Homazh për Heinz Schwarz

Mar 14, 2023 | 8:02
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Me 6 mars 2023, në moshën 94-vjeçare, mbylli sytë përgjithmonë politikani gjerman Heinz Schwarz, njeriu që u bë pjesë integrale e historisë politike të Republikës Federale të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua me të gjitha energjitë punës me njerëzit dhe për njerëzit, duke bashkëthemeluar dhe milituar aktivisht në radhët e Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU – Christian Democratic Union), parti politike që u ka dhënë tonin ndryshimeve historike në Gjermani e Europë. Që në vitin 1946, në moshë fare të re, ai u bë anëtar dhe Sekretar i Bashkimit Rinor të CDU-së në Neuwied, e në vijim edhe Sekretar i Përgjithshëm Federal i Bashkimit Rinor të CDU-së. Më pas do të kryente detyra të tilla të rëndësishme, si Kryetar i Bashkisë së qytetit Bad Honef; deputet në Parlamentin e Landit Rheinland – Pfalz dhe Ministër i Punëve të Brendshme po në këtë Land; deputet në Parlamentin Gjerman; bashkëpunëtor në Fondacionin Konrad Adenauer; e të tjerë. Në këto detyra ai ishte gjithnjë pranë drejtuesve kryesorë të CDU-së, Konrad Adenauer, Kurt Georg Kiesinger, Helmut Kohl e Angela Merkel. Megjithatë, lidhjet më të ngushta ai do t’i kishte veçanërisht me Helmut Kohl, pasi të dy së bashku, si dy miq të mirë e të ngushtë, filluan rrugëtimin në politikën gjermane menjëherë pas Luftës. Ky rrugëtim përshkruhet gjerësisht dhe mjaft mirë në të gjitha botimet me kujtime të ishKancelarit gjerman.

Në njoftimin zyrtar të bërë më 7 mars 2023 nga selia qendrore e Bashkimit Kristian – Demokrat në Landin Rhenland – Pfalz, thuhet ndër të tjera se “Me vdekjen e Heins Schwarz, CDU humbi një mik dhe një kritik të çmuar, që me këshilla e vepra i qëndroi gjithnjë besnik partisë së tij..”. Kryeministrja e Landit Rheinland – Pfalz, Malu Dreyer, që në nivel federal është njëkohësisht edhe një nga figurat politike kryesore të Socialdemokratëve gjermanë (SPD), vuri në dukje se “Heinz Schwarz ishte një politikan me bindje të thella … që punoi pa pushim për një të ardhme më të mirë të vendit tonë, duke krijuar ura njerëzore komunikimi, të nevojshme për një demokraci të shëndoshë..”.

Por Heinz Schwarz ishte njëkohësisht edhe një mik mjaft i mirë i shqiptarëve. Gjatë viteve 1992 – 1997 kur kryeja detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, kam pasur nderin e kënaqësinë e veçantë të bashkëpunoj ngushtësisht me këtë burrë të shquar për çështje të ndryshme që lidheshin me realizimin e detyrave kryesore të përfaqësisë sonë. Dhe shpesh vendi më i përshtatshëm i këtyre takimeve ishin kongreset apo aktivitetet e tjera të CDU-së e Fondacionit Konrad Adenauer, të cilat ndiqeshin rregullisht nga z.Schwarz. Në mjaft raste të tjera, këto takime bëheshin edhe në shtëpinë e tij, e cila ishte gjithnjë e hapur për zyrtarë e miq nga vendi ynë. Pikërisht për këto arësye, pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar nga shërbimi im në Gjermani, e ndjeva si detyrë morale e personale ti kthehem kujtimeve të kësaj periudhe, për të shkruar diçka në nderim të kësaj figure politike e humane.

Heinz Schwarz lindi më 24 korrik 1928 në qytezën Leubsdorf në afërsi të Bonit, në një familje fermere që merrej kryesisht me prodhimin e verës. Gjithë jetën e tij thuajse shekullore, ai e kaloi në këtë shtëpi. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti në moshën 11-vjeçare. Megjithatë, në marsin e vitit 1945, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai u detyrua të shërbente si furnizues armatimi në ushtrinë gjermane në Betejën e Urës së Remagenit, e cila ndodhej në afërsi të vendbanimit të tij. Është padyshim një nga betejat më të ashpra e më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore mes Ushtrisë Amerikane dhe Wermachtit Gjerman, që për 18 ditë me radhë, nga 7 deri më 25 mars 1945, përdorën armatimet më të rënda e më moderne që dispononin në atë kohë. Mjafton të përmendet që gjermanet angazhuan në këtë betejë 375 avionë bombardues si dhe përdorën për herë të parë raketat balistike V2, të zhvilluara në kuadër të programit bërthamor të ushtrisë hitleriane nga shkencëtari Werner von Braun, i cili pas Luftës do të drejtonte programin e ShBA (NASA-s) për hapësirën kozmike. Urdhri i Hitlerit ishte i prerë, Forcat Aleate nuk duhej të kalonin lumin e Rinit, për t’u drejtuar më pas drejt Zonës së Ruhrit, e prej aty në Berlin. Ndaj, siç kujtonte Schwarz në një intervistë të tre viteve më parë (mars 2020), me rastin e 75-vjetorit të kësaj beteje, “Çdo gjë mbi tokë duhej të hidhej në erë”. Por falë kurajës unike e vetëmohimit të ushtarëve amerikanë, Ura e Remagenit ra në dorë të Aleatëve. Kryekomandanti i Forcave Amerikane dhe një nga drejtuesit kryesorë të Koalicionit Aleat, Dwight Eisenhower, që në vitet 1953 – 1961 do të bëhej edhe President i ShBA, duke shprehur entuziazmin për këtë fitore të rëndësishme, vuri në dukje se tashmë nuk ka nevojë për bisedime me gjermanët, pasi ditët e makinerisë ushtarake naziste dhe të vetë pushtetit nazist, janë të numëruara. Duke kujtuar këtë betejë, Schwwarz preferonte shpesh të ritheksonte shprehjen e përdorur nga ish-Presidenti gjerman Richard von Weiszacker, se 8 maji 1945 që shënon përfundimin e Luftës së Dytë Botërore nuk duhet të përkujtohet thjeshtë “..si humbja e luftës, por si dita e çlirimit të tyre nga sistemi çnjerëzor i tiranisë nacional – socialiste..”. Vite më pas, Heinz Schwarz do të ideonte personalisht e do të realizonte edhe një memorial të vecantë pranë Urës së shkatërruar të Remagenit, në të cilin shkruhet “Paqja pa Liri nuk mund të jetë Paqe. Nga Heinz Schwarz, që më 1945 ishte furnizues armatimi, ndërsa në vitet 1971 – 1976, ministër i Punëve të Brendshme”.

Pikërisht mbi bazën e këtij reflektimi, menjëherë pas Luftës, krahas arsimimit të tij në fushën e ekonomisë bankare, vendosi t’i dedikohej edhe politikës. Për këtë arsye, që në vitin 1946, tashmë në moshën 17-vjeçare, ai vendosi t’i përgjigjej thirrjes së Konrad Adenauerit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Kristian – Demokrat (CDU), të krijuar në janar të po atij viti në të njëjtin Land, pra, në Landin Rheinland – Pfalz, që në atë kohë ndodhej nën kontrollin e Forcave Britanike. Në vitin 1950, në Kongresin themelues të CDU-së federale, mbajtur në qytetin Kaizerslautern, Heinz Schwarz do të ishte mes 398 delegatëve që votuan për zgjedhjen e Kryetarit të saj Konrad Adenauer, i cili me shpalljen e Republikës Federale Gjermane në maj 1949 në territorin që përfshinte tri zonat e kontrolluara nga tre Aleatët Perëndimore, ishte zgjedhur tashmë nga Këshilli Parlamentar Kancelar i saj. Në vitet 1952 – 1954, Schwarz do të zgjidhej Sekretar i Bashkimit Rinor të CDU-së së Landit Rhenland – Pfalz, detyrë që e kryen në bashkëpunim me shokun e tij të ngushtë, Helmut Kohl, i cili ishte dy vjet më i ri.

Helmut Kohl përshkruan në kujtimet e tij se në këto vite, së bashku me Heinz Schwarz dhe Heinrich Holkenbrink, punonin së bashku intensivisht si një treshe e pandarë për futjen e një fryme e mentaliteti krejtësisht të ri në CDU, në përputhje me parimet e demokracisë liberale të vendeve perëndimore, gjë që nuk ishte aspak e lehtë në jetën e përditshme. Përveç kësaj, duhej organizuar puna për të luftuar tregun e zi si dhe për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, aq të domosdoshme për situatën ekonomike tepër të vështirë që po kalohej. Në vitet 1955 – 1961, Heinz Schwarz do të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Rinor të CDUsë. Me këtë rast, do të transferohej me zyrë në selinë qendrore të CDU-së në Bon, ish–kryeqytetin e RFGj. Helmut Kohl i shkruan me këtë rast një letër, në të cilën, pas urimeve e paralajmëron se puna në Bon ka edhe një anë të rrezikshme, pasi në ndryshim nga puna e përbashkët në Maiz, kryeqytetin e Landit Rheinland – Pfalz, “.. në Bon ekziston rreziku i infektimit me zakonet e burokratëve , të cilët janë të lidhur fort pas karriges, duke mos e njohur realitetin e përditshëm të jetës së vështirë në Gjermani..”.

Në vitet 1959 – 1976, Heinz Schwarz ishte deputet në Parlamentin e Landit Rheinland – Pfalz. Brenda kësaj periudhe, në vitet 1967 – 1971 ai ishte njëkohësisht edhe zëvendës/kryetar i fraksionit CDU në këtë Parlament si dhe Kryetar i Komisionit të Punëve të Brendshme, ndërsa në vitet 1971 – 1976 ishte Ministër i Punëve të Brendshme në këtë Land, në një kohë që Kryeministër në Qeverinë e këtij Landi ishte në këtë kohë Helmut Kohl.

Në vitet 1976 – 1990, Heinz Schwarz do të ishte deputet i CDU-së në Parlamentin Federal (Bundestag). Gjatë gjithë kësaj periudhe ai ka kryer detyra të ndryshme, duke qenë njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme në këtë Parlament. Puna e tij në Bundestag merr një impuls tjetër veçanërisht pas vitit 1982, kur Helmut Kohl zgjidhet Kancelar i RFGj., Helmut Kohl, thekson në kujtimet e tij se vitet e para të punës si Kancelar ishin të vështira, sidomos për shkak të vazhdimit të debatit të madh mbi vendosjen e raketave bërthamore të NATO-s Pershing I dhe Pershing II në territorin e RFGj, si dhe për shkak të mjaft problemeve të politikës së brendshme. Kohl përmend se në këtë situatë kujtohej shpesh për shprehjen e njohur dhe cinike gjermane, se në politikë njeriu ka gjithnjë kundërshtarë, që për nga agresiviteti i tyre përshkallëzohen në armiq, më pas në armiq për vdekje, dhe së fundi në shokë partie. Kjo tregon edhe se sa i fortë duhet të jetë shpeshherë debati brenda partisë.

Por ai përmend se duke pasur kolegë të përgatitur e besnikë, si miku i mirë e i vjetër Heinz Schwarz, vështirësitë kapërcehen. Helmut Kohl evidenton gjithashtu debatin e ashpër në shtyp të vitit 1986 mes tij si Kancelar dhe Kryetar i CDU-së, me Franz Josef Straus, si Kryetar i partisë simotër, CSU (Bashkimi Kristian- Social, me aktivitet vetëm në Bavari) dhe Kryeministër i këtij Landi, lidhur me fushatën elektorale për në Bundestag që po afronte. Schwarz vihet në qendër të këtij debati për disa javë, pasi i dërgon Strausit një letër të hapur, në të cilën i kërkon mes të tjerave të angazhohet për ruajtjen e unitetit mes dy partive, CDU e CSU, ashtu siç ishte vepruar gjatë gjithë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, sepse në të kundërt CDU do të detyrohej të shtrinte aktivitetin e saj edhe në Bavari, gjë që sigurisht që do të dobësonte CSU-së dhe më pas edhe koalicionin e përbashkët. Po kështu, Schwarz do të luante rol të rëndësishëm në Komisionin e Politikës së Jashtme edhe gjatë periudhës nga rënia e Murit të Berlinit më 9 mëntor 1989, deri në Bashkimin e Gjermanisë me 3 Tetor 1990.

Ndër të tjera Heinz Schwarz do të ndihmonte Kancelarin gjerman në “përzgjedhjen e njerëzve nga ish-DDR”, të cilët do të duhej të afroheshin në politikën e CDU-së, siç ishte rasti i ish-të burgosurit politik dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Rainer Eppelman, apo edhe i vetë Angjela Merkelit, fizikanes së re e të druajtur, lindur në vitin 1954 në Hamburg, por që më pas u rrit e studioi në Mecklenburg të Gjermanisë Lindore. Si punonjëse në zyrën e marrëdhënieve me publikun në Qeverinë tranzitore të Gjermanisë Demokratike, ajo do të përfshihej rastësisht në bisedimet mes dy qeverive gjermane, zhvilluar në RFGj në fillim të vitit 1990, pasi zëdhënësja zyrtare e Berlinit Lindor ishte sëmurë. Kohl do ta pikaste Merkelin për shkak të qetësisë e urtësisë që tregonte dhe pasi e bëri anëtare të CDU-së, do ta katapultonte menjëherë pas vetëm pak javëve në Kryesinë e Partisë, me detyrën e zëdhënëses së parë të tij si Kryetar i Bashkimit Kristian – Demokrat.

Pas dhjetë vitesh nga bashkimi gjerman, Merkel do të ulej në karrigen e vetë Helmut Kohlit. Në zgjedhjet e para parlamentare të Gjermanisë së Bashkuar të vitit 1990, Heiz Schwarz nuk do të kandidonte më për deputet, por nuk do ta ndërpriste aspak angazhimin aktiv në partinë e tij, e për më tepër do të bashkëpunonte ngushtësisht me Fondacionin politik të CDU-së, Konrad Adenauer. Ndërkaq, vendin e tij si deputet i CDU-së në Bundestag do ta zinte në vitin 1990 djali i tij, Stefan Schwarz, në atë kohë një politikan i ri e energjik, i cili do të përmendej shpesh në shtypin gjerman të kohës veçanërisht për kontaktet me Alija Izetbegovicin si dhe angazhimin e tij të pandërprerë në çështjen e pavarësisë së Bosnje – Hercegovinës. Stefan Schwarz do te përmendej gjithashtu edhe për deklaratën e tij të bujshme gjatë vizitës në Shqipëri në vitin 1993, kur theksoj qartësisht dhe për herë të parë që “..në rast të një agresioni të mundshëm ushtarak të Serbisë në Kosovë apo Shqipëri, ajo duhet të llogarisë mirë se bombat e NATO-s do të bien mbi Beograd…”

Në angazhimin e tij të gjatë si anëtar aktiv në CDU, Heinz Schwarz do të dallohej edhe për një cilësi tjetër, pjesëmarrjen në të gjitha kongreset e partisë së tij (rreth 70 të tilla), që nga viti 1950 me kongresin federal, deri në fillim të këtij viti (2023). Nga viti 2020, ai do të ishte njëri prej dy anëtarëve më të vjetër të CDU-së që kishte marre pjesë në të gjitha kongreset e saj. Heinz Schwarz thoshte gjithnjë me krenari se në këtë funksion ka votuar gjithnjë për zgjedhjen e Kryetareve të CDU-se, të cilët do të bëheshin më pas Kancelarë legjendarë të Gjermanisë së pasluftës, si Konrad Adenauer (1949 – 1963), Kurt Georg Kiesinger (1966 – 1969), Helmut Kohl (1982 – 1998) dhe Angela Merkel (2000 – 2018, si kryetare e CDU-së).

Siç theksuam, lidhjet e z.Heinz Schwarz me Shqipërinë dhe shqiptarët kanë qenë të shumta. Për herë të parë, ai erdhi për vizitë në vendin tonë në maj të vitit 1992, si i dërguar i Fondacionit Konrad Adenauer, për të ndihmuar në implementimin e pluralizmit politik në përputhje me standardet perëndimore. Në periudhën në vijim janë të shumta aktivitetet e zhvilluara po nga ky Fondacion, kryesisht në Gjermani, përmes të cilëve politikanë, deputetë, kryetarë e funksionarë të pushtetit qendror e vendor, drejtues të policisë, e të tjerë, pavarësisht ngjyrimeve partiake, ftoheshin të merrnin përvojën gjermane. Dhe në shumicën e rasteve, koordinatori dhe mikpritësi kryesor në emër të Fondacionit Konrad Adenauer apo të CDU-së, ishte pikërisht Heinz Schwarz. Përveç sa më sipër, ai ishte gjithnjë i gatshëm të ndihmonte me eksperiencën dhe njohjet e tij në zgjerimin e bashkëpunimit të gjithanshëm shqiptaro – gjerman. Ndër të tjera, me ndihmën e tij e gjetjen e mirëkuptimit të ish-Kryetares së Bundestagut, Rita Sussmuth, arritëm shpejt, që në vitin 1992, të krijonim Grupin për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, anëtarë të të cilit u bënë rreth 25 deputetë të grupeve të ndryshme politike. Po me ndihmën e tij do të krijonim më pas Shoqatën Ekonomike Gjermani – Shqipëri; Shoqatën Kulturore Gjermani – Shqipëri; e të tjerë. Është e tepërt të përmenden aktivitetet apo veprimtaritë e ndryshme të organizuara me këto shoqata, ku kontributi i drejtpërdrejtë i z.Schwarz ishte realisht tepër i veçantë.

Megjithatë, në kuadër të Shoqatës së përbashkët Ekonomike, mund të përmendej: a) Kontributi i tij në përcaktimin e prioriteteve të ndihmës ekonomike gjermane në Shqipëri, veçanërisht në fushën e shërbimit shëndetësor dhe të furnizimit me ujë të pijshëm të popullsisë, si dhe b) Kontaktet e tij të vitit 1994 – 1996 me gjigandin ekonomik gjerman PREUSSAG (më vonë prej saj do te krijoheshin tri kompani shumë të njohura: Salzgiter AG, TUI AG, dhe Hapag – Lloyd) për të investuar në modernizimin e industrisë së kromit, projekt që shoqërohej edhe me një plan të rëndësishëm të zhvillimi rajonal, konkretisht me ndërtimin e dy shkollave e dy spitaleve moderne në Bulqizë e Peshkopi.

Fatkeqësisht ky projekt nuk do të zbatohej. Në kuadër të Shoqatës Kulturore Gjermani – Shqipëri mund të përmendeshin në mënyrë të veçantë kontributi i z. Heinz Schwarz për organizimin e : a) Vizitës zyrtare dhe tryezës së organizuar në Parlamentin Gjerman (Bundestag) me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare, si dhe b) Koncertin e instrumentistëve të talentuar shqiptarë që studiojnë e punojnë në Gjermani, organizuar në korrik 1997 në Kështjellën e familjes së Princ Widit, në Neuwied të Landit Rheinland – Pfalz. Schwarz u përpoq shumë që në këtë periudhë të vështirë, përmes këtij aktiviteti, shtypi gjerman të përçonte mesazhin e rëndësishëm se të rinjtë shqiptarë dinë të bëjnë edhe art të nivelit të lartë. Nga ana tjetër, ai u kujdes që të gjithë të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet të jepeshin në ndihmë të fëmijëve në nevojë në qytetin e Vlorës.

Së fundi dua të vë në dukje se ndihma e z.Schwarz është ndjerë dukshëm edhe në realizimin e shumë takimeve të rëndësishme në Gjermani të mjaft prej figurave të njohura të botës shqiptare të asaj periudhe, si për zotin Ibrahim Rugova, zotin Bujar Bukoshi, zotin Arbën Xhaferi, zotin Hafiz Gagica e të tjerë.

Ndarja nga jeta e zotit Heinz Schwarz sigurisht që është një humbje e dhimbshme për familjen, miqtë dhe të afërmit. Ajo është padyshim një humbje edhe për shqiptarët, të cilët ai i mbështeti, i deshi dhe i respektoj shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura