Historia e ushqimit përmetar

Jun 15, 2016 | 11:10
SHPËRNDAJE

Nëse ka diçka për të cilën përmetaret nuk lodhen kurrë së treguari janë llojet e ushqimeve që ato prodhojnë. Në dasma ato kanë zakon që të parën për qerasje të nxjerrin glikonë e arrës, e cila është e mbushur me një thelpi bajameje, pas saj arsenali i ëmbëlsirave vazhdon me glikotë e shalqirit, fikut dhe portokallit.

Efigjeni Rrapo tregon se dikur shalqirin e përdornin dhe të sheqerosur dhe e servirnin të thatë në vend të karameleve. Ndërsa glikonë e qershisë e përdornin në raste vdekjeje. Lihej një kupë me gliko qershie dhe dy gota në tavolinë, në njërën vendoseshin lugët e pastra dhe te tjetra, e cila ishte me ujë, futeshin lugët e përdorura. Kjo gliko shërbehej zakonisht për njerëzit që e kalonin natën zgjuar dhe që duhej të hanin diçka. Po ashtu në vdekje shërbenin resheli, e cila bëhej me niseshte, vaj dhe gjalpë.

dfas

Në të dyzetat e të vdekurit përdorej lakror me resheli, për të cilin thonë se është mjaft i lehtë. Mund t’i shtosh bajame dhe shurup. Reshelia është karakteristike e Përmetit, ndërsa nga gjellët ajo që njihet si tërësisht përmetare është një gjellë që quhet shqeto. Efigjenia tregon se sa më shumë mish të ketë, aq më e shijshme është ajo. Për pesë persona duhen të paktën 7 copa të konsiderueshme mishi, të cilat lahen sa më lehtë që të mos u ikë gjaku. Pastaj zihet dhe i largohet shkuma, i hidhet gjalpë pas kësaj dhe më pas ndërtohet me vezë, limon e qumësht, si dhe shumë erëza. Për t’u bërë sa më e mirë, duhet përdorur mish qengji.

Ajo përdorej si gjellë e parë në dasma dhe vdekje. Ndërsa për gjellën jahni, ajo i beson një gojëdhëne që e ka zanafillën në festën e Shën Mërisë, në 8 shtator. Sipas legjendës, atë ditë zbriste një dre nga mali e vinte rrotull kishës dhe pasi mbaronte rrotullimin, ulej në pragun e kishës dhe varte kokën. Pastaj burrat e thernin dhe e gatuanin të gjithë së bashku mishin e tij dhe në fund e ndanin sipas frymëve që ishin në familje.

faf

Një herë dreri erdhi e u rrotullua rreth kishës, por mbërriti vonë, dhe pa i dalë ende shpirti në prag të kishës, burrat e therën dhe pas asaj here drerë nuk erdhën më. Që nga ai moment, ata e zëvendësuan mishin e drerit me mish lope. Në fjalët e saj dhe të mikeshave të saj ka aq besim sa vetvetiu të vjen dëshira ta besosh legjendën pa e analizuar fare. Përmetarët njihen për tolerancën fetare.

Në Përmet ka 14 kisha dhe 4 xhami, por njerëzit duket sikur janë shkrirë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm respektojnë fenë, por festojnë dhe festat fetare, sidomos kur martesat janë bërë me njerëz të feve të ndryshme. Një gjellë tjetër që zonjat e përmendin është dhe mishi i pulës me arra.

Irena Shabani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura