Homazh për një politikan të përmasave botërore

Mar 12, 2019 | 11:18
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI   Kreu i Gjykates se Larte, Xhezair Zaganjori

Më 4 mars të këtij viti, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 82- vjeçare Klaus Kinkel, një nga personalitetet më të shquara të politikës së jashtme, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë e më gjerë. Ai ishte pa dyshim ministri energjik, i palodhur, shumë i përkushtuar e tepër serioz që dha kontribut të çmuar në zhvillimet pozitive europiane e ndërkombëtare gjatë viteve ‘90 të shekullit që kaloi. Njohja me të, thjesht për shkak të detyrës që unë kam kryer në Gjermani në vitet e largëta 1992 – 1997, më nxitën të shkruaj disa rreshta si homazh dhe respekti pa kufi për këtë politikan të përmasave botërore, i cili sigurisht që duhet kujtuar me dashuri e mirënjohje të thellë nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Klaus Kinkel lindi në vitin 1936, në qytetin Metzingen (në jug të Shtuttgartit) të landit gjerman Baden -Wurtenberg. Këtu mbaroi edhe shkollën tetëvjeçare dhe të mesme, për të vijuar më pas studimet për Mjekësi, në profesionin e babait të tij. Por me mbarimin e tyre, dëshira për t’u bërë nëpunës i lartë i shtetit, e nxiti të studionte edhe drejtësi në universitetet e njohura gjermane në Tybingen e Bon, për t’i përfunduar me studimet doktorale po në Drejtësi në Universitetin e Kelnit në vitin 1964. Në vitin 1965, filloi punë në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme, i angazhuar me çështjet e sigurisë. Njohja me Gensherin në fillim të viteve ‘70, në atë kohë ministër Federal i Punëve të Brendshme, përcaktoi tërësisht karrierën e mëvonshme të Klaus Kinkelit. Në vitet 1970–1974 ai ishte shefi i kabinetit dhe sekretar personal i tij.

001 (2)

Në vitet 1979– 1982, Klaus Kinkel do të kryente detyrën e vështirë, por tepër të rëndësishme të Presidentit të Shërbimit Gjerman të Inteligjencës. Nga viti 1982 deri në vitin 1991, Klaus Kinkel ishte Sekretar Shteti (zëvendësministër) në Ministrinë e Drejtësisë. Ndër të tjera, në këtë detyrë mund të evidentohet angazhimi i plotë i tij për hartimin dhe përfundimin në pranverën e vitit 1990 të së ashtuquajturës “Marrëveshja 2+4” (dy Gjermanitë dhe katër fuqitë Aleate të koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore), e cila, pas ratifikimit të saj, do të çonte në bashkimin de jure të dy Gjermanive më 3 tetor të vitit 1990 (Festa Kombëtare e Gjermanisë Federale sot). Nga janari i vitit 1991 deri në majin e vitit 1992, Klaus Kinkel do të kryente detyrën e ministrit Federal të Drejtësisë. Sfidat më të mëdha të kësaj ministrie në këtë periudhë ishin miratimi i akteve dhe marrja e masave praktike për realizimin de facto e hap pas hapi të bashkimit të Gjermanisë. Përmenden gjithashtu në këtë periudhë edhe përpjekjet e tij për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës për krimet dhe padrejtësitë e shumta të regjimit komunist të Gjermanisë Lindore, e veçanërisht të udhëheqësve kryesorë të tij, si Erich Honeker, Erich Mielke si dhe drejtuesve të shumtë të shërbimit sekret gjermano-lindor (STASI). Nuk mund të lihet pa u përmendur gjithashtu edhe nisma personale e z. Kinkel si ministër Drejtësie, për të krijuar në vitin 1992 fondacionin e mirënjohur gjerman IRZ (Fondacioni Gjerman për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Fushën e Drejtësisë – Deutsche Stifftung fur Internationale Rechtliche Zusammenarbeit). Ky fondacion që vazhdon të mbështetet fuqimisht nga qeveria gjermane, është sot një nga mekanizmat më të suksesshëm të bashkëpunimit dhe ndihmës që u jepet vendeve të shumta kudo në botë, për të promovuar parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës si dhe mbrojtjen sa më efektive të të drejtave dhe lirive themelore të individit. Prej vitesh, aktivitetet e këtij fondacioni janë shtrirë dukshëm edhe në Shqipëri.

003 (2)

Nga maji i vitit 1992 deri në tetor të vitit 1998, Klaus Kinkel ka kryer detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane, njëkohësisht edhe atë të zëvendëskancelarit të RFGJ, duke zëvendësuar në këtë funksion ikonën e politikës së Jashtme gjermane, Hans – Dietrich Gensher. Pavarësisht detyrave dhe sfidave të shumta e të vështira në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, ashtu si paraardhësi i tij, edhe Kinkel arriti shpejt të shkëlqejë si një margaritar i vërtetë në kurorën e politikës së jashtme rajonale dhe globale. Janë pa fund angazhimet e tij në këtë drejtim. Mjafton të përmendim këtu punën dhe mbështetjen e tij të pakursyer për ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të Traktatit të Mastrihtit, i cili bëri jo vetëm ndryshime tepër të rëndësishme në këndvështrimin institucional, por ngriti gjithashtu në një stad të ri bashkëpunimin e shteteve anëtare të Komunitetit Europian, duke bërë realitet shkëmbimet e rregullta dhe koordinimin e përbashkët edhe për çështjet e politikës së jashtme, të sigurisë, të punëve të brendshme dhe drejtësisë. Klaus Kinkel përcaktoi si orientim kryesor të politikës së jashtme gjermane integrimin e vazhdueshëm europian si dhe marrëdhëniet prioritare transatlantike, me fokus kryesor partneritetin strategjik me SHBA. Në vitin 1993, Kinkel u angazhua për realizimin e ndryshimeve kushtetuese në Gjermani (Ligjin Themelor) për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes së trupave gjermane në Operacionet Paqeruajtëse të OKBsë apo mekanizmave të tjerë ndërkombëtare. Së bashku me ish-ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA, Richard Hollbruk, dhe ish-Kryeministrin suedez, Karl Bild, ai u angazhua me të gjitha energjitë për menaxhimin sa më mirë të krizës në ish-Jugosllavi, veçanërisht në armëpushimin e Bosnjës dhe përfundimin e Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995. Mbi këtë bazë, në emër të qeverisë gjermane, në fillim të dhjetorit 1995, ai i paraqiti për miratim Parlamentit (Bundestagut) programin dhe detyrat që dilnin për zbatimin e kësaj marrëveshje për palën gjermane, përshirë këtu edhe dërgimin për herë të parë, pas Luftës të ushtarëve gjermanë në kuadër të Forcave Paqeruajtëse. Kinkel propozoi dhe luajti rol kryesor në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish– Jugosllavinë, duke u marrë edhe vetë personalisht me hartimin e Statutit të kësaj Gjykate. Ai bëri thirrje të vazhdueshme për një angazhim më të madh të Komunitetit Europian në zgjidhjen e krizës në ish– Jugosllavi si dhe pranimin e më shumë refugjatëve që vinin nga zonat e konflikteve të armatosura nga ky rajon i Europës. Njihen, nga ana tjetër, përpjekjet e tij për t’i garantuar Gjermanisë një rol ndërkombëtar më të rëndësishëm, e në këtë kuadër, veçanërisht ajo e një vendi permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai bëri përpjekje të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta gjithashtu pranë shumë qeverive, kudo në botë, për të respektuar realisht në jetën e përditshme të drejtat e pakicave si dhe të drejtat dhe liritë themelore të individit, si kushte esenciale për të garantuar paqen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjitha shtresat e popullsisë pa dallim, e të tjera. Megjithatë, ajo që duhet dalluar qartë në të gjithë aktivitetin e tij, kryesisht si ministër i Punëve të Jashtme të RF Gjermane, është kuraja për dialog të menjëhershëm e të drejtpërdrejtë në dobi të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare kudo në botë. Zgjuarsia për të propozuar e ndërmarrë nismat e duhura për zgjidhjen e konflikteve apo situatave të ndërlikuara ndërkombëtare; vizioni i qartë për të vlerësuar e marrë masat e nevojshme për arritjen e objektivave të kërkuara; vendosmëria për t’u shkuar gjërave deri në fund, pavarësisht vështirësive apo presioneve. Klaus Kinkel nuk dinte të qëndronte i heshtur apo neutral në pritje të prononcimeve apo veprimeve të palëve apo partnerëve të tjerë në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, gjë që rëndom nuk është veprim i zakonshëm në fushën e diplomacisë. Përkundrazi, ai shpaloste pa asnjë hezitim, në mënyrë tepër të qartë e të vendosur, me tonin kritik, buzëqeshjen apo edhe vrazhdësinë e kërkuar sipas rastit, mendimet e tij, duke pasur parasysh gjithnjë vetëm qëndrimet ligjore e parimore, interesat e paqes, bashkëpunimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së jetës dhe të drejtave të njerëzve.

Për shkak të punës, kam pasur privilegjin, nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në vitet 1992-1997, të takohem dhe të bashkëbisedoj në mjaft raste me ministrin e Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, në zyrën e tij, në pritje apo ceremoni të shumta, ta shoqëroj në dy vizita në Shqipëri e të tjera. Sigurisht që nuk është rasti të përshkruhen me hollësi këto takime. Megjithatë, ajo që mund të thuhet me plot gojë e pa mëdyshje është fakti i vlerësimit dhe interesit të jashtëzakonshëm që ai kishte në vazhdimësi për zhvillimet në Shqipëri si dhe për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Ishte bërë rëndom e zakonshme që pothuajse në çdo takim zyrtar apo jozyrtar, Klaus Kinkel të përsëriste deklarimin e tij se Gjermania do të jetë gjithnjë e gatshme për të qenë avokate e papërtuar dhe për të ndihmuar Shqipërinë si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrugën e integrimin të saj europian dhe transatlantik, me kushtin e bashkëpunimit të ngushtë të vendit tonë edhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për të pasur rezultate konkrete në zbatimin e reformave të qenësishme drejt respektimit të parimeve të shtetit ligjor, të demokracisë, ekonomisë sociale të tregut dhe fqinjësisë së mirë. Që në vizitën e tij të parë në Shqipëri, në fund të prillit të vitit 1994, u theksuan ndër të tjera tema të tilla të rëndësishme s: perspektivat e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europes, NATO dhe Bashkimin Europian; çështja e Kosovës; nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët Gjermano–Shqiptare për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik; mbështetja e projekteve konkrete në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes së ambientit, specializimeve dhe furnizimit me ujë të mjaft qyteteve të vendit tonë; dhënia e garancive “Hermes” si mundësi i nxitjes së investimeve gjermane në Shqipëri e të tjera. Në pranverën e vitit 1996 do të ishte pikërisht Kinkel dhe ish-inistri gjerman i Mbrojtjes, Volker Ruhe, që do të na nderonin me propozimin dhe besimin që një kontingjent i forcave tona të armatosura t’u bashkëngjitej atyre gjermane në kryerjen e misionit Paqeruajtës të OKB-së në Bosnje. Po kështu, mund të përmendim edhe propozimin e përgatitur nga ai vetë për Kancelarin gjerman Helmut Kohl në fillim të vitit 1996, që Shqipëria të përfundonte në këtë vit (1996) një marrëveshje të veçantë asociimi (Marrëveshje Europiane si në rastin e Kroacisë) me Bashkimin Europian, gjë që për arsyet që tashmë dihen, nuk pati fatin të realizohej. Në letrën që Klaus Kinkel i dërgonte qeverisë shqiptare më 24 dhjetor 1996, krahas vlerësimeve, vinte theksin e nevojës së bashkëpunimit të të gjithë forcave politike shqiptare veçanërisht me Këshillin e Europës dhe OSBE-në, duke përfunduar se, “… vetëm kështu rrisni besimin për bashkëpunim, bëheni faktor i rëndësishëm për stabilitet e përparim në rajon dhe avanconi në rrugën e integrimit…”. Ngjarjet e vitit 1997, në vendin tonë ai i cilësonte si absurdin më të madh të një vetëvrasjeje fatale dhe të pakuptimtë. Megjithatë, ai shprehte optimizmin, shpresën dhe mbështetjen për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Pikërisht për këtë qëllim, në mesin e vitit 1997, ai ngarkoi Drejtorin e Përgjithshëm Politik të Ministrisë së Jashtme gjermane, Wolfgang Ishinger, për të marrë kontakte me qeverinë e re dhe për të bashkëbiseduar me të gjithë forcat politike në Shqipëri.

Për sa më sipër, mund të veçohen edhe raportet shumë miqësore e tepër të veçanta që Klaus Kinkel krijoi me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Respekti dhe vlerësimet e tij për këtë figurë të shquar dhe emblematike të shqiptarëve ishin të jashtëzakonshme. Pavarësisht ngarkesës së madhe të punës, përmes koordinimit të ambasadës sonë dhe LDK, ai gjente gjithnjë kohë për t’u takuar me z. Rugova. Për më tepër, në vitet 1993–1994, jashtë çdo standardi protokollar, ministri i Jashtëm gjerman e ka ftuar dy herë zyrtarisht Presidentin Rugova “si mikun e tij të veçantë” për të qëndruar së bashku me drejtues të tjerë të LDKsë një javë të tërë në vilën qeveritare Shën Petërsberg të Bonit, për takime dhe konsultime të përbashkëta mbi situatën dhe perspektivën e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Ai ishte gjithashtu ndër të parët personalitete botërore që dënoi ashpër masakrën shtetërore të ushtrisë serbe ndaj familjes Jashari në marsin e vitit 1998.

Në planin personal dhe njerëzor, dua të kujtoj takimin e fundit me z. Kinkel, më datë 11 tetor 1997, ku për rreth dy orë, kemi bashkëbiseduar, kemi parë dhe duartrokitur pa mbarim së bashku në Stadiumin e Hanoverit ndeshjen spektakolare dhe tepër emocionuese ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë (rezultati 4-3), për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit “France 1998”. Dy dite më vonë, unë do të kthehesha në Shqipëri për shkak të mbarimit të detyrës.

Në tetor të vitit 1998, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, Klaus Kinkel do të largohet nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe zëvendëskancelarit të Qeverisë së RFGjerma ne, për t’u angazhuar më pas jo vetëm si avokat, por edhe në një sërë aktivitetesh të tjera biznesi dhe me natyrë filantropike, si anëtar i Këshillit Drejtues të Klubit “La Redoute” me qendër në Bon; Anëtar i Kryesisë së Shoqatës Gjermane të OKB-së; Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Nismës Gjermane për Lindjen e Afërt; Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Tekomit Gjerman; Anëtar i Këshillit Europian të Mbikëqyrjes së Bankës Amerikane Lehman Brothers, e të tjerë. Po ashtu, ai ka qenë sërish mjaft aktiv edhe në botën gjermane të futbollit. Mund të përmendim qenien me vite të tëra si Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bundesligës Gjermane; Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Fondacionit “Sepp Herberger”, trajnerit legjendar që drejtoi ekipin gjerman në fitoren e Kampionatit Botëror, organizuar në Zvicër, në vitin 1954; Zgjedhja në vitin 2016 e Z. Kinkel si President i Komisionit të Etikës së Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), krijuar po këtë vit në kuadër të masave që synojnë rritjen e transparencës dhe integritetit të këtij mekanizmi të rëndësishëm të futbollit, pas skandalit financiar rreth organizimit në Gjermani të Kampionatit Botëror të vitit 2006.

Figurat më të shquara të jetës politike gjermane e më gjerë kanë vlerësuar këto ditë punën dhe veprën e paharruar të Klaus Kinkelit si zyrtar i lartë shtetëror dhe si njeri. Presidenti gjerman, Walter Steinmeier, theksoi se: “Klaus Kinkel ishte një njeri që bëri shumë për popullin dhe vendin e tij. Si asnjë tjetër, ai kishte kurajën civile dhe kulturën demokratike për të punuar shumë, bazuar në arsyen e shëndoshë, tolerancën dhe transparencën”. Kancelarja Merkel vuri në dukje se shpreh ngushëllimet më të thella për një bashkudhëtar besnik të periudhës së ribashkimit të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, vlerësoi punën dhe kontributin e tij veçanërisht në politikën e jashtme, duke theksuar se: “Vendi ynë humbi një liberal të madh. Ai bëri gjithçka që Gjermania e Bashkuar të gjente vendin e merituar në botë. Klaus Kinkel do të na mungoje neve dhe Gjermanisë”. Ursula Schnarrenberger, për vite me radhë ish-ministre e Drejtësisë, vuri në dukje se “Integrimi i vazhdueshëm europian ishte pasioni kryesor i tij dhe se bashkimi i Gjermanisë ka pa dyshim edhe firmën e Z.Kinkel”. Edhe Presidenti i Komisionit të Bashkimit Europian, Zhan Klod Junker, u shpreh se me vdekjen e Klaus Kinkelit, “Ne humbëm një patriot gjerman dhe një europian të madh”.

Pa dyshim që edhe ne si vend dhe si popull, kemi shumë arsye për ta respektuar dhe për t’i bërë homazh figurës së Klaus Kinkelit, këtij politikani të shquar e me zemër të madhe, që bëri shumë edhe për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në tërësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura