Humb në lojëra fati, hidhet nga kati i 9-të 48-vjeçari

Jun 10, 2014 | 13:48
SHPËRNDAJE

Pallati në Shkodër ku jetonte viktima Hebovia
Një 48-vjeçar nga qyteti i Shkodrës i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i nëntë i pallatit ku jetonte. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Perash”, ku sipas Policisë, viktima Flamur Hebovia ishte hedhur nga dritarja e dhomës në katin e nëntë, në kohën kur e gjithë familja e tij ndodhej në shtëpi. Dëshmitarë okularë që e kanë parë skenën thonë se askush nga familjarët e tij nuk e ka pikasur në kohë Hebobinë, i cili u gjet i pajetë në oborrin e një banese private të fqinjëve. Këta të fundit kanë lajmëruar policinë, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Burime konfidenciale pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut bëjnë me dije se 48-vjeçari ishte frekuentues i rregullt i lojërave të fatit, ndërsa nga ana tjetër abuzonte edhe me alkoolin. Ndërsa në familje ishte prind i rregull dhe nuk shfaqte shenja dhune apo nervozizmi, duke mos u dhënë shkak atyre që ta ndalnin në veprimin ekstrem. Nga po të njëjtat burime mësohet se viktima prej kohësh kishte shfaqur shenja depresioni, pasi mendohet se kishte lënë shuma të hollash në lojëra fati dhe nuk kishte mundësi që t’i shlyente ato. Mësohet se viktimës i është gjetur dhe një letër që kishte shkruar para vetëflijimit. “Ma bëni hallall. Grua, amanet t’i lë fëmijët”, kanë qenë fjalët e tij të fundit para se të linte jetimë dy fëmijët. Sipas Policisë, Flamur Hebovia ishte punonjës në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër. Nuk dihet shuma e saktë që kishte mbetur borxh Hebovia, ndërkohë që për familjarët ka qenë një ngjarje e papritur, pasi ai nuk u ishte ankuar më parë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet marrja në pyetje e familjarëve, të tronditur për çka u ndodhi sa hap e mbyll sytë. r.rr

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura