosllovaki dhe Shqipëria e ftuara e tretë. Në “Sporti Popullor”, bashkë me urimin “Udhë të mbarë dhe fitore” informohemi se skuadra Kombëtare ka në përbërje: Q. Vogli, S. Maliqati, M. Dibra, B. Boriçi, S. Llambi, Xh. Shaqari, S. Peqini, B. Kavaja, S. Vathi, R. Lacej, A. Parapani, Z. Gjinali, L. Boriçi, M. Karanxha, H. Bakalli, S. Jareci dhe R. Spahiu.

Ekipi shoqërohet prej inspektorit të futbollit pranë Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të Republikës, shoku Andon Mazreku, gazetarit Anastas Zisi, dhe ka si përgjegjës shokun Stavri Xhara. Siç shihet, grupi përbëhet vetëm nga lojtarë të bllokut “Dinamo” – “Partizani”, protagonistë në ato vite, dy klube pa rivalë. Trajner është Ludovik Jakova. Udhëtimi me anije ka një ngjarje jo të zakontë. Duke kaluar në Bosfor, dy lojtarët e “Dinamos”, Bule Vathi dhe Bahri Kavaja, hidhen nga anija në ujë dhe largohen. Një arratisje e bujshme për kohën, që tronditi thellë skuadrën, por edhe mjedisin sportiv jo vetëm shqiptar.

Hungari – Shqipëri 12-0 (5-0)!

Nisur nga kalendari, këtij takimi i parapriu sfida e Pragës, 17 shtator. Çekosllovaki-Shqipëri, 3-0 (1-0).

GOLAT: Zdarsky 4′, Cejp 73′, Hlavaçek 88′

SHQIPËRIA: Vogli, Dibra, B. Boriçi, Shaqiri, Llambi, Spahiu, Parapani, Z. Gjinali, L. Boriçi, Jareci, Bakalli.

Arbitër: Posa (Hungari) Pas një jave në Budapest, “Sporti”, në shkrimin me titullin me germa të mëdha “Hungari – Shqipëri 12-0” shkruan: “Më 24 shtator, në stadiumin “Dolca” të kryeqytetit hungarez, në prani të 40 e ca mijë spektatorëve u zhvillua ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis përfaqësonjësve të RP të Shqipërisë dhe RP të Hungarisë.

HUNGARI-SHQIPËRI 12-0

GOLAT: Budai 33′ 52′ 60′ 65′, Kocis 42′, 53′, Pushkash 18′ 36′ 75′ 82′ Palotash 39′ 51′

R.P. HUNGARISË: Broçiç (Xholdar), Palldiç, Berezhaj, Kovaç I, Kovaç II, Goxhai, Budaj Takiç, Palotaj, Pushkash, Bulboc (Kociç). Trajner: G. Sebas

RP SHQIPËRISË: Vogli (Maliqati), Dibra, Laçej, B. Boriçi, Shaqiri, Spahiu, Llambi, Parapani, Gjinali, L. Boriçi, Jareci, Bakalli. Trajner: L. Jakova

Sikurse shihet nga ndeshja e parë e majit, në “Qemal Stafa”, për Shqipërinë nuk luajnë Pozeli, B. Fagu, Biçaku e Mirashi që nuk udhëtojnë, dhe të arratisurit B. Vathi e B. Kavaja. Rikthehen në formacion B. Boriçi, Gjinali. Ndërsa hungarezët kanë formacion “Top” të momentit. Gazeta vazhdon: “Në bazë të transmetimit në gjuhën shqipe bërë nga radioja e Budapestit, rezulton se ndeshja ndërkombëtare Shqipëri-Hungari u zhvillua si më poshtë:

Pjesa e parë: 5 minutat e para, loja paraqitet e ekuilibruar me zbritje e kundra zbritje nga të dyja anët. Në të 8′, Bakalli, i cili ndodhet vetëm për vetëm me portierin, hutohet dhe shuton jashtë. Në të 18′, Bakalli prej një largësia prej 24 metra shuton drejt në portë, por topi ndërron drejtim dhe del jashtë. Në 25′, hungarezët me një zbritje të bukur sulmojnë portën e Voglit. Difeza jonë e zmbrapsi këtë mësymje, por pa kaluar edhe dy minuta, hungarezët shënojnë golin e parë. Kur përshëndetjet e publikut nuk kishin mbaruar akoma, Pushkash shënoi njëri pas tjetrit edhe tre gola të tjerë.

Difeza jonë nuk mobilizohet për të zmbrapsur sulmet e vazhdueshme dhe të organizuar të kundërshtarëve. Në të 34′, Palotaj nga një largësi prej 29 metra shënon golin e pestë dhe të fundit për lojën e parë, që u karakterizua nga një iniciativë e dukshme e skuadrës hungareze, lojtarët e së cilës duke përdorur një lojë të shtruar e të kombinuar me një taktikë të lartë, me sulmet e tyre dominuan në fushë dhe e zhvilluan lojën në portën tonë.

Pjesa e dytë: Në minutat e para, duket se skuadra jonë e mori pak veten. Sulmi dhe vija e parë funksionoi më në rregull dhe gjysëm ekstremet e ushtrojnë mirë treshin Gjinali – Boriçi – Jareci. Kjo situatë nuk zgjati shumë. Në të 50′, Palotaj shënoi golin e gjashtë. Pa kaluar një minutë, Pushkash shënon golin e shtatë që ndiqet nga një tjetër i nxjerrë në dritë nga Koçiç. Tash nacionalja jonë çorganizohet. Në një pritje të rrezikshme, Vogli plagoset dhe vendin e tij e zuri Maliqati. Lorua lojtari ynë më i mirë, kthehet në difezë, ndërsa Sllavia shkon në vijën e parë.

Ky spostim vendesh nuk pati përfundimin që mejtojshim. Në të 60′, Budaj shënon golin e 9-të, një gol që erdhi si rezultat i një gabimi taktik të skuadrës sonë. Në të 62′, Jareci jep një top në thellësi për Parapanin, i cili me këtë përpara drejtohet për në portën kundërshtare. Disa metra larg saj shuton, por jashtë pak metra larg shtyllës tranversale.

Dy minuta më vonë Budaj shënon golin e 10-të. Në të 69′, Parapani humbet një rast të sigurt shënimi duke e dërguar topin jo në rrjetë, por lart në stratosferë. Në të 77′, Pushkash shënon golin e 11- të. Skuadra jonë e ka humbur krejt lidhjen. Në të 85′ Pushkash shënon golin e 12-të dhe njëkohësisht të fundit për nacionalen hungareze. Skuadra futbollistike e RP të Hungarisë korri një fitore të bujshëm dhe vërtetoi zhvillimin akoma më të madh të futbollit hungarez në këto vjetët e pushtetit popullor”, e mbyll komentin “Sporti”.

TË GJITHË NËN AKUZË, NGA JAKOVA TE BORIÇI, PËR HUMBJEN KATASTROFALE

Post ndeshja, humbja e thellë shoqërohet me një reagim të ashpër zyrtar. I pari, trajneri Ludovik Jakova, që pas këtij turneu largohet. Në një shkrim të gjatë kritik, pa autor po në “Sporti” lexojmë: “E pajustifikueshme humbja e rëndë e skuadrës tonë Kombëtare në Budapest”.

“Skuadra jonë Kombëtare nuk ka përfituar si duhet nga trajtimi shumë i mirë, që vazhdimisht ka bërë pushteti ynë popullor dhe si rezultat nuk diti t’i përgjigjet vendimeve të Qeverisë dhe aspiratave të mbarë popullit shqiptar. Deklaratat optimiste të inspektorit të futbollit A. Mazreku… do fitojmë me Çekosllovakinë e Rumaninë dhe do të kemi rezultat të mirë me Hungarinë… si dhe deklarata e njëllojtë e kapitenit të skuadrës Loro Boriçi, u hodhën poshtë si të fryra dhe ireale.

Përveç gabimeve, parime tekniko taktike që bëri skuadra jonë Kombëtare në këtë ndeshje, vlen të theksohet dobësia e papranueshme e të gjithë lojtarëve: mungesa e mobilizimit për të kryer me nder detyrat e tyre edhe për të përfaqësuar denjësisht atdheun dhe popullin tonë. Patriotizmi i shqiptarit nuk duhet të lejonte një rezultat kaq të turpshëm.

Në skuadrën tonë kombëtare marrin pjesë akoma elementë që kanë perënduar, që nuk mund të përfaqësojnë shtetin, që nuk i dhimbset shumë për 12 golat, që nuk i japin shumë ndërtimit të Republikës sonë popullore. Një gabim tjetër parimor ka qenë tërheqja e kapitenit të skuadrës, Loro Boriçi në difezë dhe zëvendësimi i tij me Llambin. Një gabim i tillë është vërtetuar edhe në ndeshjen me R.P. të Bullgarisë dhe është kritikuar rëndë.

Por, skuadra jonë dhe veçanërisht Loro Boriçi nuk kanë përfituar sa duhet nga ajo kritikë e drejtë. Në këtë rast, kritika më e shëndoshë për gabimin në lidhje me spostim vendesh që u vërtetua në ndeshjen e Budapestit është vetë rezultati i këtij gabimi. Me kthimin e Boriçit në difezë u shënuan edhe 4, 5 gola të tjerë. Pra, kjo nuk e shpëtoi situatën. Nga ana tjetër kthimi i Boriçit në difezë shpartalloi krejtësisht vijën e parë”.

MAZREKU: “ATA GOLA NUK I KAM DËGJUAR KURRË”!

Kështu e kujton gazetari, publicisti, komentatori i njohur, Skifter Këlliçi, bisedën me Anton Mazrekun, pas asaj çfarë ndodhi gjatë udhëtimit, pastaj ndeshja me Hungarinë. “Udhëtimi u bë me rrugë detare, deri në portin rumun të Kostancës, sepse rruga ajrore Tiranë -Beograd ishte ndërprerë për shkak të prishjes më 1948-ës të marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë. Kur anija po kalonte nëpër ngushticën e Bosforit, ndodhi një e papritur tronditëse.

Dy nga futbollistët tanë, Bule Vathi dhe Bahri Kavaja, që së bashku me futbollistë të tjerë ndodheshin në kuvertë, u hodhën në det dhe që aty u zhdukën me not drejt brigjeve të Stambollit. Kjo ngjarje kaq e rëndë duket se ndikoi në gjendjen shpirtërore të skuadrës, që u pasqyrua edhe në rezultatet me humbje aq të thella: 0-3 me Çekosllovakinë në Pragë, 0-12 me Hungarinë e Groshiçit, Pushkashit, Budait, Palotait në Budapest dhe 0-6 me Rumaninë në Bukuresht.

Rezultatet e mësipërme ishin të pajustifikueshme e nuk pasqyronin nivelin e futbollit tonë. Mund të kishim humbur, por jo në këto përmasa. Kur po largoheshim nga Budapesti, – kujtonte Anton Mazreku, – një nga përgjegjësit e redaksisë sportive të Radios Hungareze, më dhuroi shiritat ku ishte regjistruar radio kronika ime, në të cilat, doemos, përfshiheshin dymbëdhjetë golat e pësuar. Por, ata gola nuk i kam dëgjuar kurrë”.  Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura