Historia e të drejtës, histori e të paktëve

Jul 1, 2015 | 12:18
SHPËRNDAJE

SAZAN GURI

   Qysh në kohën e pellazgëve apo të mikenasve, fatet e popujve, fiseve deri në individë, vendoseshin me anë të sistemeve shumicë votash, ku në akshin log (vend – për ata që kanë harruar fjalorin shqip) mblidheshin burrat më me zë dhe sipas një procesi, që asokohe e deri më sot thirrej kuvend, e kthenin fjalosjen në ligj burrash për t‘u zbatuar. Kjo vazhdoi edhe përgjatë kohës së Greqisë së lashtë, Romës, mbretërimit të Anglisë etj., duke mbërritur në ditët tona, me ndryshimin që rregullat e vendimmarrjes tashmë ishin e zezë mbi të bardhë, dhe të fjalës kuvend që e quanin “convent”. Ndërkohë që ato të pellazgëve vazhdonin magjishëm të përcilleshin me fjalë ndër breza, që ende ruhen si qëmoti të kodifikuara në veglën muzikore me një fije kali (lahutë) e të stampuara nëpër shkëmbinjtë e bjeshkëve të Veriut shqiptar, aq sa edhe mbledhjet e burrave qysh nga lufta e Trojës vazhdonin t’i thërrisnin me të njëjtin emër – kuvend (vend ku mblidhen burra për të marrë vendime të rëndësishme).

Nëse i hedhim një shikim historisë të së drejtës, lehtësisht mund të kuptosh që demokracia është zhvilluar jo thjesht nga vendimmarrjet me anë të shumicës, që gjithmonë kanë qenë të përkohshme, por nga mbështetja që i është bërë në një kohë të dytë vizionit të të paktëve apo një grupi të individëve, madje deri te një individ. Oliver Kromwell, p.sh., u ekzekutua nga bashkëparlamentarët e vet, por me idetë e tij postmortum, Anglia mbretëroi botën për disa shekuj, madje bëri të mundur të zhvillohej edhe një kontinent tjetër si Amerika, model i demokracisë sot. Mos harroni që Hitleri hipi në pushtet me një votë më tepër që bëri shumicën në vendimmarrje, por nga ana tjetër historia tregoi se të paktit kishin të drejtë. Kësisoj, sot në Amerikë, shteti ofron në komisionet e bordeve të drejtimit të ndërmarrjeve apo të kompanive të mëdha ekspertë apo persona të vet për të studiuar vizionin dhe idetë e asaj “të pakte”, që megjithëse nuk u votohet mendimi, bëhen pararoja të së ardhmes për ecurinë e shtetit dhe të vetë kompanive.

Po ashtu, në parlamentet e Amerikës, të Britanisë dhe të Francës studiohen dhe deri analizohen në hollësi, pse kundërshton ky aksh grup deri në individ dhe u krijohen kushte për t‘i lëvruar idetë deri në përgatitje të dytë, të tretë apo të pafund, për të arritur në rregullin formal të vendimmarrjes me shumicë. Por, askush nuk guxon t‘i paralajmërojë ata për gjoja rrugë kundër shumicës. Askujt nuk i bie ndërmend të marrë hapa denigrues apo përjashtues ndaj tyre. Pse? Sepse historia ka treguar, që vizionarët, mendimtarët, të paktit kanë pasur të drejtë. Sepse historia është bërë nga mbretër apo parlamente me shumicë votash, por kursin e saj, herët apo vonë, e kanë drejtuar të paktit. Por të paktit kanë pasur dhe anën tjetër të medaljes. Ata gjithmonë kanë kaluar nëpër tri faza: faza e parë, nuk dëgjohen, mbyten, përjashtohen, dhunohen deri eliminohen; faza e dytë, denigrohen si imazh, si figurë, si teori, si ikonë, që vetvetiu kjo fazë përgatit për vetë ata fazën e tretë, atë të përjetësimit, të simbolizimit deri të kthimit shpesh në doktrinë të ideve të tyre.
A e mban njeri mend kryetarin e Bashkisë së Athinës apo të shtetit Athinë të kohës së Sokratit? Kurrsesi jo. Përsëritet Sokrati, si bir i urtë i Athinës, që vizionoi të ardhmen e shtetit demokratik grek. Sigurisht, vetë ai u syrgjynos. A e mban njeri mend emrin e papatit të Kishës së viteve të Galileos. Kurrsesi jo. Mbahet mend vetë Galileo, që la si pergamenë “E poi, si muove” ose Xhordano Bruno, që u shkrumbua për së gjalli nga turra e druve, pasi thoshte që Toka rrotullohet rreth Diellit dhe jo e kundërta, si asokohe Kisha.

Le të vijmë te rastet tona. Çdo betejë merrej me shumicë votash në kohën e diktaturës, por kauza u fitua nga ata të paktit, që shpirti u prehet në paqe për kundërshtimet intelektuale. Dihet, që shumica e votave është zgjidhje për momentin, që shpesh ngjan me psikologjinë e turmave. Është pakica, ajo që lëviz botën, ndonjëherë dhe një grup fare i vogël të paktësh, për të mos thënë deri në ndonjë individ, kur i bashkohet vullneti shpirtëror, energjia fizike (më saktë kozmike) dhe urtësia. A nuk ishte si një yll polar prof. Ylli Popa, që si i paktë në trup e në votë doli kundër partisë së atëhershme të punës dhe vizionoi kohën për Shqipërinë e shqiptarët? A nuk ishte gjiganti Kadare, që megjithëse e etiketuan si gjeneral të jashtëqitjes së kombit, ndër të vetmit që sfidoi rrjedhën e diktaturës, orientoi Shqipërinë dhe shqiptarët sipas rrjedhës natyrore të lumenjve, drejt Perëndimit? A nuk ishte i madhi Dritëro, që megjithëse e qeshën dhe e përqeshën në Kongresin e Parë po këta socialistë, hodhi mëkatet pas të Partisë së Punës, në mënyrë që këta të sotmit të pranoheshin në rrugën e re të demokracisë?

Kështu janë edhe ekspertët e sotëm juristë të mjedisit. Ata nuk mund të kenë edhe shumicë votash, edhe ide, edhe vizion qysh në fillim ose edhe mall, edhe dyqan, sepse idetë apo vizionet janë dhunti e të paktëve, ndërkohë, që shumica e votave janë psikologji e njerëzve – Gente commune, sepse Zoti i ka gatitur ata (ekspertë) për punë të mëdha, për udhërrëfime dhe të shumtit për të ndjekur gjurmët e tyre. Nuk është faji i shumicës, që nuk i kupton ekspertët, as i ekspertëve, që nuk kuptohen prej tyre, por i shoqërisë shqiptare, i kushteve shqiptare, i qytetarisë shqiptare, që nuk i ka pjekur ende ata. Por ekspertët kanë veçse një faj, ndryshe nga mbarë njerëzimi sot, që kundërshtarin e shohin alternativë, garë, këndvështrime. Të paktën, t’i respektojnë të paktit, sepse e ardhmja ndjek të paktit dhe u përket këtyre të fundit. Lum ai që e kupton herët dhe mjerë ai që e kupton vonë, por të mjerë janë ata, që nuk e kuptojnë fare. Nuk ka më keq se të vdesësh i tillë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura