Historia në një portret: Personazhet e një jave

Jan 21, 2013 | 15:00
SHPËRNDAJE

Cilat ishin personazhet që më shumë se të tjerët, ishin në vëmendjen e medias gjatë kësaj jave? Nëse keni humbur historitë e tyre ditë pas dite, këtu i keni të përmbledhura. Politikë, vrasje, vjedhje… këto janë disa nga portretet e një jave.

15 janar
Drita Pelinku
Meqenëse informacioni rreth incidentit të saj ishte tërësisht i kursyer thuajse nga të gjithë, nuk dihet ende nëse aktorja Drita Pelinku ka dalë apo jo nga spitali. Të mërkurën e javës që lamë pas, u mësua se Pelinku ka qëndruar disa ditë në reanimacion pas një incidenti që kishte ndodhur në shtëpinë e saj, ku jeton e vetme. Sipas së bijës, Orës, gjendja ishte më e mirë, edhe pse ndihej ende e pafuqishme për t’u rikthyer në skenë, ku pritej të vinte shfaqen “Përjetësisht Dashuria” me regji të Mihal Luarasit. Këtë fundjavë, shfaqja nuk u dha, ndërsa u tha më vonë se pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të aktores, mund të vihet fundjavën që vjen.

16 janar
Argita Malltezi
As Argita Malltezi, për të dytën javë, nuk ka qenë më pak në vëmendje. Thuajse përditë, edicionet e lajmeve e faqet e gazetave e kanë pasur në qendër të vëmendjes. Gjatë kësaj jave që shkoi, Argita u është përgjigjur sërish akuzave të opozitës nëpërmjet një deklarate për lidhjet e saj me biznesmenin Ansar.

17 janar
Linda Rama
Përgjigjet ndaj akuzave
Edhe këtë javë, siç ndodhi në javën e shkuar, gruaja e liderit të opozitës, Linda Rama, ishte në qendër të vëmendjes së medias. Në të gjitha ditët e këtij dyjavëshi që shkoi, u prit një përgjigje prej saj ndaj akuzave që i bënte Partia Demokratike. Përgjigjja erdhi në mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story”, ku Linda ishte përballë gazetarit Sokol Balla. “Hallat dhe xhaxhallarët vendosën që trashëgimtarë të jenë xhaxhai e vëllai im”, “Huan 70 mijë euro ia dhashë motrës”, “Fitoj 6.5 milionë lekë në vit, ne tironcit japim hua pa interes”, ka thënë Linda Rama.

16 janar
Mirela Mishgjoni
Një tjetër personazh i lakuar gjatë javës që mbyllëm, ka qenë gjyqtarja e qytetit të Vlorës, Mirela Mishgjoni. Ngjarja që tronditi sërish Gjyqësorin e Vlorës, ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të së martës. Një person ende i paidentifikuar sulmoi gjyqtaren Mirela Mishgjoni në momentin kur doli nga hyrja e pallatit ku ajo banonte, duke i hedhur acid në pjesë të fytyrës. Ai i ka dalë përpara në rrugë dhe ka nisur ta spërkasë me shpejtësi me një lëng që mbante në një shishe plastike 1.5 kg. Gjyqtarja është vetëmbrojtur fillimisht, duke mbuluar fytyrën, duke parandier se lëngu me të cilin po spërkatej ishte i rrezikshëm.

16 janar
Liljana Kondakçi
Riatdhesohet “La Mama”
Pas lajmit se këngëtarja Liljana Kondakçi ishte rikthyer në Shqipëri pas përfundimit të burgut, u përpoqëm përmes mikeshave të saj të viheshim në kontakt me të, por rezultoi e pamundur. Të mërkurën e kësaj jave që shkoi, Kondakçi u kthye e lirë, pak ditë pasi përfundoi dënimin prej 2 vjet e 8 muaj burg në Itali, ku akuzohej se ishte implikuar në një rrjet të trafikut të drogës. Dënimi për artisten shqiptare përfundoi 9 ditë më parë, ndërsa ajo u deportua ditën e enjte nga autoritetet italiane, pasi përfundoi dokumentacioni i nevojshëm. Lajmi për lirimin e Liljana Kondakçiut është bërë i ditur dje nga mediat italiane, ndonëse rezulton se ajo ka dalë nga burgu në Kozenca para të paktën 9 ditësh. Familjarët e saj, që banojnë në një apartament në katin e gjashtë të një pallati në rrugën “Dedë Gjo Luli” në qendër të Tiranës, përveç konfirmimit të mbërritjes së saj, nuk preferuan të komentonin më tepër.

Anila Domi
Burri ka tentuar të therë gruan 32-vjeçare pse doli në punë pa lejen e tij. Mjekja Anila Domi, nënë e një fëmije disamuajsh, mbeti e lënduar nga thika pasi i shoqi 39-vjeçar e sulmoi në godinën e poliklinikës ku punonte. Ngjarja ndodhi rreth mesditës së të mërkurës në qytetin e Durrësit, në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore. Jeta e nënës së re është shpëtuar vetëm falë ndërhyrjes së kolegëve të saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura