Humbi gruan pas lindjes së djalit, portieri i Partizanit në gjyq për atësinë e të birit. Familja e vajzës padi maternitetit për dëmshpërblim

Mar 28, 2015 | 11:11
SHPËRNDAJE

Alban Hoxha, portieri i ekipit kryeqytetas të futbollit Partizani, kërkon të njihet ligjërisht si baba i djalit të tij. Katër muaj pas humbjes së jetës së bashkëshortes së tij për shkak të një problemi shëndetësor pas lindjes së fëmijës, futbollisti Hoxha ka trokitur në dyert e Gjykatës së Tiranës.

Alban Hoxha me djalin e tij

Shkak është bërë mosekzistenca e martesës ligjore mes tij dhe nënës së fëmijës, të ndjerës Dorjana Haka. Për efekt procedurial dhe për shkak se kështu është forma e kërkuar nga ligji, futbollisti kërkon në rrugë gjyqësore vërtetimin e atësisë. Në të njëjtën padi Hoxha kërkon që biri i tij të trashëgojë të njëjtin mbiemër me të dhe regjistrimin e këtij fakti në regjistrat e Gjendjes Civile.

PADIA
Padia civile e portierit të Partizanit është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 24 mars 2015 dhe është regjistruar si çështja nr. 6956. Në rolin e paditësit aty është vetë futbollisti Hoxha, ndërsa si palë e paditur janë djali i tij B. Haka dhe gjyshi i fëmijës, Enver Haka. Përmes padisë, Hoxha kërkon njohjen si baba ligjor i djalit të tij të mitur. “Vërtetimin gjyqësor të atësisë së fëmijës B. Haka, i biri i Dorjana, lindur më 04.11.2014 në Tiranë, duke njohur si baba, paditësin Alban Hoxha”, thuhej në objektin e padisë.

Një tjetër pikë e objektit të padisë ishte ndryshimi i mbiemrit ekzistues të të miturit duke i dhënë atij mbiemrin Hoxha. “Ndryshimi i mbiemrit të fëmijës nga Haka, duke i vendosur si mbiemër atë të babait, Hoxha”, vijon objekti i padisë. Në përfundim, futbollisti i kërkonte gjykatës të urdhëronte Gjendjen Civile të bënte ndryshimet përkatëse të Gjendjes Civile të të miturit në kolonat “atësia” dhe “mbiemri”.

Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtaren Fahrije Hudo (Stringa) për shqyrtimin e kësaj padie. Burime zyrtare të Gjykatës konfirmuan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të kësaj padie.

Familjaret padi maternitetit 

Familjaret e gruas se ndjere te portierit te “Partizanit”, e cila humbi jeten ne nentor te vitit te shkuar, pas lindjes se djalit, kane paditur maternitetin.

“Panorama” shkruan se ditët e fundit në Gjykatën e Tiranës është depozituar një tjetër padi civile që ka në objekt humbjen e jetës së bashkëshortes së futbollistit Alban Hoxha.

Alban Hoxha me bashkëshorten

Bëhet fjalë për një padi për shkaktim dëmi nga ana e familjarëve të saj kundër maternitetit ku ndërroi jetë e ndjera. Padia është depozituar më 18 mars në Gjykatë, ku palë paditëse është Enver Haka, ndërsa palë e paditur Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”.

“Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga humbja e jetës së vajzës sime Dorjana Haka”, thuhej në objektin e kërkesëpadisë. Më 21 prill pritet të zhvillohet seanca e parë e kësaj padie, e cila do të kryesohet nga gjyqtarja Enkela Bajo (Vlora).

Humbja e jetës së bashkëshortes së Alban Hoxhës u përcoll mediatikisht, kjo edhe prej faktit se ajo sa kishte sjellë në jetë një fryt të marrëdhënies mes tyre. Dorjana Haka humbi jetën më 19 nëntor 2014 si pasojë e një komplikacioni shëndetësor pas lindjes së fëmijës.

 ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura