Historia e rrallë e partizanit nga Zhulati i Labërisë, që u dënua 15 vite/ Mori pjesë në tri luftëra dhe vdiq në burgun e Burrelit. Dokumenti: Në qeli se ka sharë regjimin

Jan 25, 2023 | 15:09
SHPËRNDAJE

ÇANO NORA

Ishte data 30 dhjetor i vitit ’52, kur oficeri i rojës i Burgut të Burrelit, në raportin ditor njoftonte eprorët se në mbrëmje kishte vdekur i dënuari Rrapo Pula.

cano nora

Përtej këtij lajmi zyrtari i Ministrisë së Brendshme, bënte me dije se kishte futur në qeli të dënuarin Petrit Velaj nga Vlora, i cili “kishte demonstruar sjellje të dënueshme ndaj komandës dhe grupit të shërbimit”.

Vetëm këto pak radhe gjenden në dokumentet e burgut për datën 30 dhjetor kur ndërroi jetë i dënuari Rrapo Pulo. Sakaq, historinë e çon më tej në ditarin e tij Petrit Velaj, i burgosuri që atë natë ka rebeluar fort për qëndrimin çnjerëzor të personelit të shërbimit ndaj të dënuarit që lëngonte e jepte shpirt.

“Na iku sot Rrapo Pula, një shok nga më të mirët, shkruan Petrit Velaj. U shua si qiriri burri nga Zhulati që u mbijetoi tri luftërave me dushmanin dhe dha shpirt në duart e xhahilëve pa shpirt këtu në burgun e Burrelit. Lëngoi i ziu për orë të tëra e u përvëlua nga temperatura e lartë. Kërkuam për të një aspirinë, një gotë ujë, po nuk na i vuri veshin njeri. Bërtitëm për doktorin, po kush na dëgjoi. Do vijë nesër në mëngjes, thoshte oficeri i rojës duke u tallur.

Atëherë humba durimin dhe shpërtheva në sharje e mallkime. Rrapua i gjorë u shua në duart e mia e unë përfundova në qeli. Ka qenë një natë e tmerrshme 30 dhjetori i ’52. Këtu i mbyll shënimet për Rrapo Pulën, i dënuari që ka bërë 38 vite në ferrin e burgjeve të komunizmit dhe ka vizituar Shtëpinë e Bardhë në vitin ’92, duke biseduar sy më sy me Bushin për 10 minuta.

BIRI I ZHULATIT QË ADHURONTE IDRIZ SULIN

Zhulati fshati me emër, fshati i Idris Sulit, autorit të Kanunit të Labërisë, atje ku mblidheshin burrat më në zë të jugut për të miratuar ligjet e kohës, ka nxjerrë në shekuj burra me emër.

rrapo pula

Kuvendet e Zhulatit ku lidhej besa dhe fjala e burrave në për kohëra. Pikërisht këtu, te rrapi i Agait, Papa Zhuli, shtatë shekuj më parë bënte mbledhjet me vlera të mëdha historike jo vetëm për krahinën e Labërisë, por edhe më gjerë. Te ky rrap më vonë u certifikua Kanuni i Idris Sulit.

Zhulati ka qenë postblloku, ku miqve dhe atyre që vinin për të mirë u hapte derën dhe u thoshte mirëserdhët, ndërsa armiqve dhe atyre që vinin për keq ua vinte kufirin tek thana. Në qendër të fshatit është ngritur një monument që përjetëson figurën e Idris Sulit, punuar me mjeshtëri nga skulptori Murrat Kërraj, banor i këtij fshati.

Dhe vijnë këtu pa pushim turistë nga vendi dhe të huaj për t’u njohur me figurën legjendare të autorit të Kanunit lab, me trimëritë dhe bëmat e të parëve të tyre, me vuajtjet, me sakrificat, me ëndrrat e dëshirat për të pasur të gjithë bashkë një vend të lirë e të gëzuar.

Dita ditës vijnë këtu njerëz pambarim për t’u njohur më bëmat e këtij fshati, me bijtë e tij në kohëra, që mbajtën në supe sfida të jashtëzakonshme.

Ky është Zhulati, i cili sot ka të drejtë të krenohet me Idris Sulin dhe bijtë e tjerë që bënë me të vërtetë histori. Njeri ndër ta ishte edhe Rapo Pula. Nëse nuk njeh të shkuarën, nëse nuk di nga ke ardhur, nuk mund të ecësh përpara. Këtë thënie të mençur e kujtonte shpesh Rapua nga Zhulati.

Monumenti i Idriz Sulit në Zhulat
Monumenti i Idriz Sulit në Zhulat

Këto kujtoj dhe unë sot që shkruaj këto radhë për njerëzit e bedenave, për të parët e tyre, të cilët mbuluan me lavdi këto troje. Po kush ishte Rapo Pula, emri i të cilit dhe sot e kësaj dite përmendet me mirënjohje e respekt jo vetëm në fshatin e tij, por në tërë krahinën? Një burrë i thjeshtë, por që i jehonte fjala dhe pushka në këto anë.

Për të nuk harrojnë të të përmendin faktin se ishte pjesëmarrës në tri luftëra. Ai jo vetëm që mori pjesë në to, por mbeti në sytë dhe në zemrat e atyre që donin demokraci, donin një jetë ndryshe.

Kanë shkruar për të, për lidhjet me bashkëfshatarët e tjerë, për bashkimin, për luftën e për punën, që kurrë s’u kishte shkuar ndërmend të largoheshin nga vendi ku i lindi, se këtu dhe vetëm këtu u peshonte më shumë fjala dhe puna.

KUJTIMET E NIPIT TË RRAPO PULËS NGA SHBA

Monumenti i Idriz Sulit në Zhulat
Monumenti i Idriz Sulit në Zhulat

Ishte viti 1948. Rapo Pula mori pjesë aktivisht në luftën kundër andartëve grekë kur sulmuan Shqipërinë e Jugut. Që në fillim, ushtria greke sulmoi Sarandën, elvinën, Gjirokastrën dhe veçanërisht labërinë.

Ja çfarë kujton nipi i Rapos, Dule Pula, në SHBA: “Lebërit u hodhën në luftë në dy fronte. Fronti i parë, Qafa e Skërficës, Galisht, bregdet. Fronti i dytë, Shtëpëz, Kolonjë, Golem e deri në Fterë dhe në Borsh. Rapua dhe burrat e tjerë zhulaqot luftonin në frontin e dytë.

Lufta ishte e pabarabartë. Greku ishte i armatosur gjer në dhëmbë, por ata i stepi trimëria e luftëtarëve nga Labëria, ideali dhe dashuria e tyre për të mbrojtur vatanin. Aty ra në sy trimëria e pashoqe e birit të Zhulatit, Rrapo Pula.

Luftë ishte dhe në luftë nuk priste puna. Duhej të lije ca gjëra mënjanë, shmangien nga fronti për të shkuar atje ku ishte më lehtë, por ai dhe të tjerët këtë as e shkuan ndërmend ndonjëherë.

Sidoqoftë, lufta e Rrapo Pulës nuk do ndalej këtu, por do vazhdonte më tej, se ai s’ndenji këmbëkryq, por deri në fund mendoi e veproi si atdhetar, pa menduar më rehatinë dhe interesin personal. Madje, edhe në burg, ka mbajtur një qëndrim burrëror.

Nga betejat e luftës në qelitë e Burrelit

Rikthimi në strehën në Zhulat pas tri luftërave të përgjakshme, ku mendonte se më në fund do të rehatohej në liri, solli zhgënjimin e madh për Rrapo Pulën. Liria aq shumë e ëndërruar jo vetëm nuk po shfaqej, por zhvillimet e reja po i ngushtonin më shumë frymëmarrjen. E ai burri i pafrikësuar kurrë, që nuk kurseu asgjë për lirinë e këtyre trojeve, nuk mund të rrinte pa u shprehur përpara këtij realiteti.

Jo, unë nuk jam me një regjim që shkel mbi njerëzit, qoftë edhe politikisht, shpërtheu Rrapo qysh ditët e para pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit ’45. Fitimtarët nuk kanë pse poshtërojnë pjesën tjetër, ca më tepër masat e gjera. Gjeneralët të marrin yjet dhe dekoratat, po nuk kanë pse shpërfillin të tjerët. Ky ishte rebelimi i Rrapo Pulës që e vuri në sy të ciklonit.

Ai ndihej i indinjuar që me përfundimin e luftës, nuk erdhën ato që premtuan protagonistët e kohës. Kjo revoltë e tij nuk kishte si t’i shpëtonte syrit të vigjilentëve, të cilët do bënin punën e tyre gjithë zell, e sakaq, ai burrë i pathyeshëm në dhjetëra rrebeshe e beteja, do përfundonte në ferrin e Burrelit.

Nga ato që bën me dije në kujtimet e tij Petrit Velaj, bashkëvuajtësi nga Vlora, Rrapo Pula, ishte një nga qëndrestarët e qelive të Burrelit. Kam biseduar me të dhjetëra herë, kujton ai, Rrapo më tregonte se bashkë me shokët e tij kishte luftuar për lirinë, por ishte ndjerë i tradhtuar kur e kishin kryqëzuar si tradhtar e armik i popullit. E kishte prekur për herë të parë padrejtësinë e regjimit, siç tregonte pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit ’45. Mbaj mend ndër të tjera, shprehet në kujtimet e veta Velaj, emrat e tre miqve që donte me shpirt Rrapo. Të tre ishin nga Zhulati, njëri ish-deputet i Parlamentit të Zogut, tjetri kryeplak i Zhulatit dhe vëllami që i kishin lidhur plagët njeri-tjetrit në një nga betejat me hordhitë greke.

Shkurt, i mbyll kujtimet bashkëvuajtësi i tij, Rrapo Pula ishte një zotni burrë, një copë stërralli që e kishin sjellë në Burrel nga gërxhet e Labërisë…. Rrapo Pula ishte një prej atyre që rrezikuan dhe jetën. Dhe për atë që bëri, nuk u bë pishman më kurrë. Ai me shokët e tjerë do vuanin dënimet, por do të dilte e fituar Shqipëria.

Do të fitonte. I bëri burgun si burrat. Vitet e para i bëri në burgun e Gjirokastrës, ndërsa pjesën tjetër vuajti dënimin në burgun e Burrelit. Atje vdiq dhe s’arriti që të vinte dhe ta shikonte për herë të fundit familjen, vendlindjen, shokët, këtu në Zhulat mes maleve të labërisë. U nda nga kjo jetë Rrapo Pula, njeriu me ëndrra të mëdha për ta parë Zhulatin dhe gjithë Shqipërinë, të bukur e të lirë.

Dokumenti: 15 vite burg, se ka sharë regjimin

AKT GJYKIM Në emër të popullit Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, e formuar prej Llazi Polenës Maksut Myrto dhe Llukan Vasili, në prezencë të prokurorit ushtarak Mustafa Beqo, sot më datën 21.12.1949, pasi shqyrtoi çështjen dha këtë vendim: I pandehuri Metush Boçi, i biri i Shaqos dhe i Zanos, vjeç 40, nga fshati zulat, bujk fshatar i mesëm, i martuar me gjashtë fëmijë, i pa dënuar, i arrestuar në 20 dhjetor 1949 deklarohet fajtor si organizator i grupit antipushtet dhe dënohet me vdekje pushkatim Petrit Metushi…, Telha Pula Murat Xeladinaj, i biri i Xheladinit dhe Bides, vjeç 49, banues në Vergo të Delvinës, me profesion gjeometër, fshatar i mesëm, i martuar pa fëmijë, i dënuar për aktivitet ballist, i arrestuar më 28. 11. 1948.

rrapo

Rrapo Meto Pula, i biri i Metos dhe i Nadijes, vjeç 55, lindur e banues në Zhulat, i padënuar më parë, arrestuar më 25.5.1949, deklarohet nga kjo Gjykatë fajtor për agjitacion kundër pushtetit popullor dhe për ndihmën që i ka dhënë këtij grupi dhe e dënon në bazë të nenit 4 të ligjit nr. 372 me 15 vjet privim lirie me punë të detyrueshme.

Deklaron fajtor të pandehurin Sylejman Muharrem Kullan për pjesëmarrjen e tij në këtë grup dhe për vjedhjen e Kooperativës së Vergojt dhe e dënon në bazë të nenit 4 datë 12.12.1946 për fajin e parë me 10 vjet privim lirie me punë të detyrueshme dhe për fajin e dytë me 4 vite privim lirie dhe punë të detyrueshme, por duke bërë bashkim të dënimit, në total dënohet me 12 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme. Deklaron fajtor të pandehurin Telha Rako Pula për pjesëmarrjen e tij në këtë grup dhe në bazë të nenit 4 e dënon me 8 vjet privim lirie dhe me punë të detyrueshme.

Deklaron fajtor të pandehurin Adif Harem Çuçin për pjesëmarrjen e tij në këtë grup dhe për vjedhjen e Kooperativës së Vergojt në bazë të nenit 4 e dënon me 6 vjet privim lirie dhe me punë të detyrueshme për fajin e parë dhe me 3 vite për fajin e dytë, por në bashkim e dënimit, përfundimisht dënohet me 8 vite privim lirie dhe punë të detyrueshme.

Gjithashtu gjykata vendosi dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të të gjithë të dënuarve pjesëtarë të këtij grupi. Për sa u përket të dënuarve me vdekje, ky vendim do të presë deri sat ë shprehet Gjykata e Lartë ushtarake.. Për sa u përket të dënuarve të tjerë, po në bazë të kësaj dispozite, lejohet rekursi e ankimit Brenda tetë ditëve nga data e sotme në Gjykatën e Lartë Ushtarake u shpall më 22.12.1949.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura