Historia e “Shkollës së Vagabondëve”, kush futej në të

May 6, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Si u ngrit Qendra e Riedukimit në Gramsh, në vitin 1957? Uvil Zajmi sjell historinë e “Shkolles se Vagabondëve” dhe nje histori me viziten e Mehmet Shehut. 

Kush ishin drejtuesit e parë dhe si u “joshën” mësuesit e kualifikuar? Nxënësit e kesaj shkolle qe vinin nga familje të divorcuara ose në burg. 

NGA UVIL ZAJMI

Nxënës të Shkollës së Riedukimit
Nxënës të Shkollës së Riedukimit

Njihej si “Shkolla e Vagabondëve”, edhe pse në shumicën e herëve nuk kishte lidhje me vagabondazhin. Zyrtarisht quhej Shkolla apo Kolonia e Riedukimit dhe ka ekzistuar e funksionar për disa dekada në Tiranë, si një mjedis edukues, vetëm për fëmijët me probleme sociale.

Por, si lindi ideja, cilët ishin ata që e ndërtuan, e drejtuan, dhe cili ishte kontingjenti i fëmijëve? Nga Gramshi, transferimi në Yzberisht të Tiranës, pas një urdhri të Mehmet Shehut, dhe marshimi në këmbë i fëmijëve.

Si e kujton sot Ivan Koli një nga drejtuesit e njohur të këtij institucioni që nga krijimi dhe mbyllja e shkollës, që merrej vetëm me fëmijët jetimë, të braktisur e keqbërës.

HAPI FILLESTAR NË YRSHEK, PASTAJ NË GRAMSH

Shtëpitë për edukimin e fëmijëve kanë funksionuar prej vitesh në mjaft shtete, si ato të kampit socialist, me në krye Bashkimin Sovjetik, në Europë me Italinë, Francën, Anglinë deri në Shtetet e Bashkuara. Gjithçka e bazuar mbi ligje dhe me programe të detajuara mirë.

Një sistem i tillë, për strehimin e fëmijëve jetimë e të braktisur, ka ekzistuar edhe në Shqipëri gjatë periudhës së pushtimit, por që ishte nën influencën italiane. Tentativa e parë për të hapur një shkollë apo qendër edukimi të fëmijëve me probleme sociale, u projektua në vitin 1952, për në Yrshek, afër Tiranës, por dështoi shumë shpejt ende pa nisur të funksionojë, ndonëse u grumbullua një kontingjent prej 60-70 fëmijësh e të rriturish, deri në 20 vjeç, që akuzoheshin për grabitje etj.

Tentativa e dytë vjen në vitin 1957, kur u krijua Kolonia e Edukimit të Fëmijëve disa kilometra larg Gramshit, një qytet i shkëputur dhe pa shumë komunikim me pjesën tjetër të Shqipërisë. Fillimisht nuk kishte kritere të mirëfillta, madje në grupet e para të fëmijëve kishte jo vetëm minorenë, por edhe të rritur.

Rreth 100 të tillë u vendosën në disa kapanone ish-reparte ushtarake të braktisura, ndërkohë që fillimisht ata futeshin në karantinë, ku qëndronin disa ditë për t’u bashkuar më pas me grupin. U hartua një rregullore, ndërsa u bë thirrje e përgjithshme për afrim të kuadrove për të shërbyer në këtë Koloni.

Nga aktiviteti i shkollës së riedukimit
Nga aktiviteti i shkollës së riedukimit

ENRIK ÇOBA, DREJTORI I PARË

Drejtori i parë i kësaj shkolle ka qenë Enrik Çoba, një shkodran shumë korrekt, serioz dhe i përkushtuar, që mori detyrën për të ngritur të parën Shkollë apo Koloni Edukimi. Bashkë me të afrohen edhe disa kuadro, si Stefan Mihali, mësues i gjuhës shqipe, edukatori për fizkulturën, Myftar Marku, ndërkohë që u morën edhe disa ushtarë për të kryer shërbimin ushtarak, duke ruajtur ndërtesën, madje aty flinin dhe trajtoheshin.

Për të marrë eksperiencë, Enrik Çoba u dërgua në Rusi për një periudhë 3-mujore për të parë nga afër “Kolonitë e Makarenkos”. Çoba qëndroi drejtor deri në vitin 1966, për t’u zëvendësuar nga Ceno Doracaj.

MODELI “MAKARENKO”?

Anton Makarenko, ukrainas, pedagog, psikolog, edukator, njeri i afërt i Leninit, ishte i pari që aplikoi teorinë “kolektive” të trajtimit të fëmijëve. Menjëherë pas Revolucionit të Tetorit dhe Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917, ai iu kushtua fëmijëve minorenë të braktisur, të mbetur jetimë nga lufta, vjedhës, keqbërës dhe pa familje.

Themeloi koloninë e parë të punës “Kolonia Gorki”, ku fillon eksperimentimin si edukator, një model sovjetik shumë i njohur dhe efikas për kohën e mëvonshme, bazuar në konceptin e Makarenkos, për ndihmën dhe integrimin në shoqëri të fëmijëve të pashpresë. Vdiq papritur në Moskë, në vitin 1939, kur ishte 51 vjeç, por sistemi që ai ndërtoi njihet si “Kolonitë e Makarenkos”.

E tillë ishte edhe ideja që shteti shqiptar projektoi e që funksionoi për disa dekada. Vite më vonë, për të parë nga afër shkollën e Tiranës, erdhi një ish-nxënës i “Kolonisë Makarenko”, tashmë në rolin e drejtorit të saj.

Nga aktiviteti i shkollës së riedukimit
Nga aktiviteti i shkollës së riedukimit

VIZITA E MEHMET SHEHUT, VJEN TRANSFERIMI

Deri në vitin 1960, Shkolla e Riedukimit qëndroi në Gramsh. Pikërisht në fund të këtij viti, Mehmet Shehu shkon në Gramsh dhe viziton Koloninë. I habitur nga rregulli, funksionimi, pastërtia, disiplina e fton drejtorin t’i tregojë mënyrën e organizimit.

Duke shfrytëzuar mundësinë dhe situatën entuziaste të Mehmet Shehut, me intuitë, Çoba i propozon duke i kërkuar Shehut transferimin e shkollës në një qytet që të ishte më afër jetës aktive e sociale, pasi Gramshi ishte krejtë- sisht i izoluar. Pa kaluar shumë kohë, vjen urdhri për transferim në Yzberisht të Tiranës.

MARSHIM NË KËMBË DREJT TIRANËS

Të pajisur me plaçkat e trupit mbi shpinë, pas një marshimi të gjatë, nxënës dhe edukatorë kanë udhëtuar në këmbë për tri ditë përgjatë rrugës automobilistike deri në kryeqytet, shpeshherë duke fjetur rrugës.

Ndërtesa njëkatëshe e caktuar për këtë qëllim ishte bërë gati në Yzberisht, një fshat në periferi të Tiranës, në perëndim të saj, vetëm 6-7 km nga Tirana dhe shumë afër me Kombinatin e Tekstileve “Stalin”. Me kushte dhe mundësi të tjera, krejt ndryshe nga ai i Gramshit, fillon një tjetër etapë, tashmë ndryshe për Koloninë e Riedukimit.

KONTINGJENTI I PARË ME FËMIJË

Në Yzberisht, bashkë me kontingjentin e ardhur nga Gramshi, u krijua një grup me rreth 100 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, hajdutë xhepash, jetimë të braktisur nga familjet, rrugaçë të lënë jashtë kontrollit, nga ata që kishin braktisur shkollën, nga familje me shumë fëmijë etj.

Vinin të zhveshur, të hutuar pa ditur se izolimi disavjeçar do t’u shërbente për t’u shmangur nga një rrugë apo mundësi që i shtynte në faje apo krime të rënda. Në vijim numri i tyre u rrit deri në 200, ndërkohë që përfshirja e vajzave ishte e ndaluar në Shkollën e Riedukimit.

SI FUNKSIONONTE KOLONIA

Kolonia e Riedukimit kishte si qëllim edukimin e fëmijëve ndërmjet punës dhe shkollës, madje kjo e fundit ishte në plan të parë. Me idenë e funksionimit si një shkollë gjysmë e hapur dhe jo e izoluar tërësisht, fëmijëve u jepej mundësia të merrnin zanate si marangoz, tornitor, axhustator, murator etj., për ata që kishin arsimin shtatëvjeçar dhe në shkollë e punë ata që ishin analfabetë.

Gjithçka brenda atij mjedisi, duke filluar nga kushtet higjieno-sanitare, dhomat e gjumit, klasat për mësim e studim, biblioteka, mensa, kuzhina, kinoklubi, ofiçina për punë mësimore e prodhuese etj., dhe institucioni varej nga Ministria e Brendshme. Godina ruhej nga disa roje ushtarë dhe pak policë, që shërbenin aty në mbarëvajtjen e Kolonisë. Në ato fillime kishte raste që fëmijët largoheshin, pasi nuk e duronin rregullin apo disiplinën, por policia i kapte dhe i kthente aty.

Ivan oborr pune copy
Nxenes duke punuar ne oborrin e Shkolles se Riedukimit

GJETJA IDEALE E ENRIKUT

Për disa vite shkolla vuan nga mungesa e personelit të përgatitur, pasi deri në ato vite rekrutimi i kuadrove ishte i vështirë, shkolla nuk preferohej si vend pune dhe si edukatorë qëndronin njerëz pa nivel. Në vitin 1964, Enriku, duke parë këtë mungesë, informohet se ka një kontingjent me mësues të emëruar në qytete të ndryshme të vendit, që kishin bërë kërkesë për t’u rikthyer në Tiranë, pranë familjeve të tyre.

Ai i propozon Ministrisë së Brendshme idenë e tij, për të punësuar këta mësues në Shkollën e Riedukimit. Fillimisht i takoi e bisedoi me ta, nëse pranonin apo jo që të visheshin oficerë dhe të kryenin punën si edukatorë në këtë shkollë me profil specifik. Për ata mësues që kishin familjet në Tiranë dhe nuk kishin nevojë të sistemoheshin me shtëpi, ishte një avantazh i madh.

Afrohen specialistë të përgatitur për mësim e prodhim, e bashkë me ta edhe 5-6 kuadro të prapavijës. Pa harruar Fatimen, k/kuzhinieren ikonë të kësaj kolonie.

1969, MBYLLJA E PAMOTIVUAR

Në vitin 1969, tashmë e organizuar dhe kur gjithçka funksiononte, papritur vjen urdhri për mbylljen e saj. Nuk u dha një motiv bindës, përveç ndonjë arsyeje anemike, të tipit që Shqipëria është vend socialist dhe s’ka nevojë për shkolla të tilla.

Edhe propozimi që ajo të bëhej shkollë-konvikt 11-vjeçar, profesionale, me djem edhe vajza që do të vinin nga qytete të tjera për shkollim, duke i integruar të ardhurit me kontingjentin brenda shkollës, për të krijuar një atmosferë ndryshe në trajtimin dhe komunikimin midis fëmijëve, nuk u miratua. Një arsye mund të ishte edhe fakti se ushtarakët e angazhuar aty ankoheshin në vazhdimësi, sepse shkonin aty në orën 13:00 dhe rrinin deri në orën 21:00, duke u shkëputur nga familja e shoqëria.

Kishin privilegj vetëm të shtunat e të dielat, që qëndronin pranë familjeve. Pas mbylljes së shkollës, fëmijët e liruar u kthyen në familje, apo u shpërndanë në mënyrë sporadike, duke u sistemuar në konvikte, qytete e vende të tjera, dhe aty erdhi Shkolla Bujqësore.

VITI 1973, RIHAPJA NË TË NJËJTIN VEND

Në vitin 1973, shkolla u rihap në të njëjtin vend e ndërtesë. Nuk ishte më Enrik Çoba, drejtori i famshëm, por Jani Papandile, një tjetër intelektual i njohur. Në atë rifillim, kontingjenti ishte i vogël, rreth 40-50 nxënës, por që brenda një kohe të shkurtër u rrit deri në 200 fëmijë, të cilët u shpërndanë dhe u sistemuan në 8 brigada e kompani me 20-25 fëmijë secila.

Tanimë pranoheshin vetëm fëmijë nga 10-15 vjeç, jo më me moshe të madhe. Bashkë me rihapjen e shkollës u rikthye edhe kontingjenti i kuadrove që kishin shërbyer vite më parë në atë Koloni. Edhe emri mbeti i tillë, pra, Shkolla e Riedukimit, që në masën popullore njihej si “Shkolla e Vagabondëve”.Ivan provim copy

PROGRAM I VEÇANTË MËSIMOR NGA MINISTRIA

Situatat familjare prej nga vinin fëmijët, njiheshin mirë. Ishin kryesisht të prekur nga divorcet, burgosjet e prindërve, dhuna, prindër të arratisur, grabitës xhepash të trenave etj. Izolimi i fëmijës bazohej në ligjet e shtetit dhe propozimet vinin nga fshati, policia, lagjja, shkolla, fronti, që i shoqëronin me argumente, motivin pse fëmija duhej të dërgohej në Shkollën e Riedukimit, si dhe kushtet familjare të tij.

Në Komitetin e Rrethit ishte një komision që vendoste për fëmijët që shkonin në këtë qendër. Drejtuesi i komisionit përgatiste dosjen dhe pasi merrte shumicën e votave, i dërgonte në Koloninë e Edukimit në korrik apo gusht, në fillim të vitit arsimor. Periudha e qëndrimit ishte nga 1-3 vjet. Fëmijët ishin të detyruar të qetheshin nga berberi që vinte nga Tirana dhe zgjimi bëhej në orën 05:30 apo 06:00 dhe me vrap ata shkonin deri tek Ura e Beshirit e kthim. Pas sistemimit të fjetoreve, mëngjesit, në orën 08:00 fillonte mësimi për ata që vazhdonin shkollën dhe puna në ofiçinë për ata që kishin zanat.

Programi i shkollës ishte i veçantë dhe i miratuar nga Ministra e Arsimit, tri ditë shkollë e tri ditë punë. Në mesditë fëmijët merreshin me aktivitete sportive që zhvilloheshin brenda territorit të shkollës, i shtrirë në disa hektarë. Madje gjatë periudhës së verës, në breg të lumit Erzen, organizoheshin qëndrime të gjata me çadra të fëmijëve, që punonin dhe laheshin.

PUNA PRODHUESE, BILARDOT E FAMSHME

Me shumë rëndësi dhe me mjaft efikasitet ishte organizimi dhe produktet e shkollës, gjatë punës prodhuese të fëmijëve. Me kushte të mira dhe makineri moderne të siguruara nga shkolla, përveç zanatit që fëmijët merrnin, prodhimet e tyre ishin të preferuara për cilësinë dhe kryesisht realizoheshin e përdoreshin nga repartet ushtarake në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Por ato që kërkoheshin më shumë ishin bilardot e realizuara pikërisht në këtë shkollë. Ato dërgoheshin në shtëpi e vatra kulture, mjedise të ministrive etj. Nuk prodhoheshin vetëm gurët, që vinin nga jashtë shtetit.

JETA BRENDA MUREVE, “DHOMA E IZOLIMIT”

Në mjedisin e shkollë kishte një dyqan ushqimor dhe për të nxitur ndërgjegjen e fëmijëve, ata ishin të detyruar që, pasi blinin diçka, të hidhnin në një kuti të vendosur brenda dyqanit paratë me vlerën e sendit që kishin blerë. Ndërkohë për punë e sjellje të mirë edukatori merrte nga financa një sasi të vogël parash, 10 apo 20 lekë, dhe ia jepte fëmijës t’i shpenzonte, kur ai dilte me liridalje. Funksiononte gjithashtu edhe “Dhoma e izolimit”, ose ndryshe “Shkolla e Punës”.

Fëmijët që nuk silleshin mirë, bënin vjedhje apo grindeshin, me propozim të edukatorit dhe me urdhër të drejtorit, mbylleshin në “Shkollën e Punës”, një mjedis i vogël jashtë rrethimit. Atje qëndronte një polic që merrej me ta. Fëmijët nuk kishin të drejtë të shkonin paradite në punë e shkollë, ndërsa kohën e lirë dhe fjetjen e kalonin aty.

Qëndrimi në “Dhomën e izolimit” zgjaste një muaj. Gjatë ditës nuk merrnin kontakt me nxënës të tjerë, punonin në bujqësi e ktheheshin në dhomë. Çdo fëmijë kishte dosjen e tij personale.

“BODECI”, GARA PËR SJELLJE TË MIRË

Nxitja për sjellje të mirë ka qenë sistematike dhe në shumë forma e mënyra të ndryshme brenda shkollës. Garat midis kompanive ishin shumë efektive, edhe organizohej me sistem pikësh: Për veprime e nota të mira jepeshin pikë pozitive, kurse negative për veset, sjelljet e këqija, si pirja e duhanit, grindjet me njëri-tjetrin etj.

Një herë në javë, më pas një herë në dy-tre muaj, bëhej konkluzioni dhe kompania që kishte fituar më shumë pikë, përfitonte liridalje, ndërsa fëmija dërgohej me leje në familjen e tij. Kjo i stimulonte fëmijët të ndryshonin qëndrime. Një formë tjetër ishte “Bodeci”, një kënd i ngritur në shkollë, ku afishoheshin emra, karikatura me fëmijët që kishin bërë faje. Në Koloni kishte shërbim mjekësor sistematik, madje në raste epidemie, angazhimi ishte më i madh dhe fëmijët dërgoheshin për kurim në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Kishte takim me prindër, një herë në javë, kur kishte probleme, dhe familjarët duhej të ishin të pranishëm në takim. Për familjet e fëmijëve të varfër kishte financim një ndihmë financiare nga shkolla.

TEMAT POLITIKE, TË NDALUARA

Sipas programit të hartuar në shkollë, nuk kishte lëndë muzikore, ndërsa nuk bëhej fjalë për orë me tema të karakterit politik. Për të tilla ku përfshiheshin fjalimet e udhëheqësit, kongreset, çështjet dhe situatat e tensionuara politike të kohës, nuk kishte interes për nxënësit dhe ora e dukatës morale nuk ekzistonte. Programi orientonte vetëm punë, mësim dhe aktivitete sportive, pa ngarkesa politike.

Ndërkohë, nga vetë drejtoria e shkollës, organizoheshin anketa lidhur me vlerësimet që nxënësit kishin për edukatorët, mësuesit, për profesionet, me kushtin që drejtoria do t’i mbante të fshehur emrin e tij. Jo në pak raste, shkolla vizitohej në mënyrë surprizë nga zyrtarë të lartë të shtetit, si Shehu, Hazbiu, që tregonin interes dhe kujdes për shkollën.

SPORTI, SHUMË I DASHUR PËR FËMIJËT

Në Gramsh, dhe pas ardhjes në Tiranë, sportet e preferuara kanë qenë boksi, mundja dhe peshëngritja. Një punë kolosale bënte Myftar Marku i fizkulturës me fëmijët e apasionuar pas këtyre sporteve; organizonte kampionatin e mundjes në palestrën e shkollës. Nuk mungonin as në kampionatet e moshave, madje ka nxjerrë edhe kampionë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, me klubin e “Dinamos”.

Sportistëve u jepnin leje të shkonin në stërvitje e të riktheheshin në kamp. Por, për fëmijët e kolonisë, pas transferimit në Tiranë, futbolli ishte ai që i tërhiqte më shumë, më pak basketbolli e volejbolli, edhe pse kishin fusha në mjedisin shkollor. Ata krijuan edhe skuadrën e futbollit dhe në rastet kur luanin në fushën e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, ajo mbushej me spektatorë.

Por edhe sfidat edukatorë-nxënës brenda shkollës, me porta të vogla, ishin spektakolare dhe me rivalitet. Në periudhë vere fëmijët dërgoheshin për pushime në Golem, apo në malin e Dajtit.

KËSHILLI EDUKATIV DHE VENDIMI I KM

Në shkollë funksiononte Këshilli Edukativ Mësimor, ku bënin pjesë edukatorët, mësuesit dhe mjeshtërit. Edukatorët propozonin para se të mbaronte viti se cilët fëmijë mund të liroheshin nga kjo kompani dhe ishte përfaqësia që vendoste. Bëhej lista me fëmijët që plotësonin kriteret për lirim, e cila dërgohej në Drejtorinë e Policisë. Pastaj, kjo u përcillej rretheve, ku shkonin edhe fëmijët me zanatet që kishin fituar.

Zyra e Punës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, sipas një VKM-je, duhej detyrimisht t’i sistemonte në punë, edhe sikur të mos kishin vende në organikë. Pasi mbaronin shkollën, fëmijët mund të mos e deklaronin apo të thoshin se kishin qenë në Shkollën e Edukimit (nuk ishte kusht), kur fillonin punë shoqëroheshin me dokumentin e kategorisë së punës që kishin marrë.

Pasi dilnin në jetë, mësues e edukatorë shkonin dhe i ndiqnin ku jetonin dhe si punonin, duke parë konkretisht rezultatet e pasriedukimit.

FUNDI SI NË FILMIN “NA ISHTE NJË HERË SHKOLLA E VAGABONDËVE”

I tillë ka qenë, një fund pa fund, duke mos lënë asnjë shenjë e gjurmë, kur Shkolla e Riedukimit u mbyll në vitin 1990, duke ulur siparin për të mos e ngritur kurrë më. Në periudhën pas viteve ’90, ajo u transferua në Shëngjin, në një repart ushtarak, por në pak kohë humbi gjithçka.

Kontingjenti i fëmijëve nuk ishte më i seleksionuar, personeli edukues u largua dhe ajo nuk pati jetë. Nëse sot do të rikthehesh në Yzberisht, në vendin dhe sipërfaqen ku ajo ka qenë për gati 30 vjet, nuk do të gjesh asgjë. As ndërtesën njëkatëshe, por të tjera ndërtime moderne, ku janë vendosur prej vitesh FNSH dhe Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit. Ka mbetur rruga dikur nacionale, ndonëse e dëmtuar, që të çon tek Ura e Beshirit, Ndroq, Pezë e Plepa.

Ndërsa Shkollën e Riedukimit nuk do ta gjesh më, pasi kështu e transformoi dhe e fshiu koha. Ta kujtosh në ditët e sotme një koloni edukimi që ka ekzistuar në Shqipëri, është njësoj sikur të flasësh për një film të njohur: “Na ishte një herë…… Shkolla e Vagabondëve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura