Historia e tragjike e disidentit komunistit që vuajti 32 vite burg: “Xhaviti tha se Dali Ndreun dhe Liri Gegën i vranë se gjoja si zunë në kufi, kurse në të vërtetë, ata …”/ Zbulohet dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit

Nov 22, 2021 | 7:37
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

qesjaPublikohet dosja arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe perkusioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formuare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i vitit 1957, ku bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Skëndi”, tregon për bisedat që ai ka bërë me Xhavit Qesen

   Elbasan më 9/8/1957                                                     Marrë nga P.Po. Seri Qerimi

                                                                                        Dhënë nga B.P. “Skëndi”  Nr.___

                                                         R a p o r t

Burimi njofton se më datë 9/7/1957 ishte në zyrë tek ai Xhavit Qesja me të cilin biseduan çështje ndërtimi dhe pastaj çështje familjare, Xhaviti i tha pse nuk shkon në Plazh me gjithë familje (tët shoqe), se është dobësuar.

Ai ju përgjigj se, djalin e kishte dërguar në Pogradec në kamp, për vete me familjen nuk mund të shkonte dot sepse është shumë, kish pyetur dhe i kishin thënë se Hotelet e Durrësit duhet 150 lek një shtrat në kat.

Xhaviti ju përgjegj me të vërtetë ashtu është shumë shtrenjtë, ndërsa ministrat shkojnë gratis, ne nuk shkojmë dot se nuk na del hesapi. Pastaj duke biseduar por Xhavit i tha se është budallallëk t’ju kërkojnë realizim plani juve, ndërsa likues nuk bëhet dhe fajin nuk e keni ju.

                                                                                                 “Skëndi”

Raport-informacion Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, lidhur me dëshmitë e dhëna nga bashkëpunëtori i Sigurimit me pseudonimin “Konsumi”, për bisedat e bëra me Xhavit Qesen

                                                                                              Marrë nga P.Op. Avni Mehmeti

                                                                                              Dhanë nga B.p. “Konsumi”

                                                                                              E dhanë Nr.___

                                                              R a p o r t

Me datë 18/ VIII/57 ditën e Diele n’ora 14 mbas dite së bashku me Xhavit Qesen, ndodhesha në katundin Draget të Dumresë. Në bisedë e sipër Xheviti më tha se juve nuk bani tregti të kulturueme. Unë i dhashë të drejtë tue i thanë se me të vërtetë neve vuajmë shumë në këtë drejtim. Kuadrot tona nuk janë fort të pregatitur.

Xhaviti më tha se edhe në Bashkimin Sovjetik ka të tillë njerëz në tregti. Më ka rastis që të shkojë në një magazinë dhe të pyes një shitëse se sa kushton një radio. Ajo nuk m’u përgjigj i fola 3-4 herë ajo mblidhte një tele antenë dhe nuk bënte zë. Në fund më tha se juve nuk paskit kulturë. Ju ktheva dhe i thashë Shqip, kulturën ta hashë……!

Elbasan më 19/VIII/1957                                      “Konsumi”

Raport-informacione të nënkolonelit të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Skëndi”, lidhur me bisedat e bëra me Xhavit Qesen

                                                                                          Marrë nga N/kolonel Shim Kolli

                                                                                           Dhënë nga B.p. “Skëndi”

Elbasan, më 19/IX/1957

                                                        R A P O R T:

Ai ka raste dhe takohet dhe me Xhavit Qesen, por ky ndonjë gjë konkrete nuk thotë. Vetëm në mënyrë shumë të hollë lë të kuptohet se ka burokraci dhe së njerëzve ju pëlqen pozita dhe janë bërë mendjemëdhenj.

Një ditë Xhaviti tha, kur erdhi nga Moska më aeroplan më pa duke zbritur dhe mesi dëgjojë të ngrejë dorën, si kur përshëndeste ndonjë lypës dhe jo një shokun e tij të luftës!

Të martën pas ditës 17/IX/1957, ai ishte në zyrën e Xhavitit për punë, po dëgjonin radion, Xhavitit me Angji Fabri, muzika e radios mbaroj dhe në këtë kohë radio filloj nga diskutimi dhe po reklamonte një llojë penicilinë speciale, ama muhabet tha Xhaviti, këta reklamojnë penicilina, ndërsa populli bëhet cop për të marrë një flakon.

                                                  “Skëndi”

                                                                                              Marrë nga Nën/kolonel Shim Kolli

                                                                                              Dhënë nga B.p. “Skëndi”

                                                                                              Dt.30 /9/1957

                                                       R A P O R T

Ai u takua pasdite të datës 29.9.1957 me Xhavit Qesen në Klubin e Gjuetarëve rreth orës 18, ku mbasi ndenjën atje një orë, u ngritën, shëtitën rreth 45 minuta, bulevardit me Tahir Demin e Baki Kongolin në bulevard dhe pastaj u ndanë me Xhavitin dhe shkuan në bufe të Shtëpisë së Kulturës. Këtu u ulën dhe duke biseduar çështje të ndryshme, ra muhabeti tek kthimi i Xhavit në Shqipëri, Xhaviti tha se ishte kthyer me vapor me urdhër të Komitetit Qendror, për arsye të pikëpamjeve të tija të bindura me shokë anëtarë të Komitetit Qendror në atë kohë në Moskë, si mbas Sul Bahollit dhe Ismail Çaushit, rreth Polonisë dhe Gomulkës e Jugosllavisë.

Unë tha Xhaviti, kam konsideruar si të drejtë qëndrimin e Gomulkës, ashtu dhe të Titos dhe jam dakord me qëndrimin e mbajtur nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina, gjithashtu dhe për gjendjen në Hungari nuk jam dakord që kjo u krijua nga jugosllavët dhe ndërhyrja e jashtme, por nga drejtimi i padrejtë, sidomos nga Rakoshi i cili krijoi situata të padurueshme për popullin hungarez, i cili u revoltua me të drejtë. Është tjetër punë fakti që në këtë rast, përfitoi reaksioni për shkak të dobësive tona.

Kur do të nisesha për në Tiranë, i thashë ambasadorit tonë në Moskë, shokut Mihal Prifti, se: pse do të nisesha me vapor dhe jo me aeroplan, deri sa duhesha të kthehesha prap në Moskë, se kisha dy provime për të dhënë dhe se në Tiranë shkoja vetëm për t’u sqaruar. Mihali më tha: më mirë me vapor, se sa me aeroplan, do të më provokonin jugosllavët, prandaj nuk donte.

Kur i thashë unë andej (nga Beogradi) kanë ardhur dhe shokë të Komitetit Qendror dhe nuk i trazon njeri, ai m’u përgjigj se është mirë të veprojmë ashtu si na thotë Komiteti Qendror i Partisë, se ai e di më mirë. Unë nisem me vapor sepse kishin frikë se mos qëndroja në Beograd, ndërsa unë këtë gjë po të doja, e bëja dhe në Moskë, duke vajtur në legatën jugosllave.

Në sekretariatin e Komitetit Central ku u thirra, më thanë se për çështjet që kisha biseduar dhe ngulën këmbë të heqë dorë, si për Poloninë, Jugosllavinë etj. Duke më thënë se Gomulka është Buharinist, etj. Unë i’u përgjigja, se: nuk heq dorë nga bindja ime dhe saktësisht i kam informuar, duke lexuar “Pravdën”, dhe “Zhenminzhibao”, ata m’u përgjigjën se unë duhet të veproja vetëm si thotë “Zëri i Popullit” dhe jo ndryshe, duke më ngritur edhe disa çështje të tjera që më kishin ngritur Sul Baholli dhe Ismail Çaushi, thanë se ato ishin të padrejta dhe më bënë një kosh-ellozhes dhe megjithatë më çuan në Elbasan.

Ju luta shokëve të sekretariatit të të lejonin që të vazhdoja prap shkollën në Bashkimin Sovjetik, sikur dhe shkollën shtetërore, por ata nuk pranuan, u thashë se nuk veprojnë drejt, qoftë që më kthyen, qoftë që nuk më lanë të vazhdoja shkollën.

Për të forcuar mendimin e tij vazhdoj: Principjaliteti është çështja kryesore ku duhet prioritetet e Partisë dhe çdo anëtar i saj, në qoftë se duhet të jenë konsekuent në rrugën e tyre dhe jo të nisen vetëm nga interesat thjesht personale për çështje pozite e karriere.

Jugosllavia vazhdoi Xhaviti, është vend socialist që udhëhiqet nga parimet e Marksizëm Leninizmit, i tha ai, por në vendin tonë e kompleksojnë pa të drejtë, ata flasin për Koçi Xoxen që ka bërë kaq krime, si të ishte hero.

Ti i tha Xhaviti dëgjon vetëm një kambanë, ato që thuhen nga ana e jonë, po të dish dhe atë të palës Jugosllave, do të mendoja ndryshe. Ti thua se në kohën e Koçit ka pasur terror dhe vrasje, pse mos ka vallë më pak burgim dhe vrasje tani, mos vallë është pse mos ka vallë më pak burgim dhe vrasje tani, mos vallë është e drejt burgosja e kaq njerëzve, e Tukut, Bedriut dhe vrasja e Liri Gegës me Dali Ndreun, për të cilat thotë se i zunë në kufi duke u arratisur, ndërsa ata i kapën dhe i vranë në Tiranë, vetëm e vetëm se dinin shumë sekrete të partisë, që udhëheqjes së sotme nuk i leverdis të dalin në shesh.

Për Bedriun me Tukun pse qëndrojnë në burg? Vetëm për faktin se patën guximin të thotë të vërtetën. Vërejtjet e Tukut në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë ku qesh thirrur dhe unë, qenë të drejta. Ai foli për fotografitë e njerëzve të vendosura në muzeun, ai tha se Enveri u vu si udhëheqës i Partisë, jo pse kishte cilësi të rralla, jo pse ishte udhëheqës i grupit të Korçës, pse nuk ka qenë, por vetëm e vetëm pse ka qenë i pa ngatërruar në ngritjet e grupeve.

Pastaj mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura. Bedriu në Plenum nuk foli, siç duket do të ketë folur më vonë, por morra vesh se kur kish folur me zë të lartë, Mehmeti i kishte thënë, se ti vetëm të bërtasësh di.

Përsa i takon marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, këto nuk janë të mira, sepse udhëheqja jonë nuk pranon, se po të pranonte, do të thotë të njihte gabimet e bëra deri më sot. Puna është se njerëzit kanë frikë se humbasin postet që kanë.

Duke u larguar nga ky muhabet, ra fjala për anekdotat dhe shakatë, pastaj u zu në gojë vetë Zef Malaj. Zefa Malaj, tha Xheviti, e thirrën në gjyq dhe pyetën për biografinë, ai u përgjigj: “Kam qenë i burgosur në kohën e Zogut, burgosur në kohën e fashizmit dhe burgosur në kohën e socializmit! Ke gjë tjetër për të thënë, i tha gjykatësi”. Jo u përgjigj Zefi, më futni më mirë Brenda, se atje jam më mirë se jashtë”.

                                                                                                      “Skëndi”

 Elbasan, 30.IX.1957

Raport-informacion i Punëtorit Operativ, kapiten Abdyl Vogli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Shpata e Drejtësisë”, lidhur me survejimin e ndjekjen e Xhavit Qeses

                                                                                            Marrë nga P.op. Kap. Abdyl Vogli

                                                                                            Dhënë nga B.p. “Shpata e Drejtësisë”

                                                                                            Dt. 7.11.1957

                                                Raport i datës 7.11.1957

Burimi konstatoi se nga data 28 ose 29 tetor 1957, ekzaktësisht nuk më kujtohet, në qytetin e Durrësit ka ardhur Xhavit Qesja, i cili nëpërmjet të vëllait, (Xhaferr Qeses), kërkoi takim me Peço Kagjinin. Në kohën kur lajmëroi Xhafa, Peço ishte në mbledhje me shefat e seksioneve, i cili i kërkoi dhjetë minuta leje dhe doli jashtë në korridorin e Komitetit, por se çfarë biseduan, burimi nuk ka njoftim. Vlen të theksohet se Xhafa, kur ftoi Peçon, tha se në orën 9, Xhaviti do të iki, prandaj kërkoi të takohet me Peço K…, në fakt, Xhaviti iku pas dy ditësh nga Durrësi.

Burimi ka konstatuar se Peço K…. në qytetin e Durrësit ka krijuar këto lidhje me persona të ndryshëm të qytetit, si me Aleks K…, në Bashkimet Profesionale dhe të vëllanë e tij Koço K… në N.Sh.F.M.O., i cili është i përjashtuar nga Partia dhe burimi nuk din më gjatë për përjashtimin e atij nga Partia.

“Shpata e Drejtësisë”

Detyra:

B.p. iu dha si detyrë, që të vërejë më kujdes karakterin e lidhjeve me Koço K… dhe arsyen e këtij të fundit, pse është përjashtuar nga Partia. Gjithashtu dhe çdo kontakt tjetër që mund të marri Peço K… me persona të ndryshëm, siç është rasti i Xhavit Qeses.

Masat operative:

Kjo e dhënë të shtypet në tre kopje, njëra t’i dërgohet Degës së Punëve të Brendshme Qarkut Elbasan (meqenëse Xhavit Qesja është me punë aty), një kopje t’i dërgohet Degës së II-të dhe njëra të vendoset në dosjen e Peços.

Të regjistrohet në kontingjent Koço K…, si element i përjashtuar nga Partia. Memorie.al

                     Punëtori Operativ

                     Kap. Abdyl Vogli

                                                  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura