Historia/ Njeriu i pushkës dhe i kulturës, kush ishte Shaban Blloshmi që u vra në pritë! Pse Ahmet Zogu ishte i interesuar për…

Nov 7, 2022 | 17:37
SHPËRNDAJE

shaban blloshmi11BARDHYL MUSAI

Më 5 nëntor 1929, vritet Shaban Blloshmi nga klane të caktuara për interesa mirëfilli politike. Ai ishte nga Bërzeshta e Librazhdit, figurë e spikatur me ndikim të ndjeshëm në viset e Korçës, Pogradecit, Starovës, Ohrit, Strugës, Mokrës, Qukësit e deri në Elbasan.

Si veprimtar i përket brezit të fundit të Rilindjes Kombëtare, fundit të shek. XIX, periudhës së Pavarësisë e deri në fund të viteve ‘20.

Shaban Blloshmi u lind më 1882 në Bërzeshtë dhe mësimet e para i merr në Ohër, ku më pas i vijon ato në Stamboll. Shkrimin e këndimin e gjuhës amtare i merr që në moshë të vogël, kur Dervish Hima, i ardhur ilegalisht në Shqipëri, dhe Dr. Haki Mborja, qëndrojnë për pak kohë në Bërzeshtë, në shtëpinë e Shaban Blloshmit, ku organizojnë me disa të rinj, në mënyrë ilegale, mësimin e gjuhës amtare që më 1895.

Në zonën e krahinat e tij, Shaban Blloshmi organizon lëvizjen e armatosur kundër pushtuesit osman, duke vepruar me çetat e Korçës dhe të Elbasanit. Shaban Blloshmi qe jo vetëm njeri i aksionit, por edhe i mësimit të gjuhës amtare, duke dhënë prova konkrete, si në futjen e librave shqip ilegalisht në atdhe, ashtu dhe në mësimin dhe përhapjen e tyre në popull.

Në vitet 1908-1912, lëvizja kulturore kombëtare karakterizohet nga një ngritje e mëtejshme e shkallës së organizmit të saj, e cila gjen shprehjen në krijimin e një rrjeti të tërë klubesh e shoqërish kulturore-politike, si dhe thirrjen e forumeve të tilla me karakter gjithëshqiptar, siç ishin kongreset kombëtare: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Elbasanit.

Kësaj periudhe i përkasin dhe dy letrat që Shaban Blloshmi i dërgon patriotit të njohur Gjergj Qiriazi në Manastir, më 12 shtator dhe 26 tetor të vitit 1908. Mesazhi i tyre qenë kërkesat për abetaret, librat e gazetat shqip për shkollën dhe kulturën kombëtare: “Abetaret që më dërgove i mora……dhe i nisa nëpër fshatra……tani kanë zënë të mësojnë shumë njerëz…”. (A.Q.SH, Fondi 102, Dosja 145, 1908, fl.1-4).

Lidhur me këtë ngjarje, historiani Edwin Jacques shkruan: “Shtypshkronja e Manastirit financohej aktualisht nga një grup bejlerësh myslimanë tregtarësh të fuqishëm e patriotësh. Drejtues i punës ishte Gjergj Qiriazi, vëllai i Gjerasimit, që kishte themeluar Shkollën Qiriazi të vajzave në Korçë. Vendosmëria e tyre për të vënë menjëherë në zbatim vendimet e Kongresit të Manastirit duket qartë nga letërkëmbimi me Gjergj Qiriazin, në shtator 1908.

Autori i letrës ishte Shaban Blloshmi, një patriot 26-vjeçar, i cili, në sajë të bëmave të tij me armë në gjithë pellgun e Shkumbinit dhe të përkrahjes së abetares shqipe, fitoi titullin popullor të “mësuesit kaçak”. Përshëndetja e letrës së tij, drejtuar Gjergj Qiriazit, ishte shumë e veçantë: “Djalit i puth sytë për lirinë e gjuhës shqipe”. Më tej, ai thoshte: “Sot që vendi është i lirë edhe gjuha shqipe po përparon, gjithkush ka filluar të mësojë, por heqim keq sepse nuk kemi abetare. Prandaj, lutem me gjithë zemër që me ndonjë njeri ose me postën që vjen në Qukës, dërgomë disa abetare e libra dhe çdo javë gazetat që shtypen tani”. (“The Abanians: An Ethnic History from PreHistoric Times to the Present”, 1995, Edwin Jacques. Botimi shqip: Shqiptarët, Vëllimi i “Populli shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1912. Edwin Jacques, Tiranë 1996: Kartë e pendë, Faqe 451).

Me shpërngulje të shpeshta e shtegtime të gjata, njeriu i aksionit do të jetë i pranishëm në ngjarje të rëndësishme me peshë kombëtare, siç ishte shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, të cilën e priti me entuziazëm, duke marrë pjesë aktive me armë në dorë për ta mbrojtur këtë pavarësi. Gjatë kësaj periudhe, më 1913, në Bërzeshtë hapet e para shkollë shqipe, ku një pjesë të meritës e ka padyshim dhe ky veprimtar, duke u përpjekur ta mbajë ndezur këtë vatër të diturisë. Nuk do të kalonte shumë dhe trojet shqiptare do të rrezikoheshin nga Lufta e Parë Botërore, e shovinizmi fqinj. Ai si luftëtar aktiv, luftoi me çetën e tij pushtuesit ballkanikë, por dhe organizoi ndihmën vullnetare në Luftën e Vlorës.

Intelektuali i njohur elbasanas, Lef Nosi, duke përkujtuar figurën e Shaban Blloshmit, do të shkruante në kujtimet e tij: “Veprat e këtij patrioti nuk i përkasin ndonjë historie a përmendore, po janë nga ato që i din kushdo që asht marrë me idenë e punët e shenjta kombëtare… Në vitin 1913, komandant çete në Elbasan kundër rebelëve në Qafë Thanë, po në këtë vit ka luftuar kundër epirotëve grekë në Arrëz të Korçës e të tjera… Në vitin 1916, komandant çete shqiptarësh kundër austro-hungarezëve…”. (AQSH, Fondi 32, Dosja 50).

Lasgush Poradeci, duke iu referuar gazetave të kohës në një dokument të Jashar Starovës më 8 maj 1914 përmend Shaban Blloshmin, i cili kishte shkatërruar ushtrinë greke që kishte mësyrë në rrethinat e Korçës: “I përgëzoj Z.Z. Kapedan Kajon dhe Shaban Blloshmin për trimërinë që rrëfyen, s’është për të harruar trimëri e këtyre zotërinjve, të cilët luftuan burënisht në katundin Harrëz me të tjera çeta andarësh të cilat i dërmuan burrënisht”. (L. Poradeci, Shkolla shqipe e Poradecit, Tiranë 2002, AlbPaper, faqe 122).

Shabani ishte përfaqësues i Korçës dhe i Pogradecit në Kongresin e Lushnjës më 1920. Gazeta “Dielli” nën titullin: Senati i Shqipërisë u formua jep njoftimin: “…Kongresi Kombëtar i Lushnjës si e kini mësuar, i cili filloj punën që më 28 janar dhe mbajti dy javë. Vendimet e plota mbesonj qe t’ia ua kene shkrojtur qe atje ne Kongres. Qarku i Pogradecit kish derguar ne Kongres dy delegate, zz. Shaban Blloshmin dhe Gjoka Ndinken, te cilët u kthyen javën e pare dhe dhane çpjegime te plota përpara mbledhjeve qe u bene ne shkollën e djemve”. (Gazeta “Dielli”, Nr. 1819, 31 mars 1920).

Listën me delegatët e Kongresit të Lushnjës, midis të cilëve edhe Shaban Blloshmi, e publikon edhe Lef Nosi në “Dokumente të historisë kombtare – Kongresi i Lushnjës” (1924) dhe Gazeta “Drita”, më 28 nëntor 1937.

Një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij, ishte përfshirja në Lëvizjen Demokratike të viteve ‘20, ku Elbasani bëri emër dhe i dha tonin gjithë jetës së vendit në këtë lëvizje (1920-1924).

Në fund të tetorit të vitit 1923, në Elbasan krijohet grupimi politik “As i Pashës, as i Beut”, i cili do të vihej përballë grupimeve të tjera politike në Elbasan, për zgjedhjen e deputetëve në Kuvendin Kushtetues. Në listat e shpallura krahas emrave të A. Xhuvanit, S. Çekës. Xh. Kongolit, K. Cipos, S. Shuteriqit etj., ishte i rreshtuar edhe ai i Shaban Blloshmit. (“Ura e Shkumbinit”, Elbasan 1923, 14 dhjetor). Qenë këta delegatë të zgjedhur të Asamblesë së Prefekturës të Elbasanit, që do të përfaqësonin mendimin e popullit për në Kuvendin Kombëtar. Është i njohur historikisht fati i këtyre zgjedhjeve, janë të njohura presionet, rrahjet, grabitjet e votës, por meriton vëmendje një letër e Shaban Blloshmit ku i denoncon këto akte, drejtuar kryetarit të këshillit të përkohshëm të këtij grupimi politik, z. Rrapush Demeti. Ndër të tjera, ai shkruan se : “…ligji po shkelet, por logjika e tij do të ndodhet sot në Skroskë”. (Po aty).

Shaban Blloshmi ishte fanolist, me ide e pikëpamje demokratike dhe si tillë ishte kundërshtar politik i Ahmet Zogut, i cili e ka përndjekur për ta arrestuar dhe vrarë. Më poshtë renditen tri dëshmi që vërtetojnë pohimin e mësipërm.

E para është një letër drejtuar Lef Nosit, më 23 tetor 1925. “Të nderçmit mik D. Lef Nosi, Elbasan. Kam dash t’ju shkruaj letër më përpara, por meqë z. juaj ndodheshit n’Itali e vetëm tashi mësova ardhjen e z.suaj dhe gjeta rastin të takoj një njeri besnik që t’ju çoj këtë letër. Sikurse e keni marr vesht se pa patur një faj ligjuer më 27 të muajt të kaluar Qeveria na bastisi në Xhyrë se si s’na gjeti aty na erdhi prapa në Bërzeshtë e më rrethoi shtëpinë, si i pashë nuk desha t’ju dorëzohem e duke preferuar vdekjen afër shtëpisë t’ime u solla për midis dritareve q’ishin zënë më të gjitha anët e për medis plumbavet po na shpëtoi Perëndia, e dija i sigurt se po të dorëzohesha do t’vritesha udhëvet me një mënyrë barbare si të tjerët që janë vra!

Sado që deri tash kanë ndërmjetësu disa miq të mijtë pranë Qeveris e sidomos beut dhe kan dhënë premtimin e besës që të dal se s’më bëhet gjë po, tue ditur mirë besën dhe qëllimin e beut q’ushqen për mua kam vendosur të rri larg Qeverisë gjer të ndryshoj situata…”. 23. X. 25 (AQSH, F. 32, D.55/2, fl.121)

Dy dëshmitë e tjera janë lajme të gazetës “LIRIA KOMBËTARE”, të vitit 1926. “Ngjarje të vogla në Shqipri. Shaban Blloshmi është nga Bërzeshta prej një katundi t’Elbasanit. Këtë njeri qeverija e Zogollit ka dashur ta kapë qëkurse erdhi në fuqi po ay luftoi dhe iku. Më vonë qeverija e fali dhe ay u kthye në shtëpi të vet. Mirëpo, janë disa ditë që qeverija zogolljane i qarkoi Shaban Blloshmit tinëzisht shtëpinë me qëllim që ta shtjerë në dorë. Po ay për fat të mirë nuk u ndodh në shtëpi dhe kur e mori vesh u arratis”. (LIRIA KOMBËTARE, 9 qershor 1926).

Tjetër lajm i po kësaj gazete.

“Të amnistjuarit arratisen prapë

Ndër ata që shijuan provën e hidhur të besimit në amnistin gënjeshtare t’Ahmet Zogut janë edhe Beqir Zagorçani dhe Shaban Blloshmi. …

Kështu i ngjau edhe Shaban Blloshmit, i cili ca kohë më parë qe falur me ndërmjetësin e disa miqve. Po tani duke parë se fjala e spiunëvet ishte më e fortë se ajo e miqvet të tij e se dyert e burgut përgatiteshin të hapeshin për të, u shtrëngua dhe një herë të marrë rrugën e arratis”. (LIRIA KOMBËTARE, 6 tetor, 1926).

Shaban Blloshmi punoi shumë dhe për çeljen në vitet 1927-1928 e një konvikti (internat) në Bërzeshtë për nxënësit e krahinës. Më 5 nëntor 1929, kur po dilte nga shtëpia për të paguar me paratë e tij punëtorët që po ndërtonin internatin, vritet pabesisht. Sipas dëshmive të një fshatari nga Mokra, i cili punonte për ndërtimin e Internatit, në trupin e vrarë të Shabanit i ishin gjetur në xhep 10 napolona ari, njërin prej të cilëve e kishte shpuar plumbi.

Menjëherë pas vrasjes, populli i Elbasanit i revoltuar protestoi para Prefekturës ku xhandarmëria vrau njërin prej tyre.

Për ngjarjen, Prefekti i Elbasani urdhëroi të shkonte në vend një grup hetimor.

Raporti në bazë të urdhrit të Prefekturës për vrasjen midis të tjerash shkruan: “Më datë 5 të këtij muaji në mëngjes tue dalë prej shtëpisë së vet për të shkue ne shkolle te Internati, sa po ka arrit afer shtëpisë së Bajram Blloshmit asht qëllue nga një pritë prej 5 vetësh …mbasi e kane qellue nga penxheret e kesaj shtypije edhe e kan vra. …Dyshohet te kete qene edhe Bajram Blloshmi, Kapter i Gjindrameries ne Shijak. Perveç ketyre, disa persona deshmojne se kan pare edhe tre vet ne nje prite tjeter 100 Metra lark shtypies Bajramit, te cilat thuhen se kan qene pritat e dyta. Dmth, vrasësit kane qene tete veta, pese ne nji vend dhe tre ne nji vend, tre te njoftun dhe pesë te panjoftun. Shkaku u kësaj vrasjeje ka qenë fjeshte nji çeshtje banale qe kan pas ndërmjet njani tjetrit… Në raport përmenden emrat e përgatitësit, shtytësit dhe të vrasësve”. (12/XI/29, dokumenti 3793 (X) AQSH F.271, v.1929. D.37, Fleta 10).

Vrasja e Shaban Blloshimit u njoftua nga shtypi i kohës. Një prej gazetave shkruante: nga “Më 4 të muajit vazhdues asht vra në Bërzeshtë Shaban Blloshmi… I ndyeri Shaban Bloshmi ka qenë një nga shtëpijat e mëdha e nga dyert e para të Prefekturës tonë, atdhetar i ndëgjuem dhe me ndjenja të lira e mendime përparimtare”. (“Gazeta shqipëtare”, Tiranë, 14 nëntor 1929)

Për të qetësuar popullin e revoltuar nga vrasja e Shaban Blloshmit, një javë më pas po kjo gazetë jep lajmin: “Arrestime për vrasjen e Shaban Blloshmit. Sado që vrasësit origjinal të Shaban Blloshmit kan mundun t’arratisen, prapë se prapë Qeveria ka bae arrestime personash qe kan të bajn me vrasësit. Hetimet dhe ndjekjet ende po vazhdojnë dhe duken se do japin rezultatet ma të kënaqshme për qetsin e popullit t’onë dhe për nderin e rojtësve të rregullimit publik në Shqipërin gjithë”. (Gazeta Shqiptare, 21 nëntor 1929).

Qeveria nuk bëri asnjë përpjekje për të kapur vrasësit, ndonëse ishin identifikuar, njëri prej të cilëve edhe komandant xhandarmërie, por për të qetësuar popullin mbarë, për shkak edhe të popullaritetit të Shabanit e qetësonte duke premtuar se do të bëhen hetime të mëtejshme, madje u ngrit nga Parlamenti një grup hetimor por pa rezultat, njëjtë si të gjithë komisione të tilla që nga themelimi i shtetit e deri në ditët e sotme.

Dokumentet e mësipërme që vërtetojnë se qeveria donte ta arrestonte e ta vriste Shabanin, organizimi i vrasjes me dy prita, e organizuar në mënyrë profesionale, pjesëmarrësit në vrasje, njëri prej të cilëve ishte xhandar dhe mosarrestimi i vrasësve të identifikuar, hedhin poshtë versionin e qeverisë për çështje banale a private, pasi dihej publikisht qëndrimi politik i Shaban Blloshmit dhe përndjekja e vazhdueshme nga Zogu.

Ahmet Zogu ka vrarë një pjesë të mirë të kundërshtarëve politikë, Luigj Gurakuqin, ka varur një prift në mes të pazarit në Shkodër e disa të tjerë, të cilët i ka evidentuar historia. Lidhur me vrasjet nga Zogu, Faik Konica shkruante: “…Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij…”.

Një krim ndodhi në oborrin mbretëror, më 12 dhjetor 1929, pak më shumë se një muaj nga vrasja e Shaban Blloshmit. Mos vallë kjo ngjarje është e lidhur Shaban Blloshmin dhe përbën zhdukjen e provave në organizimin e vrasjes së tij? Këtë ndodhi, midis faktit dhe fiksionit, e përshkruan Alfred Peza në librin e tij “Sarah” (Tiranë 2017, MAPO).

Përmes këtij përshkrimi kronologjik, nisur nga faktet, nuk kam qëllim të rivlerësoj figurën e Ahmet Zogut, ai ka zënë vendin e vet në histori me meritat që ka, ndonëse është figurë kontroverse. Ai, ashtu sikurse shumica e politikanëve, ka dritëhijet e tij dhe figura të tilla nuk kanë pse të glorifikohen për shkak të simpatisë, por as të nxihen nga të tjerë për shkak të xhelozisë.

Shaban Blloshmin nuk e lanë të qetë edhe pas vrasjes, madje pati deri mohime të kontributit të tij, si në kohën e Mbretërisë, por edhe në ditët e sotme. Në shtëpinë muze të Kongresit të Lushnjës, te delegatët, qëllimshëm u zëvendësua Shabani me një tjetër. U desh ndërhyrja e historianit Avni Alcani, dhjetë vjet më parë, i cili nisur nga ndërgjegjja profesionale e qytetare, me dokumentet historike të kohës në duar kërkon nga drejtori i Muzeut që të vihet në vend dinjiteti i mohuar i Shaban Blloshmit, delegat i Kongresit.

Edhe pse koha kalon, ajo flet, ndonëse nuk ka gjuhë, por edhe si e tillë, koha nuk e njeh heshtjen. Historia dhe koha e saj bazohet në dokumente arkivore të plota, atje ku ndodhen të vërtetat.

Familja Blloshmi, duke qenë me ndikim mjaft të fuqishëm në një pjesë të konsiderueshme të territorit tonë etnik, është keqpërdorur nga politika e çdolloji për qëllimet e saj. Kjo familje nuk mund të konsiderohet prej këtij këndvështrimi, por ky trung i madh me degët e tij ka tri karakteristika përbashkuese që i dallon Blloshmët. Së pari, kanë qenë patriotë të devotshëm, e kanë dashur me mish e me shpirt mëmëdhenë. Së dyti, kanë qenë trima e të vendosur. Së treti, kanë qenë intelektualë të shquar, me kontribute në dobi të kombit.

Çdo këndvështrim tjetër, jashtë këtyre tipareve përbashkuese, është i pavend, nxit përçarje, që nuk nderon askënd. Sot, kur ka kaluar gati një shekull nga këto ngjarje, individë me qëllime dashakeqe e përçarëse duan të zgjojnë ndasitë dhe grindjet e asaj kohe. Jetojmë në kohë tjetër, prandaj mirëkuptimi, harmonia dhe falja janë tipare të qytetarisë dhe emancipimit, pasi brezat sot nuk mund të mbajnë mbi supe mëkatet e së kaluarës për shkak të politikës.

Unë nuk jam historian, por fusha ime e hulumtimit dhe studimit më ka pajisur me metodologjinë që në trajtimin e çdo dukurie, procesi a ngjarjeje, të nisem nga dëshmitë, provat, dokumentet, të cilat janë të vërteta të pamohueshme. Këtë qëllim kam pasur edhe në këtë shkrim, i udhëhequr nga thënia e Aristotelit: “E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura