Holokausti dhe fati ndryshe i dy arkitektëve të shquar

Feb 27, 2021 | 9:20
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Më 27 janar ishte Dita Ndërkombëtare e Kujtesës. Në vigjilje të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në këtë ditë të vitit 1945 u çlirua kampi famëkeq i Aushwicit. Për këtë arsye, 27 janari i çdo viti përkujtohet edhe si dita, në të cilën nderohen viktimat e Holokaustit.

Janë rreth 6 milionë hebrenj të pafajshëm, që u desh të torturoheshin, të vuanin e të vdisnin gjatë kësaj lufte, vetëm e vetëm sepse ishin çifutë. Por, përveç kujtesës, 27 janari është edhe ditë reflektimi. Reflektim e vigjilencë kundër politikave të mbrapshta të konflikteve dhe dhunës me origjinë etnike apo fetare. Por, ndërkaq, ky reflektim të nxit për të kërkuar vendosmërisht edhe dënimin pa kompromis të shkaktarëve të këtyre tragjedive, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.

Përndryshe, do të ketë padrejtësi apo “një fat ndryshe” të personave, që në fakt duhet të kishin një vlerësim e të ardhme krejtësisht tjetër. I tillë është edhe “fati ndryshe” i dy personazheve të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, të angazhuar në pozicione krejtësisht të kundërta në çështjen e Holokaustit. Bëhet fjalë për dy arkitektë të rinj e tepër të talentuar, të cilët fillimi i Luftës i gjen në hapat e parë të karrierës, pra, në një start jetësor e profesional thuajse të barabartë. Janë Albert Speer dhe Raoul Wallenberg. Pikërisht diskutimi që kisha me studentët pak ditë më parë mbi përgjegjësinë penale ndërkombëtare dhe çështjen e Holokaustit gjatë një leksioni online, më nxitën të shkruaja edhe këtë artikull.

Në fakt, gjenocidi konsiderohet pa dyshim si krimi më i rëndë e më çnjerëzor. Konventa e OKB e vitit 1948 mbi gjenocidin e përkufizon atë për herë të parë si “Zbatimi i një plani të qëllimshëm që synon shkatërrimin tërësisht apo pjesërisht të një grupi nacional, etnik, racial apo fetar, i shoqëruar me vrasje masive të anëtarëve të këtij grupi,….”.

Në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, në praktikën ndërkombëtare do të ndeshim gjithnjë e më shumë edhe termin Pogrom, i cili është marrë nga gjuha sllave për të përcaktuar masakrat dhe dëbimet masive të popullsisë çifute, që jetonte kryesisht brenda Perandorisë Ruse. Megjithatë, fati tragjik i hebrenjve në Gjermani dhe në Europë para dhe gjatë Luftës II Botërore, shtroi pas luftës nevojën e përdorimit të një termi tjetër, për të shprehur më qartë e më mirë persekutimin e pashembullt dhe tmerret pa fund që përjetuan ato realisht në këtë periudhë.

Prandaj, në vitin 1946 u ra dakord që termi i cili duhej të përdorej në këtë rast të ishte fjala Holokaust, që do të thotë shkatërrim apo shfarosje masive e një grupi të caktuar kombëtar, por që, në fakt, ky term synon të shprehë njëkohësisht edhe formën më të ashpër, më të lartë e më të veçantë të gjenocidit, shoqëruar me synimin e qartë, dhunën e egër, vrasjet pa fund dhe vuajtjet ekstreme ndaj një grupi të caktuar nacional, çifutëve. Vrasja e margjinalizimi i tyre nuk bëhej për shkak të ballafaqimit në luftë, por thjesht për shkak të politikës zyrtare unike për shfarosjen tërësisht të një kombi të caktuar, duke mobilizuar e përcaktuar detyra konkrete për të gjithë strukturat shtetërore në realizimin me çdo kusht të këtij synimi çnjerëzor.

Baza ideologjike e kësaj politike të paprecedent, ishte mendimi absurd i një të çmenduri si Hitleri, i cili pa asnjë arsye i cilësonte hebrenjtë si shkaktarët kryesorë të humbjes së Luftës I Botërore, si njerëzit më parazitë dhe si rrezikun më të madh të të gjithë njerëzimit, prandaj, sipas tij, e gjithë makineria e sofistikuar e shtetit duhet të punonte për të zhdukur njëherë e përgjithmonë kombin çifut.

Nga foltorja e Raishtagut apo Kongreset e Partisë Naziste, ai përsëriste pa pushim vullnetin e palëkundur të tij dhe të partisë në pushtet që ai drejtonte “Për zhdukjen e të gjithë çifutëve në Gjermani dhe në tërë Europën” (“Die Vernichtung alle Juden in Deutschland und in die ganze Europa”).

Deri në fund të viteve [30 të shekullit të kaluar, Lidhja e Kombeve dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi u treguan tërësisht të paaftë për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj kësaj politike të pa përgjegjshme e shumë të rrezikshme. IshKomisioneri i Lartë për Refugjatët në Lidhjen e Kombeve, James McDonald, ishte ndër të paktët që tentoi të ngrinte zërin dhe të paralajmëronte për pasojat katastrofike të saj.

Por fjalët dhe argumentet e tij ndeshën në indiferencën, frikën apo shurdhërinë e të tjerëve, fakt që e detyroi atë të jepte edhe dorëheqjen nga detyra që i ishte ngarkuar. Më pas ngjarjet do të vijojnë me përshkallëzimin e shpejtë të veprimeve të dhunshme, të cilat fillojnë praktikisht që me djegien e Rajshtagut në vitin 1933; me diskriminimin dhe me përndjekjen e hapur të çifutëve dhe bizneseve të tyre në të gjithë Gjermaninë në periudhën në vazhdim; me “Natën e Kristaltë” të 9-10 nëntorit 1938; për të vazhduar më tej me Anschlus-in me Austrinë; pushtimin “paqësor” të Çekosllovakisë; sulmin ndaj Polonisë, e më pas të vendeve skandinave, të Beneluksit, të Francës, Jugosllavisë, Greqisë, Bashkimit Sovjetik, me Kongresin famëkeq të nazistëve në Wannsee të Berlinit me titullin cinik “Për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çifute”, mbajtur në janar 1942, e të tjerë. Të gjitha pushtimet apo sulmet e mësipërme u shoqëruan në çdo rast me vrasjen masive të çifutëve dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit.

Dëshmi e dokumente të shumtë nga “Fabrikat e vdekjes” apo në kampet e Aushwicit, Buchenwaldit, Mathausenit, Dachaut, Sachsenhausenit, Sobiborit, Treblinkes, Ligjet diskriminuese të Nurembergut, programet e sterilizimit e të tjerë tregojnë se Holokausti jo vetëm që ka ekzistuar si doktrinë, por ai është zbatuar gjithashtu me fanatizëm, egërsinë, gjakftohtësinë dhe mizorinë e pashembullt. Rezultati i kësaj politike dihet tashmë. Gjashtë milionë fëmijë, gra, të moshuar e persona të tjerë tërësisht të pafajshëm, që përbënin rreth 2/3 e të gjithë popullsisë çifute të kohës, të vrarë barbarisht gjatë Luftës së Dytë Botërore përmes ekzekutimeve masive, në dhomat e gazit ose përmes torturave e trajtimit çnjerëzor, eksperimenteve mjekësore apo biologjike.

Dhe e gjithë kjo masakër njerëzore u bë “në dritën e diellit” dhe përmes dirigjimit të drejtpërdrejtë të kupolës më të lartë dhe të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hitlerit. Për më tepër, siç rezulton edhe nga dokumentet dhe provat e tjera të shumta të zbuluara në vite, pikërisht këta persona ishin “në garë me njëri-tjetrin” për të dëshmuar sa më qartë para udhëheqësit nazist zellin e tepruar se kush do ta bënte më mirë detyrën e dhënë për zhdukjen e çifutëve. E pikërisht ky zell e kjo marrëzi pa fund i bëri ata kriminelë tepër të rrezikshëm e vrasës të pashpirt.

Të mos harrojmë ndër të tjera se Hitleri famëkeq, drejtuesi me dorë të hekurt i Getapos dhe forcave SS që “projektuan e menaxhuan” drejtpërsëdrejti Holokaustin, ishte para luftës mësues në Bavari, ndërsa zëvendësi i tij, Reinhard Heydrich, i cilësuar nga Hitleri “njeriu me zemër çeliku” pikërisht për masakrat ndaj çifutëve, ishte shfaqur që në fëmijëri e më pas edhe në rininë e tij si një violinist tepër i talentuar.

Sidoqoftë, pjesa më e madhe e kupolës drejtuese naziste do të vdisnin apo do të vetëvriteshin në përfundim të Luftës. Një pjesë shumë e vogël e tyre do t’i nënshtrohej edhe procesit të Nurembergut. Megjithatë, fati do të ishte krejtësisht i pamerituar për dy arkitektët e shquar, Albert Speer dhe Raoul Wallenberg, veçanërisht për shkak të angazhimit ndryshe të tyre në çështjen e Holokaustit.

Albert Speer, gjerman, lindur në Mannheim në vitin 1905 dhe vdekur me 1 shtator të vitit 1981 në Londër. Përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet universitare për arkitekturë në Universitetin e Berlinit (1927). Iu bashkua Partisë Naziste në vitin 1931 dhe shumë shpejt u bë një nga njerëzit më të afërt të Hitlerit.

Fillimisht, përmes Joseph Gëbelsit, i cili e ftoi arkitektin e ri për organizimin e Kongreseve të Partisë Naziste në qytetin e Nurembergut, e më pas edhe për ndërtimin e godinës së re të Kancelarisë së Rajhut Gjerman (Godinës Qeveritare në Berlin). Në vijim ai do të ndërtonte edhe rezidencën personale të Hitlerit në Obersalzberg në jug të Munihut (pranë kufirit me Austrinë) ku diktatori gjerman punonte rregullisht, si dhe do të merrte përsipër ndërtimin e shumë projekteve e objekteve të tjera madhore e strategjike të Gjermanisë naziste.

Për shkak të besimit shumë të madh që krijoi te Fyhreri gjerman (ishte i vetmi që u lejua të ndërtonte shtëpi private pranë rezidencës së Hitlerit në Obersalzberg), në vitin 1942 ai u emërua ministër i Armatimit dhe Produkteve të Luftës. Me këtë cilësi, Albert Speer udhëhoqi prodhimin e armatimeve të shumta e më moderne të kohës, si avionë, tanke, nëndetëse e të tjerë, si dhe zhvillimin e projekteve për gjetjen e “Armës së Mrekullive” (Wunderwaffe), provat e së cilës bëheshin kryesisht në Pennemunde, me synimin për të goditur Britaninë dhe aleatët e saj me raketa me rreze të mesme veprimi.

Po në këtë kuadër bëheshin përpjekje edhe për krijimin e armës bërthamore. Për shkak të gamës së gjerë të punëve që realizoheshin nga Ministria e tij e Luftës, pa dyshim që ai ishte në dijeni të miliona njerëzve, kryesisht çifutë, që merreshin nga kampet e përqendrimit për të kryer procese pune të ndryshme e të rënda të prodhimit të armëve. Sigurisht që edhe për këtë shkak ai normalisht jo vetëm që ishte në dijeni, por ishte njëkohësisht edhe një nga organizatorët kryesorë të Holokaustit. Diku nga maji i vitit 1945, ai kapet në veri të Gjermanisë nga forcat aleate (britanike) dhe burgoset.

Më pas, Albert Speer do të jetë mes 22 ushtarakëve të lartë gjermane të akuzuar në procesin e Nurembergut. Pavarësisht rëndësisë së veçantë që ka ky proces në tërësi, pasi për herë të parë në historinë njerëzore bën përgjegjës dhe dënon për krime veçanërisht të rënda disa nga drejtuesit kryesorë të shtetit agresor, mund të thuhet se procesi ndaj Albert Speer nuk ishte aspak në lartësinë e duhur. Me një mjeshtëri të rrallë të një mashtruesi profesionist, ai arriti të paraqitej si person që nuk kishte dijeni as për Holokaustin dhe as për krimet e shumta të kryera nga regjimi nazist.

Gjykata do ta dënonte vetëm me njëzet vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në fakt, ishte rasti më i mirë për t’i dhënë dënimin kapital të paktën një personi të vetëm të rangut të lartë për krimet barbare të kryera në kampet e shumta të përqendrimit, veçanërisht ndaj hebrenjve. Thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë më të ngushtë të Hitlerit, që luftonin për të qenë numri dy në parti e shtet dhe që ishin “dalluar” së tepërmi për gjenocidin ndaj çifutëve, ashtu si edhe vetë Adolf Hitleri me të dashurën e tij, Eva Braun, siç theksuam edhe më sipër, kishin përfunduar tashmë me vetëvrasje (Josef Gëbels, Heinrich Himmler, Martin Bormann, Hermann Gering e më pas edhe Rudolf Hess), ndërsa Reinhard Heydrich ishte vrarë në pranverën e vitit 1942 në Pragë, pas një atentati të organizuar kundër tij nga lëvizja çeke e rezistencës. Por Albert Speer do të lirohej nga burgu në vitin 1966.

Shumë shpejt do te botonte njëkohësisht edhe dy libra të përgatitur në burg, me titujt respektivë “Brenda Rajhut të Tretë” dhe “Ditari sekret”, të cilët, siç rezulton qartësisht sot, i kishte mbushur me dëshmi e përshkrime të rreme.

Por, në fakt, përmes këtyre librave dhe intervistave të shumta, ai arriti me mjaft sukses të përmirësojë dukshëm imazhin e tij personal si dhe të krijojë në publik përshtypjen apo vlerësimin e gabuar se ai kishte qenë “një nazist i mirë”. Kështu, ai do të bëhej shpejt një “star” për median. Vlerësimi shkoi deri aty saqë shpesh atij i kërkohej të jepte mendim edhe për regjinë e filmave mbi Luftën II Botërore, deri edhe në përzgjedhjen e aktorëve që duhet të luanin rolet e personazheve kryesore në këto filma.

Kjo i krijoi mundësinë ndër të tjera që në vitet ‘70 të shekullit të kaluar ai të merrej edhe me një veprimtari tjetër kriminale, shitjen e mjaft pikturave, që personalisht apo ne bashkëpunim kishte vjedhur dhe fshehur gjatë Luftës. Për ironi të fatit, më 1 shtator të vitit 1981, Albert Speer ishte i ftuar në një emision special të BBC kushtuar pikërisht çështjes së pikturave të njohura dhe të sendeve të tjera me vlerë të grabitura në Luftë. Ai mbërrin i vetëm në Londër, pa bashkëshorten, por nuk arrin të shkojë në emision.

Në pasdreken e asaj dite, një grua merr në telefon recepsionin e hotelit duke e njoftuar se personi, me të cilin ishin së bashku në dhomë, ishte në gjendje të rëndë. Ishte e dashura e tij, gazetare britanike me origjinë gjermane, tridhjetë vjet më e re. Mjekët e gjejnë 76- vjeçarin Albert Speer të vdekur, duke konstatuar si shkak infarktin.

Në vitet ‘80 do të zbulohen dokumente të shumta që dëshmojnë qartësisht jo vetëm dijeninë, por edhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të arkitektit të famshëm gjerman Speer në Holokaustin çnjerëzor, përfshi këtu edhe organizimin së bashku me Hitlerin dhe Reinhard Heydrich të Kongresit famëkeq në Warnsee të Berlinit. Dokumentohet gjithashtu edhe bashkëpunimi i tij me Hitlerin për të sjellë në Berlin dhjetëra mijëra çifutë për të kryer punët më të rënda për shembjet e ndërtesave të vjetra dhe ndërtimet e reja në kryeqytetin gjerman, të cilët dërgoheshin më pas sërish në kampet e përqendrimit “për t’u risistemuar” aty nga Hitler.

Raoul Wallenberg, lindur në vitin 1912 në qytezën Lidingë, pranë Stokholmit, Suedi. Studimet për arkitekturë i përfundon në vitet 1931 – 1935 në universitetin e mirënjohur amerikan të Michiganit (në Ann Arbour). Për shkak të rezultateve të larta të arritura, Instituti Amerikan i Arkitekteve i akordoi po këtë vit (1935) një medalje të veçantë si student i shkëlqyer në degën e arkitekturës. Profesorët e vlerësonin veçanërisht për shpirtin e tij krijues dhe artistik. Megjithatë, shpejt Wallenberg fillon punën si përfaqësues i një firme suedeze në Cape Town e me pas shkon në Budapest, ku e gjen edhe shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore. Por ndërkaq, Mbretëria e Hungarisë ishte në fillim të Luftës “vend i sigurt”, pasi ishte aleate e Gjermanisë.

Për më tepër, ushtarët hungarezë morën masivisht pjesë në sulmin që Gjermania i bëri Bashkimit Sovjetik më 22 qershor të vitit 1941. Por humbja në Stalingrad dhe në vijim disfatat e njëpasnjëshme të ushtrisë naziste bënë që Mbreti Hungarez Horthy të hynte në bisedime të fshehta me SHBA dhe Britaninë. Hitleri vihet në dijeni të këtyre bisedimeve dhe në mars 1944 pushton Hungarinë, duke krijuar menjëherë aty edhe një qeveri kukull. Në Hungari fillon tashmë edhe përndjekja masive e çifutëve, program që drejtohej nga Adolf Eichman, oficer i lartë i njësive famëkeqe SS, i cili u dërgua pikërisht për këtë qëllim në kryeqytetin hungarez.

Nën drejtimin e tij, drejt kampeve çnjerëzore naziste në territorin polak, kryesisht në Aushwic, dërgoheshin çdo ditë me tren nga Budapesti rreth 12 mijë hebrenj. Shpejt numri i të dërguarve çifutë nga Hungaria në Poloni shkon në rreth 470 mijë vetë. Mbeteshin për t’u dërguar edhe rreth 230 mijë hebrenj të tjerë. Presidenti amerikan, Franklin Rusveld, krijoi me urgjence një Komitet të veçantë për Refugjatët e Luftës, me synim kryesor ndihmën e çifutëve hungarezë, shoqëruar kjo edhe me shërbime inteligjente të koordinuara nga Zyra Amerikane e Shërbimeve Strategjike (OSS) dhe CIA. Në këtë program, fshehurazi ftohet të marrë pjesë edhe Suedia, megjithëse që në vitin 1938 ajo kishte shpallur asnjanësinë e saj në konfliktet e armatosura.

Ky status do ta shoqëronte Suedinë gjatë gjithë Luftës II Botërore. Megjithatë, Suedia nuk mund të rrinte pa kontribuar. Bisedimet konkludojnë se për shkak të asnjanësisë në luftë, një ndihmë të veçantë për çështjen e mbrojtjes së hebrenjve në Hungari mund të jepte legata suedeze në Budapest dhe me këtë detyrë u ngarkua të merrej pikërisht arkitekti i ri 31-vjeçar Raoul Wallenberg, duke u emëruar si diplomat në përfaqësinë suedeze. Me heroizëm dhe kurajë të paimagjinueshme, me zgjuarsinë dhe energjinë që karakterizon një të ri idealist, thellësisht human e të palodhur, në periudhën korrik–dhjetor 1944, ai arriti të shpëtojë jetën e dhjetëra mijëra çifutëve.

Sajoi vetë të ashtuquajturën pasaportë mbrojtëse (Schutzpass apo Protective Passport), e cila identifikonte mbajtësin e saj si shtetas suedez të paangazhuar në luftë për shkak të statusit neutral të Suedisë. Ëallenberg mori gjithashtu me qira në Budapest edhe disa ndërtesa për vendosjen e këtyre personave, të cilat kërkoi të kishin statusin e ekstraterritorialitetit, gjë që me shumë vështirësi u pranua si nga komanda gjermane, ashtu edhe nga autoritetet hungareze. Së bashku me Kryqin e Kuq, krijoi për këtë qëllim edhe një ekip me rreth 300 vetë, të cilët ndihmonin të mbrojturit çifutë për fjetjen, ushqimin dhe mjekimin.

Vlerësohet se Eichman e kishte cilësuar si “qen çifut” dhe i kishte porositur vartësit e tij për të gjetur mundësinë e eliminimit fizik të Raoul Wallenbergut. Por hyrja e Ushtrisë së Kuqe në Hungari në janar të vitit 1945, në vend që ta përmirësonte situatën personale të diplomatit suedez, e përkeqësoi atë edhe më shumë. Më 17 janar të vitit 1945, Wallenberg do të arrestohej nga forcat ruse dhe do të dërgohej me tren nga Budapesti në Moskë.

Dëshmi e prova të shumta tregojnë se atje ai u është nënshtruar torturave çnjerëzore të KGB-së, që kërkonte me ngulm informacion për bashkëpunimin e tij me shërbimin sekret amerikan (CIA-n dhe OSS), në një kohë që dihej qartësisht se ky bashkëpunim nuk ishte gjë tjetër veçse angazhimi maksimal për të shpëtuar jetët e mijëra e mijëra çifutëve që jetonin në Hungari. Besohet shumë që pikërisht torturat i shkaktuan edhe vdekjen. Në vitin 1957, në kohën kur Hrushovi filloi kritikat ndaj Stalinit dhe politikave të tij, qeveria e Bashkimit Sovjetik bëri zyrtarisht të ditur një dokument që mbante datën 17 korrik të vitit 1947, të cilin drejtori i burgut ia dërgonte ministrit të Shtetit për Çështjet e Sigurisë në Qeverinë e Bashkimit Sovjetik, ku mes të tjerave thuhej se “…I burgosuri Wallenberg që njihet nga ju, vdiq papritmas këtë natë në qelinë e tij.

Me sa duket, për shkak të një ataku kardiak… Kam dhënë urdhër për djegien e trupit, pa bërë autopsi…”. Wallenberg jetoi pak, vetëm 34 vjet, prej të cilave më shumë se dy vjet e gjysmë nën torturat më të egra e çnjerëzore. U desh të vdiste i ri vetëm sepse u angazhua me gjithë shpirt për shpëtimin e dhjetëra mijëra çifutëve të pafajshëm, duke sakrifikuar në këtë mënyrë edhe jetën e tij. Dy fabulat e mësipërme janë të thjeshta. Edhe mesazhi i tyre gjithashtu.

Njeriu e ka vetë në dorë të zgjedhë se si do të jetojë. Por, nga ana tjetër, çdo shtet demokratik si dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi e kanë për detyrë të reagojnë me shumë forcë. Ato duhet të hetojnë efektivisht e të dënojnë pa hezitim organizatorët dhe autorët e vërtetë të krimeve të tilla. Procesi dhe Parimet e Nurembergut janë pa dyshim një zhvillim spektakolar në këtë drejtim.

Megjithatë, praktikisht është bërë jo aq sa duhet për dënimin e autorëve reale të Holokaustit. Megjithë pengesat dhe vështirësitë për zbulimin dhe hetimin e autorëve, është shumë pak që për gjashtë milionë viktimat e pafajshme të kësaj masakre njerëzore janë zhvilluar vetëm disa procese të shkëputura e sporadike. Edhe këto me shumë vonesë e kryesisht ndaj personave që kanë kryer punë të rëndomta në kampet e përqendrimit, siç është, për shembull, edhe procesi gjysmak kundër Xhon Demianjuk.

I vetmi proces i bujshëm është ai ndaj Adolf Eichmanit, dënuar dhe ekzekutuar në Jerusalem në vitin 1962. Por edhe ky, megjithëse oficer i nivelit të lartë në trupat SS, nuk mund të thuhet se bënte pjesë në kupolën drejtuese shtetërore apo partiake të regjimit nazist. Sidoqoftë, historia e dhimbshme e popullsisë çifute në Luftën II Botërore dhe ngjarjet e shumta e rrëqethëse të lidhura ngushtë me të, nuk duhet të harrohen. Nderimi i viktimave dhe kujtimi i këtyre episodeve të rënda të historisë bashkëkohore është mjeti më i mirë për parandalimin e fenomeneve të tilla në të ardhmen.

Populizmi i tepruar si dhe politikat e ekstremit të majtë apo të djathtë janë të prirura të ushqejnë pa pushim antisemitizmin. Është e papranueshme që në emër të lirisë së organizmit apo lirisë së shprehjes, me mijëra njerëz të dalin në rrugë sot edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, duke bërë thirrje të hapura kundër çifutëve. E njëjta gjë edhe në median online. Prandaj, edhe vëmendja duhet të jetë më e madhe.

Këtij qëllimi do t’i shërbejë në fakt edhe krijimi pak kohë më parë i Akademisë Ndërkombëtare mbi Parimet e Nurembergut, me qendër në po këtë qytet. Për më tepër, konferencat e saj organizohen pikërisht në Sallën 600 të Gjykatës së Lartë të Bavarisë, aty ku u zhvillua edhe procesi i famshëm rreth 75 vjet më parë. Holokausti apo shëmbëlltyra të tij nuk mund dhe nuk duhet të përsëriten më.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura