HISTORIA E PLOTE/ Si nisën përplasjet mes Lufit e Sulkut. Njohjet e italianit me vëllain e Mentorit, të vrarë në Holandë

May 29, 2015 | 22:25
SHPËRNDAJE

Përplasja e përgjakshme me armë zjarri e ndodhur pasditen e së mërkurës në kryeqytet duket se ka qenë akti i radhës i një konflikti apo hasmë- rie të nisur po në Tiranë muaj më parë. Më 19 dhjetor të vitit 2014, disa persona qëlluan me armë zjarri ndaj 39-vjeçarit Mentor Lufi në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.

Mentor Lufi (djathtas), Besnik Sulku (majtas)

Nga sulmi me armë në lokalin pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, mbeti i plagosur me dy plumba dhe mbërriti në spital në gjendje të rëndë Mentor Lufi, që njihej edhe me mbiemrin Doçi. Policia e Tiranës nuk arriti të identifikonte autorët e sulmit me armë në lokal, ku mbeti i plagosur 39-vjeçari.

Hetimi disa mujor i Prokurorisë për atentatin nuk dha rezultat, ndonëse burime të hetimit thonë se i dëmtuari nga ngjarja, Mentor Lufi, e kishte ditur se cilët ishin personat që shkrehën armët ndaj tij. Të paktën 39-vjeçari që doli nga spitali pas mjekimit për plagët e marra, duket se ka pasur dyshimet e tij se nga ku mund t’i ketë ardhur sulmi me armë në lokal.

“HAKMARRJE NË ROTERDAM”
Më 6 prill 2015, në Roterdam të Holandës, u ekzekutua me armë zjarri 33-vjeçari nga Shqipëria, Ilirjan Sulku. Policia holandeze u gjend para një ngjarjeje aq të vështirë për ta zbardhur sa u deshën nëntë ditë për identifikimin e viktimës. Shqiptari që u qëllua me plumb në kokë njihej edhe me emrat Durim Sula, Durim Sulku dhe Besnik Sulku.

Burime të Policisë së Shtetit kanë thënë dje se pikërisht viktima i atentatit të ndodhur në Holandë, pra shtetasi Ilirjan Sulku, ishte personi drejt të cilit kishte drejtuar gishtin Mentor Lufi. Pikërisht për këtë arsye, burimet nga grupi i hetimit thanë se vrasja e Ilirjan Sulkut në Roterdam të Holandës, më datën 6 prill 2015, dyshohet se ka qenë një akt hakmarrjeje. Ky veprim sipas hetuesve është kryer në shenjë shpagimi për plagosjen me dy plumba në trup të Mentor Lufit në Tiranë, më 19 dhjetor të vitit 2014.

SERIALI NË TIRANË
Pas vrasjes së emigrantit shqiptar në Holandë, 33- vjeçarit Ilirjan Sula (Sulku), duket se ka qenë vëllai i viktimës, Durim Sulku, ai që ka pasur dyshimet e tij se përse mund të kishte ndodhur ekzekutimi i njeriut të tij të afërt. Pikërisht, vrasja e ndodhur në Roterdam të Holandës, është bërë shkak për nisjen e një aksioni për hakmarrjen e radhës, kësaj here në krahun e kundërt me Mentor Lufin.

Vrasja e 33- vjeçarit Ilirjan Sulku në Holandë ka mobilizuar në këtë “aksion” jo vetëm vëllain e tij që kërkonte hakmarrje, por edhe shtetasin italian Salvatore Letizia. Ky i fundit, sipas hetimeve të kryera nga ana e Policisë dhe Prokurorisë shqiptare, nuk ishte thjesht një “vrasës i paguar” në Tiranë. Burime të hetimit thanë dje për gazetën “Panorama” se Salvatore Letizia ka pasur aktivitet në Holandë dhe gjatë këtij aktiviteti kishte krijuar edhe vetë njohje me Ilirjan Sulkun, 33-vjeçarin që u ekzekutua me plumb në kokë më 6 prill të këtij viti.

Në këtë mënyrë e shpjegojnë burimet nga hetimi i çështjes, përfshirjen e shtetasit italian në atentatin e ndodhur të mërkurën në Tiranë, ku Salvatore Letizia dhe Durim Sulku qëlluan për vdekje Mentor Lufin. Sulmi me armë pranë stacionit të trenit u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e emigrantit shqiptar në Holandë.

ZANAFILLA E SHERRIT
Burime të konfirmuara nga hetimi i masakrës së ndodhur tre ditë më parë në Tiranë, pohuan dje se pista kryesore e hetimit për shkakun e ngjarjes është “konflikti për aktivitete të paligjshme fitimprurëse në Holandë”. Policia ka dyshime se zanafilla e sherrit që solli historinë e përgjakshme kanë qenë përplasjet e ndodhura në Holandë mes shtetasit Ilirjan Sula (Sulku) dhe njerëzve të Mentor Lufit.

Pikërisht për shkak të atyre përplasjeve, që dyshohet se kanë pasur të bëjnë me çështje droge, edhe 39- vjeçari Mentor Lufi pati dyshime konkrete në lidhje me autorët e sulmit me armë që u bë ndaj tij në lokal në Tiranë në datën 19 dhjetor 2014. Përplasjet mes dy palëve në Holandë, sipas Policisë, kanë vazhduar së paku gjashtë muaj. Pikërisht kjo përplasje ishte bërë shkak që secila palë në konflikt të kishte dyshime konkrete për autorësinë e çdo sulmi me armë që synonte të asgjësonte njerëzit në kampet kundërshtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura