Historia e rrallë, Zylfi Tola: Si më zgjodhi piktori për “Delegatin”! Pas më shumë se gjysmë shekulli rrëfehet kuksiani që pozoi për Zajmin

Mar 4, 2021 | 22:19
SHPËRNDAJE

Në një rrëfim unikal, të jashtëzakonshëm, Zylfi Tola, sot 84-vjeçar, ish-mësuesi i letërsisë, sot në pension në Kukës, ku jeton prej vitesh, pas më shumë se një gjysmë shekulli kujton si u realizua “Delegati”.

zylfi tola-kukes

“Ka qenë viti 1956, isha 20 vjeç, punoja si mësues në Buzmadhe, Kukës dhe në Tiranë kisha ardhur si delegat në një kongres. Ishte shkrimtari i njohur Petro Marko ai që i foli piktorit Zajmi për mua”, thotë Tola për “Panorama”. Si e ruan tablonë e marrë nga një faqe e revistës “Ylli” dhe çasti kur piktori e morri në studion e tij, orët e qëndrimi dhe biseda me artistin gjatë kohës që ai punonte?

Zoti Tola, si u ndodhët në Tiranë?

Unë kam lindur më 11 mars 1937, në Buzmadhe të Kukësit. Në shtator të vitit 1956 në Tiranë u mbajt Kongresi i Miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Së bashku me 20 delegatë të Kukësit u zgjodha edhe unë. Kongresi u bënte jehonë të madhe marrëdhënieve të shkëlqyera, sukseseve dhe ndihmës së Bashkimit Sovjetik.

Ju kujtohet veshja, çfarë kostumi kishit?

Isha i veshur me rroba kombëtare, tirq, kapo-rane, brez, xhamadan, opinga, kapuç, të rrafshëta, tamam kostum i krahinës së Lumës. Në kongres, në emër të delegacionit të Kukësit fola edhe unë. Fjalimin e kisha përgatitur me shkrim, lexuar disa herë më parë. Në radhën ku qëndroja, afër meje qenë edhe dy vajza nga Dropulli, të bukura e simpatike. Më erdhi radha dhe ai që drejtonte seancën tha se fjalën e ka delegati i Kukësit Zylfi Tola. Fola qartë, shkurt, në një gjuhë letrare. Duartrokitjet qenë më shumë se të asnjë diskutuesi tjetër. Kur erdha pranë karriges time, kuksianët më dhanë dorën, më përshëndetën, ndërsa dy vajzat dropullite, veç dorës, më përqafuan përzemërsisht.

Si u njohët me piktorin Nexhemdin Zajmi?

Gjatë një pushimi, më afrohet një burrë, më veçoi, duke u prezantuar: “Më ka folur Petro Marko për ju. Dëshiroj t’ju bëj një portret, më pëlqen në veçanti kostumi shumë i bukur i juaji”. Nuk e kundërshtova. Nuk e kisha takuar asnjëherë më parë, ndonëse emrin ia kisha dëgjuar, pasi ishte i njohur. Unë kisha mbaruar shkollën pedagogjike në vitin 1954 në Tiranë dhe mësues kujdestar e të letërsisë kam pasur shkrimtarin Petro Marko. Kur erdha në Tiranë e takova. Ishte ai që i kishte folur piktorit për mua.

Biseda e parë, çfarë kujtoni?

Kur Kongresi mbaroi, pas drekës Zajmi më kishte lënë orën dhe vendin, ku edhe u takuam. Ishte pasdite. Nisemi së bashku, krah për krah, në anën e majtë të Lanës, duke më treguar se banonte andej nga lagjja “Ali Demi”, ku ai kishte shtëpinë, bashkë me studion. Gjatë rrugës më pyeste në detaje për jetën time. Nga isha, krahinën, fshatin, ç’njerëz kisha në shtëpi, për prindërit, gjendjen ekonomike, me çfarë merreshin banorët vendas, kushtet e jetesës. Veç të tjerash, i thashë se jam nga katundi Buzmadhe i Kalasë së Dodës. Por ai ishte larguar i vogël, pak e njihte zonën.

Kishte interes të tij për jetën tuaj, apo jo?

Duke ecur, me marifet piktori më pyeti nëse isha i fejuar apo njihja ndonjë vajzë. Nuk ia fsheha. “Jo”, – iu përgjigja, – “por dashuroj një vajzë, kam lidhje me një cucë nga anët tona dhe pikërisht nga Bicaj. Kemi mbaruar shkollën së bashku”. “Sa bukur”, – më tha, – “se i njeh zakonet, se një tjetri nga zona të tjera i duhet kohë të ambientohet. Kuptohet që edhe e dashuruake, tani ju pret e ardhmja që e keni në dorë vetë juve”. Mandej Zajmi, duke qeshur, shtoi: “Arusha e vendit di të përshtatet atje ku jeton, është e sigurt, njeh pyjet, malet, apo jo?”.

Ndodheni në studion e tij, nis puna?

Pas gati një orë, por edhe duke u ndalur e biseduar arrijmë te shtëpia e piktorit. Me sa mbaj mend, një shtëpi e madhe dhe me një avllie rrethuar gjithandej. Futemi në studio. Aty ku do të ulesha unë, ishte një portret i bukur i një malësoreje me kallinj gruri në krah. E hoqi me ngadalë, e sistemoi në një vend tjetër. Pasi më rregulloi flokët qisen (kapelen), xhamadanin dhe kaparanen, më vendosi në një minder të madh, jo karrige, ku kishte mjaft dritë. Kur gjithçka e kishte gati, pa përmendur këtu arsenalin e ngjyrave dhe penelave, nisi punën me shumë dëshirë, fillimisht me një skicë, pastaj me penela hodhi në telajo, duke e plotësuar portretin me ngjyra. Punonte, ndalonte, largohej, afrohej. Cigaren nuk e ndante. Një herë e ktheu pozicionin tim nga perëndimi, e ndaloi punën për disa çaste, nuk vazhdoi pikturimin, se mbi Tiranë kishte vranësira, siç më tregoi. Ishte i sjellshëm.

Ndonjë detaj që kujtoni?

“Çfarë mendon?”, më pyeste. I them: “Ato që do t’u tregoj malësorëve kur të kthehem”. E kuptonte se ndërsa qëndroja, ma lexonte se isha futur thellë në botën time. Vazhdoja të jetoja me kongresin. Tentonte, kërkonte të futej në botën time. Nga njëra anë pikturonte, nga ana tjetër dëgjonte historitë që i tregoja unë. Punonte, ulej më vështronte, gjente ndonjë pozicion me dritë të fytyrës sime. Gjatë kohës më solli një tas të vogël me qumësht. Pije pa merak më tha, se e marr në fshat, në Ndroq. Veç të tjerash, nuk harroj edhe sot aty pranë kishte edhe pak kripë e sheqer për të zgjedhur njërën prej tyre. Atë mesditë qëndrova mbi tri orë.

Dhe vjen fundi, ndarja me artistin dhe “Delegatin”.

Ditën e dytë, po pasdite, në një çast më thotë: “Zylfi, me ju kam mbaruar. Disa detaje të vogla më kanë mbetur”. Ishte gati mbrëmje. Më luti të qëndroja për darkë, bile më shumë se sa e kanë zakon malësorët. Unë kisha dajën, ato më prisnin se u kisha dhënë fjalën, kështu më shoqëroi, deri jashtë shtëpisë. Aty më tha, duke më premtuar se titullin do t’ia vinte “Delegati” dhe nëse vërtet isha i kënaqur. Edhe unë shpreha miratimin e plotë, e aprovova me gjithë shpirt dhe zemër. Më dha dorën, më përqafoi duke më uruar rrugë të mbarë për në Lumë.

Çfarë përshtypjeje ju la në atë kohë qëndrimi me të?

Te Nexhemdin Zajmi, edhe pse kohë e shkurtër, zbulova shpirtin e tij artistik, sa energjik, aq i qetë, i matur. Kur fliste, sytë i ndrisnin si të lyer me ar, trup mesatar, por edhe shumë i shkathët. Them se atëherë ai do të ishte rreth 40 vjeç, por me lëvizjet, shprehjet, ecjet, tregohej shumë më i ri sesa ishte në të vërtetë. Një njeri, por edhe një piktor, artist i shquar, kam pasur fatin t’i pozoj, të jem një ndër personazhet e tij. Një ndër piktorët e mëdhenj të një plejade me vlera të mëdha artistike, njerëzore, që ka pasur Shqipëria, ndonëse u përkasin shekullit të kaluar.

Zoti Zylfi, ku përfundoi portreti “Delegati?

Portreti “Delegati”, pas disa kohësh, siç më lajmëronte mësuesi im Petro Marko, ishte vendosur në Galerinë e Arteve në një vend të dukshëm dhe kryesor. Pastaj unë, një kopje të “Delegati”-t e gjeta në faqet e revistës “Ylli”, që e ruaj edhe sot.

A keni takuar më vonë Zajmin?

Vetëm një herë, pas disa vitesh, te Pazari i Vjetër u shkëmbyem, ai nuk më pa. Unë ndala, i them Nexhmedinit: “Jeni ju”. Ai më pa, m’u përgjigj: “Ju mos jeni ‘Delegati’ im?”. U përqafuam, më ftoi për një kafe, por unë isha i shoqëruar. Ndërkohë unë kisha fituar një konkurs për aktor dhe do të nisesha në Moskë. Zajmi më uroi të bëhesha një aktor i madh. Por nuk shkova. Pengesë u bë e fejuara. Nëse ikja, do të ndaheshim dhe mund të mbetej e pamartuar për gjithë jetën

Keni pasur njohje me Petro Markon, keni qenë një mik i tij?

Në vitin shkollor 1953-‘54 isha në shkollën pedagogjike në Tiranë. Lëndën e letërsisë na e jepte shkrimtari Petro Marko dhe ne ishim të lumtur që këtë lëndë na e jepte një figurë e njohur e letrave shqipe. Njëkohësisht ai ishte dhe mësuesi kujdestar. Ora e letërsisë pritej me shumë interes, jo vetëm në klasën tonë, por në të gjitha klasat ku jepte mësim profesor Petro. Fliste bukur për personazhet, ngjarjet, heronjtë. Për Migjenin dhe jetën e tij, për atë poet, i qante shpirti edhe si një moshatar. Unë me profesor Markon nuk i shkëputa lidhjet edhe pas mbarimit të shkollës. Herë pas here shkoja te shtëpia e tij që e kishte në fund të bulevardit të madh. E takoja bashkë me Safon, gruan, djalin Jamarbër dhe vajzën. U interesua për fejesën, dasmën me Hasijen, gruan time, edhe ajo nxënëse e mësuesit tonë. Ai kishte shumë miqësi me Nexhmedin Zajmin dhe ishte ai që i sugjeroi piktorit të më zgjidhte për idenë e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura