Historia e tri astronomeve të para, në Teatrin e Metropolit

May 4, 2016 | 16:11
SHPËRNDAJE

Nën kupolën e Teatrit të Metropolit nuk mund të përfshihet Arusha e Madhe, por pa dyshim pasioni dhe guximi i tri grave që do të thyenin të gjitha tabutë, rregullat, klishetë e fillimshekullit XX. Ato guxuan të fluturonin në të tjera galaktika dhe, jo në mënyrë metaforike.

Historia e tri grave që do bënin histori në Harvardin e vitit 1900, vjen premierë nesër, në Teatrin e Metropolit, salla “Shekspir”. Një shfaqje ku ka shkencë, romancë, puthje, muzikë live… Bëhet fjalë për komedinë romantike “Qiell i heshtur”, një vepër gjysmë- biografike, e shkruar nga Loren Gunderson, me regji të Armela Demajt.

qielli

Për regjisoren, “Qiell i heshtur” është një vepër që u flet të gjitha kohërave, edhe pse personazhet janë vendosur në vitin 1900. Flitet për kurajën për të dalë përtej kufijve që të vë koha apo shoqëria. Është ëndrra e gruas në çdo kohë për të qenë në radhë me burrat, në mos edhe më superiore, jo thjesht në punë shtëpie, por edhe në fjalën e fundit të shkencës.

Për drejtoren e TM, njëkohësisht edhe aktore në këtë pjesë, Jonida Beqo, këto gra, që jetuan një shekull më parë, janë modele për ato gra dhe vajza që duan të arrijnë më shumë në jetën e tyre. Duke iu referuar statistikave të fundit, Beqo do të shprehej se 20% e vajzave në Shqipëri nuk vazhdojnë as gjimnazin. Kështu që çdo kohë ka nevojë për modele grash të forta, modele grash të suksesshme.

VEPRA

Vepra rrëfen për jetën mahnitëse të astronomes Henrieta Levit, Kanon dhe Amina Fleming, që guxuan të krijonin për veten një tjetër profil nga ai që u kishte vendosur familja apo shoqëria.

Ato punonin në Universitetin e Harvardit në Observatorin e Studimeve Hapësinore dhe pasioni për të ditur dhe për të arritur më shumë, i bëri që të hynin në histori për zbulimet e tyre. “Ishin ato që sollën ndryshime rrënjësore në sistemin e të menduarit në shoqërinë botërore, dhe kjo ndodhi duke sakrifikuar marrëdhënie familjare, marrëdhënie sentimentale, pasi diçka më e madhe se ato i tërhiqte drejt epokës së re”, shpjegon regjisorja Armela Demaj.

Kësaj tresheje shkencëtaresh i shtohet edhe një figurë e katërt, është ajo e Margaritës, motrës së Henrit, e cila ndryshe nga kjo e fundit, ka zgjedhur jetën e qetë familjare dhe tingujt romantikë të pianos, por që përpiqet me të gjitha mënyrat që të mbështesë të motrën në rrugën e saj. Si thotë aktorja Sonila Kapidani që luan rolin e Margaritës, ajo është “balanca” mes fluturimit dhe realitetit.

I vetmi burrë i shfaqjes është Piter Shoo, i cili dashurohet me Henrietën, por preferon të ecë në një rrugë të sigurt të shtruar nga prindërit. Sipas regjisores, vepra është trajtuar në formën e një komedie romantike, brenda së cilës ka përplasje shumë të mëdha midis shkencës, jetës, galaksisë përtej nesh dhe njëkohësisht galaksisë brenda nesh.

Vepra ka ruajtur ngjyrimet e epokës, përmes skenografisë dhe kostumografisë së Ina Elezit, interpretimi është realist, ndërsa muzika, në shumicën e herëve është live, interpretuar në piano nga Sonila Kapidani. Në “observatorin” e Metropolit, nuk do të mungojnë as yjet, realizuar përmes efektesh speciale nga Elian Stefa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura