Humbi ndjenjat në miqësoren ndaj Skënderbeut: Ja çfarë ndodhi me Lulajn në fushë

Aug 24, 2018 | 23:36
SHPËRNDAJE

Në minutën e 20-të miqësores ndërmjet Skënderbeut dhe Pogradecit ka pasur disa minuta ankthi dhe realisht frike, ku të gjithë futbollistët dhe sportdashësit janë shqetësuar për përplasjen e Paulo Ivanit me Bruno Lulajn e korçarëve. Ka qenë një top i diskutueshëm dhe Lualaj me këmbën e ngritur lart ka goditur në fytyrë sulmuesin korçar të liqenorëve.

Ivani

Por, për fat gjithçka shkoi mirë falë edhe ndihmës së stafit mjekësor dhe të një mjeku që ndodhej në shkallët e stadiumit. Më pas autoambulanca ka shoqëruar futbollistin në spitalin rajonal të Korçës dhe aty i është nënshtruar një kontrolli të specializuar. Vetë futbollisti ka deklaruar mbi gjendjen tij shëndetësore në këto momente.

Ivani, një moment jo shumë i këndshëm për t’u kujtuar, por a mund të na e shpjegoni dinamikën e ngjarjes?

Ishte një top i diskutuar në ajër, unë ndërhyra me kokë dhe Lulaj me këmbë, mund të them që ishte thjesht dhe vetëm një moment loje, pasi Lulaj nuk ka bërë aspak ndërhyrje të qëllimshme ndaj meje. Këto situata ndodhin në futboll, edhe pse ishte diçka e rëndë. Unë në ato çaste nuk kam marrë vesh asgjë dhe më vonë kam mësuar më shumë për situatën që kam kaluar, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë.

Si është gjendja juaj në këto momente?

Shumë e mirë, gjithçka është e stabilizuar, kam kryer vizita të plota mjekësore dhe analizat në çdo drejtim. Tani nuk kam asnjë problem, por mjekët më kanë rekomanduar disa ditë regjim shtrati.

Ivani

Kur mendoni se do të jeni i gatshëm për t’u rikthyer në fushë?

Për mua, që në këto momente (qesh), por jo sepse duhet të respektoj vendimin e mjekëve dhe më pas do të jem gati. Sezoni fillon së shpejti dhe unë duhet të përmbush ambiciet e mia dhe të ekipit, në mënyrë që t’i realizojmë të gjitha objektivat që kemi.

Cilat janë ambiciet që keni në ekipin e Pogradecit?

Natyrisht, do të luaj më këtë ekip, jam një futbollist i Skënderbeut edhe për një sezon, por drejtuesit dhe unë menduam që më mirë të luaj këtu, pasi te Skënderbeu hapësirat për aktivizim do të ishin më të pakta. Një nga objektivat që i kam vënë vetes është edhe shpallja si golashënues në këtë kategori, ku me ndihmën e skuadrës e shikoj si një objektiv të arritshëm.

ROMEO XINXIFI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura