Holokausti dhe e vërteta për polakët

Feb 9, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

ambasadori bachuraKAROL BACHURA*

Presidenti i Republikës së Polonisë, në përputhje me nenin 122, paragrafi 2 i Kushtetutës nënshkroi ligjin mbi ndryshimin e ligjit ekzistues të Institutit të Kujtesës Kombëtare dhe kërkoi shpalljen e tij në Fletoren Zyrtare. Shumica e dispozitave të ligjit do të hyjnë në fuqi 14 ditë nga dita e shpalljes. Presidenti përdori edhe të drejtën që i njeh neni 191, paragrafi 1, pika 1 e Kushtetutës për ta përcjellë ligjin në fjalë në Gjykatën Kushtetuese, me objekt shqyrtimin e përputhueshmërisë së disa neneve të tij me Kushtetutën e Republikës. Ligji kësisoj do të veprojë normalisht në këtë formulim deri në kohën kur do të shprehet Gjykata Kushtetuese, çka mund të sjellë, ndoshta, ndryshime të dispozitave të përfshira në kërkesën e Presidentit.

Presidenti, në materialin drejtuar Gjykatës Kushtetuese, kërkon të analizohet nëse dispozitat e nenit 55a të ligjit të sipërpërmendur, që parashikojnë midis të tjerash dënim për atribuimin Shtetit Polak përgjegjësi për krimet e Rajhut III gjerman, kufizojnë lirinë e shprehjes së mendimit, çka mbrohet me Kushtetutën e Polonisë. Veç kësaj, Presidenti kërkon që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse neni 55a i ligjit në fjalë, i cili parashikon përgjegjësi penale, është formuluar mjaftueshmërisht saktë.

Vendimi i zotit President, Andrzej Duda, për të firmosur ligjin dhe për ta dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese dëshmon për hapjen e plotë të Polonisë për dialog me palën izraelite. Tregon në të njëjtën kohë se Polonia është posaçërisht e interesuar të garantojë lirinë në lëmin e kërkimeve shkencore mbi Holokaustin, në shërbim të avancimit në historiografi dhe njohjes më të thellë të fakteve, që lidhen me krimet dhe genocidin.

Ne e pranojmë faktin e ekzistencës së përvojave dhe kujtesës së ndryshme mbi Luftën e II Botërore dhe Holokaustin, duke qenë se Polonisë, prej vitesh, i është dashur të luftojë durueshëm me instrumentet e public relations me formulime jokorrekte të shfaqura në shtypin e huaj. Betejat me konstatime të këtij lloji nuk sollën, për fat të keq, reduktimin e rasteve të përdorimit të formulimeve të këtilla në hapësirat mediale dhe virtuale, për më tepër – u shfaqën edhe shkrime, në të cilat polakët akuzohen për pjesëmarrje në shfarosjen e hebrenjve, në periudhën kur Polonia ishte e pushtuar nga Gjermania naziste, në vitet 1939-1945.

Në dekadat e fundit, në perceptimin e opinionit publik jashtë Polonisë, nga pozicioni i viktimave të Rajhut III, polakët u zhvendosën fillimisht në pozicionin e vëzhguesve dhe më vonë në atë të shkaktarëve të Holokaustit. Qëllimi i ndryshimit të ligjit mbi Institutin e Kujtesës Kombëtare është eliminimi i sjelljeve publike dhe përkundër fakteve që i mveshin popullit dhe shtetit polak përgjegjësinë apo bashkëpërgjegjësinë për krimet naziste të kryera nga Rajhu III gjerman.

Gjykojmë që, përgjegjësia e popujve të Europës duhet matur me të njëjtin kut dhe me të njëjtat kritere. Polonia ka kundërshtuar dhe do të kundërshtojë vendosmërisht çdo lloj gënjeshtre mbi Holokaustin. Mohimi i shfarosjes së hebrenjve në Poloni është akt i dënueshëm. I përmbahemi gjithashtu qëndrimit se gënjeshtra auschwitz-iane ka brenda edhe përhapjen e formulimeve që dëmtojnë Poloninë dhe polakët duke i atribuuar asaj përgjegjësi për Holokaustin.

Shpresojmë se disa keqkuptime rreth dispozitave dhe qëllimit të ligjit të ri mbi Institutin e Kujtesës Kombëtare do të sqarohen shumë shpejt përmes dialogut të historianëve-ekspertë, juristëve dhe gjithë të interesuarve. Një nga rastet veçanërisht ekstreme është përdorimi i termit “kampet polake të vdekjes”. Ndërhyrjet e përfaqësive diplomatike polake në kësi rastesh janë të domosdoshme, praktika e deritanishme megjithatë po tregon se kanë qenë të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemit. Dënimi i parashikuar në dispozitat e ligjit të ri do të përcaktojë saktësisht situatat dhe do t’i shërbejë shmangies së denigrimit të vetëdijshëm të Polonisë.

Vlerësimin përfundimtar të rastit konkret do ta kryejë gjykata. Ligji i ri është kundër atyre personave që, publikisht dhe përkundër fakteve, fyejnë popullin polak ose shtetin polak, apo padrejtësisht zvogëlojnë përgjegjësinë evidente të shkaktarëve. Në mënyrë të veçantë, ligji nuk është kundër asnjë shteti tjetër, duke përfshirë këtu Izraelin dhe nuk do të kufizojë lirinë e kërkimeve shkencore, as edhe të shprehjes artistike – përjashtimi i aktiviteteve të tilla është i dënueshëm me ligj (neni 55a, paragrafi 3). Nuk do të jetë po ashtu i dënueshëm ekspozimi i rasteve të turpshme të krimeve të kryera nga persona konkretë, pavarësisht kombësisë së tyre.

Ligji mbron të vërtetën historike dhe emrin e mirë të shtetit dhe popullit polak. Nuk mbron absolutisht kriminelët e çdo lloj kombësie. Në shumë rende të tjera juridike – duke përfshirë edhe Izraelin – ekzistojnë rregullatorë të ngjashëm që ndalojnë propagandimin e të pavërtetave mbi Holokaustin. Në opinionin tonë “gënjeshtra auschwitz-iane” përmban konstatime, të pambështetura në fakte, të kampeve polake të vdekjes apo atribuim përgjegjësie Polonisë për Holokaustin, gjithashtu të pambështetur në fakte. Për më tepër, dispozitat e ligjit mbi Institutin e Kujtesës Kombëtare mbështeten tek direktivat e vendimit kuadër të Këshillit të BE2008/913.

Qëllimi i ligjit të ri mbi Institutin e Kujtesës Kombëtare është lufta për të vërtetën e Luftës së II Botërore dhe krimeve të kryera gjatë saj ndaj popullsisë hebreje. Të vërtetën që ua kemi borxh si viktimave të Luftës së II Botërore, ashtu edhe atyre që me heroizëm sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët. Polonia do të luftojë përherë për kujtesën dhe të vërtetën mbi Holokaustin. Nuk mund të ketë kujtesë pa të vërtetën. Shumë persona shqetësohen se dispozitat e reja kanë për të lejuar përndjekjen e personave që do t’i mveshin popullit polak përgjegjësinë për krimet naziste.

Duhet mbajtur parasysh se e njëjta dispozitë ka për të mundësuar dënimin e personave që padrejtësisht zvogëlojnë përgjegjësinë e shkaktarëve të vërtetë të këtyre krimeve. Ky ligj është kundër gënjeshtrës auschwitz-iane, çka është e dënueshme në shumë shtete të tjera të botës, si në Gjermani, Austri, Francë apo Belgjikë. Në Luftën e II Botërore, pas sulmit të Rajhut III, kur Polonia ra nën pushtimin gjerman, askush dhe asnjëherë nuk bashkëpunoi me nazistët në emër të Polonisë dhe popullit polak.

Edhe pse duhet të flasim dhe të dënojmë rastet e polakëve që kanë bashkëpunuar me gjermanët – nuk mund të pajtohemi me atribuimin shtetit polak bashkëpërgjegjësinë për Holokaustin. Një gjë e tillë përbën një falsifikim të hapur të historisë. Në dhjetor 1942, autoritetet e qeverisë polake në ilegalitet krijuan një institucion që merrej posaçërisht me ndihmën për hebrenjtë – Këshillin e Ndihmës për Hebrenjtë, i cili funksiononte me kriptonimin “¯egota”.

Kjo ishte e vetmja organizatë e këtij lloji në gjithë Europën e pushtuar. Qeveria polake në ilegalitet dënonte me vdekje dorëzimin e hebrenjve te gjermanët. Qëndrimi i Udhëheqjes së Luftës Civile të datës 18 mars 1943, thoshte: “Çdo polak që bashkëpunon në aksionet vrasëse të nazistëve, që shantazhon apo denoncon hebrenjtë, shfrytëzon pozitën e tyre apo merr pjesë në grabitje – kryen krim të rëndë ndaj ligjeve të Republikës së Polonisë dhe do të dënohet menjëherë”.

Më shumë se ¼ e Të Drejtëve Mes Kombeve e përbëjnë polakët. Ata përfaqësojnë grupin më të madh, i cili rritet në mënyrë dinamike. Ndërkohë në Poloni, në dallim nga shumë shtete të Europës Perëndimore – për çfarëdo ndihme dhënë hebrenjve, dënoheshe me vdekje.

*Ambasador i Polonisë në Tiranë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura