Humanizëm sipas rastit

Apr 3, 2020 | 15:59
SHPËRNDAJE

Pellumb nako

NGA PËLLUMB NAKO

Tërmeti i nëntorit të vjetshëm ishte i rëndë dhe shkatërrimtar jo vetëm për banorët e prekur direkt, por edhe për komplikacionet që solli më pas si pasojë.

Kurse fatkeqësia e sivjetme, ajo e epidemisë së coronavirusit ka përmasa më të përgjithëshme, me numër të madh të prekurish si dhe karakteristika të tjera ku pasojat nuk duken të lehta. Të dy tragjeditë na goditën njëra pas tjetrës. Ato e kanë tronditur thellë shoqërinë tonë, por jo aq sa për ta shkundur atë nga antivlerat që shfaq në mënyrë shqetësuese jo rrallë herë. Nga tragjedia në tragjedi, në shenjat e sjelljes sociale të shoqërisë sonë duket se negativiteti këmbëngul me kokëfortësi. Dhe nëse ka ndryshime, ato më shumë kanë përkeqësuar pozitivitetin e një shoqërie të shprehur me solidaritetin faktik ndaj viktimave të drejtpërdrejta dhe ato që vijnë si pasojë. Përveç kësaj, edhe marëdhëniet ndërmjet shtresave përbërëse të hierarkisë sonë sociale nuk kanë paraqitur ndonjë vlerë humane për t’u marrë në konsideratë. Mbështetja për njëra-tjetrën duket utopi larg aktualitetit.

Përtej disa shfaqjeve emoncionale të ngarkuara me një lloj histerie solidariteti me mjekët dhe infermierët, nuk është treguar ndonjë humanizëm që buron masivisht nga thellësia e shpirtit të çdo individi civil për t’u masivizuar më pas në formën e një trupe sociale unike për të përballuar të keqen. Ato shfaqje të solidaritetit të organizuara me duartrokitje me protagoniste qeverinë, më shumë treguan fasada të rrënuara ballkonesh të zhgarravitura nga mijëra kabllo të koklavitura sesa  njerëz që duartrokasin. Një qeveri e cila në kohë normale mbjell ndasi nuk ka sesi të gjenerojë solidaritet ndërmjet shtresave që nuk i trajton njëlloj. Nuk ka  sesi që ajo të jetë e ndryshme në këtë kohë të vështirë, kur në normalitet vetëm shtrëngon dhe nuk kërkon mbshtetje besimi. Pavarësisht pozave e gjetjeve të panumërta me natyrë propagandistike e jo, për të marrë pamje përgjegjshmërie civile në një situatë të tillë, ajo ka kohë që e ka vrarë komunitarizmin aq të domosdoshëm për një civilizim të përgjegjshëm.

Në rastin e termetit qeveria organizoi një lloj institucioni me emërtimin Komiteti Kombëtar i Rindërtimit. Krahas qeveritarëve, donatorë të ndryshëm, anëtarë të këtij Komiteti u shfaqën para mediave në krah të shefit të qeverisë, madje edhe si sfidues të tij. Ata folën për të dhenë shëmbullin e tyre jo vetëm në drejtim të sasive monetare të mbledhura, por edhe në transparencën e shpenzimeve të tyre. Dhe shumë mirë bënë. Reputacioni që fituan, sigurisht i shoqëruar me plot reklame, thuajse po i kthente në heronj të denjë për rë qeverisur edhe fatet e vendit. Në një moment nevoje, ata na u shfaqën si djem të mbarë për t’u marrë shembull. Agjë për t’u ankuar deri këtu.

Tani që fatkeqësia na ka pllakosur të gjithëve, ku etja për donacione mbetet masive, djemtë e mirë nuk po i shohim gjëkundi. Përse gjithë ky ndryshim nga rasti i parë në të dytin? Ndoshta harxhimi i parave për të ndërtuar dhe ndihmuar fatkeqët është më interesante financiarisht sesa blerja e paisjeve për spitalet dhe për mjekët. Ndoshta donacioni në këto momente nuk bie në sy dhe donatori humbet dukshmërinë. Nuk e di. Ndoshta asnjëra nga këto. Por ata nuk duken gjëkundi. Ca qese modeste me ndihma periferike mirë bëjnë, por janë larg shkëlqimit humanitar  dhe zhurmëmadh të tërmetit. Megjithatë dihet që bamirësia ka në themel humanizmin pa interes dhe të heshtur dhe si e tillë ajo shfaqet e njëjtë, kurdoherë dhe për këdo, pa asnjë përjashtim. Atje në Greqi një rrobaqepëse shqiptare nuk ia mori lekët spitalit për ca maska që qepi. Kaq mund të behej prej atyre djemëve të mbarë.

Nga ana tjetër, ndër faktorët politikë,  opozita godet qeverinë se në këtë kohë qameti qeveria gjeti kohën të paguaj oligarkët e saj. Ofertat e saj publike, si ndihmë për menaxhimin pa shumë dhimbje të epidemisë, krahas solidaritetit me popullsinë fokusohet në lehtësimin e barrës së humbjeve financiare të shtresave modeste. Pra barra e peshës të rëndojë kudo njëlloj.  Por, qeveria nga ana e saj thotë se ata nuk janë oligarkë, por sipërmarrës kapitalistë që ofrojnë shërbime për popullin dhe se ajo nuk ka ndërmend të privojë popullin nga shërbimet e tyre.

Oligarkët në një farë mënyrë janë prodhim rus dhe përfaqësojnë shtresat më të lartë të botës së biznesit të këtij vendi të lidhur me pushtetin politik dhe në partneritet ekonomik me të. Në media u tha që presidenti Putin do t’i detyronte me ligj  gjithë oligarkët për të kontribuar financiarisht në përballimin e situatës së coronavirusit. Sigurisht me këtë rast nuk bëhet fjalë për solidaritet sepse ata janë oligarkë dhe nuk e njohin këtë koncept. Janë ndryshe nga shumë syresh të botës perëndimore që dhuruan me miliona euro.

Po oligarkët tanë? Kryeministri thotë se ata nuk janë të tillë ndaj dhe ndoshta nuk vepron dot si presidenti rus. Ologarkë ose jo, dihet që ata janë shumë të pasur dhe ky nuk është mëkat. Nëse themi se nuk kanë lidhje politike me qeverinë pakkush do të na besonte dhe shumkush do të na tallte. Po ashtu dihet që ata kanë marrë para publike të drejpërdrejta nga taksat tona për shërbimet që na kryejnë, sidomos në fushën e shëndetit publik. Nga gjithçka që dihet dhe që duket , fakti më i sigurt ngelet se ata dalin mjaft mirë me fitimet. Edhe nëse nuk ndihen mirë, paratë tona do t’u plotësojnë humbje. Ndërkohë asnjëri prej tyre deri më sot ( të paktën në media nuk është folur), nuk ka bërë qoftë edhe një dhurim për të lehtësuar sado pak ngarkesën me të cilën peshon coronavirusi në vendin tonë. Sidomos ata që kanë concesione të lidhura me shëndetin publik. Kjo ndodh sepse shoqëria jonë kapitaliste e tregut të lirë dominohet nga pasunikë të bërë zengjinë kohët e fundit dhe zengjini i ri për para vret edhe të jatin. Ata nuk janë sipërmarrës me pasuri, janë oligarkë të pasuruar. Oligarku dhe sipërmarrësi vërtet kanë të përbashkët pasurinë e madhe, por jo civilizimin. Civilizimi, qytetaria nuk ka të bëjë me oligarkët, ndaj dhe shoqëria shqiptare është kaq shumë e frakturuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura