Humbi ndjenjat dy vite më parë, mjekja flet për shkakun e vdekjes së Adelës

Oct 1, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

Mjekja neurologe, Entela Basha, e përjashton si shkak të vdekjes epilepsinë, duke theksuar se janë shumë të rralla raste të tilla që përfundojnë me vdekje.

entela basha

Ndërsa, sipas saj, mundësia më e madhe është që Adelajda Xhamani të ketë ndërruar jetë nga problemi kardiak.

“Janë shumë të rralla rastet kur vdekja mund të vijë nga epilepsia. Është një lloj sindrome e quajtur “SUDEP”, që është vdekje natën nga epilepsia. Në literatura ekziston si sëmundje, por në përvojën time të punës nuk kam hasur në raste të tilla. Nga ana tjetër, arresti kardiak mund të bëhet shkak për vdekje të menjëhershme”, shprehet mjekja Basha.

E pyetur nëse ekziston mundësia që epilepsia të provokojë arrest kardiak, ajo e mohon, duke thënë se këto janë patologji të veçuara.

“Këto dy sëmundje nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, pra epilepsia nuk provokon arrest kardiak dhe e kundërta. Janë patologji të veçuara. Me logjikë mjekësore, më shumë e mundur është të ndërrosh jetë nga një arrest kardiak se sa nga një epilepsi. Sepse një epileptik ndiqet në mënyrë periodike nga një neurolog, është sëmundje që mund të neglizhohet pasi nuk e zgjedh kohën se kur të zë, mund të të zërë në çdo moment”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, nisur nga fakti se Adelajda Xhamani ka humbur ndjenjat dy vite më parë, mjekja shprehet se mundësia më e madhe është arresti kardiak.

“Nëse ka pasur para dy viteve humbje të vetëdijes, mundësia më e madhe është që të ketë ndërruar jetë nga një problem kardiak. Pasi një epilepsi kaq e rrallë, nuk është vdekjeprurëse”, shprehet mjekja neurologe.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura