HISTORIA/ Një nga viktimat dje në Lushnje u plagos në atentatin një vit më parë, nga të njëjtët autorë

Oct 12, 2017 | 14:40
SHPËRNDAJE

Teksa publikoi inicialet e personave që janë shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të atentatit me dy te vdekur e dy të plagosur mbrëmë në Lushnje, Policia e Shtetit bën me dije se ngjarja e mbrëmbshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Bëhet fjalë për një atentat në të cilin mbetën të plagosur me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasit Xh.Sh 21 vjeç dhe S.Xh 24 vjeç, të dy banues në lagjen “Çlirimi”, Lushnje. Të plagosurit rezultojnë Xhulio Shkurti, djali i motrës së Aldo Bares, i cilësuar si kreu i Bandës së Lushnjës dhe shoku i tij, Sajmo Xhelili.

Jurgen hoxha zamir latifi

Në atentatin që është bërë një vit më parë, “Panorama” mëson se ka mbetur i plagosur gjithashtu edhe një nga viktimat e djeshëm, Zamir Latifi.

“Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë shtetasit Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.”, tha Policia.

NGJARJA NE 2016

Burime nga Policia bënë me dije se dy shokët janë grindur me autorin e kësaj ngjarjeje për motive të dobëta dhe ai, pasi ka marrë armën, ka qëlluar në drejtim të tyre duke i plagosur në këmbë dhe më pas është larguar me shpejtësi. Sipas Policisë, të rinjtë ishin në lagjen e tyre dhe si përherë pasditeve takoheshin në ndonjë lokal.

lushnjhe

Edhe ditën e djeshme mësohet se kanë qenë 5 djem të moshave 21 deri në 24 vjeç, të cilët bisedonin për çështje të ndryshme. Mësohet se duke ndarë mendime e qëndrime të ndryshme për disa probleme, dy të rinjtë e plagosur dhe autori janë thelluar edhe më tepër në debate me njëritjetrin, duke u fyer deri në sharje të rënda.

Mësohet se autori, i identifikuar tanimë dhe i shpallur në kërkim, është larguar i nervozuar nga grupi për të shkuar në shtëpi ku ka marrë edhe armën e tipit pistoletë. Ai është kthyer me një automjet dhe pasi u është afruar djemve, ka qëlluar drejt tyre. Armën mësohet se ua ka drejtuar në pjesën e poshtme të trupit, duke i lënduar në këmbë e më pas është larguar me shpejtësi.

Shokët e të plagosurve me shpejtësi kanë bërë transportimin e të plagosurve për në spitalin e Lushnjës, kur është njoftuar edhe Policia për të nisur hetimin për ngjarjen.

Policia e ka shpallur në kërkim autorin, ndërsa në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjës janë vendosur postblloqe. Ndërkohë Xhulio Shkurti, nipi i Bares, bashkë me shokun e tij janë marrë menjëherë në mbrojtje nga Policia, deri në normalizimin e gjendjes së tyre.

Pasi kanë marrë ndihmën e parë në Lushnje, dy të plagosurit, të cilët kanë marrë disa plagë në këmbë, janë nisur për mjekim më të specializuar drejt Tiranës. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se në momentin kur nisën të shtënat e armëve, në rrugë ishin dhjetëra banorë të lagjes.

Ndaj autorit rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje. Policia ka nisur të kërkojë për kapjen e autorit edhe nëpër familje të cilat kanë lidhje gjaku me autorin. Edhe pse dyshohet se ngjarja ka qenë momentale, fakti që njëri nga të plagosurit është nipi i Aldo Bares (Alfred Shkurti), një ndër më të përfolurit e botës së krimit, Policia po bën hetime të detajuara për ndonjë lidhje të mundshme me të kaluarën e familjes Shkurti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura