Historitë e dashurisë së tre futbollistëve që u fejuan pa mbushur 30 vjeç, detajet

Jan 14, 2018 | 19:30
SHPËRNDAJE

Tre futbollistë mjaft të pëlqyer të Kombëtares shqiptare e kanë nisur Vitin e Ri 2018 me ndryshime në jetën private. Mesfushori Taulant Xhaka, sulmuesi Armando Sadiku dhe portieri Etrit Berisha, kanë zyrtarizuar historitë e tyre të dashurisë me fejesë, apo duke i bërë publike.

Vlen për t’u përmendur se të tre djemtë simpatikë i kanë dhënë fund beqarisë ende pa mbushur 30 vjeç, duke qenë se Xhaka e Sadiku janë të dy 26-vjeçarë, ndërsa Berisha është 28 vjeç. Po cilat janë vajzat, që u kanë rrëmbyer zemrat këtyre futbollistëve simpatikë dhe me karrierë shkëlqyer?

Armando Sadiku, si u fejua me fansen e tij stomatologe

Futbollisti i dytë i Kombëtares që zyrtarizoi lidhjen me të dashurën, një fanse që njohu në “Facebook”, është Armando Sadiku. Bomberi i Kombëtares shqiptare organizoi ditët e fundit të vitit 2017 ceremoninë e fejesës me të dashurën e tij, ceremoni që u bë publike në këtë fillimviti. Ajo quhet Elona, është me origjinë nga Kosova dhe me profesion stomatologe. E fejuara e tij jeton në Gjermani dhe të dy janë njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Ata janë munduar ta mbajnë lidhjen të fshehtë për publikun, deri në momentin që morën vendimin e fejesës. Vetë futbollisti ka postuar vetëm foto të shkëmbimit të unazave nga ceremonia, pa zbuluar portretin e partneres. Armando ka lindur më 27 Maj 1991 në Elbasan. Ai luan në Poloni me klubin Legia Varshava në ekstraklasa dhe me Kombëtaren shqiptare si sulmues. Ai bie në sy për fizikun 1.86 m i gjatë dhe për këtë arsye është komentuar si djali i pëlqyer nga vajzat.

Taulant Xhaka, fejesë pas një viti lidhjeje

Taulant Xhaka ishte i pari që u fejua në fundjavë me Arbnora Nuredinin, vajzën simpatike, me të cilën e bëri lidhjen publike në Shën Valentinin e vitit që lamë pas. Mesfushori shqiptar i Baselit dhe Kombëtares organizoi ceremoninë zyrtare të fejesës, pasi u kthye nga pushimet dimërore me vajzën simpatike, e cila është e panjohur për publikun. Në llogaritë e tyre në “Instagram”, Taulanti dhe e fejuara kanë publikuar të njëjtën fotografi nga ceremonia e fejesës, ku ishin duke prerë tortën e fejesës.

Nuk munguan edhe urimet e shumta, ndër to edhe ai nga i vëllai futbollist, Granit Xhaka. “Urime fejesa, vëllau jem!”, ka shkruar Xhaka në rrjetet sociale, i cili po ashtu nuk ka shumë muaj që është kurorëzuar me Leonita Lekajn. Duket se e dashura e Taulantit ndjehet shumë e dashuruar me të fejuarin e saj, pasi në “Instagram” shihet që poston shpesh foto ku i shpreh hapur dashurinë. Taulant Xhaka, i lindur më 28 Mars 1991 në Basel luan me klubin zviceran “Basel” në superligën zvicerane dhe me Kombëtaren shqiptare si mesfushor. Ai është 1.72 i gjatë dhe shquhet për stilin e veçantë të veshjes.

Etrit Berisha të dashurës: “Me fat dhe krenar që të kam ty

Ndërsa Etrit Berisha, futbollisti që konsiderohet gardiani i portës shqiptare, e ka nisur Vitin e Ri 2018 çift, duke e prezantuar të dashurën në rrjetet sociale. Përveç urimit, që u ka bërë tifozëve ndërsa festonte me partneren, ai është arratisur për pushime në vendet arabe me partneren e tij.

“Jam me fat dhe krenar që të kam ty zemrush”, shkruan Berisha poshtë fotos, pa dhënë shumë detaje për identitetin e vajzës. Etrit Berisha ka lindur më 10 mars 1989 dhe luan aktualisht me klubin italian Lazio në Serie A dhe me Kombëtaren shqiptare si portier. Ai njihet si një portier ekspert në daljet nga porta dhe në gjuajtje të penalltive. Ai kategorizohet te futbollistët më shtatlartë, duke qenë se gjatësia e tij është 1.97 m.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura