Homazh për operatorin/ Flet Besnik Bisha: Ç’më tha për skenarin. Besnik Mustafaj: Fillimisht mendova se nuk bëhej film, kur e pashë…

Oct 18, 2019 | 10:47
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Ndoshta qe pritja, pritja e gjatë deri në marrëzi, si fenomen i pakuptimtë për të, çka bëri që të dëgjonte zërin e Anilës teksa i sugjeronte “Verën pa kthim” të Mustafajit, si idebërthamë për filmin e tij të ri.

5d4df7f2f0-poster

Pasi e rilexon, Besnik Bisha nuk mendohet gjatë e pohon i bindur: Po, do ta bëj film! Me emocionet e premierës, tani që fëmija filmik ka kontaktin e parë me publikun, regjisori rrëfen lexuesin e parë të skenarit të tij “INANE” (Vera pa kthim), operatorin Leonard Qendro që mungon prej më shumë se një viti.

“Pasi e përfundova skenarin, të parit që ia dërgova tekstin ta lexonte qe Nardi. Ia nisa me email në Amerikë, e pa kaluar dy orë ai më thotë: ‘Po më ther gjoksi. Do ta bëjmë këtë film’”, tregon Bisha i emocionuar ndërsa fton publikun në homazh për Qendron e kineastin Andon Koja (asistent regjisor). “E realizuam filmin!”, thotë ai me dhimbjen që miqtë s’mundën ta shohin. Është optimist për filmin dhe preferon që të jetë publiku ai që do të gjykojë nëse “i ka qëndruar besnik” romanit “Vera pa kthim” të Besnik Mustafajit.

I është mirënjohës shkrimtarit që i besoi këtë histori. Këtë subjekt të përpunuar nga vetë ai, e ku siç thotë “ka gjetur shumë veten”. Ky është bashkëpunimi i tyre i dytë, ku ndryshe nga ç’ndodhi me filmin “Mao Ce Dun”, skenarin nuk e ka realizuar Mustafaj. “Unë nuk e kam parë kurrë këtë roman si film, ndaj kur Besnik Bisha më propozoi idenë, reagimi im i parë ka qenë: Nuk bëhet! Nuk pranova as të marr pjesë në krijimin e skenarit, e as që ta lexoj. Isha shumë kurioz të shikoja interpretimin regjisorial që Bisha do t’i bënte në pavarësi të plotë nga unë. Dhe kur e pashë filmin, me distancën e një njeriu që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me veprën, pavarësisht se bazohet në romanin tim, më ka pëlqyer tej mase”, tregon Mustafaj.

Një film, që duket se i ka pasur që në zanafillë aktorët protagonistë. “Kur kam shkruar skenarin, unë kam pasur parasysh Neritan Liçajn dhe Anilën, e dija mirë që ata do të ishin personazhet. Dhe e ndërtova në mënyrë të tillë që të mos humbiste asnjë nga elementët që unë do të doja të ishin prezentë”, tregon regjisori. Ndërsa Anila me humor pohon se “të punosh në xhirime me Besnikun, do të thotë të marrësh 10-fish vëmendje”, regjisori në këtë bashkëpunim të dytë me të thotë se: “Në sheshin e xhirimit për mua të gjithë aktorët janë njësoj”. Është entuziast edhe për praninë e së bijës në film.

“Në fillim, vajza ishte një zgjidhje për shkak të ngjashmërisë me Anilën, por në vijim na befasoi, pasi është një aktore shumë e mirë. Nuk është futur thjesht si imazh në këtë film, por përmes interpretimit të saj, arrin të bëhet një personazh i rëndësishëm, e mbi të gjitha të justifikojë pritjen për 3 dekada, dashurinë e madhe të Sanës”. Krahas rolit të protagonistes që ndan me të ëmën, Anilën, Rea ka bashkëpunuar edhe për muzikën e filmit në rolin e pianistes.

“Jam shumë i kënaqur me muzikën e filmit. Marco Werba, edhe pse nuk është shqiptar, ka bërë një muzikë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, duke iu përqasur më së miri emocioneve të këtij filmi”, thotë Bisha. “INANE” ka si financues kryesor Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri si dhe Qendrën Kombëtare Kinematografike të Maqedonisë së Veriut. Ky film është bashkëprodhim i ARBfilm dhe AAfilm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura