Hueyda el Saied: Fitova dhe burri im është i lumtur, se më në fund do të gatuaj për të

Feb 4, 2016 | 15:54
SHPËRNDAJE

Një “showgirl” si ajo, që i afrohet artit nga të gjitha skajet e mundshme. E njohur për fillimet e saj si balerinë, Hueyda el Saied ka guxuar në shumë drejtime si shkrimtare dhe së fundi si piktore. Ka mundur gjithmonë të pozicionohet në majë të çdo kompeticioni, realizimi artistik apo kauze, siç ndodhi me “Në një javë”, ku u shpall fituese bashkë me spikerin e lajmeve, Isli Islami.

Për rikthimin në ekran, arsyen që e shtyu të garonte kundër VIP-ave për më shumë para për fëmijët autikë të qendrës TISS, dhe jetën e re në Luksemburg me djalin Gabriel dhe bashkëshortin Michel, i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama”…

Fitove “Në një javë” me kauzën që u vjen në ndihmë fëmijëve të TISS – Qendra e Shërbimeve dhe Trajtimit Psikosocial. Çfarë të shtyu të sakrifikoje për ta?

Kisha dëgjuar për “Qendrën Tiss” ku trajtoheshin fëmijët e diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit, me metodat nga më të fundit dhe nëpërmjet artit, si piktura, muzika etj. Ndaj kontaktova drejtoreshën e saj, Anisa Dizdari, për t’i propozuar të garoja në spektakël për ta.

Sa është shuma e parave që do të shkojnë te kjo qendër dhe për çfarë do të investohen?

Ne jemi dy fitues të këtij spektakli, kështu që paratë do të jenë për dy kauzat tona, ajo e qendrës “Anad” për Islin dhe qendra “Tiss” për mua. Paratë për qendrën “Tiss” do të shërbejnë për të ndihmuar familjet e fëmijëve të diagnostikuar me spektrin e autizmit, të cilat kanë nevojë për mbështetje financiare, emocionale, sociale.

Fakti që je nënë tashmë të ka bërë më të ndjeshme ndaj fëmijëve, apo kështu ke qenë gjithmonë?

Prej katër vitesh jam ambasadore nderi për linjën kombëtare të këshillimit të fëmijëve “Alo 116”. Por pa dyshim që ardhja e Gabrielit, e ka shtuar ndjeshmërinë time ndaj fëmijëve.

Hueyda 10269628_10208520581638553_7760139339087590880_n

Numri akrobatik që performove në finale ishte i rrezikshëm dhe shumë emocionues. Si i përjetove netët e spektaklit, u ndjeve e aftë për të realizuar numrat e vështirë?

Unë jam argëtuar shumë si në përgatitjen e performancave, edhe gjatë spektaklit. Por çelësi i tyre ishte dhe partnerët me të cilët bëra performancat, si ata që i pata kolege në 10 javë apo Ibrahim Selishtan, me të cilin performova në finale.

Ky shou të riktheu në ekranin shqiptar pas një shkëputjeje. Si e përjetove dhe çfarë shije të la bashkëpunimi me VIP-at e tjerë?

Ishte një eksperiencë e veçantë. Më kishte munguar spektakli, televizioni, ndaj falënderoj autorin Rezart Aga, i cili më riktheu dhe më bëri pjesë të këtij formati kaq të veçantë. Me kolegët e tjerë kam pasur marrëdhënie të mira.

E shkuara si balerinë të ndihmoi në garë? Ushtrohesh ende për të ruajtur formën?

Kur fillova spektaklin u regjistrova për herë të parë në palestër, por rezistova vetëm 1 muaj. Ndërkohë që gjatë spektaklit jam munduar të shkoja në prova sa më shpesh dhe të përgatitesha me të njëjtin seriozitet si një fëmijë, kur ai luan.

Hueyda12540526_1660554350899650_5007442322874740204_n

Partneri yt të ndoqi në këtë show dhe çfarë komentesh të bëri?

Micheli më inkurajon në gjithçka që bëj. Mendoj që disa vota në performancat e mia kanë ardhur nga Luksemburgu. Është gëzuar për fitoren, se më në fund do të gatuaj përsëri për të. (Qesh)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura