Humbën jetën 600 mijë njerëz nga pandemia/ Presidenti i këtij shteti akuzohet për krime kundër njerëzimit, falsifikim dokumentesh dhe…

Oct 20, 2021 | 17:49
SHPËRNDAJE

Një raport nga një komision të posaçëm i Senatit brazilian do të rekomandojë që Presidenti Jair Bolsonaro të përballet me akuza penale për trajtimin e pandemisë COVID-19 që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 600,000 njerëzve në vend.

bolsa

Raporti prej gati 1,200 faqesh i hartuar nga senatori Renan Calheiros, akuzon zotin Bolsonaro për veprime të tilla si nxitja e përdorimit të trajtimeve të pamiratuara si për shembull hidroksil-klorina edhe pasi ato u panë të ishin të paefektshme, si edhe vonesat në blerjen e vaksinave.

Raporti arrin në përfundimin se presidenti Bolsonaro besonte se lejimi i përhapjes së virusit në të gjithë Brazilin do të çonte në imunitetin e tufës, duke bërë që një pjesë e madhe e popullsisë të fitonte imunitet nga sëmundja duke u infektuar prej saj.

Raporti i senatorit Calheiros rekomandon që ndaj zotit Bolsonaro të ngrihen akuza për krime kundër njerëzimit, falsifikim dokumentesh dhe nxitje të krimit.

Raporti gjithashtu rekomandon ngritjen e akuzave kundër dhjetëra zyrtarëve të qeverisë dhe aleatëve të presidentit, përfshirë tre nga djemtë e tij, njëri prej të cilëve është senator.

Raporti, i cili do t’i paraqitet komisionit të plotë prej 11 personash të mërkurën, është rezultat i një hetimi gjashtëmujor mbi përgjigjen e zotit Bolsonaro ndaj pandemisë, të cilin ai e ka hedhur poshtë duke e quajtur të motivuar politikisht.

Komisioni i plotë pritet ta miratojë raportin javën e ardhshme dhe t’ia përcjellë prokurorit të përgjithshëm, i cili është emëruar nga Presidenti Bolsonaro, duke i bërë të pakta gjasat që ai të ndiqet penalisht. /VOA/

© Panorama.al

Te lidhura