HISTORIA/ Nica, e internuara që u martua me drejtorin e burgut

Apr 13, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

Ajo ishte shumë e bukur, çapkëne dhe e gojës. Një nivicjote që të bënte për vete, por… ishte vajza e “armikut”. Shumëkush druhej t’i fliste, sepse asokohe mund ta pësoje për pak gjë, ndërsa Zeman Saliaj shkoi deri aty sa ta marrte për grua. Ja sepse ishte kokëshkretë, ja se i kishte shpatullat e ngrohta, Zemani nuk pyeti për askënd. Një dashuri e pazakontë, lindur në kushtet e internimit, veçse ai aty ishte drejtori dhe ajo e dënuara. Një histori, jehona e së cilës shkoi deri lart, tek Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Nica Papadhima Saliaj

Komunistët krijuan sistemin e kampeve të përqendrimit, menjëherë sa morën pushtetin në fund të 1944-s. Qëllimi fillestar i kampeve ishte të internonte familjet e të burgosurve politikë dhe të presë familjet e shpërngulura të ish-klasave të ulëta, për të zënë shtëpitë e tyre me anëtarët e regjimit të ri. 

Më vonë, kur filloi qëndresa kundër komunizmit, nisën tentativat masive për arratisje jashtë shtetit. Këto kampe u zgjeruan më shumë për të përfshirë të gjithë elementët e cilësuar të rrezikshëm për regjimin, fshatarët e pabindur, familjet ose farefisin e atyre që kishin arritur të iknin jashtë vendit.

Aty nga 15 shtatori 1947, ish-kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqendrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër, ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar në kampe të tilla. Kështu, duke filluar pas prishjes me Titon, Byronë Informative në 1948-n, qeveria e Tiranës filloi heqjen e një numri të madh njerëzish, duke marrë persona nga një pjesë e vendit dhe duke i vendosur ata në kampe përqendrimi në një cep tjetër.

Nga fundi i 1949-s, pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e Jugut. Si rregull, njerëzit nga Veriu u dërguan në kampe në Jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e Jugut u internuan në Krujë, Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në Veri.

Kështu ndodhi edhe me familjen e Misto Papadhimës, një avokat që u arratis në Greqi, por që bashkëshortja dhe 5 vajzat përfunduan në kampin e Krujës. Aty ku nga mizëria e internimit lindi një dashuri, fundi i lumtur i së cilës është i paprecedentë në diktaturën e Enver Hoxhës…

* * *
Nica ishte vajza e madhe e familjes Papadhima, nga Nivica e Delvinës. I ati i saj, avokati Misto Papadhima, ishte partizan gjatë luftës. Pas çlirimit, doli hapur kundër diktaturës komuniste që po instalohej me shpejtësi. Ai u arratis drejt Greqisë fill pas çlirimit, në dhjetor të vitit 1944, pasi ishte informuar më parë se kishte dalë urdhër arresti për të.

Pasuria iu konfiskua, përfshirë shtëpinë. Gruaja Ana dhe 5 vajzat, Nica, Lilika, Minerva, Elsa dhe Jorgji u internuan vetëm me rrobat e trupit. Pasi ndërruan disa zona internimi, në vitin 1950 u dërguan në kampin e Krujës, një rrethim me tela me gjemba që ruhej nga policia.

Ato ishin nën mbikëqyrjen e komandantit të kampit, toger Zeman Saliaj, që njëkohësisht ishte dhe drejtor burgu. Zemani asokohe ishte në kulmin e karrierës, kishte qenë drejtor i kampit të internimit në Tepelenë, ishte transferuar në Krujë, ishte mjaft i preferuar nga ministri i Brendshëm i asaj kohe Mehmet Shehu, aq sa përflitej për zëvendësministër i tij.

Por karriera iu përmbys që në çastin kur u takua me Nicën, për dashurinë e së cilës braktisi gjithçka dhe nga drejtor burgu përfundoi në një ofiçinë në Sukth. Kjo lidhje ishte aq e fortë, saqë edhe pas ndërhyrjeve direkte të ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu, çifti nuk u arrit të ndahej.

Përpjekjet e Mehmet Shehut pushuan atëherë kur mori vesh se ata ishin fejuar në fshehtësi dhe Nica lindi në Shkodër djalin e Zemanit. Atëherë ministri i Brendshëm i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku i kërkoi lirimin nga detyra të Zemanit, me argumentimin: “Duke parë qëndrimin e tija në punë dhe fejesën e tija me vajza reaksjonare, jemi të mendimit të qitet në lirim. Lutem për aprovim. Ministër i Punëve të Brendëshme, Gjeneral Lejtnant Mehmet Shehu”. 

NICA, E PAREZISTUESHME
Në raportimet e ndryshme të vitit 1950-1953 nga Dega e Brendshme që bëhen për lidhjen e Zemanit me Nicën, bie në sy që pavarësisht se ajo cilësohet vazhdimisht si “vajza e armikut”, “reaksionarja” etj. theksohet fakti që është shumë e bukur.

“Është plot hire dhe e parezistueshme”, shkruhet në njërën nga letrat si për të justifikuar në njëfarë mënyre zgjedhjen e Zemanit dhe për ta lehtësuar “fajin” që u martua me “armiken e klasës”. Në një tjetër letër që zv.drejtori i policisë së Krujës i dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet ndër të tjera se “përveçse është peri, Nica është fort e gojës dhe çapraze”. “Është e vështirë që të flasësh me të dy. Zemani dhe Nica ndryshe tregojnë dhe ndryshe veprojnë. Ata janë fejuarë në fshetësi. Nica është shumë e bukur dhe e shkathëtë dhe ia ka prishur mendjen Zemanit. Ajo po pret një fëmijë dhe nuk kemi më çfarë të bëjmë, Zemani e ka ndarë mendjen për ta marrë”, thuhet në letër.

Pas këtyre raportimeve, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu “u dorëzuan”, duke e lënë çiftin që të vijojë jetën e tyre. Zemanit ia morën shtëpinë që kishte në Rrugën e Kavajës dhe e çuan të jetojë në një dhomë në dalje të Tiranës, aty ku lindi e rriti edhe 3 djem të tjerë.

E punësuan në SMT-në e Sukthit, në ofiçinë, ndërsa Nica e nisi fillimisht mbarë si ekonomiste, por shpejt përfundoi si pastruese në kopsht. Zeman Saliaj ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1993, ndërsa Nica u shua 4 muaj më parë, në nëntor 2014. Në të njëjtën dhomë ku e dërgoi të jetojë regjimi komunist…

Kampet e përqendrimit
Nga 40 burgje politike dhe kampe përqendrimi që kanë qenë në veprim në Shqipëri nga viti 1944, thuhet se mbi 16 mijë njerëz humbën jetën në një kohë prej 10 vjetësh. Mësohet se nga mbarimi i luftës, 80 mijë persona kanë kaluar nga këto burgje dhe kampe përqendrimi. Numri i përgjithshëm i banorëve në to sot çmohet të jetë 10–15 mijë veta, ndërsa numri në burgjet politike çmohet të jetë rreth 10 mijë. Nga mbarimi i luftës, një numër amnistish janë dekretuar në Shqipëri, por ato kanë qenë të shtyra kryesisht nga një dëshirë e autoriteteve të hiqnin qafe elementet joprodhues dhe të bënin vend për arritje të reja. Këto të dhë- na bëhen publike nga kapitulli i dytë i raportit të qeverisë amerikane për shkeljen e të drejtave të njeriut në vitin 1955, i titulluar “Puna e detyrueshme në kampet e ndërtimit në Shqipëri”.

Eshtrat e babait
Nica nuk arriti të takohej më me të atin Misto Papadhima sa ishte gjallë. Ai ndërroi jetë në arrati, në Greqi dhe pas rënies së regjimit komunist, ajo nisi kërkimin e eshtrave të të atit. Arriti ta gjejë dhe bëri një rivarrim ceremonial në Tiranë, pranë nënës së saj, Ana.

ELISABETA ILNICA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura