Historia tronditëse e 20-vjeçarit, nisi nga mjekimi i kërthizës dhe përfundoi me vetëvarje në burg

Nov 22, 2017 | 20:53
SHPËRNDAJE

LEZHE – Një 20-vjeçar i dënuar për plagosje, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në ambientet e Burgut të Shënkollit në Lezhë. Florjan Kodra, nga Thethi, u gjet pa shenja jete në dushet e burgut. Drejtoria e Burgut bën të ditur se 20-vjeçari ka varur veten me çarçaf, ndërsa mbeten të paqarta arsyet që e çuan të riun të ndërmarrë aktin e rëndë.

DREJTORI BURG

Trupi i pajetë i viktimës u dërgua në morgun e spitalit të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet mjekësisë ligjore. Për zbardhjen e rrethanave pritet të merren në pyetje të dënuarit që qëndronin në një dhomë me 20-vjeçarin, si dhe familjarët e të riut për të mësuar mbi motivet e kësaj ngjarjeje. Florjan Kodra mbahej në burg për një ngjarje të ndodhur më 21 maj të vitit të kaluar, shkruan “Panorama”.

Ai plagosi me dy plumba Nazmi Topuzin, pas një debati për motive të dobëta. Nisur nga dyshimet se i ngacmonte bashkëjetuesen, 48-vjeçari Topuzi banues në Tiranë ishte përfshirë në një përleshje me të riun, banor i Thethit. Ngjarja e pati zanafillën kur Florjan Kodra kishte shkuar në shtëpinë e të plagosurit për të mjekuar kërthizën nga vjehrra e tij (mjekim popullor).

48-vjeçari, pasi ka mbaruar punën në biznesin familjar që menaxhon në Theth, është kthyer në shtëpi dhe aty ka gjetur të riun. 19-vjeçari është munduar që t’i shpjegojë arsyet se përse kishte shkuar në shtëpinë e tij, por aty ka nisur debati, pasi Nazmi Topuzi është bërë xheloz për gruan e tij, shtetasen D.D., 48 vjeçe, me të cilën, sipas Policisë, jetonte prej 2-3 vitesh.

I riu i ka mohuar akuzat që i ka bërë Nazmi Topuzi për gruan e tij, por ai nuk është bindur dhe i irrituar ka debatuar duke shkuar gati në përleshje mes tyre. Pak ditë pas këtij debati të pasqaruar mes tyre, Kodra e ka ruajtur 49-vjeçarin dhe sapo ka dalë në oborrin e shtëpisë së vjehrrit të tij, shtetasit Gjovalin Djerri, e ka qëlluar me automatik. Topuzi mori dy plumba, duke u plagosur rëndë.

Ajo që dëshmoi për debatin ka qenë gruaja e të plagosurit. Në atë kohë 19-vjeçar, Kodra u arrestua menjëherë nga policia. Ndërkohë për ngjarjen, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e dënoi atë me 6 vite e 5 muaj heqje lirie. Deri në momentin e kryerjes së vetëvrasjes, të riut i kishin mbetur për të shlyer dhe 4 vite burg. Dyshohet se viktima nuk e ka përballuar dot izolimin në qeli, çka e çoi atë në vetëvrasje. e.h.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura