Historia e të akuzuarit për një vrasje të trefishtë dhe e vërteta e heroit te filmi “Duel i heshtur”/ Zbardhet dokumenti i Sigurimit për tragjedinë e 1 qershorit ‘47 në Adriatik!

Jul 20, 2021 | 15:18
SHPËRNDAJE

Spiro Kote -Dueli Heshtur-procesverbali-incidentiAFRIM IMAJ/ I ka buzëqeshur fati kur përjetonte ditën më të zezë të tij! Ajo që ka ndodhur me Spiro Koten, heroin e filmit “Duel i heshtur”, ka qenë vërtet e çuditshme: kur qëndronte i izoluar prej pesë ditësh në qelitë e Durrësit, e lajmëruan se ishte shpallur “Hero i Popullit”.

Ekstremitetet e historisë së pabesueshme nuk i kapërcejnë kufijtë e një jave. I arrestuar në mbrëmjen e 1 qershorit 1947 për një vrasje të trefishtë, marinari 20-vjeçar ka lënë birucat e policisë mëngjesin e 7 qershorit 1947 me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës. Që këtej, pastaj është përvijuar një histori e rrallë, që për vite e dekada me radhë është vërtitur në kujtesën e bashkëkohësve dhe në memorien e shokëve të heroit, midis një materieje të vërtetë dhe legjendës së pabesueshme.

Ajo që kishte ndodhur gjatë lundrimit të anijes “Mujo Ulqinaku” dhe kthimit të saj pas katër orësh me ekuipazh të vrarë, nuk u zbardh kurrë e plotë. Jehona e saj erdhi deri në ditët tona në formën e ngjarjes së lavdishme, por edhe të enigmave pafund. As përkujdesja e regjimit për ta himnizuar në celuloid te “Duel i heshtur”, nuk fashiti perceptimet e mjegullta mbi tragjedinë e atij lundrimi fatal. Aq sa është konsumuar deri tani për të, nuk të lë të dallosh nëse bëhet fjalë për një të vërtetë të marrë peng apo për një alibi mbi të vërtetën e mundshme.

Flitet se ishte një arratisje e dështuar, por ka që besojnë për një operacion të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. Kakofonia e kundërshtive prej kohësh është bërë objekt i hulumtimeve mediatike dhe diskutimeve pa fund. Kanë folur së fundi edhe familjarët e viktimave, por edhe ata të ndarë më dysh. Një pjesë e tyre besojnë versionin zyrtar të historisë. Të tjerë syresh hamendësojnë për një krim të rëndomtë. Edhe dosja zyrtare e ngjarjes, e cila përmban vetëm një raport sipas dëshmisë së të mbijetuarit, nuk ofron një variant të besueshëm. Gjithsesi, prej aty mund të orientohesh edhe për çështje që e kapërcejnë kronikën e ngjarjes…

DOKUMENTI
Drejtoria e Punëve të Brendshme Durrës Dega e Ndjekjes së Krimeve Durrës, 5 qershor 1947 Lënda:
Marinar Spiro Kote vret kapter Vlash Bushin dhe dy të tjerë për tradhti arratisjeje. Ministrisë së Punëve të Brendshme (degës për zhdukjen e krimeve) Tiranë Ju parashtrojmë se më datën një të këtij muaji, ora 16.00:
1. Kapter Vlash Bushi i Vasilit dhe i Katerinës, datëlindja 5 korrik 1912, lindur dhe banues në Durrës.
2. Marinar Xhemal Kërrniqi, biri i Mustafait dhe i Bedries, datëlindja 13 shkurt 1920, lindur në Shkodër dhe banues në Durrës.
3. Marinar Enver Kruçi i datëlindjes 24 qershor 1924, lindur dhe banues në Shkodër, që të tre me shërbim në kapitanerinë e portit Durrës, duke mashtruar rojën e motovedetës “Mujo Ulqinaku”, marinar Spiro Koten me pretekste të ndryshme, janë nisur për t’u arratisur drejt Italisë. Kur ishin larguar 30 milje në afërsi të Mezo kanalit, i njoftojnë marinarit roje qëllimin e tradhtisë dhe ikjen për në Itali.

Atëherë marinari në fjalë, duke parë tradhtinë dhe mashtrimin që ata i kishin bërë, mendohet dhe merr masat për t’i vrarë me një automatik që ndodhej i varur në dhomën e fjetjes së motovedetës. Duke përfituar nga rasti se dy tradhtarët ndodheshin në timon, vret të tretin në dhomë dhe pastaj vret edhe dy të tjerët një nga një. Pasi kryen këtë vepër, merr vetë drejtimin e motovedetës dhe kthehet për në Durrës, ku arrin në orën 20:00 duke vënë në dijeni për ngjarjen kapitenerinë dhe si kishte mundur të evitonte tradhtinë.

Në pyetjet që i janë bërë prej prokurorit publik të qarkut dhe shefit të seksionit të Sigurimit, dëshmitari okular marinar Spiro Kote, i Stojanit dhe Amelisë i datëlindjes
1925, lindur në Korçë dhe banues në Durrës, ka deklaruar si vijon: Në datën e sipërme isha roje i motovedetës “Mujo Ulqinaku”. Në ora 16 ishin me mua edhe marinarët e tjerë, Vasil Kosta dhe Jorgji Sholla, të cilët më vonë ikën duke më lënë vetëm. Në këtë kohë vjen kapteri Vlash Bushi dhe më thotë se kur të vijë kapiteni i rimorkiatorit, jepi këto plaçka (një valixhe) dhe njëkohësisht më tha: “Do të shkosh te magazina dhe do të marrësh 15 kuti vaj lubrifikant”. Unë iu përgjigja se jam vetëm roje, por ai këmbënguli në urdhrin e tij, duke thënë se mund të rrinte vetë aty si roje. Atëherë e pyeta se sa kg mund të peshonin ato 15 kuti dhe ai më tha 10- 15 kg.

e56ug

Mora një thes dhe u drejtova për në magazinë sipas urdhrit. Kur shkova, nuk gjeta gjë. Nëntoger Vasil Xhaxhon e kërkova në zyrat e kapitanerisë, por nuk ishte. Atëherë u ktheva përsëri në motovedetë, kur përveç kapter Vlashit gjeta edhe marinarët Xhemal Kërrniqi dhe Enver Kruçin, të cilët i pyeta se çfarë donin. Këta m’u përgjigjën se i kishte thirrur kapter Vlashi, pasi do shkonin në motovedetë për të arritur një rimorkiator që ka shkuar përpara dhe në të cilin ishte kapiten Petro Prifti, nëntoger Vasil Xhaxho dhe kapter Anastas Qendro, pasi do bënin prova. Në këtë kohë vjen kapter Vlashi, i cili ishte larguar për një çast. I thashë se vaj nuk gjeta. Ai më tha nuk ka gjë dhe tha se do shkojmë përpara te tre shokët e sipërpërmendur. Kështu u nis motovedeta nën drejtimin e kapter Vlashit. Kur sapo kishim bërë pak milje rrugë, pyeta kapterin se nuk po shihnim gjë. Ai më tha të vazhdonim akoma. Kur kaluam rreth 10 milje në det, kapteri qeshi dhe më tha se po shkonim në Itali për t’u arratisur.

Më thanë se po të doja, mund të kthehesha dhe për këtë mund të më lëshonin salvaxhenten. Unë duke parë se ishim larguar shumë dhe për të gjetur një mënyrë tjetër spastrimi, u thashë se do vija me ta. Në këtë kohë, Xhemali i tha Vlashit, pse nuk kishte marrë një busull, kur vuri re se kjo i mungonte. Vlashi duke më parë mua si të menduar, i thotë Xhemalit të më jepte ca kurajë. Në këtë kohë Xhemali nisi të më thotë se në Itali do të rroja mirë, do të paguhesha mirë etj. Më tha se nëse doja të shtrihesha pak, mund të shkoja të qetësohesha në dhomë.

Kur shkova atje, pashë të varur një automatik. E fsheha automatikun nën krevat, së bashku me karikatorin që kishte dhe shkova të shikoja nëse kishte armë të tjera. Vendosa t’i vras. Njëkohësisht mblodha edhe çelësat e ndryshëm të motovedetës. Në këtë kohë erdhi Xhemali në dhomë dhe mori një palë mbathje. Po kështu, erdhi edhe Vlashi që çau valixhen e rreshter Gjinit që ndodhej në dhomën e fjetjes për të parë se ç’kishte brenda. Vlashi më thotë të shkoja e të gjeja alfabetin mors, sepse po i afroheshim Brindisit. Unë nisa të kërkoja alfabetin, në këtë kohë Vlashi me Enverin ishin në timon, duke i thënë Xhemalit se më duket se ishte një tjetër i tillë, por nuk e dija se ku ishte. Xhemali më tha se po e kërkonte ai.

Unë mora automa  tikun dhe menjëherë zura derën dhe i dhashë një seri të shtënash Xhemalit, duke e rrëzuar përtokë. Menjëherë hipa shkallët për të vrarë dy të tjerët. Në këtë kohë pashë Vlashin që u ngrit pasi kish dëgjuar krismat dhe kur më pa, vuri dorën në revolver që të shtinte kundër meje. Por unë me një shpejtësi shtiva kundër tij në gjoks e sipër dhe e lashë të vrarë. Revolveri nga dora i ra në det. Kur Enveri pa se Vlashi ra përpara tij i vrarë, u ngrit. Unë duke mos ditur se Enveri kishte revolver, pasi nuk dija të drejtoja motovedetën, vendosa ta detyroja këtë me automatik në dorë që të kthente motovedetën dhe ta drejtoja për në Durrës, por kur pashë se ai nxori menjëherë revolverin e tij, menjëherë i dhashë në kokë disa të shtëna automatiku dhe e lashë të vrarë në vend.

Për mua puna më e zorshme ishte të ktheja dhe të drejtoja motovedetën, sepse nuk kam drejtuar kurrë deri sot, megjithatë me guxim e ktheva me atë shpejtësi që kishte, me gjithë dallgët dhe lëkundjet që më bënte, mora drejtimin për në Durrës. Ora ka qenë 18:00. Në këtë kohë dëgjoj të rënkuarat e Xhemalit dhe pashë se nuk kishte vdekur, por po mundohej të ngrihej. Duke rezistuar më tha: “Ah ta dinim kështu, do të të kishim mbytur”. Atëherë i dhashë një të goditur me tytën e automatikut, pasi ishte i plagosur keq. Pasi lashë këtë, kontrollova dhe dy të tjerët, për të cilët u sigurova se kishin vdekur. Tradhtarët gjatë udhëtimit më thoshin se në Itali do të shkonin mirë, do t’u jepte para Bazi i Canës, do të shkonin në Angli dhe në Amerikë, se këta të qeverisë në Shqipëri e kishin humbur davanë, se anglezi ka flori e çokollata etj.

Në Durrës erdha rreth orës 20:00 me vështirësi. Aty më erdhi menjëherë Anastas Qendro, kapteri i marinës, të cilit i thashë menjëherë se ç’kishte ndodhur. Shtoj se para se të nisesha nga Durrësi, Vlashi ishte shumë i emocionuar. Hynte e dilte në motovedetë, se ndoshta priste edhe shokë të tjerë. Unë si marinar kreva detyrën time kundër tradhtarëve. Mbi ngjarjen e sipërme kjo zyrë dhe ajo e qendrës ka marrë dijeni vetëm pasi janë përfunduar hetimet prej Prokurorisë publike dhe seksionit të Sigurimit. Drejtori i Punëve të Brendshme Kapiten i dytë Lefter Lakrori.
faksimile raporti

Lundrimi tragjik i 1 qershorit 1947

Në buzëmbrëmjen e 1 qershorit 1947, roja bregdetare i Durrësit lajmëroi se në afërsi të portit dallohej një anije që bënte lëvizje të pakontrolluara. Të bindur se kishin të bënin me një defekt, grupet e gatshme të Marinës u nisën në drejtim të saj. Kontakti i parë me motovedetën që kishte humbur orientimin ishte befasues. Në bordin e saj ishin shtrirë dy marinarë të vrarë dhe një i tretë që jepte shpirt. I vetmi që qëndronte në këmbë ishte Spiro Kotja, por edhe ky i tronditur tej mase.

Lundrimi i fundit i marinarëve Xhemal Kërriqi, Vlash Bushi e Enver Kruçi kishte rezultuar fatal. Njëzetvjeçari i mbijetuar që fliste përçart, mori rrugën e Degës së Brendshme me hekura në duar. Tragjedia kishte qenë e papritur, madje edhe e padëgjuar herë tjetër në qytetin bregdetar. Jehona e saj shokoi mbarë Durrësin. Opinionet për të ishin nga më të ndryshmet. Flitej për një vrasje të trefishtë, por edhe për një kurth të piratëve të detit. Kishte zëra për një përplasje të rëndomtë që pasoi me tri viktima. Të vërtetën e ruante brenda vetes dëshmitari i vetëm, që çuditërisht qëndroi vetëm pesë ditë në qeli.

 

18835760_1338550812889912_2971314190130683327_n-2


Anija e ngjarjes, një motovedetë gjermane

Anija që shfaqet te filmi “Duel i heshtur” nuk ka asgjë të përbashkët me atë të ngjarjes së 1 qershorit 1947. Lundrimi i bujshëm që bëri “Hero i Popullit” Spiro Kote është realizuar me një tjetër anije, shumë më të vogël nga ajo e filmit. Motovedeta gjermane, që rezultoi e pasuksesshme për arratinë e tre rrëmbyesve, ishte bërë pjesë e Flotës Luftarake Detare në prill të vitit 1946, pasi ishte nxjerrë nga thellësitë e detit në Sarandë dhe ishte riparuar në kantierin e Durrësit. E pagëzuar me emrin “Mujo Ulqinaku”, anija e historisë së famshme qëndroi në inventarin e mjeteve detare deri në fundin e viteve ‘60. Çuditërisht, pas realizimit të filmit “Duel i heshtur”’ ajo nuk u shfaq më si relikte e asaj ngjarjeje të cilësuar e lavdishme.

Studiuesi: Mision i dështuar i dëshmitarëve të rremë

Artur Meçollari, ushtaraku i lartë i Forcave Detare, autor i librit “Incidenti i Korfuzit, drejtësi e anuar”, është ndër studiuesit e paktë shqiptarë që ka shfletuar dokumentet e arkivave të Gjykatës së Hagës. Në vlerësimin e tij, tragjedia në Adriatik, mesditën e 1 qershorit ‘47, ka qenë një përpjekje e dështuar për tërheqjen e tre dëshmitarëve të parapërgatitur për të pohuar para Tribunalit Ndërkombëtar përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare në minimin e fshehtë të Kanalit të Korfuzit. Po me çfarë argumentesh operon studiuesi Meçollari, kur konkludon në një opsion të tillë…
****

Qysh në fillim dua të theksoj se për rrëmbimin e motovedetës “Mujo Ulqinaku” më 1 qershor 1947 ka një version zyrtar. Për aq kohë sa nuk ka prova të besueshme për ta hedhur poshtë atë, është e vështirë të provosh falsifikimin e tij dhe rrjedhimisht rishikimin e ngjarjes. Historia nuk mund të rishikohet mbi bazën e gojëdhënave apo bindjeve personale. Vitet e fundit ka pasur diskutime të shumta mbi këtë ngjarje. Në mjaft syresh bie në sy tendenca për të zhvlerësuar aktin heroik të Spiro Kotes, duke e konsideruar si një ngjarje të manipuluar nga regjimi komunist. E vërteta është se këto hipoteza nuk mbështeten mbi prova të besueshme, por mbi gjykime subjektive.

Rrëmbimi i motovedetës “Mujo Ulqinaku” më 1 qershor 1947 dhe akti heroik i Spiro Kotes janë të lidhura me incidentin e Kanalit të Korfuzit. Unë mendoj se pa u zbardhur incidenti i Kanalit të Korfuzit, nuk mund t’i rikthehesh kësaj ngjarjeje. Që të kuptosh aktin e Spiro Kotes, duhet të njohësh incidentin e Kanalit të Korfuzit, si dhe kthesën që do të merrte gjyqi nëse nuk do të kishte një akt heroik të Spiro Kotes. Britanikët nuk arritën të provonin në gjyqin e Hagës se Shqipëria kishte vendosur mina, ndërkohë që nuk provuan as opsionin se ato ishin vendosur nga Jugosllavët me kërkesën e Shqipërisë. Kjo hipotezë as sot nuk është konfirmuar. Sipas versionit zyrtar, tre personat që rrëmbyen motovedetën “Mujo Ulqinaku” do të dëshmonin në gjyq se minat i kishte vendosur Shqipëria.

Po atë vit, në tetor, nga Jugosllavia “me vullnetin e tyre” janë arratisur dy oficerë, një i Marinës Luftarake dhe një i Marinës Tregtare, të cilët dëshmuan në gjyqin e Hagës në favor të akuzës britanike se minat i kishte vendosur Jugosllavia me kërkesën e Shqipërisë. Dëshmitë e tyre nuk u provuan në procesin gjyqësor. Sot, mbas 65 vitesh, ka shumë prova që fajësojnë Britaninë e Madhe për incidentin. Pra, kjo provon se britanikët kishin arsye të organizonin si arratisjen e “Mujo Ulqinaku”-t, edhe të oficerëve jugosllavë. Gjatë procesit gjyqësor nuk ka prova që rasti i rrëmbimit të motovedetës “Mujo Ulqinaku” të jetë trajtuar. Po ashtu, britanikët deri më sot nuk janë prononcuar për këtë ngjarje, pra nuk e kanë mohuar përfshirjen e tyre në arratisjen e saj. Historia e rrëmbimit të motovedetës “Mujo Ulqinaku” kishte vetëm një dëshmitar, ai ishte i rrëmbyeri Spiro Kote, i cili për vet natyrën e tij nuk fliste për këtë ngjarje.

Shumë njerëz mendojnë se ai fshihte të vërtetën. Ajo ishte natyra e tij dhe ndoshta mënyra për të përballuar peshën e fatit të tij. Heshtja nuk mund të parashikojë asgjë. Natyrisht, mund të ketë edhe nga ata që pretendojnë se kanë aftësi të interpretojnë heshtjen. Në fakt, ata që e kanë njohur Spiro Koten nuk mendojnë kështu. Historia e tij deri më 1 qershor 1947 ishte historia e një të panjohuri. E solli rasti apo u përzgjodh nga rrëmbyesit për një histori të tillë, që brenda katër orësh të kthehej në hero?! Jam i bindur që edhe ai vetë është befasuar me titullin e lartë, pasi nuk mund ta dinte dhe as nuk mund ta kuptonte shërbimin që i kishte bërë vendit për disa, apo regjimit për disa të tjerë. Për sa i përket specifikës së ngjarjes, unë kam bindjen se Kote reagoi asisoj jo thjesht për idealin komunist.

Mosha, natyra, përvoja politike dhe edukimi i atëhershëm e kushtëzonin atë për akte me motive të tilla. I ndodhur në kushtet e njeriut të marrë peng dhe duke menduar pasojat që do të kishte “arratisja” e tij për familjen, Kote ka refuzuar ofertën e rrëmbyeseve dhe ka mundur t’i asgjësojë ata në kushtet e vetëmbrojtjes. Këtu duhet shtuar fakti që heroi i atij lundrimi tragjik kishte bërë më herët betimin ushtarak, që natyrisht e përmbushi me mënyrën e tij. Spiro Kotja nuk u vlerësua vetëm për motivet e aktit të guximshëm në ngjarjen e 1 qershorit 1947 dhe as për numrin e personave që eliminoi.

Ai u nderua me titullin “Hero i Popullit” edhe për atë çfarë parandaloi me veprimet e tij në rrjedhën e Gjyqit për Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Historia më e dhimbshme e trajtimit të kësaj ngjarjeje është rasti kur ndonjë koleg i Spiro Kotes kërkon të denigrojë portretin e tij. Spiro Kote, si përpara edhe mbas datës 1 qershor 1947 ka qenë një qenie njerëzore, me vlerat dhe defektet e tij, si gjithë të tjerët. Ai nuk u bë “Hero i Popullit” për shkak të një karriere në një fushë të caktuar, apo për ndonjë vlerë të jashtëzakonshme profesionale. Rastësia, betimi ushtarak dhe instinkti i mbijetesës e ngriti në piedestalin e heroit. Kombet e qytetëruara i mitizojnë heronjtë e tyre. Spiro Kote është një hero me të cilin shqiptarët kanë arsye të krenohen./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura