Humbi burrin dhe vëllain brenda 3 ditësh, tragjeditë e mëdha të jetës së Celine Dion! Gati humbi dëgjimin, tani lufton me sëmundjen e rrallë neurologjike

Dec 9, 2022 | 9:10
SHPËRNDAJE

“My Heart Will Go On”, hiti më i madh në karrierën e Celine Dion po bëhet “moto” e jetës së saj, e cila u shënua me triumfe të mëdha profesionale dhe tragjedi personale, që ajo vetë përpiqet çdo herë t’i përballojë me forcë dhe dinjitet.

celine dion3

Megjithatë, fati e ka ‘goditur’ edhe një herë dhe po testohet sërish pasi po lufton me një çrregullim të rrallë neurologjik, sindromën e njeriut të ngurtë, (Stiff Person Syndrome-SPS), për shkak të të cilit ajo u detyrua, pas këshillave të mjekëve të saj, të anulonte turneun evropian të planifikuar për vitin 2023.

E tronditur dhe me lot në sy, këngëtarja e njohur kanadeze ka ndarë lajmin me miliona fansa të saj, përmes një videoje.

“Siç e dini, unë kam qenë gjithmonë një libër i hapur dhe nuk kam qenë gati të them asgjë më parë, por jam gati tani”, tha ajo me ngarkesën e fortë emocionale të dukshme në vështrimin e saj përpara se të zbulonte: “Unë kohët e fundit jam diagnostikuar me një çrregullim neurologjik shumë të rrallë që quhet Sindroma e Njeriut të ngurtë dhe prek 1/1,000,000. Ndërsa ne ende po mësojmë për këtë gjendje të rrallë, ne tani e dimë se kjo është ajo që po shkakton të gjitha krizat që kam pasur. Fatkeqësisht, këto spazma prekin çdo aspekt të jetës sime të përditshme, ndonjëherë duke shkaktuar vështirësi gjatë ecjes dhe duke mos më lejuar të përdor kordat e mia vokale për të kënduar siç isha mësuar“.

Dhe ajo e mbylli rrëfimin e saj personal publik duke bërë një premtim, publikut dhe vetes, duke thënë: “Po bëj gjithçka që të shërohem”.

Kjo sëmundje i është shtuar pengesave të mëdha që i është dashur të kapërcejë në të kaluarën interpretueses së shumëçmuar, e cila i ka dhuruar diskografisë së saj ndërkombëtare shumë hite të shkëlqyera duke përfshirë këngët “All by Myself”, “That’s the Way It Is”, ‘Just Walk Away’, ‘The Power Of Love’, ‘A Neë Day Has Come’ dhe sigurisht kënga e Titanik ‘My Heart Will Go On’, një nga baladat më të përjetshme të të gjitha kohërave.

E megjithatë, pas kësaj karriere të madhe, magjepsjes, çmimeve dhe performancave mbresëlënëse live, fshihet një grua që fare mirë mund të cilësohej si një “heroinë tragjike”.

Si më e vogla nga 14 fëmijët në familjen e saj, Celine, e cila mori emrin e saj nga kënga me të njëjtin emër e këngëtarit francez Hugues Aufray, iu desh të përballej me beteja që në moshë të re.

Në familjen e saj të madhe nuk kishte as një krevat bebesh, duke e bërë atë të flejë, për mjaft kohë, brenda një… sirtari të madh!

Vitet e saj të adoleshencës ishin gjithashtu të vështira. Për shkak të gjatësisë së saj dhe dhëmbëve të shtrembër ajo bullizohej nga shokët e klasës.

“E urreja shkollën”, tregon ajo në autobiografinë e saj. Muzika ishte e vetmja qetësi për të. Prandaj kur mbaronte mësimin, ajo shkonte në bodrumin e shtëpisë për të luajtur muzikë me vëllezërit e saj më të mëdhenj.

celine dion

Gjithsesi, fëmijëria dhe adoleshenca e saj u ndërthurën me shoqërimin me njerëz më të mëdhenj se ajo, gjë që e detyroi të rritej para kohës së saj. Mjafton të mendosh se kur ajo lindi, motra e saj e madhe ishte tashmë e martuar dhe nënë e një fëmije!

Megjithatë ajo ka pasur një angazhim shumë të hershëm me këndimin. Ajo ishte vetëm 12 vjeç kur kompozoi dhe interpretoi këngën e saj të parë, së bashku me nënën dhe të vëllain, të cilët pak më vonë ia dërguan atë producentit të njohur muzikor dhe “gjuetarit” të talenteve të reja René Angelil. Edhe pse ai ishte plot 25 vjet më i madh se ajo, Celine u dashurua pas tij që në momentin e parë që e pa.

Një dashuri adoleshente që u shndërrua në një romancë kur ajo mbushi 20 vjeç, pavarësisht mosmarrëveshjeve të forta me familjen e saj që nuk e aprovonin lidhjen, lidhja u zyrtarizua me një martesë kur mbushi 25-vjeçe.

Vështirësitë për tu bërë nënë

Pavarësisht se kishte gjetur dashurinë e jetës së saj, në të njëjtën kohë kur karriera e saj kishte marrë hov, Celine Dion e kishte shumë të vështirë të bëhej nënë.

Por nuk hoqi dorë. Ajo nuk hoqi dorë nga kjo ëndërr e madhe. Pas disa aborteve, vendosi t’i nënshtrohej dy operacioneve gjinekologjike në vitin 2000 për t’ia dalë mbanë.

Fëmija i parë i çiftit, Rene-Charles Angelil, më në fund erdhi në jetën e tyre në janar 2001 dhe në 2010 çifti mirëpritën binjakët, Eddie dhe Nelson. Por lumturia e tyre nuk zgjati shumë.

Humbja e burrit dhe vëllait të saj

Rene Angelil ishte përballur me disa probleme shëndetësore. Në vitin 1991, në moshën 49-vjeçare, ai pësoi një atak në zemër dhe në vitin 1999 u diagnostikua me kancer në fyt, i cili u trajtua me sukses. Megjithatë, makthi u kthye. Në vitin 2013, Celine Dion shoqëroi bashkëshortin e saj të dashur në spital për t’iu nënshtruar një operacioni për heqjen e një tumori nga qafa e tij, ndërsa pasoi një periudhë e vështirë trajtimesh.

Ajo vetë zgjodhi të tërhiqej nga aktivitetet e saj artistike për t’i qëndruar në krah. Angelil ndërroi jetë në janar 2016 duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët e tyre. Vetëm dy ditë më vonë drama e saj personale kulmoi me vdekjen e të vëllait, Daniel, i cili gjithashtu vuante nga kanceri.

Megjithatë, edhe një herë ajo vendosi të bëhej e fortë dhe të qëndronte pranë fëmijëve të saj. Ajo mblodhi të gjitha forcat që i kishte mbetur, u përpoq pak nga pak të ngrihej sërish në këmbë.

celine dion1

Problemet shëndetësore

Megjithatë, kjo ngarkesë e madhe psikologjike pati efekte negative në shëndetin e saj. Në vitin 2018 ajo u përball me një problem serioz me dëgjimin për trajtimin e të cilit u konsiderua e domosdoshme t’i nënshtrohej një operacioni.

Ndërkohë, me kalimin e kohës, dobësimi i saj shqetësoi shumë njerëz. Madje disa shkuan deri aty sa të flasin për anoreksi, diçka që ajo e ka mohuar publikisht.

E megjithatë në fytyrën e saj dukej se diçka nuk shkonte. Ajo e ndjeu edhe vetë këtë pasi ndihej më e dobët çdo ditë që kalonte. Filloi të bënte analiza të shumta dhe të specializuara. Rezultatet nuk çuan në një diagnozë të qartë. Ndërkohë ajo vetë po përkeqësohej, derisa më në fund mjekët e saj e informuan se të gjitha simptomat e saj janë për shkak të një çrregullimi të rrallë neurologjik, që prek vetëm 1 në 1 milionë njerëz! Tani ajo po përballet me një tjetër betejë të vështirë nga e cila shpresojmë të dalë fitimtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura