Hoxha, Fejzullahu dhe Salzburgu, ja çfarë thotë presidenti Demi

Jul 24, 2016 | 19:59
SHPËRNDAJE

Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Magazine” në “Ora News”, ku ka lëshuar disa deklarata mjaft interesante si përsa i përket paraqitjes së skuadrës në vazhdimësi, ashtu edhe për individë të veçantë, mbi të gjithë të shumëpërfolurit Alban Hoxha dhe Arbnor Fejzullahi.

Alban-Hoxha

Për Alban Hoxhën

“Nuk e mohoj, në adresë të kapitenit Alban Hoxha ka mjaft oferta, për momentin Hoxha është pjesë e jona në aventurën në Champions League . Gjithsesi klubi mbetet i hapur për çdo ofertë dhe nëse një lëvizje e tillë do të realizohet, Hoxha nuk do të ketë asnjë pengesë nga klubi, pasi ne të gjithë dëshirojmë një karrierë sa më të pasur të portierit tonë”.

Arbnor-Fejzullahu-flet

Për Arbnor Fejzullahun

“Ai është një lojtar i Partizanit edhe për një tjetër vit, por nuk përjashtohet mundësia që Fejzullahu të rinovojë edhe për një tjetër sezon me ne”.

partizani hoxha

Për Ligën e Kampioneve

“Të jem i sinqertë jam emocionuar shumë për kualifikimin që skuadra arriti në Budapest ndaj Ferencvarosh. Gjithsesi me përfundimin e 90 minutave të rregullta të lojës moralisht ne si klub ishim të kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Përgjatë 30 minutave të shtesës ekipi më ka emocionuar vërtet, pasi tregoi karakter të fortë dhe për këtë dua t’i përgëzoj të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, që falë një ndeshje shumë pozitive arritën edhe kualifikimin drejt turit të tretë të Champions League. Kundërshtari ynë i radhës do të jetë Red Bull Salzburg, një klub me një buxhet shumë herë më të madh se Partizani. Megjithatë unë kam një parim personal: në fushë luajnë 11 kundër 11, Greqia u shpall kampione e Evropës duke na dhënë një shembull të mirë, ndaj dhe ne përse mos tentojmë të synojmë kualifikimin ndaj kundërshtarëve austriakë. Gjithçka mund të ndodhë, shpresoj të dhurojmë një tjetër paraqitje dinjitoze si ndaj Ferencvaroshit”.

tifoze partizani

Për kampionatin

“Prej 3 vitesh në krye të Partizanit në çdo sezon ne kemi arritur progres në lojë por edhe në klasifikimin përfundimtar në çdo fund sezoni duke rezultuar protagonistë absolut në kampionatin shqiptar. Nuk mund të flas i bindur që këtë vit Partizani do të shpallet kampion, pasi në luftë janë disa skuadra. Por konfirmoj se Partizani do të vazhdojë rrugën që ka nisur. E rëndësishme është që ne po punojmë për një Partizan të madh dhe për më tepër po ndërtojmë një Akademi Sportive model të standardeve Evropiane”.

Për tifozët

“Për sa i përket prezencës së tifozëve në stadiumin “Elbasan Arena“ të martën në përballjen ndaj Red Bull Salzburg, unë gjithmonë i kam respektuar maksimalisht, ndërsa për prezencën masive të tyre në këtë ndeshje nuk mund të flas, pasi ata e dinë vetë, për asnjë moment nuk e kanë braktisur skuadrën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura