Historia e panjohur/ Telegramet sekrete për Enver Hoxhën: Janë solidarizuar partitë politike, parlamenti e Mitropoliti Sevastianos që të…. (fotot e rralla)

Apr 25, 2020 | 15:39
SHPËRNDAJE

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Autoriteti për Informimim i Dosjesve të ish Sigurimit të Shtetit, të cilat janë pjesë e një dosje voluminize ku bëhet fjalë mbi historinë e rrallë dhe të panjohur të Ilia Lekës me origjine nga fshati Glinë i minoritetit grek të Gjirokastrës, familja e të cilit nga viti 1945-së jetonte në internim në fshatrat e Myzeqesë dhe babai i tij, Theodhoriu, ishte arrestuar që në vitin 1951 dhe vuante dënimin në kampe dhe burgje, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek”.

IMG-20200423-WA0003

Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ta rekrutuar Ilian dhe më pas për ta arrestuar atë, dhe arratisja e Ilias së bashku me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre në Greqi, ku pas disa letrave kërcënuese që Ilia i bënte Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e Adil Çarçanit, ku i’u kërkonte që ta nxirrin të atin nga burgu dhe bashkë me gruan e dy fëmijët e tij, ta lejonin të vinte në Greqi, ata të tre bënë një grevë urie para ambasadës shqiptare në Athinë, e cila zgjati deri në vitin 1984.

enver-hoxha-1982_8077

Grevë e cila shkaktoi probleme të mëdha diplomatike në mes marrëdhenies zyrtare në mes dy vendeve, pasi sensibilizoi jo vetëm parlamentin grek dhe qeverinë e Athinës, por edhe shtypin grek dhe disa parti ultra-nacionaliste e qarqet shoviniste vorio-epiriote me në krye Mitropolitin Sevastianos, që e shfrytëzuan atë për interesat e tyre, si dhe fjalimet e Ilia Lekës në Parlamentin Europian dhe Kongresin Amerikan, për shkeljen e të drejtave të njeriut në regjimin komunist në Shqipëri, deri sa e detyruan Enver Hoxhën të dilte publikisht dhe të deklaronte: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek se në burgjet shqiptare janë vetëm 46 shtetas nga minoriteti grek dhe vetëm 4 prej tyre për faje politike”, si dhe Ramiz Alinë që ta lironte nga burgu Theodhori Lekën në vitin 1989, duke e lejuar të shkonte përgjithmonë në Greqi.

IMG-20200424-WA0010

“Mua më priste burgu duke mos ditur asgjë. Dhe u detyruam që të largohemi për të shpëtuar nga burgjet dhe torturat. Kaq sa për dijeni. Tani, ashtu siç u kam shkruar dhe aty, po të them: Të më lejosh familjen. Mos më mbani rob djalin 4 vjeçar, mos më mbani babanë në burg 63 vjeç duke e torturuar, mos më bëni po ju them, të kryej veprime ç’njerzore. Babai im do vdesë, unë e di, edhe po ta nxjerërsh nga burgu, ai nuk rron më shumë se 6 muaj. Por ta dini juve dhe Qeveria juaj, vdekja e babait tim në atë çast që unë marr vesh, le të jetë edhe ditë në drekë, atëhere do bindesh çfarë do të bëj unë, por do thuash që të qartë ma bëri në letër. Unë ju kam thënë dhe do ju them si burrat hapur. Dorëzimi i familjes sime me mua i lani hesapet. Pastaj le të merret qeveria greke në mënyrë diplomatike, se bababi im ka në burgje dhe internime qysh në vitin 1951. Nuk pa një ditë të bardhë”.

20200424_234130

Kështu thuhet në mes të tjerash në një letër që i dërgohet personalisht Enver Hoxhës e cila mban datën 25 dhjetor të vitit 1983 dhe që ka për autor një shtetas shqiptar i quajtur Ilia Theodhori Leka, me origjinë nga fshati Glinë i Gjirokastrës dhe me banim në Kolonjë të Lushnjes, ku kishte jetuar familjarisht i internuar nga viti 1945-së e deri në 12 prill të vitit 1982, kur së bashku me vëllanë e tij, Kristo Lekën dhe xhaxhanë e tyre, u detyruan që të arratiseshin nga Shqipëria për në Greqi.

IMG-20200424-WA0011

Letra në fjalë drejtuar Enver Hoxhës e cila është e shkruar me shkrim dore nga minoritari Ilia Leka, është një dokument zyrtar dhe pjesë e një dosje tepër voluminoze me siglën “Tepër sekret” e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë si dhe Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku pasqyrohet në qindra fletë të daktilografuara apo me shkrim dore, e gjithë historia e Ilia Lekës dhe familjes së tij.

Duke filluar nga origjina e familjes prej fshatit Glinë të minoritetit grek në rrethin e Gjirokastrës, ku në vitin 1945-së u arratisën dy djem të familjes Leka, internimi i tyre në vitin 1951, në fshatin Savër të Lushnjes dhe më pas në disa fshatra të tjera të asaj zone të Myzeqesë, survejimi nga ana e Sigurimit të Shtetit e babait të Ilia Lekës, Theodhorit, që ishte bari me dele në kodrat përreth Manastirit të Ardenicës, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhënë punëtorëve operativë të Sigurimit që ndiqnin dhe survejonin Theodhori Lekën, relacionet e tyre për shefat më të lartë, kombinacionet dhe legjendimet që bëheshin për të “zbërthyer veprimtarinë agjenturore” të tij, arrestimi i Theodhorit në vitin 1951, i akuzuar si “agjent i Zbulimit Grek dhe ndërlidhës me disa persona e agjentë që arratiseshin nga Shqipëria në Greqia dhe anasjelltas”, vuajtja e dënimit të tij në disa kampe burgje të Shqipërisë, tentativa e Sigurimit të Shtetit që në vitet ’70-të për të rekrutuar të birin e tij, Ilia Lekën, mospranimi nga ana e tij dhe provokimet e ndryshme të bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe njerëzve të futur prej tij, peripecitë e Ilias me letra ankesash në instancat e larta shtetërore e partiake apo takime me krerët e gjykatave e prokurorisë, duke i’u kërkuar lirimin e babait të tij nga burgu si të pafajshëm, arrestimi i xhaxhait të Ilias dhe torturat ndaj tij në Degën e Brendëshme të Vlorës, ku ai u detyrua që të nënshkruante një deklaratë për Ilian, sikur ai kishte folur kundra “pushtetit popullor”, arratisja e Ilias me të vëllanë Kriston dhe xhaxhanë e tyre më 12 prill të vitit 1982, duke dalë në Greqi nëpërmjet fshatrave kufitare të vëndlindjes së tyre, letrat kërcënuese që Ilia ia dërgonte nga Greqia në adresë të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Hekuran Isait, Adil Çarçanit dhe Reiz Maliles, ku i’u kërkonte që t’i lironin të atin nga burgu dhe të mos e torturonin më atë, mos t’ia mbanin peng djalin 4 vjeçar dhe mos t’i bënin presione bashkëshortes së tij që ta detyronin ta divorconte Ilian dhe të martohej përsëri me një tjetër, por t’i lejonin ata që të vinin në Greqi, greva e urisë së Ilia Lekës me të vëllanë dhe xhaxhanë para ambasadës shqiptare në Athinë që zgjati rreth tre vite duke sensibilizuar opinionin publik dhe politikën greke që e bëri atë çështje të ditës së Parlamentit grek dhe qeverisë së Athinës, angazhimin e policisë së Athinës për mbrojtjen e ambasadës shqiptare nga frika e Ilia Lekës që kishte ngritur një çadër para hyrjes kryesore të saj, korrespodenca sekrete ditore me telegrame urgjente e ambasadorit shqiptar në Athinë, Ksenofon Nushi, me Ministrinë e Jashtëme në Tiranë dhe personalisht, Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Adil Çarçanin, Hekuran Isain dhe Reiz Malilen, duke e mbajtur në korent për gjithçka ndodhte aty me të ngujuarit në grevë urie dhe politikanët e deputetët grekë që u solidarizuan me grevistët dhe merrnin pjesë në mitingjet e protestave që zhvilloheshin para ambasadës shqiptare, artikujt e gazetave kryesore greke që përcillin rregullisht atë ngjarje, si dhe reagimin e disa partive nacionaliste dhe Mitropolitit Sevastianos që i kërkonte qeverisë helene të zgjidhte sa më parë atë çështje dhe “fatin e 400 mijë minoritarëve grekë që vuanin nën regjimin e Hoxhës”, korrespodenca ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Shqipërisë dhe asaj greke lidhur me problemin e grevës së Ilia Lekës, etj., etj.

IMG-20200424-WA0012

Bashkë me të gjitha këto që siç thamë pak më lart, janë pjesë e një dosje voluminoze të cilën e disponon të plotë Memorie.al dhe do ta bëj publike duke filluar nga ky shkrim, në ditët në vijim do të njihemi gjithashtu edhe me një intervistë të gjatë ekskluzive të Ilia Lekës që jeton familjarisht në Athinë, ku ai dëshmon mbi këto ngjarje që përmbajnë këto dokumente arkivore dhe të tjera që nuk janë pasqyruar aty. Që nga greva e urisë para mabsadës shqiptare në Athinë e cila lëkundi marrëdhëniet zyrtare në mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe e detyroi Enver Hoxhën që të dilte publikisht e të deklaronte: “I them me përgjegjësi popullit vëlla grek, se në burgjet shqiptare ndodhen vetëm 46 shtetas shqiptar që janë pjesë e minoritetit grek dhe vetëm 4 prej tyre janë për faje politike”, sensibilizimi që i bëri shtypi grek grevës së Ilia Lekës, i cili u ftua dhe foli në Parlamentin Europian në Bruksel dhe në Kongresin Amerikan në Washington për shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhës, e deri tek “zbythja” e Tiranës zyrtare në vitin 1989-të, e cila u detyrua që ta lironte nga burgu babanë e Ilias, Theodhoriun, dhe ta lejonte atë që të shkonte përgjithmonë në Greqi tek i biri, ku ai jetoi edhe shumë vite pas përmbysjes së regjimit komunist, duke i’u gëzuar edhe ardhjes së pjesës tjetër të familjes që kishte mbetur në Shqipëri.

IMG-20200424-WA0014

Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Telegramet “Tepër sekrete” të ambasadorit shqiptar në Athinë, Ksenofon Nushi, dërguar Ministrisë së Jashtëme në Tiranë, për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Adil Çarçnin dhe Hekuran Isain

DESHIFRIM TEPER SEKRET

Nr. 315 Nga Athina

MINISTRISE SE JASHTEME

Të arratisurit vazhdojnë të qëndrojnë para ambasadës. Ka gjysmë ore që kanë filluar të ripërsërisin në një megafon sharjet e zakonshme kundër pushtetit tonë, për persekutimin e 400 mijë vorio-epiriotëve, etj., dhe kërkojnë që të lejohet familja e Ilia Lekës të vijë në Greqi. Banorët rreth e rrotull ambasadës kërkuan që të pushojnë dhe policia i detyroi të mos përdorin më megafonin. Nga sa shohim, natën do ta kalojnë para ambasadës. Kemi marrë masat e vigjilencës dhe puna vazhdon normalisht.

Çeno

IMG-20200423-WA0017

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Shkrimet e shtypit grek për Ilia Lekën, Shqipërinë dhe grevën e tre minoritarëve të familjes Leka, para ambasadës shqiptare në Athinë

Shtypi grek

Gazeta “Akropolis” e datës 7 shkurt 1984, boton artikullin me titull “Grevë urie jashtë ambasadës shqiptare filluan të arratisurit vorio-epiriot, sillni njerëzit tanë nga skëterra e Hoxhës. Nuk na ndihmoi qeveria”, shkruar nga Peris Halaxias. Në të thuhet:

“Jemi grekë, të arratisur nga Shqipëria. Erdhëm në atdheun tonë për të luftuar. Çfarë kërkojmë? Atë që kërkon çdo prind. Të shohim gratë dhe fëmijët tanë, që janë rob në vëndin e Hoxhës. Nëse nuk na sjellin familjet tona, do të vdesim këtu jashtë ambasadës shqiptare”.

IMG-20200424-WA0013

“Dy vorioepiriotë, Ilias Lekas, 34 vjeçar, së bashku me xhaxhanë e tij, Spiro Lekas, 47 vjeçar filluan dje në mëngjez në orën 9, grevën e urisë jashtë ambasadës, që gjendet në rrugën “Karakristu – 1”.

Kërkojmë të komunikojmë me njerezit e familjeve të tyre që mbahen rob nga Hoxha dhe të mund të jetojnë në Greqi si të gjithë familjarët. Kerkesa e tyre është e drejtë dhe e respektueshme. Por nëpunësit e ambasadës shqiptare mbyllën derën dhe deklaruan se nuk kanë asnjë marrëdhënie me kërkesat e dy personave që bëjnë grevë.

Në lidhje me pyetjet e “Akropolit”, nëpunësit e ambasadës shqiptare theksuan se ata nuk kanë asnjë marrëdhënie më çfarë ndodh jashtë ndërtesës së tyre.

IMG-20200424-WA0016

Fatkeqësi

Ndërkohë Ilias Lekas me xhaxhanë e tij, Spiro Lekas, ndërtuan në trotuarin e Spitalit të Marinës së Athinës një çadër, vendosën parrulla të mëdha dhe fotografi të të afërmëve të tyre, që torturohen në Shqipëri. Ata deklaruan:

“Në se nuk do të shohim gratë dhe fëmijët tanë, nuk ikim prej këtej. Jemi të vëndosur që të vdesim…”.

34 vjeçari Ilias Lekas tregon në “Akropolis” problemin e tij.

“U arratisa me xhaxhanë tim nga burgjet e Shqipërisë me 12 prill 1982. Erdhëm në Greqi, sepse jemi grekë. Lufta jonë është e drejtë. Dua të shoh Marine, gruan time dhe djalin tim Anestin, që sapo ka mbushur 5 vjeç. Dërgoj letra, por disa “humbasin” të tjerat kthehen mbrapsht me justifikimin se këta njerëz nuk ndodhen në Shqipëri. Kohët e fundit mësova se më muarrën djalin dhe e mbajnë peng. Gruas i bëjnë shantazh. Duan që ajo të nënshkruajë divorcin me justifikimin se jam armik i popullit të Shqipërisë. Ndryshe e ardhmja e saj është e pasigurtë. Babanë tim e akuzuan se kërkoi të hapen kufijtë dhe të funksionojnë kishat e mbyllura. E mbyllën në burgjet ç’njerzore të Spaçit. Eshtë shumë keq. Një luftëtar i ’40-tës, një grek që torturohet nga një tiran. Asnjeri nuk bëri gjë për të. Për zgjidhjen e problemit ndoqëm rrugën qeveritare. Përgjigjie nuk muarrëm. Tani ose do të shohim njerzit tanë këtu, ose do vdesim nga uria. Po bëjmë grevë dhe kërkesat tona janë të drejta”.

Vëndet e torturimit

Konference-per-26-vjetorin-e-Forcave-te-Kufirit.-1971.bmp

Në krah të Ilias qëndron xhaxhai i tij, Spiros Lekas, i cili ka hedhur shikimin e tij përballë ambasadës, por asnjë nuk mallëngjehet nga greva e urisë që bën. Spiros Lekas, ka gruan, Ekaterinin, 42 vjeçare dhe tre fëmijë, Vasiliqin, 20 vjeç, Thomanë 18 vjeç, dhe Vangjelin 16 vjeç. I kërkuam të na thotë diçka për jetën e tij:

“Kam kaluar tortura të tmerrshme, filloi të tregojë Spiros Leka, në skëterrën që e quan parajsa Hoxha, kalova një jetë të mbushur me poshtërime dhe përbuzje. Kujtoj atë ditë kur ndaloi një makinë e Sigurimit dhe një njeri që kishte brenda më tha:

-Në emër të popullit arrestohesh për akuza politike. Por unë nuk kisha sharë asnjë njeri. Megjithatë më arrestuan. Më lidhën duart dhe më goditën. U mbusha gjithë gjak. Mbas pak ditësh kërciti druri, u detyrova të nënshkruaj të gjitha ato që më akuzonin. Nga burgjet u arratisa. Tani jam në atdheun tim dhe do të vazhdoj luftën dhe ose do të vijnë njerzit e mi ose do të vdes”.

Nga autoritetet e policisë u bë e ditur se grevistët do t’i lenë në atë vënd që janë, por nuk do të lejohen të përdorin megafona, sepse shqetësojnë të sëmurët në Spitalin Ushtarak të Marinës në Athinë.

Pyetjet në Parlament

20200423_232052

Greva e urisë e të arratisurve vorioepiriotë, Ilias dhe Spiros Lekas, para ambasadës shqiptare në Athinë “arriti” dje në Parlament, me pyetjet e deputetit, zotit, Aris Buluku. Kërkesa e dy grekëve të arratisur ishte të marrë informata për fatin e të afërmëve të tyre, që ndodhen në kampet e përqëndrimit të Shqipërisë, dhe bile t’ju jepet leja për daljen nga Shqipëria dhe vendosjen e tyre në Greqi.

Shënimi i artikullit shoqërohet me këtë diçiturë:

Ilias Lekas, së bashku me vorio-epiriotët e tjerë që po përkrahin grevën e urisë, ndërkohë që bisedon me drejtorin e policisë së zonës së dytë, zotin Vasilis Curapa.
Vetëm fotografi mbetën nga fytyrat e tyre të dashura.
A jetojnë vallë? Dhe nëse jetojnë deri kur?

Shtypi grek

Gazeta “Rizospestia”, e datës 16 shkurt 1984, boton shkrimin me titull “Sevastiani organizon ditë e natë zi për për të “skllavëruarit”… dhe nën titullin: “Provokacion në prag të vizitës së Papandreut në Janinë”.

Në të thuhet:

“Janinë – Forcat reaksionare në fshatrat kufitare të Konicës dhe Pogonit, me në krye zotin Sevastianos, po organizojnë zi tre ditore me vigjillin ditë e natë, me të rëna të këmbanave, për “skllevërit” e “Vorio-Epirit”, pak ditë para vizitës së kryeministrit grek në qytetin e Janinës, në kuadrin e festimit të 71-vjetorit të çlirimit nga turqit.

Këto veprime të palejueshme e provokuese të Dhespotit i denoncojnë më komunikatën e tyre katër komuna të rajonit, duke i bërë thirrje popullit që t’i izolojë. Ata i bëjnë thirrje gjithashtu qeverisë që të marrë masa ndaj veprimit të lirshëm të Mitropolitit të Konicës, që kthehet kundër vullnetit të vëndit për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë. Të marrë masa për demokratizimin e jetës publike të Konicës dhe Pogonit në sektorët që ndodhen akoma nën influencën e rrethit të Dhespotit. Së fundi, të ndërrmeren përpjekje të reja për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet kulturale e tregtare me Shqipërinë”.

Gazeta “Vradhini” e datës 12 shkurt 1984, boton shkrimin me titull: “Vorio-epiriotët, të pafriksuar vazhdojnë”, me nëntitujt: “Ndërsa qeveria u përpoq me marifet që t’i largonte, që të kënaqte shqiptarët”, “Edhe Siantos kishte pranuar se shqiptarët i therrin gratë”, shkruar nga Th. Dhrakiqis.

Në të thuhet:

“Në mes të ftohtit dhe duke përballur shtetin zyrtar greke, që dëshiron që t’i zhvendosë, për të mos bërë të pakënaqur Hoxhën, Ilias dhe Spiro Lekas, po vazhdojnë sot, për të njëmbëdhjetën ditë, grevën e urisë, jashtë ambasadës shqiptare.

Dje, të dy grevistët me anë të një letre të hapur drejtuar ministrit të Rendit Publik, pyesin me indinjatë “kush e qeverisë Greqinë e lirë, ambasada shqiptare apo qeveria greke”?!

Ndërkaq delegacioni i deputetëve të “Demokracia së Re”, i përbërë nga z. Vajati, Vezdrevoni, Vujukllaqi, si dhe deputeti i pavarur, Hondrokuqi, vizituan dje vorio-epiriotët për t’i përkrahur në luftën që bëjnë.

Mesazhe përkrahje vijnë nga e gjithë Greqia

Njerëz që kanë nënshkruar apo anonimë, që besojnë në respektimin e të drejtave të njeriut, kanë firmosur në librin që është hapur në vëndin e grevës.

Gjithashtu shumë telegrame vijnë çdo ditë në sillogjet vorioepiriote. Ndërmjet këtyre telegrameve janë ato të Lëvizjes Demokratike të Mësuesëve të arsimit të mesëm të ONENED-it të Janinës, të shkollave, sillogjeve, organizatave, etj.

Mitropoliti i Konicës, Sevastianos, dërgoi dy përfaqësuesit e tij në Athinë, ndërsa shpalli zinë treditore dhe vigjëllimin, me rastin e mbushjes së 70-vjetorit të autonomosë së Vorio-Epirit.

Bashkimi koordinues Studentesk i Luftës Vorio-epiriote, me anë të rezolutës së tij, kërkon nga qeveria greke që të gjejë zgjidhje problemi i grevistëve dhe i bën thirrje popullit të Athinës, që të, mërkurën e ardhëshme me 22 shkurt. Në orën 16 e 30 mbas dite, të ndodhet në mitingun e protestës në Propiles. Ndërkohë, provokimi i shqiptarëve të ambasadës vazhdojnë, dhe për çdo ditë vëzhgojnë lëvizjet e grevistëve dhe të atyre që grumbullohen, i fotografojnë nga dritaret gjysëm të mbyllura.

Një autobuz me policë ndodhet përherë i parkuar jashtë ambasadës dhe mbron ambasadorin K. Nushi dhe nëpunësit. Deri tani, shteti grek nuk ka shprehur mendim, por faktet tregojnë se është krejt në kundërshtim me qëndrimin e grevistëve që ndodhen përballë ambasadës. Partia Liberale, me anë të komunikatës së saj, e karakterizon qëndrimin e qeverisë ndaj dy grevistëve, çnjerzore dhe kombtarisht idhanake, ndërsa të në njëjtën kohë i denoncon popullit grek aktin e qeverisë së PASOK-ut. Me këmbënguljen e gjithë këtyre, grevistët deklarojnë “vetëm të vdekur do të na heqin që këtej. Nuk duam asgjë, veçse familjet tona. Ku është veprimi ynë i padrejtë”?

Në po ato faqe gazete, vazhdon shkrimi: “Ta nxisë Qeveria”, “Problemi i Vorio-Epirit mbetet, akoma dhe sot, i hapur nga OKB dhe pret zgjidhjen e tijnë favor të Greqisë. Për rrjedhim, është nevojë kombëtare që qeveria e PASOK-ut, edhe pse me vonesë, ta nisë procedurën për lëvizjen përsëri të çështjes vorio-epiriote. Heshtja që mbajnë është krim. Indiferenca jonë është krim.

Këto i theksoi në deklaratën e tij, sekretari i përgjithshëm i ESKE, zoti Al. Zografos, me rastin e grevës së urisë të të dy vorio-epiriotëve të arratisur jashtë ambasadës shqiptare në Athinë. Z. Zografi u kujton disa fakte të papërgënjeshtrueshme të drejtësisë që vërtetojnë helenizimin e Vorio-Epirit, të cilat janë:/Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura