Historia në një portret, personazhet e një jave

Jan 14, 2013 | 12:53
SHPËRNDAJE

Cilët ishin personazhet që më shumë se të tjerët, ishin në vëmendjen e medias gjatë kësaj jave? Nëse keni humbur historitë e tyre ditë pas dite, këtu i keni të përmbledhura. Politikë, vrasje, vjedhje…këto janë disa nga portretet e një jave.

Argita vs Linda

Argita Malltezi
Deputeti socialist, Taulant Balla, ka akuzuar vajzën e Kryeministrit, Argita Malltezin, se në emër të babait ka kërkuar të bëhet pjesë e investimit të sipërmarrësit Zafar Ansar. “Siç rezulton nga fatura që i drejtohet zotit Zafar Ansar, Argita Berisha faturon 280 mijë lekë orën e saj të punës. Sipas komunikimit të ortakes së Argita Berishës me biznesmenin në fjalë, në rast të zbatimit të projektit për ndërtimin e termocentralit, kërkohet që suksesi ta shpërblejë avokaten me 3% të vlerës së investimit, pra disa milionë euro”, ka thënë Balla. Ai i kërkoi vajzës së Kryeministrit të bëjë transparencë të të ardhurave të saj si pedagoge dhe punonjëse shkencore në universitetet ku ka punuar dhe është paguar.
“Ky njeri i zhveshur nga çdo normë dhe moral njerëzor shpif çdo ditë, manipulon, mbledh e shumëzon për të gënjyer përsëri, në lidhje me të ardhura të cilat janë fituar me aktivitet profesional, kërkimor-shkencor, botues dhe mësimdhënës në universitete private, në të njëjtat universitete ku shumë më të paguar se ne janë disa nga deputetët socialistë, përfshirë dhe bashkëshorten e tij, Linda Basha”,- ka qenë kjo një pjesë e reagimit të Argita Malltezit.

Linda Rama
Nga ana tjetër, PD nuk ka qëndruar duarkryq. Ajo akuzoi kryetarin socialist, Edi Rama, se ka dhënë leje ndërtimi në konflikt interesi për pallatin e bashkëshortes aktuale të tij, Linda Basha. “Ndërkohë ne po i japim mundësi z.Rama të sqarojë publikun për pallatin 5-katësh dhe një kat nën tokë me rreth 900 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në rrugën ‘Qamil Guranjaku’, ndërtim i përfunduar në vitin 2010, pronë e familjes së bashkëshortes së z. Rama, Linda Basha”, ka thënë zëdhënësja e PD, duke kërkuar gjithashtu edhe përgjigje sqaruese për shqiptarët. “PD kërkon nga ju t’u sqaroni shqiptarëve çështjet që vijojnë: Cili është historiku i vërtetë i këtij pallati? A keni qenë në konflikt interesi kur ju keni firmosur si kryetar Bashkie lejen e ndërtimit të këtij pallati? Sa leje ndërtimi keni lëshuar për ndërtimin e këtij pallati? Urojmë z. Rama që të përgjigjesh më shpejt për këto pyetje, sesa për anonimin marrës apo dhënës të kredisë pa interes të gruas suaj, Lindita Basha”, ka vijuar zëdhënësja e Partisë Demokratike. Vazhdimisht gjatë javës që lamë pas, nga selia e PD është kërkuar sqarim për shumën prej 100 milionë lekësh të bashkëshortes së kryesocialistit Linda Rama. “Prej më se dy javësh, kryetari i Partisë Socialiste nuk përgjigjet për origjinën e 100 milionë lekëve të së shoqes Linda Basha”, -vijon PD.

Fatma Buziu Vjedhja brenda shtëpisë
Ajo ishte nxënëse në shkollën e mesme të Medresesë “Mustafa Varoshi” në Durrës ndërsa ai, një djalë me origjinë nga Skrapari, pa profesion dhe pa një punë stabël, por bashkëjetonin që prej korrikut, pavarësisht kushteve ekonomike. Çifti Fatma Buziu 18 vjeçe dhe Ismail Xhindi, 25 vjeç, kanë shpenzuar pa kriter paratë që kanë vjedhur për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë pikasur nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu. Përveç fotove të pushimeve të çiftit hajdut, janë dhënë edhe dëshmitë në polici të personazheve kryesore të kësaj ngjarjeje. Shkëlqim Buziu ka treguar se si e bija arriti t’i vidhte nga kasaforta 88 mijë franga zvicerane dhe 40 milionë lekë të vjetër. Sipas tij, kjo shumë i përkiste hallës së vajzës, e cila ia kishte dërguar kohë pas kohe Shkëlqimit nga Zvicra, që ky t’ia ruante në kasafortë. Të dy të rinjtë janë vënë në pranga.

11 janar Vetëflijohet Lena Grishaj
Në Lezhë, vetëvritet Lena Grishaj. Lena ka qenë 13 vjeçe në kohën e tragjedisë së vëllait, arsye për të cilën i dah fund jetës, por ka qenë shumë e lidhur me të . Ndonëse një vit më parë ishte fejuar, e reja kishte shprehur së fundi brengën që e mundonte dhe madje se do të donte të vdiste në të njëjtën ditë me vëllain e saj. Ajo u vetëhelmua më 9 janar, ditë që përkonte me 9-vjetorin e kësaj tragjedie.  Lena Grishaj u përcoll sipas zakonit për në banesën e fundit, e veshur me të bardha. Ajo është viktima e pestë e kësaj familjeje. Dhjetë vite më parë kishte humbur nënën e më pas në tragjedinë e 9 janarit, në vitin 2004, në afërsi të Karaburunit, iu mbyt i vëllai 19 vjeç me të shoqen. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë. Tragjeditë në familje nuk mbaruan me kaq, pasi një tjetër vëlla i Lenës, 18 vjeç, u mbyt rreth një vit e gjysmë më parë në një kanal të Torovicës.

10 Janar Mira Mezini: “Honoris Causa” për shkencëtaren Mira Mezini
Është shkencëtare me kontribut të jashtëzakonshëm në Gjermani dhe Europë në fushën e informatikës dhe nderohet nga Universiteti i Tiranës me titullin e “Doktor Honoris Causa”, pikërisht në vendin ku studioi dhe nisi karrierën e saj akademike. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, tha se ky titull i akordohej zonjës Mezini me motivacionin “Për kontribut të shquar akademik dhe arritje të larta ndërkombëtare në kërkimin shkencor, në fushën e informatikës”. Informaticienia Mezini është fituese e çmimit ERC me shumën prej 2.3 milionë eurosh, që shkojnë për hulumtimin e koncepteve të reja të programimit. Mezini ka mbërritur në Tiranë për të pranuar këtë titull të senatit të Universitetit të Tiranës, duke thënë se: “Falënderoj Senatin e Universitetit e Tiranës për një nder të jashtëzakonshëm që më bën duke më akorduar titullin e nderit”-ka thënë Mezini.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura