Historia e rrallë/ “Po në Shqipëri do ta puthnit kështu një vajzë?”- Rrëfimi i emigrantit Mërkur Leka që fitoi 10 milionë lireta në “La ruota della fortuna”

Feb 25, 2021 | 21:15
SHPËRNDAJE

Mërkur Leka99

UVIL ZAJMI

Kjo është historia e rrallë e Mërkur Lekës, shqiptarit të parë që konkurroi në një emision, nga më të spikaturit televizivë të kohës, në “Kanalin 5” të “Mediaset”, “La ruota della Fortuna”, që drejtohej nga Maik Bonxhorno (Mike Bongiorno), një ndër moderatorët, prezantuesit më të famshëm, një legjendë e ekranit, jo vetëm në Itali e botë, por shumë i njohur edhe në Shqipëri. Në një rrëfim emocionues për “Panorama”, Leka, sot pas 25 vitesh, i rikthehet asaj pjesëmarrjeje.

Nga ideja, kërkesa për konkurrim dhe befasia kur një i huaj, djalë simpatik, inteligjent nga Shqipëria befasoi njeriun e së famshmes “Alegria, Alegria” me përgjigjet e tij. Nga bisedat pas kuintave me Bonxhornon, njohja që kishte ai për Shqipërinë, nisur nga mbiemri i tij si ‘Mirdita’, që mori famë në emisionin “Rischia Tutto” gjysmë shekulli më parë, te Bashkim Kruja, një ish-shok gjimnazi në Itali. “Ka qenë fat pasi nuk të qëllon shpesh, madje të gjithë e kishin ëndërr ta takonin e qëndronin me njeriun televiziv të tri gjeneratave, mbi 60 vite në ekran, më shumë se kushdo tjetër në botën televizive. Aq popullor e i dashur ishte Bonxhorno.

Për mua ishte surprizë, mendoni isha vetëm 31 vjeç, as dy vite në Itali, i kam ende të gjalla, konkurrimin, emocionet, gjithçka”, thotë Leka për gazetën, duke qenë edhe i pari i huaj fitues në “La ruota della fortuna”. “Një sfidë e dyfishtë, jo thjesht nga fati, por edhe çështje njohurish e për më tepër në gjuhë të huaj, nuk ishte e lehtë”, shprehet Leka, sot një administrator në një ndërmarrje të suksesshme në industrinë ushqimore në Tiranë.

Jeni përballë Bonxhornos, çfarë dinit për jetën e tij?

Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, kështu e kishte emrin e plotë dhe këtë e mësova gjatë qëndrimit me të. Me baba amerikan dhe nënë italiane, i larguar në vogëli nga Nju Jorku, kishte jetuar thellësisht ndarjen e prindërve. Pastaj ardhja në Itali, burgimi, pasioni për sportin si atlet dhe fillimet si gazetar sportiv. Me mua i tregua i kujdesshëm, ‘pasi më kujton fëmijërinë, emigrimin’, më thoshte.

Në librin autobiografik, “La versione Mike”, ai flet edhe për Shqipërinë…

Sapo i thanë nga jam, më shpjegoi se për Shqipërinë kishte dëgjuar nga xhaxhai i tij, një gjeneral i kohë së luftës që njihte mjaft mirë disa shtete, në veçanti Shqipërinë, për të cilën ai fliste me simpati. Pastaj më tregoi se në gjimnaz pati njohur një shok shqiptar, Bashkim Kruja quhej, të cilin në vitet që vijuan nuk e kishte takuar më. Më pas edhe unë u interesova, por nuk munda të marr asnjë informacion për këtë person.

Po për Rischia Tutto-n?

Flitet për emisionin e famshëm të tij, “Riscchia Tutto”, që në vitet ‘70 ka qenë shumë i ndjekur edhe në Shqipëri. Unë kam qenë 9 vjeç, bashkë me fisin e shikonim rregullisht. Ai mori famë te ne edhe për shprehjen e njohur të tij se “ekziston një krahinë në një vend të botës që kishte lidhje me mbiemrin e tij”.

E keni fjalën për Mirditën shqiptare?

Kur ia risolla në kujtesë, ai më tregoi se në një ndër emisionet e “Riscchia Tutto”, ai iu drejtua njërit konkurrent me një pyetjen në fushën e gjeografisë, se “në ç’vend të botës ndodhet një krahinë që ka si emër mbiemrin tim”?

Dhe, si ishte përgjigjja?

Konkurrenti në fjalë ka qenë Masimo Inardi, mjek, i famshëm për saktësinë e përgjigjeve, shumë herë fitues, njohës i jashtëzakonshëm i muzikës. Pasi u mendua, tha se kjo zonë quhet Mirdita dhe është në Shqipëri. Unë e kisha në letër përgjigjen, i sigurt që ai nuk e gjente dhe u befasova nga përgjigjja e tij, më tregoi Majku.

Kthehemi te “La ruota …”?

merkuri

Bonxhorno më informoi se ishte një emision amerikan, “The Wheel of Fortune”, që me propozim, idenë e tij dhe mbështetjen e Berluskonit e kishin eksperimentuar të moderuar në Itali. E drejtonte ai menjëherë pasi kishte nisur punë në “Mediaset”. Në vitet ‘92, ‘93, ‘94 dhe ‘95 vlerësohej si më i miri për kuicet. Më vonë kam lexuar se ka qenë emisioni me jetëgjatësinë më të madhe televizive në Itali për kuicet, nga viti 1989 deri më 2003 kur u mbyll, mbi tre mijë transmisione, mbi 8 milionë shikues çdo mbrëmje, nga ora 19:00-20:00.

Sa njohuri kishit për kuicet?

Isha rritur me kuicet e “Rai”-t, në radio dhe televizion, pasi ai italian ka qenë i rëndësishëm për ne. Pastaj dashuria për gjuhët e huaja nga babai, linguist, përkthyes i njohur në Shqipëri, ishin një nxitje gjithmonë e më e madhe dhe që na jepte mjaft njohuri.

Një shqiptar në “La ruota…”, e kishit menduar ndonjëherë, si lindi ideja?

Asnjëherë më parë. Zakonisht në shtëpi, në Bolonja, çdo mbrëmje kur kthehesha nga puna ndiqja “La ruota…” pasi fillonte në orën 7:00. Konstatoja se një pjesë të mirë të frazave i gjeja pa dalë ende përgjigjja e plotë. Kjo më joshi, më tundoi të konkurroja edhe unë.

Dhe vjen kërkesa juaj?

Kur e mbyllte zakonisht Majk, i ftonte admiruesit të merrnin pjesë në “La ruiota…”. Mjaftonte një kërkesë shoqëruar me një foto. U ula e shkrova dhe a nisa redaksisë, sigurisht jo shumë seriozisht. Pas dy muajve më vjen përgjigjja, se duhet të paraqitesha në “Mediaset”, në “Cologno Monzese”, Milano, për seleksionim.

Dhe jeni para jurisë?

Ka qenë tetor 1994. Ishte një noter, ai i emisionit, që të bënte pyetje se çfarë informacioni, njohuri ke në përgjithësi, thjesht për të parë botën tënde. Isha bashkë me 4,5 të rinj të tjerë. Nuk të thoshin nëse ke fituar apo jo. Vetëm kur u ktheva nga Krishtlindjet, që i bëra në Tiranë, në shtëpi gjej një zarf dhe ftesën për pjesëmarrje në emision.

Vjen konkurrimi, jeni me fat?

Ka qenë janar, flija te vëllai në Komo dhe shkoja në Milano. Pata fatin që në ditën e parë të konkurrimit të mos ndeshem me kampionin më të madh të “La Ruota..”, pasi ishte si kriter, që pasi kishe fituar pesë herë dilje nga gara. Atë ditë kisha në krah dy vajza studente të gjuhës italiane dhe espanike. Koha për t’u përgjigjur pasi rrotulloje rrotën dhe kërkoje germën ishte vetëm 5 sekonda. Kam konkurruar në tri emisione, më 27, 28 shkurt dhe 1 mars të vitit 1995.

Prezantimi, fjalët e para ju vijnë ndër mend?

Afërsisht, kur Bonxhorno iu drejtua teleshikuesve me fjalët: Zotërinj, si konkurrent kemi një djalë simpatik të huaj, njeh mjaft mirë gjuhën tonë italiane, shprehjet tona. Kaq e vërtetë është, sa ai arrin t’u japë gjetje gati të gjitha frazave që i kemi paraqitur. Një i ri që është për t’u vlerësuar.

Emocion i madh?

Shumë, veçanërisht kur tha: Quhet Mërkur, një emër i veçantë, asnjëherë i dëgjuar. Mërkur Leka, nga vjen? Vij nga Tirana, Shqipëria, dhe kam dy vite që jam në Itali ku edhe punoj. Mërkur, një emër i perëndive, i them.

Dhe vijon interesim nga Bonxhorno?

Kujtoj se u shpreh që më “intereson ky fakt, sepse janë shumë shqiptarë, miliona ndoshta, që kanë ardhur në Itali duke kaluar detin Adriatik. Ju si keni ardhur? Kam qenë pak më i privilegjuar, pasi kam ardhur me fletë pune, i përgjigjem.

Fillimisht më dukej vetja i rezervuar me ato konkurrente dhe gjykova të paktën të bëj një figurë të mirë. U befasova kur Majk e hapi telekuicin ndërsa tha: E atëherë le të nisim garën, jeni ju Mërkur. Pasi rrotullova rrotën, si fillim zgjodha germa “S” si Savona e përforcova, pastaj vijova me “L” si Livorno, “N” si Napoli, duhet të gjeja lidhjen e plotë të shprehjes “Nell Tibet, villaggi di sherpa e mandrie di yak”. Italianët nuk e kanë germën “Sh”, që mua më ndihmoi dhe bëhej fjalë për fjalën “Sherpa”. Pasi u përgjigja saktë, u çlirova dhe mendova se edhe mund të fitoja.

Ndonjë detaj tjetër të veçantë?

Para emisionit ishte një person, Damiano quhej, mbiemrin nuk e mbaj mend. Detyra e tij ishte të elektrizonte studion, duke treguar barsoleta, një personazh që krijonte atmosferë të gëzueshme, të nxehtë para se të niste programi. Ndërsa Bonxhorno përdorte një si çekiç simbolik të vogël, ishte pjesë e emisionit, për të goditur konkurrentin kur ai gabonte, një veprim që shoqërohej nga publiku me një “aj, aj”, shprehje e njohur e Bonxhornos.

Bonxhorno ju kujton edhe nënën tuaj?

Ai ishte i paparashikueshëm. Në një çast, për të më ndryshuar edhe gjendjen emocionale, më thotë: “Mërkur, përse nuk i bën një përshëndetje nënës tendë në Tiranë?”. “Po,-i them unë me kënaqësi dhe, -Mama të përshëndes”. Çfarë është kjo shprehje më pyet, që edhe vetë ai pati vështirësi kur e shqiptoi? Të “përshëndes” do të thotë “saluti”, ia shpjegova, pas së cilës në studio pati duartrokitje.

Kujtoni njërën nga pyetjet?

Kujtoj disa, por do të veçoja “Sono sette” (Janë shtatë). Një shprehje e urtë që duhet ta keni edhe në Shqipëri, më thotë Bonxhorno. Bëhej fjalë për shtatë netët, shtatë virtytet, shtatë ngjyrat dhe shtatë mrekullitë e botës.

Dhe ajo që ju ka lënë shije të hidhur?

Të tre konkurrentët kishim mbetur te një germë. Radha më erdhi mua. Një shprehje e vështirë e gjatë dhe unë e lexova “dermatoglifi”, por e shqiptova gabim pasi duhej “dermatoljifi”. Vetëm për atë gabim nuk fitova 7 milionë lireta. E gjeti konkurrenti pas meje.

Po ajo me Edith Piaf?

Ishte një frazë, me “zërin apo fytin si bilbili” që unë nuk e gjeta.

Germa “A”, pastaj “T”?

Sa herë që kërkoja germën “A”, ndërhynte Bonxhorno, “A” si Albania sqaronte. Po kështu për germën “T”, ai konfirmonte “T” si Tirana. Më shoqëronte dhe kisha një ndjesi të çuditshme për këto dy germa, “A” dhe “T” që i kërkoja vazhdimisht, sidomos Tirana.

Cilat ishin “valetat” shoqëruese të emisionit?

Kur unë konkurrova, ishte Paola Barale, me të cilin Bonxhorno kishte mbi 7 vite që punonte, nga 1989. Pas saj, shoqëruese te “La Rutoa…” kanë qenë edhe Antonela Elia, Mirian Trevisa, të gjitha të bukura, elegante, që u bënë më pas të famshme. Ato visheshin nga gruaja e Majkut.

Më thatë se Barales i kërkuat një puthje?

Ditën e tretë të konkurrimit, në mbyllje të emisionit, kur ajo më ofroi një dhuratë, i kërkova që ta puthja. Sigurisht nuk refuzoi, pasi ishte një ritual normal. Por Bonxhorno pa hezituar më pyet: “Po në Shqipëri do ta puthnit kështu një vajzë? Do të kishte xhelozi? Keni vajza të bukura, më shumë bionde apo brune?

“Dominojnë ato brune, sigurisht që ka edhe bionde”, iu përgjigja.

Bonxhorno ju përcakton si një kampion i “La Ruota….”?

Kështu më vlerësoi ai. Madje, shtoi se si një kampion i ri, me siguri do ta dërgoja këtë trofe në Shqipërinë e tij. Pastaj më pyeti ku jetoja, isha i fejuar apo jo? Në Bolonjë banoj, punoj dhe jam i lirë, i them me humor.

Keni qenë shqiptari i parë në një konkurrim të tillë italian televiziv?

Edhe mundet. Konkurrimi në “La ruota della fortuna” ka qenë dhe mbetet i veçantë për mua, jo vetëm si i pari i huaj fitues, sigurisht çastet e kuicit, por edhe bisedat shumë miqësore pas kuintave me Bonxhornon, stafin etj. Majk ishte njeri me kulturë të madhe, njohës i shumë fushave, tejet njerëzor, çdo informacion që merrte e arkivonte në memorie.

Ju ndiqnin në familje?

Duke qenë se emisioni ishte i regjistruar një muaj përpara, unë i njoftova familjarët, të cilët ishin angazhuar në Tiranë me në krye vëllain e madh, sigurisht edhe prindërit. Ai u transmetua në fund të shkurtit në tri ditë. Por, edhe në Itali më kanë ndjekur miq, shokë, të afërm. Me të gjitha komunikoja pas mbylljes së emisionit.

Sa ishte shuma që fituat?

Sigurisht, ajo ishte publike. Fitova 10 milionë e 800 mije lireta. Kujtoj se Bonxhorno më pyeti si quhet monedha shqiptare. “Lek”, i them unë. Qenka i përafërt me mbiemrin tënd, më thotë ai. Pastaj duke vijuar shtoi: Çfarë do të bëni me paratë e fituara?

Keni ndonjë peng të fshehur?

Kur i shikoja më vonë, ditën që emisioni jepej në televizor, mërzitesha, pasi për gabime, pasaktësi të vogla në përgjigjet e mia, kam humbur rreth 30 milionë lireta.

“La Ruota…” mbetet një aventurë e bukur?

Sigurisht, madje kështu e mbylli Bonxhorno konkurrimin tim kur u shpreh se “kjo aventurë e bukur e mikut tonë Mërkur mbyllet këtu”. Nga ai emision kam ruajtur disa foto, pak momente filmike dhe tri monedha floriri që të jepnin, njërën prej të cilave ia kam dhuruar mbesës sime, Eda, dhe një tjetër familjes ku jetoja në Bolonja. Të tjerat i shkëmbeva në lireta.

Ka një kuriozitet: Si ju te “La ruota…”, edhe Mateo Renci?

Edhe ish-Kryeministri italian, Mateo Renci, ka qenë pjesëmarrës, madje fitues në “La ruota..”, duke konkurruar një vit para meje, në janar të 1994, kur ishte 19 vjeç dhe pëlqente të bëhej arbitër futbolli. Ndryshe nga unë, ai fitoi 48 milionë lireta.

E keni takuar më vonë njeriun e së famshmes “Alegria, Alegria?

Jo asnjëherë. Ato tri emisione te “La ruota della fortuna” kanë qenë të parat dhe të fundit me Majk Bonxhornon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura