Historiani zbulon sekretet e Luftës: Tito solli në Shqipëri Miladinin dhe Dushanin, si e prishi Marrëveshjen e Mukjes

Jul 6, 2020 | 23:22
SHPËRNDAJE

Ishte viti 1941, kur udhëheqësi komunist jugosllav, Josip Broz Tito, nisi në Shqipëri emisarët e tij, si fillim instruktorin Miladin Popoviç, me detyrën e organizimit të lëvizjes së rezistencës e më vonë Dushan Mugoshën, të cilët themeluan Partinë Komuniste Shqiptare.

ENVERI ME MILADIN POPOVIC E DUSHAN MUGOSHEN (MAJTAS) ME TITON
ENVERI ME MILADIN POPOVIC E DUSHAN MUGOSHEN (MAJTAS) ME TITON

Ishin po ata, që do t’i jepnin fund marrëveshjes mes PKSH-së dhe Partisë së Ballit Kombëtar, thjesht sepse Tito i trembej nacionalizmit dhe Shqipërisë së Madhe. Libri “Tito dhe shokët”, sjellë nga shtëpia botuese “BOTART”, i autorit Jože Pirjevec, përveçse ndërton portretin e një prej udhëheqësve më të fuqishëm komunistë të shek. XX, Josip Broz Tito, hedh dritë edhe mbi themelin e Partisë Komuniste Shqiptare, rolin e Popoviçit dhe Mugoshës, prishjen e marrëveshjes së Mukjes mes komunistëve dhe ballistëve, si dhe arsyet pse Kosova nuk e përqafoi komunizmin.

“Tito dhe shokët” është libri biografik më i plotë i botuar deri sot për jetën e liderit të Jugosllavisë. Autori slloven, Jože Pirjevec, si profesionist i sprovuar në fushën e historisë dhe akademik i mirënjohur, sjell këndvështrime të reja për rrugëtimin e Titos, si dhe për rolin e tij vendimtar në krijimin dhe zhvillimin e një shteti ndryshe nga paraardhësit. Ky botim hedh dritë mbi disa prej enigmave që kanë shoqëruar figurën e famshme politike të shek. XX, për të cilën ende flitet dhe debatohet gjerësisht.

Duke shfrytëzuar një arkiv të jashtëzakonshëm në disa shtete të mëdha, madje dhe dosjet e shërbimeve sekrete më të rëndësishme të botës, Pirjevec vizaton me detaje jetën plot zigzage të Titos, që ua bëri të qartë shokëve që në fillimet e karrierës së tij: “Unë jam përgjegjës për Jugosllavinë! Unë vendos për të!”. Në libër përshkruhet me detaje roli dhe veprimtaria politike e shokëve të ngushtë të udhëheqësit jugosllav: Milovan Gjilas, Aleksandër Rankoviç dhe Eduard Kardel.

Autori Jože Pirjevec
Autori Jože Pirjevec

Në një kapitull të zgjeruar trajtohet jeta private e Titos dhe historia e pesë grave më të rëndësishme që e shoqëruan nga koha e studimeve në Bashkimin Sovjetik dhe deri kur mbylli sytë në vitin 1980. Lexuesit e hapësirës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, që nëpër rreshta mund të zbulojnë disa nga dilemat e fatit tragjik që ka shoqëruar kombin shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20, si dhe shkaqet e vërteta të konfliktit mes Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josip Broz Titos.

JOŽE PIRJEVEC

ZGJERIMI I LËVIZJEVE PARTIZANE DHE PROBLEMET E TYRE

Ngjarjet vendimtare të pranverës dhe verës së vitit 1943, gjithashtu patën një jehonë të madhe brenda vetë lëvizjes partizane. Meqenëse po pritej fundi i luftës, ishte e qartë që duhej të hidheshin themelet e një shteti të ri, madje ata ishin edhe më të vendosur sesa në takimin e parë të Avnosë. Drejtuesit e Partisë Komuniste nuk dyshonin se këtë herë do të ishte krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Svetozar Vukmanoviç – (Tempo), në një moment u tha shokëve të tij grekë: “Në Jugosllavi nuk do të lejojmë kurrë që të rivendoset pushteti i vjetër dhe të mbahen ‘zgjedhjet e lira’. Kemi bërë shumë sakrifica për ta lejuar një gjë të tillë. Ne nuk do të lejojmë që forcat aleate të vijnë në vendin tonë. Vetëm forcat që kanë luftuar për fitoren kundër okupatorit mund të shkojnë në zgjedhje për një fuqi të re politike…” Qysh në vitin 1942, Tito publikoi debatin Nacionalno vprasanje Jugoslavije v luci narodnoosvobodilnega boja (Çështja Kombëtare e Jugosllavisë brenda Luftës Nacionalçlirimtare), me të cilën ai u përpoq të bashkërendonte traditat e ndryshme historike dhe interesat territoriale të popujve jugosllavë, me premtimin e vendosjes së një sistemi ligjor federal. Duke u nisur nga kjo, në mbledhjen e Byrosë Politike të PKJ-së ai tha se forcat e Luftës Nacionalçlirimtare ia mohojnë qeverisë londineze të drejtën për të folur në emër të popujve të Jugosllavisë dhe më në fund, të marrim në dorë pushtetin shtetëror. “Tito dhe të gjithë ne që morëm pjesë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, – shkroi Kardeli,- ishim të vetëdijshëm se ky vendim do të shkaktonte reagime negative dhe pakënaqësi te qeveritë e fuqive të mëdha dhe që mund të sillte komplikacione politike mes Bashkimit Sovjetik dhe Fuqive të Mëdha Perëndimore. /…/ Ky ishte momenti kur për ne, interesat e kryengritjes nacionalçlirimtare dhe e ardhmja e kombeve tona ishin shumë më të rëndësishme sesa reagimet e Fuqive të Mëdha”.enveri dhe tito

Për të zbatuar këtë politikë, u vendos të krijohen struktura të përshtatshme organizative, të cilat do të përfaqësonin kombet e federatës së ardhshme. Kjo gjë në Slloveni nuk ishte e nevojshme, pasi aty tashmë ekzistonte Fronti Çlirimtar i kombit slloven. Në Kroaci, më 17 mars 1943, u krijua Komiteti për të thirrur Asamblenë Antifashiste të Çlirimit Kombëtar (ZAVNOH), e cila u mblodh në Plitvice më 13 dhe 14 qershor dhe u vetëshpall organi më i lartë.

përfaqësues i vendit. ZAVNOH u paraqit si një koalicion i grupeve të ndryshme politike të kroatëve, të serbëve, si dhe të kombeve të tjera të pakicave që jetonin në Kroaci, por, po ashtu si Fronti Çlirimtar në Slloveni ishte plotësisht në duart e komunistëve. Roli hegjemonist, i cili ishte përfundimisht i tëri në duart e partisë apo kokave të saj, nuk mund t’i parandalonte fërkimet dhe konfliktet që lindën nga ambiciet personale të individëve të caktuar ose nga patriotizmi etnik. Tito nuk e priti mirë lajmin e kalimit të Istrias, Rijekës dhe Zadarit Kroacisë, vendim të cilin e shpalli ZAVNOH-i në mbledhjen e datës 20 shtator 1943. Sipas tij, komunistët kroatë, të kryesuar nga Hebrang, me këtë vendim përvetësuan sovranitetin që i përkiste vetëm Jugosllavisë, si një shtet i përbashkët. Sidoqoftë, është fakt se ende nuk kishte asnjë shtet të përbashkët, pasi Shtabi i Përgjithshëm kishte shumë pak ndikim si në zonën e ZAVNOH-it, po ashtu edhe në zonën sllovene të kontrolluar nga Fronti Çlirimtar slloven. Fjalët e liderit kroat, i cili nga vera e vitit 1942 deri në verën e vitit 1943 kishte nën kontrollin e tij rreth 50 për qind të të gjithë partizanëve, për shumicën e anëtarëve të Byrosë Politike dukeshin shumë të rrezikshme. Kjo, edhe para takimit të dytë të Avnosë.Tito-276x350

* * *

Tito dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt serbë dhe malazezë nuk i respektuan siç duhet tendencat nacionale sllovene, të cilët propagandën për “vëllazëri dhe bashkim” të kombeve jugosllave nuk e pranonin aq lehtë. Duke e ditur që lëvizja partizane në Slloveni, pa pasur në thelb patriotizmin slloven nuk do të përkrahej, ata ishin më të kujdesshëm se me kroatët. Kur në fillim të tetorit të 1943-shit Fronti Çlirimtar mbajti në Koçevje asamblenë e të dërguarve të kombit slloven, ku ata vendosën për bashkimin e Primorskës me Slloveninë, nga frika se mund të ngrinin te sllovenët dyshime për bashkëjetesën në Jugosllavinë e ardhshme, askush nuk guxoi ta sfidojë këtë vendim.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë dyshim se Shtabi i Përgjithshëm e shikonte lirinë e vetëvendosjes së sllovenëve, po ashtu si ajo kroate, si një shqetësim real. Kjo gjë u vu re në pranverën e vitit 1943, kur Arso Jovanoviç dhe Ivo Lola Ribar sollën nga Sllovenia një vlerësim alarmant për gjendjen në këtë vend. Ata akuzuan “shokët” sllovenë se nuk veprojnë në përputhje me planin strategjik revolucionar të Shtabit të Përgjithshëm.enver-hoxha-miladin-popovic-dushan-mugosha

Asambleja e Koçevjes zgjodhi delegatët sllovenë për mbledhjen e dytë të Avnos, të cilën Tito që nga gushti synonte ta mblidhte si një asamble të të gjitha kombeve jugosllave. Kur më 15 maj 1943, për të bindur botën se Bashkimi Sovjetik nuk po përpiqej më për një revolucion botëror, Stalini shpërndau Kominternin, Tito mendoi se ndaj Moskës ai nuk kishte detyrime si në të kaluarën, dhe se ishte momenti i duhur për të realizuar planin e tij të vjetër: krijimin e një qeverie të bazuar në autoritetin e popullit dhe që synonte ta ushtronte bolshevizmin përtej kufijve të Bashkimit Sovjetik. Takime të ngjashme si ato në Koçevje kishte pasur më parë, por edhe më vonë në vende të tjera, si në Istria, në zonën boshnjake, në Malin e Zi, në Sanxhak, në Bosnjë dhe Hercegovinë, madje edhe deri në Maqedoni. Ndryshe nga Sllovenia dhe Kroacia, ku nacionalizmi i tepruar nuk ishte i pranueshëm, komunistët në Maqedoni u betuan për ta forcuar atë më shumë, por që në asnjë mënyrë nuk arriti të zhvillohej. Në vitet 1941 dhe 1942, pavarësisht përpjekjeve për të organizuar një kryengritje masive kundër bullgarëve, nuk patën sukses. Maqedonasit fillimisht e pritën gjithë entuziazëm ardhjen e ushtrisë bullgare, të bindur se më në fund nuk do ishin nën zgjedhën serbe. Vetëm pas një kohe, ata kuptuan që as bullgarët nuk donin t’ia dinin për dallimet e tyre etnike, dhe se regjimi i ri, për sa i përket shfrytëzimit të burimeve minerale dhe shfrytëzimit të fuqisë punëtore lokale, nuk ishte shumë më ndryshe nga ai i Beogradit. Sepse, veç të tjerash, në qershor të 1941-shit, Moska rivendosi marrëdhëniet diplomatike me qeverinë jugosllave në mërgim, gjithashtu edhe Kominterni anuloi vendimin e tij për bashkimin e komunistëve maqedonas me Partinë Komuniste bullgare.

Gjatë luftës, Partia Bullgare e Punëtorëve ndoqi një politikë krejtësisht tjetër nga ajo e PKJ-së: kundër qeverisë filonaziste në Sofje ajo nuk organizoi asnjë kryengritje, por, duke qenë në pritje të armatës së kuqe, u kufizua me propagandën antigjermane. Për sa i përket çështjes së Maqedonisë së Vardarit, për shkak të së cilës në vitin 1941 patën një mosmarrëveshje midis tyre, ajo kishte pranuar vendimin e Kominternit, i cili ishte në favor të jugosllavëve, por vetëm në dukje. Duke u justifikuar se udhëheqja komuniste ishte larg dhe se komunistët vendës nuk ishin aq të fortë, ajo argumentoi se nuk kishte asnjë bazë të vërtetë për të përballuar një luftë të armatosur dhe se nuk kishte kuptim të shkonin në male.

Nga fundi i vitit 1942, Tito vendosi të veprojë. Kështu, në shkurt të vitit 1943 ai dërgoi Svetozar Vukmanoviçin – (Tempon), një nga bashkëpunëtorët e tij më energjikë, i cili arriti shumë shpejt të organizonte grupin komunist në Maqedoni, veçanërisht në pjesën perëndimore të tij, e cila ishte bashkuar me Shqipërinë italiane. Pavarësisht se ishte një grup modest, ai arriti të krijonte edhe aty një qendër rezistence. Shumë më pak sukses pati në Kosovë, ku shqiptarët kurrë nuk kishin gëzuar kaq shumë të drejta dhe bollëk sa nën italianët. Thirrjes së Tempos iu përgjigj vetëm popullata serbe dhe malazeze, e cila u gjend në një pozitë jo të favorshme dhe, për këtë arsye, iu bashkua njësive partizane që vepronin në periferi të territoreve serbe, malazeze dhe atyre maqedonase. Edhe pas kapitullimit italian, situata nuk ndryshoi: Kosova u pushtua nga gjermanët, të cilët vazhduan me sukses të luanin me ndjenjat antijugosllave, ende shumë të forta në mesin e popullatës shqiptare, duke pretenduar se partizanët ishin agjentë rusë dhe serbë të vendosur për të shkatërruar dhe kontrolluar pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kjo propagandë doli e suksesshme, pasi shqiptarët, për t’u mbrojtur nga serbët, organizuan një lëvizje politike dhe trupa ushtarake, të cilat e ruajtën një pjesë të mirë të territoreve të vendit deri në fund të luftës.

Pavarësisht marrëdhënieve armiqësore mes popullsisë shqiptare dhe sllave në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, vetë PKJ arriti të krijojë kontakte të ngushta me komunistët e Shqipërisë. Qysh në vitin 1941, Komiteti Qendror dërgoi në Shqipëri instruktorin Miladin Popoviç, me detyrën e organizimit të lëvizjes së rezistencës. Më vonë shkoi edhe Dushan Mugosha dhe, ata së bashku, sipas urdhrit të Kominternit, nga grupe të përçara komuniste formuan një parti të bashkuar. Më 1 mars 1943, në fshatin Labinot u mblodh Konferenca mbarë-shqiptare e komunistëve, ku Enver Hoxha u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PKSh-së dhe, duke ndjekur shembullin jugosllav, formoi Ushtrinë Popullore, së cilës iu bashkua edhe Balli Kombëtar. Sidoqoftë, bashkëpunimi mes ballistëve dhe komunistëve u ndërpre në fund të vitit 1943, sepse kjo kërkohej nga jugosllavët, të cilët kishin frikë nga nacionalizmi i Shqipërisë së madhe. Sigurisht, marrëdhëniet mes dy partive, PKJ-së dhe PKSh-së, nuk mund ta anashkalonin çështjen e Kosovës, por, për shkak të pikëpamjeve dhe konsideratës së veçantë të Titos për serbët, ata vetëm sa e cekën si çështje dhe vendosën që, për kufirin dhe të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje të diskutonin vetëm pas humbjes së okupatorit.

I palodhuri Tempo nuk la pas dore as Partinë Komuniste të Greqisë, e cila gjithashtu i organizoi vetë njësitë partizane, të cilat luftuan me sukses kundër forcave naziste. ELAS, Ushtria Nacionalçlirimtare greke, edhe pse, po ashtu si partizanët jugosllavë duhej të merrej me organizata ushtarake rivale të drejtuara dhe organizuara nga borgjezia vendase, kishte baza të forta në Rumeli, në Selanik, në zonën e Epirit si dhe në Maqedoninë e Egjeut. Pavarësisht se ELAS-si ishte tërësisht në duart e komunistëve, ata nuk mundën ta forconin rezistencën greke po aq sa shokët e tyre jugosllavë. Komunistët grekë nuk luftonin për pushtet – kështu shkruan Tempo në kujtimet e tij – por ata luftonin vetëm për të dëbuar okupatorin, dhe vetëm pas fitores ata do të lejonin që njerëzit të vendosin vetë për të ardhmen e tyre politike. Për të korrigjuar këtë gabim, Tempo u sugjeroi grekëve dhe shqiptarëve që, për të koordinuar luftën në të gjithë zonën, ata bashkë me Jugosllavinë të formonin Komandën e Lartë Ballkanike. Për shkak se kontaktet midis Maqedonisë dhe Shtabit të Lartë ishin të rralla, ata deri në fund të tetorit të 1943-shit nuk kishin lidhje me radio. Për një kohë të gjatë, Tito nuk kishte asnjë informacion në lidhje me atë se çfarë po ndodhte në Jug. Raportet e para të veprimtarisë së Tempos i arritën vetëm në mesin e shtatorit të 1943-shit. Vetëm atëherë, ai mësoi se ishte ngritur KQ i Partisë Komuniste Maqedonase, si dhe ishte formuar Shtabi i Përgjithshëm, dhe se partia kishte eliminuar nga radhët e saj nacionalistët fanatikë dhe sabotatorët (filo bullgarët). Njësitë e tyre partizane numëronin 400 deri në 500 luftëtarë. Në raportet e tij, Tempo i foli edhe për situatën në Kosovë, ku thoshte se shqiptarët i urrenin serbët, dhe se ndikohen nga nacionalistët: nga 200 partizanë që gjendeshin në atë krahinë, vetëm 80 ishin shqiptarë. Idenë e Komandës së Lartë Ballkanike, Tito e quajti komplet të gabuar, pasi “internacionale të tilla të vogla” nuk do të pranoheshin as nga britanikët, dhe as nga rusët. Nga dokumentet nuk gjendet gjë, nëse Tito u këshillua me Moskën për një vendim të tillë, por është më se e qartë se urdhri i tij që Tempo të mos vazhdonte më me këtë ide ishte plotësisht në përputhje me drejtimin politik të Stalinit.

* * *

Duke pasur një ndikim të tillë deri në Jug, Tito e dinte shumë mirë se ai, pa u ankoruar në Serbi, e cila ende ishte nën kontrollin e Nediçit dhe të trupave gjermane, me të cilat bashkëpunonte Mihailoviçi dhe garda blu e Ljotiçevit, nuk do të mund të fliste në emër të Jugosllavisë. (Nga 150.000 partizanë që kishte në fund të vitit 1943, në gjysmën lindore të Jugosllavisë ishin vetëm rreth 2000 partizanë, por edhe ata ndiqeshin gjatë gjithë kohës.) Në tetor të 1943-shit erdhi momenti që t’u kushtonin vëmendje operacioneve përmes Drinasit, por u penguan nga ofensiva gjermane, të cilët kërkonin t’i pushtonin të gjitha territoret, që deri në vjeshtë kishin qenë të kontrolluara nga forcat italiane. Pothuajse gati tre muaj në Slloveni, në Istria, në Gorski Kotar, në Dalmaci dhe Hercegovinë, midis njësive partizane dhe gjermane filluan luftime të ashpra për kontrollin e vijës bregdetare dhe lidhjeve të trafikut në territoret në brendësi. Në Slloveni, gjermanët llogaritën mbështetjen nga “Domobranci”, ndërsa në Mal të Zi, me ndihmën e çetnikëve dhe shqiptarëve, për të mos lejuar që partizanët të zhvendoseshin në Serbi, ata organizuan një operacion në shkallë të gjerë, ashtu siç shkruhet në një urdhër nga Hitleri: “Mburoja më e rëndësishme për të mbrojtur Ballkanin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura