Historia tronditëse e familjes nga Dukati/ Si i rrëmbyen nënën komunistët dhe e rigjetën pas 12 vitesh

SHPËRNDAJE

Rrëfimi i rrallë i Fadil Çapos/ Iu internuan nënën dhe i lanë 21 ditë vetëm pa bukë e ujë…Tre të miturit që e rigjetën nënën pas 12 vitesh në internim në Plug të Lushnjes.

“Më zinte aq shumë malli për nënën sa thoja: veç ta shoh një herë e le të vdes.. Një ditë kisha aq shumë uri sa hëngra bar bashkë me delet…”

fadil-1-540x540

Dukat 1948. Në portën e madhe të familjes Çapaj dëgjohen trokitjet e forta dhe britmat e policëve. E zonja e shtëpisë, Valideja, me foshnjën dymuajshe në duar, del me nxitim për të hapur portën. “Ç’kërkoni?” i pyet. Policët hyjnë me furi brenda oborrit. Një prej tyre e nxjerr jashtë dhe i thotë ashpër “Do vish me ne”. Një tjetër nxjerr në rrugë edhe dy djemtë më të rritur: Eqeremin dhe Idaiun, mbi 14 vjeç. Tre fëmijët e tjerë më të vegjël, Fadili 6 vjeç, Floriana 7 vjeç dhe Lefteri 4 vjeç shohin të hutuar, pa kuptuar se çfarë po ndodh. Policët bastisin shtëpinë, mbyllin dyert me çelës dhe dalin jashtë duke shoqëruar me forcë nënën me foshnjën dhe dy të rinjtë, e më pas largohen. Gjithçka ndodh për disa minuta. Tre të miturit dalin tek porta e madhe dhe duan t’i ndjekin, por një prej policëve kthehet dhe iu bërtet të kthehen. Qëndrojnë tek porta e madhe duke ndjekur me sy nënën me foshnjën në duar dhe vëllezërit që ecin drejt qendrës së Dukatit.

Para shtëpisë së madhe të gurtë ka rënë heshtja. Një heshtje që fillon t’i trembë fëmijët. Lefteri fillon të qajë me dënesë, ndërsa dy më të mëdhenjtë, Flora dhe Fadili, mundohen ta qetësojnë edhe pse janë po aq të trembur sa ai. Mbyllin portën dhe ulen në shkallët e shtëpisë duke pritur me shpresën se nëna do të kthehet së shpejti. Pas orësh të tëra pritje, errësira ka rënë mbi Dukat dhe fëmijët fillojnë të mendojnë për t’u strehuar diku. Dera e shtëpisë është mbyllur, nuk mund të hyjnë. Aty përpara gjenden lëpushat ku çlodhen lopët kur vijnë nga kullota. Shtrihen të tre aty pa folur. Lefteri i lodhur nga e qara mbyll sytë dhe fle i pari, ndërsa Fadili dhe e motra edhe pse nuk flasin mendojnë të njëjtën gjë “Kur do të kthehet nëna?”.

***

U gdhinë e u ngrysën 20 ditë rresht të vetëm, duke ngrënë misra e duke fjetur në lëpushat e lopëve, rrëzë hangarit. Askush nuk erdhi t’i shihte si ishin, a ishin sëmurë, a kishin ngrënë, a kishin fjetur, a ishin gjallë… Askush nuk u hodhi përtej mureve një kore bukë. Askush nuk erdhi t’u tregonte se ku shkoi nëna dhe se ç’do të bëhej me ata tre të mitur.

Ditën e 21-të fëmijët që po rezistonin përballë urisë, vetmisë e frikës dëgjuan një të trokitur të lehtë në derë. Ishte Gani Çapaj, një bari që shpesh kulloste lopët e tyre, kushëri i familjes. Fadili shkoi tek porta dhe hoqi llozin. Ganiu hyri duke i parë me vëmendje të tre.

– Si je Fadil? Mirë jeni?

– Po, mirë, – iu përgjigj Fadili.

– Do vini të rrini ca ditë andej nga unë?

– Mirë, – i tha Fadili dhe mori për dore Lefterin e Florën.

Kasollja e Ganiut ishte prej kashte, e shtruar poshtë me baltë dhe ndodhej pak larg fshatit. Ganiu kishte edhe tre fëmijët e tij: dy vajza mbi 10 vjeç dhe një djalë moshatar me Lefterin. Të gjithë flinin në atë kasolle dhe ndanin atë pak bukë e qumësht, që Ganiu mund të siguronte sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Fëmijët filluan të mësoheshin në kasollen e Ganiut.

Ditët u bënë javë, javët muajt e muajt vite. Fadili dhe e motra filluan shkollën, e më pas edhe Lefteri….

***

Takimi me nënën pas 12 vitesh

Ishte pranvera e vitit 1960. Fadili sapo kishte mbushur 18 vjeç. Në mbrëmje Ganiu u kthye nga puna si zakonisht dhe e thirri mënjanë Fadilin. I kishin sjellë një letër ku shkruhej një porosi e Validesë për të: “Aman, thuaji Ganiut nëse fëmijët e mi janë gjallë, brenda mundësive të m’i sjellë t’i shikoj, nëse nuk janë gjallë m’i tregoni ku i kanë varret që t’u shkoj.”

Nuk kishte lajm më të bukur për Fadilin, Florën dhe Lefterin. U bënë gati për t’u nisur që të nesërmen. Ganiu kishte folur me shoferin e kooperativës, Ahmet Alushin dhe ai ishte treguar i gatshëm menjëherë për t’i çuar fëmijët tek Valideja, në kampin e Plugut, Lushnjë.

* * *

Fadili, u hodh vrik nga karroceria dhe u nis me vrap drejt parcelave. Ndaloi para një kanali të madh vaditës plot me ujë. Nga aty i thirri një gruaje:

– Si jeni mirë? Do të pyes për një grua. E njeh një Velide Çapon?

Gruaja matanë kanalit kishte pranë një vajzë të vogël rreth 12 vjeçe, që po i mbante shatën. E vështroi me kujdes dhe i tha:

– Hajde këtej more djalë. Hajde këtej nga rruga.

Fadili mbërriti me një frymë dhe u afrua përballë gruas, ndërsa vajza po e shihte me vëmendje.

Gruaja e pyeti:

– Për çfarë e do Velide Çapon?

– E duan ca nga Vlora, nga Dukati, – iu përgjigj Fadili.

Gruaja disi e menduar, me një hije dyshimi e pyeti përsëri:

– Cili është?

– Është Gani Çapo, – iu përgjigj përsëri Fadili.

– Po ti i kujt je?

– I Gani Çapos, – ia ktheu menjëherë.

– Jo more djalë, se Ganiu nuk ka djalë kaq të madh, e kundërshtoi gruaja me hezitim.

Ndërkohë vajza përbri i pëshpëriti gruas pranë veshit:

– Mama, mos është Fadili ky, se ka atë shenjën në buzë që më ke treguar?

– Mos je ti Fadil, more djalë?

– Unë, Fadili jam, – iu përgjigj djali me zërin që i dridhej.

Valideja shtangu, nuk e mbajtën më këmbët dhe u lëshua përtokë. Fadili me Teftën iu hodhën sipër duke lëshuar mbi të lotët rrëke. Ganiu me dy fëmijët e tjerë nxituan hapat kur i panë ashtu. Velideja filloi të përmendej, ndërsa Ganiu po i fliste me zë të ulët:

– Mos u mërzit. Ja t’i prumë fëmijët. I ke shëndoshë e mirë. Ja Fadili, Flora, Lefteri.

Nëna hapi sytë dhe i shikonte fëmijët e hutuar. Iu kapte duart, i ledhatonte në fytyrë… Ndërsa ata e shihnin të përlotur./kujto.al/

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakPendarovski: Greqia do ta respektojë marrëveshjen për emrin
Artikulli tjetërSondazhi, ku 63% e të anketuarve besojnë te Policia

S'KA KOMENTE

Comments are closed.