Humbi jetën nga Covid-19, Irma Libohova tregon çastet e fundit të Agim Krajkës: Shkoi në spital me maskën e oksigjenit, situata agravoi dhe…

Mar 3, 2021 | 11:07
SHPËRNDAJE

Një nga të mëdhenjtë e muzikës shqiptare, një ndër të fundit kompozitorë të vërtetë që e mbështeste krijimtarinë e tij në traditën më të mirë popullore, u nda nga kjo jetë.

krajka-libohovaKompozitori i dashurisë dhe optimizmit, fituesi i vendeve të para në zemrat e shqiptarëve, Agim Krajka, e humbi luftën me Covid-19, ndonëse kishte përballur jo pak tallaze në Shqipërinë e diktaturës, por edhe më tej në tranzicionin e gjatë. Agim Krajka u nda nga jeta mbrëmjen e së hënës, në moshën 83-vjeçare. I pari që njoftoi lajmin e trishtë ishte djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkroi në rrjetet sociale: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell, babai ynë i dashur”.

Irma Libohova, një nga bashkëpunëtoret e tij më të ngushta, e cila ka kënduar e fituar çmime me këngët e Krajkës, tregon për momentet e tij të fundit dhe përpjekjet që ai të mbijetonte.

“Gjatë gjithë kohës kam ndjekur dinamikën e ditës, si fillim kam ndërhyrë për të gjetur disa lidhje me njerëzit që t’i jepnin rëndësinë e duhur sepse atje spitali është i ngarkuar dhe gjithsecili fugon pas hallit të tij. Kam komunikuar me disa persona, që sigurisht e morën në konsideratë dhe kam përshtypjen se ka shkuar vetëm me maskën e oksigjenit, mirëpo brenda një kohe shumë të shkurtër agravoi situata dhe kur ka qenë ora 10:00 gjithmonë kam qenë në telefon me Aidën (motrën e Agim Krajkës), dhe më tha mos u lodh më për të bërë diçka mediatike, për t’i kashtuar vëmendjen e duhur, sepse Agimi ka ndërruar jetë”, thotë Libohova në emisionin e pasdites në “TV Klan” me moderatoren Rudina Magjistari.

“Ka qenë me temperaturë disa ditë sepse e kam informacionin nga motra e Krajkës, Aida. Ka qenë disa me temperaturë 39 dhe pastaj ka shkuar në spital”, ka treguar këngëtarja, duke shprehur keqardhjen për këtë humbje e teksa thotë se “ti mendon se ia ke bërë vetes kujdesin dhe mund ta përballosh dhe në shtëpi, por është lloji i virusit kaq i pabesë”.

NGUSHËLLOJNË POLITIKANËT

Në kushtet e pandemisë, kur grumbullimi i njerëzve është i pamundur, edhe homazhet për artistin e madh po zhvillohen në kushte tërësisht të kufizuara. E megjithatë kanë qenë të shumtë ata që kanë ngushëlluar familjen dhe të afërmit. Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit edhe nga politikanët shqiptarë.

RUÇI: KRIJUESI I KËNGËVE TË RINISË DHE DASHURISË

Duke e quajtur pionier të muzikës shqiptare, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen.

“Agim Krajka është një ndër pionierët e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e vet artistike, Krajka krijoi shkollën e vet origjinale muzikore, si një harmonizim i muzikës së lehtë dhe muzikës popullore. Krajka ka shkruar me mjeshtëri e finesë të lartë muzikën e valleve popullore nga të gjitha viset shqiptare: jugu e veriu, ka shkruar valle tropojane, dropullite e çame. Agim Krajka ishte dhe do të mbetet kompozitori i të gjithë brezave, por mbi të gjitha krijuesi i muzikës e këngëve të rinisë dhe dashurisë. Fitues i rreth 20 çmimeve artistike, Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, janë njohja prej kulturës dhe kombit shqiptar i veprës unike dhe universale të kompozitorit të talentuar e virtuoz Agim Krajka”, ka shkruar Ruçi.

MARGARITI: NJË KOMPOZITOR I PAKOHË

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka shprehur dhimbjen për humbjen e një prej kompozitorëve me një energji dhe optimizëm të jashtëzakonshme, siç thotë ajo.

“I dashur profesor, me duket si dje kur se bashku ‘thyem’ karantinen ne sheshin ‘Skenderbej’, ne Ditën e Muzikës, me koncertin aq te suksesshëm ‘Te gjithe e duan Agim Krajken’. Ne nuk gjenim dot simbolike me te bukur se kaq. Sepse shqiptarët te kane dashur dhe do te te duan përtej c’do kufiri moshor, sepse krijimtaria jote është e pakohe, qe nga këngët ‘hit’, tek orkestrimi i gurrës popullore.

Do te ishte e zbrazët te thosha se sa shume do te na mungosh me ate energji e rini te jashtëzakonshme, por, me gjase, tani je duke kompozuar një tjetër muzike ne amshim. Do te jesh gjithnjë me ne mjeshtër dhe duartrokitjet janë për ty edhe ne këtë dite, kur fizikisht duhet te te themi lamtumire”, shkruan në rrjetet sociale ministrja e Kulturës.

BASHA: VEPRA E KRAJKËS, NJË TESTAMENT PËR FUQINË E ARTIT

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje homazhe pranë trupit të kompozitorit Agim Krajka. “Shqipëria është në dhimbje dhe kujton me nderim dhe respekt të veçantë jetën e jashtëzakonshme të këtij burri të shquar, i cili ia kushtoi jetën ushqimit të shpirtrave të shqiptarëve në ditët e thatësirës më të madhe kulturore e shpirtërore të kombit. Vepra e maestro Krajkës qëndron si një testament për fuqinë e artit, provë se një vepër e vetme mund të bëjë dallimin, në çdo shpirt, në çdo shtëpi, në të gjithë vendin. Përpjekjet e palodhura të Agim Krajkës i dhanë atij jo vetëm titullin Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit, por edhe respektin e mijëra shqiptarëve të frymëzuar nga arti i tij, si akt sublim lirie. Trashëgimia e tij do të qëndrojë mes nesh si një shembull për të gjithë ne që të ngulmojmë në përpjekjen drejt të hijshmes dhe përsosjes”, tha Basha.

VELIAJ: KOMPOZITORI BRILANT QË LA PAS NJË THESAR

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mesazhin e tij të ngushëllimit e ka cilësuar Agim Krajkën, kompozitorin brilant që la pas një thesar për artin shqiptar. “Mëngjes i trishtë pas ndarjes nga jeta të Agim Krajkëskompozitorit brilant, që ka lënë pas një thesar të tërë muzikor për artin shqiptar. Ngushëllime familjes! Prehu në paqe mjeshtër”, shprehet Veliaj.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.