Historia kombëtare e sportit shqiptar e ndarë më dysh (PJESA III)

Aug 11, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në pjesen e trete dhe te fundit te 80 vjetorit te Lojerave Olimpike, gazetari sportiv, Besnik Dizdari shkruan per historine kombetare te sportit shqiptar, te ndare me dysh. 

Ai shkruan per katershen ‘berlineze’ dhe rolin e profesorit te edukimit fizik, Gaqo Gogo. 

besnik dizdari

Nga BESNIK DIZDARI

Pjesë e kësaj katërsheje “berlineze” ishte dhe personazhi tjetër i madh, një profesor universal i edukimit fizik me emrin Gaqo Gogo (1908-1991), nga Korça. Një nga tre personazhet kryesore të delegacionit shqiptar në Berlin. Pa ngurrim, prof. Gaqo Gogon mund ta konsiderojmë personazhin më të rëndësishëm të sportit shqiptar të ushtruar, po dhe të kulturës fizike të Paraluftës, e, më saktë, teksa na shkon mendja te shkolla, duhet thënë edhe të “Edukatës Fizike”.

Gaqo Gogo është atleti fenomenal për ne në vitet ’30, rekordmeni i vrapimit të 400 metrave me pengesa dhe i dhjetëgarëshit qysh më 1934-n. Së bashku me Luigj Shalën, ai është i vetmi medalist (bronz) i një Kampionati Ballkanik po në 400 metra me pengesa, brenda dhjetëgarëshit, rekordmeni kombëtar po i dhjetëgarëshit – rekord i thyer vetëm nga mesi i viteve ’50. Mbi të gjitha, një nga themeluesit e sportit kombëtar, pedagogu i Edukimit Fizik të Liceut të Korçës, Gjimnazit të Shkodrës e të Tiranës, teoriku i parë i Edukimit Fizik në Shqipëri, autor i shkrimeve të pafund të fushës, organizatori i parë i manifestimeve të mëdha fizkulturore shkollore në Shqipëri – i vetmi sportist shqiptar i dekoruar me Urdhrin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në 10-vjetorin e Mbretërisë (1938).

I anatemuar mbas Luftës dhe i dekoruar shumë pak, vetëm më 1992-shin: “Mësues i Merituar”. Gaqo Gogo është pa dyshim një protagonist i politikës monarkiste në mërgim, ku kaloi gjithë jetën e Pasluftës. Dhe me çka ka dhënë, ende i panderuar plotësisht, sidomos si akademist i parë i Edukimit Fizik në Shqipëri. Përveç të tjerave, një personifikim i fizikut atletik të të riut shqiptar, që ka mbetur deri në legjendë, si një Apollon skulptural, siç dhe është quajtur. Prof. Gogo, i cili dihej që kishte studiuar pikërisht në Gjermani, është kthyer në Shqipëri nga Berlini më 14 gusht 1936 dhe në intervistën e gjatë që i jep shtypit shqiptar, ne do të gjejmë mësimin e madh universal që ai ka marrë nga Olimpiada e Berlinit. Ky njeri, i cili ka intervistuar më të madhin e Olimpiadës, Jesse Owensi-in legjendar, pohon se: “Sado që kam kaluar periudhën akademike në stadiumin olimpik, pamja e tanishme më enthusiazmoj dhe më bindi se asnjë komb tjatër nuk do të qe në gjendje të kryejë një vepër të tillë.

Secili komb shprehi bindjen se Olimpiada XI që u zhvillua në Berlin si dhe ajo që u zhvillua dimërin e kaluar në Garmich – Partenkirchen, kanë qenë nga pikëpamja organizative me një format që i tregohet për herën e parë çdo kombi. Një format i tillë shërben njëkohë- sisht si një model, si një edukim dhe si një kulturë e re sportive”. “Frymën e ndeshjes ne e kemi, – përfundon prof. Gaqo Gogo, – por duhet një vullnet i fortë djerse që të vazhdojmë gjer në fund punën e angazhuar me anën e sportit, për t’ia arrirë qëllimit si përfaqësi olimpike. Le të shpresojmë për një punë sistematike dhe organizative për Olimpiadën e 1940-s që do të zhvillohet në vendin e Niponëve”.

Por kjo Olimpiadë japoneze nuk u zhvillua kurrë, sepse paqja u shkatërrua prej Luftës, që për çudi mbërrinte po nga kjo Gjermani e paqes së Olimpiadës së Berlinit, të gushtit të vitit 1936. Prof. Gaqo Gogo jepte një premtim që buronte prej mrekullisë së Olimpiadës gjermane që kishte përjetuar për herë të parë si përfaqësuesi i kombit dhe shtetit të tij në Lojërat Olimpike. Qoftë dhe përmes pranisë së këtij themeluesi, i cili ishte sportisti dhe profesori më i madh i edukimit fizik në Shqipërisë e Mbretërisë, vetvetiu prania e Shqipërisë merr dhe një konfirmim moral sportiv të sajin në Olimpiadën e parë të saj. Dhe do të shtoj. Prof. Gaqo Gogo është, pra, edhe një gazetar i shquar.

Shkrimet e tij për edukimin fizik të rinisë dhe për sportet janë të pafund. Madje, ai mbërrin edhe te një traktat i vogël për gazetarinë me titullin “Sporti dhe Shtypi”, botuar më 1934-n. Mjafton ky kalim i shpejtë për të kuptuar filozofinë e tij të paqortueshme edhe në këtë fushë. Shkruan Gaqo Gogo: “Shtypi është një instinkt i moralit. Ky ka detyra edukative. Ky nuk duhet të na njoftojë vetëm “gjëndjen prëgjithshme”, po të na tregojë edhe udhën e duhur. Duhet të na mësojë. Propaganda për sportin dhe të qënurit udhëheqës në këtë fushë, është politika më e mirë që mund të bëjë… Një popull i shëndetshëm, i fuqishëm dhe guximtar, a nuk është baza e çdo politike? Në vend të përtacëve të kemi punëtor të zellshmë, në vend të llafazanëve të kemi zbatonjës me pak fjalë…”.

Shumë ngjarje do të rridhnin mbas atij viti të madh sportiv 1936 edhe për Shqipërinë mbretërore. Dhe duhej të kalonin plot 36 vjet të tjerë të shekullit XX, e të vinte viti 1972 që, në mënyrën më fatale, t’i takonte Shqipërisë komuniste që t’i rikthehej Olimpiadës, kësaj radhe me sportistë të fushës, pikërisht në Gjermani: Munih 1972. Dhe me një rekord olimpik të papamë të Ymer Pampurit. E mandej, për 20 vjet të mëpastajme, po kjo Shqipëri, do të bëhet shteti më bojkotues radhazi i olimpiadave në histori. Këtë rekord të turpshëm të saj e gjen sot në të gjitha enciklopeditë e olimpiadave.

Ajo do të rikthehet më 1992-n si Shqipëri demokratike, për habi, po me një bujë të rrallë: me Pirro Dhimën – Kampion Olimpik blatuar Greqisë, i cili kishte qenë i Shqipërisë vetëm para disa muajve! Një histori paradoksale që vazhdon. Shqipëria ende nuk ka mbërritur tek asnjë medalje, por ka pa të valëvitur flamurin e saj në ceremonitë. Aq pak, çfarë me modesti ëndërronin më 1936-n, në ditët e tyre berlineze, gazetari Anton Mazreku, dr. Nush Bushati, prof. Gaqo Gogo, prof. Irfan Tërshana.

Prof. Gaqo Gogo
Prof. Gaqo Gogo

A ende vazhdon të mbretërojë retorika e Anton Mazrekut e 80 vjetëve më parë: “Vërtet, nuk jemi duke u përgatitur ashtu siç duhet në fushën sportive”? Shqipëria ende nuk ka 1 medalje të vetme olimpike, kur shqiptarët nën fanellë tjetër, vetëm në “Athina 2004” patën mbërritur në 16 të tilla. Ky është paradoksi ynë qysh nga prania jonë e parë në olimpiada, 80 vjet të shkuara, që ndonëse kanë shkelë dy shekuj tashmâ, për Shqipërinë olimpike, papritmas, të duken si një vit i vetëm. Të dielën e 7 gushtit 2016, në Rio De Janeiro, Majlinda Kelmendi, nën flamurin e Kosovës, fitoi medaljen e parë të një shteti shqiptar. Mirë edhe për ne, doemos. Qoftë dhe për faktin se katër vjet më parë ajo, në Olimpiadën e Londrës, ka përfaqësuar Shqipërinë…

POST SCRIPTUM…

Jo pak, por larg, nja 16 vjet më parë, kam botuar shkrimin me titullin “Historia e sporteve e ndarë dysh”. E kam botuar me rastin e një mbrëmjeje, andej nga dhjetori 1999, kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të asokohe, Bashkia e Tiranës dhe FSHF mblodhën protagonistë të sporteve, duke u dorëzuar edhe nga një pllakat me emrin e secilit të shkruar, si një vlerë e përjetshme për kontributin e tyre. Pata shkruar se i respektoj të gjithë ata që po nderoheshin, sepse e meritonin.

Por nuk e kuptoj përse aty nuk ishin edhe dhjetëra të tjerë, që kishin bërë tejet për sportin kombëtar. Dhe rreshtoja nja mbi 100 të tjerë, të cilët i përkisnin Shqipërisë sportive të Paraluftës. Këtu po përmend vetëm disa prej tyre, që hyjnë në themeluesit e sportit shqiptar: Izedin Beshiri, Princesha Myzejen, Oakley Hill, Nush Bushati, Besim Qorri, Eqrem Stërmasi, Hajdar Jakupi, Mirash Ivanaj, Pjetër Guraziu, Kristaq Strati, Jonuz Gjylbegu, Qemal Omar, Said Toptani, prof. Ratti, prof. Lissoni, dr. Vasfi Samimi, Aqif Domini, Samo Singer, Tom Gjiri, Mazllum Xërxa, Stefan Shundi, Anastas Koja, Gaqo Gogo, Anastas Koxhaj, Luigj Shala, Palok Nika, Anton Mazreku, Feti e Ibrahim Dizdari, Petro Sturgji, Bexhet Jolldashi, Irfan Gjinali, Qazim Dervishi, Vasip Alushi, Sejfedin Biçaku, Alush Lleshanaku, Halim Begeja, Sabit Çoku, Isuf Dashi, Teli Samsuri, Rexhep Krasniqi, Rudolf Gurashi, Mark Gurashi, Selman Stërmasi, Adem Karapici, Mitaq e Lef Sallata, Bik Jakova, Haki Korça, Zyber Lisi, Miço Plluska, Prokop Myzeqari, Abdulla Shehri, Abdyl Këllezi, Rafael Dishnica, Reshit Rusi, Fori Stasa, Ragip Lohja, Minella Anastasiadhi, Ali Ohri, Kristo Isak, Ilia Likoka, Ibrahim Kodra, Koço Kereku…

Dr. Nush Bushati, NË ZYRËN E TIJ SI MINISTËR I ARSIMIT DHE KRYETAR I ORGANIZATËS SPORTIVE KOMBËTARE “VLLAZNIJA SHQIPTARE”, I CILI DREJTOI PRANINË E PARË TË SHQIPËRISË NË LOJËRAT OLIMPIKE, BERLIN 1936
Dr. Nush Bushati,

Sot e kësaj dite, me ndonjë përjashtim të vogël, gati të gjithë këta protagonistë të mëdhenj të saj, Shqipëria e sotme nuk i ka nderuar. Madje vazhdon t’i harrojë. Ndonëse ata janë themeluesit e sportit shqiptar. Ashtu siç janë edhe protagonistët e këtij tregimi tonë të sotëm olimpik Anton Mazreku, Nush Bushati, Irfan Tërshana e Gaqo Gogo – olimpistët e parë shqiptarë të 80 vjetëve më parë. Shqipëria është ende në historinë e ndarë dysh…

FUND

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura