Hoqi dorë nga gara për kreun e PS në Durrës, Kërtusha: ‘Asamblenë marionetë’ e krijoi Vangjush Dako, ai është drejtuesi politik i qytetit. Debatet më janë përkthyer në sulme

Jan 10, 2020 | 16:01
SHPËRNDAJE

kertusha

Ardit Kërtusha ka sqaruar sot akuzat e ngritura një ditë më parë, kur njoftoi dorëheqjen nga gara për kreun e Partisë Socialiste në Durrës.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në Neës24, Kërtusha shpjegoi edhe se kush është ajo që ai e ka quajtur “asambleja e zgjeruar që u krijua natën”.

Kush e krijoi Asamblenë marionetë, siç e quani ju?

Ata që drejtojnë aktualisht PS në Durrës, Vangjush Dako që është i deleguari i qarkut dhe kandidati, që jo më kot unë e kam quajtur kandidati marionetë, ky kandidat është vetëm fizikisht në atë pozicion se nuk ka të drejtë në asnjë lloj vendimmarrje. E vetmja vendimmarrje e tij është cështje e mendësisë dhe të përfitimit që atë e lidh drejtpërdrejt me PS. E tregoi haptazi me modifikimin e këtyre listave, unë isha një kandidat që nuk u informova as për datën, thjesht më thanë të shtunën keni zgjedhje, nuk më thanë as nëse do të kisha një përfaqësues në komision.

Unë lobova për një garë ‘një anëtar, një votë’, duke marrë shkas nga statuti i PS e cila flet qartë për një anëtar një votë për zgjedhjen e kryetarit të përgjithshëm, pra kryetarit të Tiranës dhe lë evazive pjesën e degëve.

Arsyeja që e la garën për Kërtushën ishin listat e fryra në mënyrë që në Durrës të mos ketë fare zgjedhje dhe të mandatohet atje një marionetë e Vangjush Dakos.

“Unë dal nga gara për kreun e degës së PS në Durrës, për arsye më kryesore për lista të tjetërsuara, që nuk ishin lista reale, por të fryra në mënyrë që të përcaktonin fituesin. Duke qenë përballë faktit që s’kisha asnjë komunikim me drejtuesit aktualë të PS, dhe listat më janë mohuar, e në rastin kur më erdhën listat ishin gjysmake. Më dërguan 5 lista për një palë zgjedhje.

Ky kandidat ka ardhur në krye të PS që para dy viteve dhe që në atë kohë ne e ngritëm zërin, e thamë që këto sjanë zgjedhje, se aty kishte vetëm një emër dhe të gjithë ne anëtarët u habitëm dhe kemi votuar me po, jo me ngritje dore. Ai nuk ishte legjitim dhe sic e mori në mënyrë jolegjitime atë mandat ashtu edhe ushtroi atë. Shkatërroi dy forumet kryesore të partisë, forumin rinor dhe të gruas, i ktheu organizatat nga funksionale në fiktive, në muajin e fundit që kishte zgjedhje plotësoi një listë me emra anëtarësh organizatash të cilët as ato vetë nuk ishin në dijeni që janë pjesë votues të kësaj gare.

Unë mendova që do ishte e pavend vazhdimi i kandidimit tim në këtë garë e të bëhesha pjesë e kësaj farse”.

Vangjush Dako, ish kryetar i bashkisë së Durrësit dhe familja e tij iu ndalua hyrja për në SHBA pasi sipas DASH ishte i përfshirë në raste të mëdha korruptive, si e vlerësoni figurën e tij?

Deri më sot ai është drejtues politik i qytetit të Durrësit. Dihet që çdo gjë e ka një cikël, një fillim dhe një fund. Por kjo nuk u përqafua nga zoti Dako.

Keni pasur debate ju të dy për këtë çështje?

Debatet janë përkthyer në sulme të ndryshme që janë bërë që me vende pune, në momentet që u panë organizimet e para në qytet, u bë edhe goditja ime e parë, shkarkimi im nga puna. Më pas këto presione vazhduan në mënyrë të vazhdueshme.

Dhe ju besoni se këto kanë ardhur nga zoti Dako?

U bë në mënyrë të vazhdueshme, që të humbi fryma e kërkimit të një farë karriere të të rinjve durrsakë brenda partisë. Nuk është puna e Arditit, ka shumë djem e vajza në Durrës që janë shumë më të shkolluar se unë, e unë këtë kërkova që të gjithë bashkë të bëjmë karrierë brenda partisë sonë.

Por nuk u lejuat nga zoti Dako thatë se nuk do ishit një marionetë e tij?

Po e vërtetë. Unë kam drejtuar edhe forumin rinor, bëmë një përfaqësim dinjitoz, sot më vjen keq kur shikoj që kemi një kryetar partie që këtë forum sot e ka bërë inekzistent. Thamë hajde ti shërbejmë PS që të kemi një jetëgjatësi në të ardhmen.

Historia ka treguar që e reja është anagoniste me të vjetrën dhe e lëmë që e kanë të vështirë ta pranojnë idenë se dikush ka një zë ndryshe, se kërkojnë si cdo gjë tjetër shqiptarëet e monopolizojnë cdo pozicion që kanë dhe kjo është pjesa më e rrezikshme për të gjithë ne. Pra paragjykohemi ne të rinjtë që kërkojmë të kontribuojmë ne vendin tonë, e nuk paragjykohen të rinjtë që lenë vendin e ikin në shtete të ndryshme.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura