“Humbja e shokut më të afërt dhe të shtrenjtë”- Zamir Mati: Kiço Blushi, zbrazëtia që la pas një vit nga ikja

Feb 8, 2020 | 19:40
SHPËRNDAJE

Një vit pas ndarjes nga jeta, një prej miqve më të mirë, kujton Kiço Blushin duke risjellë në vëmendje veprat që la pas.

Skenarët e filamve, veprat letrare e publicistika përçojnë ende sot mesazhet e tij e njëheri tingëllojnë njësoj, të vërteta. Piktori Zamir Mati kujton mikun e tij që nga njohja e hershme e veprat e para, te mesazhet e mbrame dhe takimet e fundit. Kiço Blushi u shua vitin e kaluar pas një sëmundjeje të rëndë.
Kiço-Blushi-e-Zamir-Mati-në-Paris-770x433

– U bë një vit që shkrimtari dhe publicisti Kiço Blushi u largua. Si ka qenë ky vit pa të?
Ikja e shkrimtarit, skenaristit të mjaft filmave të bukur shqiptar, gazetarit, publicistit të shquar Kiço Blushi është një ndërprerje e krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij gazetareske, qytetare dhe patriotike, por është edhe një zbrazëtirë, mungesë për familjen e tij, për miqtë dhe shokët e tij, për dashamirësit e artit të veprave të tij të mrekullueshme. Ndërsa për mua që i drejtohesha gjithëherët me respekt “i dashur vëlla Kiço” është humbja e shokut më të afërt dhe të shtrenjtë.

– Çfarë e bënte të afërt dhe të shtrenjtë miqësinë midis jush?
Së pari, e kam njohur emrin dhe veprat e Kiço Blushit si shkrimtar i një brezi të ri, që vinte në letërsinë shqiptare të mbas Luftës së Dytë Botërore të emrave dhe veprave të njohura të Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata, Petro Marko, Dritëro Agollit, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Dhimitër Xhuvanit etj. Dhe janë pikërisht poezitë, tregimet e botuara në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” si dhe romani i tij i parë “Pajtoni i fundit” që do të shtonte një emër në shkrimtarët e njohur tashmë, emrin Kiço Blushi.

Po ashtu, emri i shkrimtarit të ri Kiço Blushi firmoste reportazhet dhe artikujt në shtypin e viteve ‘60-‘70 dhe në emisionet e Radio-Televizionit Shqiptar. Akoma për brezin tim jehon emisioni i Radio Tiranës “Historia e popullit tonë në shekuj” dhe është emri i Kiço Blushit, i cili përgatiste këtë emision tepër të ndjekur dhe të pëlqyer prej të gjithëve.

– Por, janë skenarët e parë të filmave artistik “Çifti i lumtur” dhe “Beni ecën vetë”, që u shfaqën për herë të parë në vitin 1975 dhe shënuan risi në filmin shqiptar, apo jo?
Filmi “Çifti i lumtur” me realizues Piro Milkanin dhe skenaristë Kiço Blushi, Piro Milkani dhe Bik Pepa sollën në filmin shqiptar problemet e jetës shoqërore të shoqërisë, solli në filmin shqiptar humorin dhe kritikën, të cilat spikatën jo vetëm nga teksti i zgjedhur dhe tingëllimi i tij i natyrshëm, por edhe nga loja e mrekullueshme e aktorëve Bep Shiroka, Nikolin Ndoja, Tinka Kurti, Vitore Nina, Antoneta Fishta, Marie Qyrsaqi, Niko Kanxheri, Justina Aliaj, Gjon Gjoni etj., dhe shoqëruar nga muzika e Agim Krajkës. Edhe sot filmi dhe romani i Kiço Blushit “Beni ecën vetë” janë vepra, të cilat na pëlqejnë jo vetëm sepse janë realizuar në kohën tonë, por ato pëlqehen e shikohen edhe prej fëmijëve tanë, që u ritën duke i shijuar dhe edukuar prej tyre ashtu si tani shikohen dhe pëlqehen dhe prej nipave e mbesave tanë sepse përmbajnë vlera njerëzore, vlera humane, vlera edukuese për të dashur familjen, njëri-tjetrin, natyrën e atdheun. Romani dhe filmi “Beni ecën vetë” janë vepra të arrira të kulturës, që kurdoherë do të pëlqehen e shërbejnë për edukimin sidomos të fëmijëve dhe të rinjve për dashurinë ndaj natyrës dhe njeriut. Ashtu siç ndodh shpesh në kinematografinë botërore, do të vijë një ditë që realizues të pasionuar dhe me talent do t’i kthehen këtij skenari të shkruar prej Kiço Blushit, me realizime të një teknologjie të re e moderne dhe kjo nuk do të ulë në asnjë mënyrë vlerat artistike të realizimit të tij të parë prej regjisores Xhanfize Keko, aktorëve Pandi Raidhi, Erion Mustafaraj, Yllka Mujo etj. Veprat artistike, mendimi i guximshëm dhe idetë që përcjellin ato na bëhen pjesë e kulturës sonë. Kështu autori, skenaristi i filmit kthehet vetvetiu ai që do të kishim dëshirë të respektonim, ai që do të kishim dëshirë të njihnim, ai që do të kishim dëshirë të bisedonim, ai që do të kishim dëshirë të pyesnim, ai që do të kishim dëshirë të shoqëroheshim. Ai prej të cilit do të donim një dedikim në faqen e parë të librit si kujtim i çmuar. Pikërisht kjo dëshirë është një forcë tërheqëse akoma më e madhe ndërmjet krijuesve.

– Ka qenë miqësi e hershme. Si i kujtoni vitet me të?
Kryeqyteti ku kam banuar ishte njëkohësisht qendra kulturore. Jeta artistike i bashkonte krijuesit e në këtë bashkim ishte edhe shoqëria jonë me shkrimtarin Kiço Blushi, gazetarin Agron Çobanin, gazetarin Alfons Gurashi, poetin dhe fizikanin e talentuar Betim Muço, shkrimtarin Dhimitër Xhuvani. Tani që shokun dhe mikun tim Kiço Blushi nuk e kam që ta pres në një takim në kafet tona, ta shoqëroj në rrugët e qytetit, të jemi në tavolinat tona “burrërore” ku diskutimet ndizeshin midis shokësh në të kundërt të tavolinave “së bashku me gratë”, ku humori dhe hareja mjaftonin të zbusnin e pajtonin edhe mëritë, qejfprishjet e mbetura nga tavolinat e përditshme “burrërishte”…

Tani më mungojnë udhëtimet me të e me Mirën, Astridën, Valdeten, mësuesen e gjuhës angleze të Prishtinës, Eshrefin piktorin e shquar nga Presheva dhe Kosova në Dardhë të Korçës, në Prespë, në Pogradec, në Prishtinë për të marrë pjesë në hapje ekspozite në galerinë “Qahili” apo për të pirë një kafe miqsh tek kafe galeria e skulptores dhe artistet qeramiste Blerta Suroi.
Më mungon kënaqësia e një tavoline së bashku në fshatin e poetit, Fishtë, ashtu si dhe vargu i gotave që nxisnin e shtonin gëzimin e diskutimet e “zënkat” tek lokali i “Torrit” apo “Vlora” midis shokësh e artistësh të shquar. Ashtu si edhe melodia e këngës korçare e kënaqësia që ishim spektatorët e dashamirësit e veçantë së bashku me Arturin, Bibinë, Nasi Lerën, Nigdën, Kreshnikun, Norën, gazetarin Enver Muça, Mitën, Albertin tek mikesha jonë zëëmbël, Afërdita Zonja. Ishte gjithmonë Kiço që bëhej ideator i një takimi, shëtitjeje, tavoline dhe gëzimi midis miqsh, ishte gjithëherët ai që edhe do kujdesej që të festonim së bashku vitin e ri në lidhje apo në malin e Dajtit, festë e gëzim që do zgjaste disa ditë rrjsht.

– Çfarë veçonit te shkrimtari Kiço Blushi?
Në radhë të parë, njeriun e thjeshtë e të guximshëm për çdo problem që kalonte dhe ngrihej në vitet ‘80. Ishin pikërisht këto veçanti dhe tipare që Kiço Blushi ngrinte në shtypin e kohës apo në forumet e rëndësishme. Duhet të ishe i formuar që të kërkoje në forumet partiake të asaj kohe domosdoshmërinë e lejimit dhe kthimit të fesë në Shqipëri si një faktor tepër i besueshëm për hapjen ndaj vendeve europiane, ashtu si edhe ripërtëritjen e traditave dhe festave të popullit tonë të lidhura me kalendarin shekullor të feve. Kujtoj artikujt në gazetën kryesore “Zëri i Popullit” për ripërtëritjen e ditës së karnavaleve sidomos në qytetet e Korçës, Shkodrës, Nartës së Vlorës etj..

Mendimi kritik dhe ndihma e këtij mendimi për progresin e një shoqërie është tipar kryesor i tij. Ai nuk e zhvillon këtë mendim vetën në publicistikë, por edhe në veprat artistike që ka realizuar, një shembull është filmi “Koncert në vitin 1936”. E zhvillon edhe në të gjithë artikujt e botuar mbas viteve ‘90. Edhe pse i zgjedhur si deputet i parlamentit shqiptar Kiço Blushi asnjëherë nuk i shërbeu me artikujt e tij politikave e gil-mileve të partive politike por ai me mendimin e tij si një publicist i guximshëm, i qartë zhvilloi e ndihmoi mendimin qytetar drejtë progresit. Me argumente bindëse, artikujt e tij me qëndrime të drejta ishin një zë i fuqishëm e dritë shprese në kaosin mediatik të zhvillimeve politike të vendit. Kam mundur të lexoj pothuaj të gjithë artikujt e botuar në shtypin shqiptar sepse m’i dërgonte në ‘e-mail’. Po ashtu, e dëgjoja në telefon çdo ditë të shtune për vite të tëra. Pas falënderimit tim, ai më thoshte gjithnjë: “O Zame, po shyqyr që ju kam, ty në Paris, mamanë në Korçë e Zairën (nëna) që më lexoni e më thoni fjalë të mira se Mirën e kam redaktore”.

– Sa ka ndikuar familja e tij në botëkuptimin e tij?
Nënën e Kiços e kam njohur kur shkuam në Korçë, zbrisnim nga fshati Dardhë drejt Mirasit dhe ndanë rrugës së ngushtë u ndalëm në shtëpinë e vockël ku na priste Nëna e Kiços, la punët në plevicë dhe duke hequr përparsën e fshirë duart na përqafojë e na ftojë në dhomën e ngrohtë duke na servirur gotat e rakisë së kumbullës dhe cironkat e thara, ashtu si edhe peizazhin e lumit të vockël e urën e gurtë me një hark mbështetur në bregun ku lartoheshin dy pemë. Ishte ditë me diell, por më shumë se dielli ndrisnin nga gëzimi sytë e nënës së Kiços, e cila do të mbyllte shtëpinë e do të kalonte dimrin me djemtë.

Gjatë vizitës së parë të Ramiz Alisë në rrethin e Korçës si udhëheqës i shtetit së bashku me Kiçon ishim caktuar për ta ndjekur në të gjithë takimet që ai zhvilloi. Duke shpalosur ide të cilat ndoshta ishin një shpresë për ndryshimet e domosdoshme që dëshironin nuk mund të arrinte asgjë pa nxitur, rinovuar, përkrahur, mendimin e përparuar dhe ky ishte thelbi i diskutimeve gjatë atyre ditëve, të cilat Kiço nduke njohur edhe realitetin e vendit, filloi t’i hidhte si ide, mendime, propozime në artikujt problemor gjatë atyre viteve. Humori, ironia dhe thjeshtësia e dashamirësia e Kiço Blushit ishte e admirueshme. Ai dëgjonte me vëmendje bisedat për krijimtarinë. Mundohej të kuptonte idetë dhe zhvillimet e tyre dhe si një shok e mik i mirë me një eksperiencë krijuese e kontribut të madh në artin dhe letërsinë shqiptare të nxiste dhe të mbështette qysh në idetë fillestare.

– Si ishte raporti i tij me shkrimtarët e rinj?
Në shëtitjet, bisedat e tavolinat tona ai jepte mendime për veprat e reja që botoheshin e shfaqeshin. Kur sapo ishte botuar libri “Koncert në fund të vitit” i shkrimtarit Ismail Kadare, Kiço Blushi më thotë “është shumë lart tani” duke nënkuptuar dhe vendosur shkrimtarin e talentuar akoma më lartë se Olimpi ku “zotat” nuk luajnë më asnjë rol. Ai i shihte me kënaqësi arritjet e letërsisë dhe arteve. Nuk nguronte të vlerësonte edhe ata që sapo kishin filluar rrugën e poetit a shkrimtarit dhe pa asnjë ngurrim do të vlerësonte vargjet e poetes se re Mimoza Ahmeti.

-Si do ta gjykonit sot, publicistikën e tij?
Nga vepra e tij madhore si shkrimtar duk duhen harruar librat e tij “Koka e prerë”, kushtuar momenteve të fundit në jetën e Ali Pashë Tepelena. Libri për fëmijë “Mos” apo romani i fundit i botuar “Gjuha e gjakut”. Publicistika e tij ka pasur tipare të guximshme e qytetare që nga fillimet e saj në vitet ‘60 deri në fund. Ju e kujtoni protestën e vitit 2016 kundër ligjit të plehrave, kur ai iu tha: “Kur ju pyetët Robert Ndrenikën, tha ne jemi si qytetarë, si qytetarë që kemi pranuar të jetojmë këtu, që kemi jetën këtu, që e duam vendin tonë dhe e duam të jetë edhe i pastër ekologjikisht jo vetëm nga plehrat fizike, por edhe plehrat politike. Kjo besoj është detyrë e çdo qytetari, sepse është e domosdoshme edhe për shoqërinë, edhe për të ardhmen”. Ndërsa lidhur me sistemin politik të instaluar pas viteve ’90, ka qenë i idesë se mbi çdo qeverisje ka dominuar propaganda. Ndaj ai thoshte: “Pas 20 vitesh, ende nuk ka përfunduar ‘procesi i antikomunistizimit’, vini re: fatkeqësisht, propaganda e demokracisë në thelb nuk ka ndryshuar, krahasuar me mekanizmin e diktaturës, që asokohe quhej ‘aparat i agjitpropit’ e që lartësonte ‘vendin e parë’, bashkë me mjelëset e emëruara anëtare Byroje në të vetmin kanal televiziv, RTSH. Asgjë nuk ka ndryshuar: Belulët e djeshëm janë zëvendësuar me Belulët ‘disidentë’ e delirantë të demokracisë”./GSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura