Historia e panjohur/ Ndregjonët e Dibrës, kulla fisnike nga Lukan i Katër Grykë, që mbrojti dhe strehoi shtatë hebrejtë e familjes së Emanuel Ruben, në ‘44-ën

Jan 27, 2020 | 11:15
SHPËRNDAJE

Publikohet historia e panjohur e familjes së Imer Ibrahimi Ndregjonit dhe Llan Destan Ndregjonit nga Lukani i Dibrës, të cilat kanë strehuar dhe shpëtuar familjet izraelite të Emanuel Ruben-it me bashkëshorten Lea dhe katër vajza: Rashela, Rifka, Bertya e Matilda si dhe kunatin e tyre Isak.

4

Në fund të vitit 1943 dhe në fillimin e vitit 1944, familja e Isuf Zenunit i mori dhe i dërgoi ata në shtëpinë e Xhemal Herrit; majorit të njohur zogist, dhe nga shtëpia e këtij të fundit, Imer Ndregjoni, i mori në dorzim nga Abdullah Mëniku dhe i strehoi në shtëpinë e Llan Destan Ndregjonit. Hebrenjëve nuk u mungoi asgjë tek Ndregjonët. Jeta ishte e vështirë për të gjithë dhe kishin shumë mungesa.

Por atyre nuk u mungoi kurrë dashuria e këtyre malësorëve të ndershëm dhe krenarë. Në përfundim të Luftës, Ramadan Biba i përcolli në Tiranë. E gjithë historia e familjes fisnike dibrane vjen në një libër nga studjuesi dhe shkrimtari Xhafer Martini, i cili prej disa dekadash në krijimtarinë e tij ka lëvruar me shumë sukses temën historike.

“Ndregjonët”, i Xhaferr Martinit, libër me vlera, jo vetëm historike

Libri “Ndregjonët”, i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur, Xhaferr Martini është me vlera të spikatura jo vetëm historike, por edhe kulturore në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Në qëndër të kësaj monografie nuk janë ngjarjet, por njerëzit, pasi shkrimtari jep me vërtetësi dhe bukuri rrethana, situata, veprime luftarake etj, por në fokus, mban njerëzit, protagonistët historikë, duke u përpjekur të pasqyrojë botën e tyre shpirtërore, jep mënyrën e jetesës, psikologjinë, bestytnitë, ritet, në një nivel qytetërimi, plot vlagë e jetë, çka e bën këtë vepër të dallueshme nga monografi të tjera. Ndregjonët ishin të brymosur me idetë e Rilindjes sonë kombëtare, me dashurinë për Shqipërinë Etnike, luftëtarë kundër të gjitha pushtuesëve, mbështetës të Monarkisë dhe besnikë të Mbretit Zog i I-rë, burra me ideale monarkiste. Pikërisht pse kishte të bënte me një fis të tillë, autori duket se nuk ka hyrë direkt “në temë”, por në dy kapitujt e parë të librit ka dhënë shkurt dhe qartë me ndjenjë dhe elegancë stilistike, ç’është shqiopëria etnike, ç’është nacionalizmi shqiptar, ka pasqyruar fatin historik të Dibrës, etj.

Asnjë fis dhe asnjë ngjarje në Dibër, nuk mund të gjejë pasqyrim të plotë dhe me vërtetësi po nuk përcolle në një farë mënyre fatin historik të Dibrës, e cila u nda më dysh nga padrejtësitë e kohës, se pikërisht kjo ndarje ka pasur ndikimin e vet në jetën e të gjithë dibranëve, në të gjitha kohërat. Organizimi dhe strukturimi i tij në formën më të përshtatëshme sjell vlera, shto këtu mjeshtërinë e të shkruarit pa të cilën nuk mund të flasim për një gjë të bukur. Arritja e parë e këtij autori shfaqet pikërisht në këto dy tregues. Shkrimtari, përvojën e tij si tregimtar dhe romancier ka ditur ta shfrytëzojë në kapitujt e kësaj monografie. Kjo shikohet në shumë drejtime, por veçanërisht në ato kalime mjeshtërore nga e afërta tek e largëta, nga e njohura tek e panjohura, nga e thjeshta tek e ndërlikuara. Protagonistët e kësaj monografie jetojnë e veprojnë kryesisht në Lukan, katundi më strategjik në Katër Grykë. Falë aftësisë së Xhaferr Martinit për t’i vështruar dukuritë dhe ngjarjet në aspektin evropian, ballkanik, mbarëkombëtar, për të mbërritur pastaj në Dibër, në Katër Grykë dhe Lukan. Kjo nuk bëhet si diçka në vetvete, por me qëllimin e ruajtjes së logjikës historike, duke dëshmuar të vërtetën e madhe se asnjë cep i botës, sado i humbur të duket, nuk është i shkëputur nga “bota e madhe”. Kështu, si shëmbull, autori jep kontradiktat e kohës, rrjedhim i të cilave ishte lufta Ruso-Turke, që përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit, që e copëtoi Shqipërinë. Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u diktua nga domosdoshëmria që shqiptarët të organizoheshin në shkallën kombëtare për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut. Këtë detyrë e mori përsipër Lidhja dhe degët e saj në rrethe.

3

Autori me këtë mënyrë proçedimi vjen deri në Këtër Grykë dhe evidenton kontributin e fisit Ndregjoni në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit. Duke vepruar në këtë mënyrë, kontributi i protogonistëve bëhet i kapëshëm dhe me logjikë historike. Herët të tjera autori ndjek “rrugën e kundërt”, çka do të thotë që një ngjarje, një dukuri e shikon nga “këndvështrimi” i Lukanit, për të dalë pastaj në “botën e madhe”. Kjo mënyrë alternimi i jep bukuri veprës, por kërkon mjeshtëri për t’u realizuar. Një meritë e madhe e autorit qëndron në faktin se ai e ka ndjenjën e masës për çdo gjë. Nuk mbytet në morinë e fakteve, ngjarjeve, por pasqyron ato më kulmoret që kanë qenë përcaktuese në Lëvizjen tonë Kombëtare. Nuk përzgjidhen vetëm ngjarjet, por edhe dokumentet, duke parapëlqyer ato që japin mundësi për të interpretime të reja. Libri ka mjaft referenca për të mbushur anën shkencore, por ka edhe mjaft lirizëm dhe bukuri artistike, për të mos qenë i thatë dhe pa shpirt krijuesi. Libri “Ndregjonët” nuk është thjesht një vepër historike. Në të ka prurje të mëdha nga të gjitha fushat: letërsi, gjuhësi, mitologji, demonologji, teologji, filozofi, folklor, politikë, ekonomi, etj. Kjo nuk arrihet pa një kulturë të gjerë, sidomos pa zotërimin e thellë të kulturës popullore. Me të drejtë shkrimtari, studjuesi e publicisti i njohur, Dr. Agron Tufa, në parathënien për “Kanunin e Dibrës” e ka quajtur këtë shkrimtar (Xhaferr Martinin), “kulturollog të mrekullueshëm”. Por prurjet nga fushat e tjera, sado të bukura dhe interesante në vetvete, do ta dëmtonmin librin, sikur të mos ishin bërë pjesë organike e tij. Xhaferr Martini ka aftësinë që gjithçka ta thotë në kohën e duhur, ta vejë në vëndin e duhur dhe ta japë në mënyrën më të bukur. Kur autori, si shembull, bën të njohur sistemin arsimor të Mulla Liman Ndregjonit, sistem i lirë, në qëndër të të cilit ishte respektimi i personalitetit të çdo fëmije, duke bërë një fluturim nga ato të zakonshmit, hidhet dhe tregon shkurt, përsosmërisht, të kundërtën e edukatës së Mollah Limanit, domethënë tregon për represionin arsimor e kulturor që u ushtruan në shkollën gjermane në periudhën kur përgatitej e ardhja e fashizmit në pushtet. Dhe këtë autori nuk e bën kot, por për paralelizëm historik me çdo lloj diktature. Humanizmit njerëzor i vihet rëndësi në këtë libër.

Shfaqje e këtij humanizmi për popullin tonë ishte edhe qëndrimi që mbajti ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i mbajtur dhe mbrojtur nga nazizmi gjerman. Kjo ishte e përgjithshmja, por të veçantën, konkreten, autori shkon dhe i gjen në Lukan, ku fisi Ndregjoni mbajti hebrejtë si njerëzit e shtëpisë dhe i mbrojti nga shfarosja që donin t’u bënin gjermanët. Autori i gjuan këto episode e qëndrime, pasi ka bindjen se heroizmi nuk shfaqet vetëm në luftë, vetëm, në fushat e betejave, se heronj nuk janë vetëm ata të pushkës, por edhe njerëz që nuk kanë mbajtur kurrë armë, madje edhe më pacifistët. Libri “Ndregjonët” është dallues, firmues, por jo i mbushur me lavdërime të pamerituara. Shkrimtari duket se e ka të qartë atë që ka thënë Beniamin Franklini se: ”Të lëvdosh të pamerituarën, është një satirë therëse”.

2

Ndregjonët dhe hebrejtë e familjes së Emanuel Ruben

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, mendohet të kenë hyrë rreth 3000 hebrenj, që përndiqeshin për të zhdukur nga nazizmi gjerman. Populli shqiptar i priti me bujari dhe ndau me ta kafshatën e bukës dhe dashurinë njerëzore. Por kjo nuk qe e gjitha; populli shqiptar mbrojti hebrenjtë. Dukuria e marrjes së hebrenjve në mbrojtje nga populli shqiptar ka shumë aspekte dhe këtu nuk është vendi për t’i trajtuar të gjitha. Fakt është që antisemitizmi ka qenë krejt i huaj për popullin shqiptar. Natyrisht, duke qenë një qeveri nën pushtimin nazist gjerman, nuk mund të bënte gjë pa marrëveshje me gjermanët. “…midis Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Reich-hut nazist dhe Gestapos është diskutuar për qëndrimin që duhej të mbanin autoritet ushtarake e civile pushtuese ndaj hebrenjve në Shqipëri, Kroaci, në pjesën franceze ku gjithashtu kjo ushtri ka zënë vëndin e asaj fashiste dhe në vendet e tjera. Palët pajtoheshin që në të gjitha territoret e sipërpërmëndura të zbatohet. Në shkallë të përafërta, intensiteti, doktrina hitleriane “final solution” –zhduklja përfundimtare-, përveç Shqipërisë, ku, si përfundojnë bashkëbiseduesit, kjo doktrinë nuk mund të zbatohet”. Qeveria shqiptare trupave gjermane u kishte dhënë statusin e “ushtrisë kalimtare”, ata nuk konsideroheshin trupa pushtuese. Ky status atyre iu dha me kusht që të mos ndërhynin në qeverisjen e brendshme të Shqipërisë. Studiuesi hebre-amerikan, H. Sarnes, në librin “Hebrenjtë në Shqipëri- të shëptuar një qind për qind”, midis të tjerash pohon: “Regjenca shqiptare me kryeministrin Mehdi Frashëri veproi në përputhje me marrëveshjen me nazistët, e cila e lejonte lëvizjen e këtyre të fundit në të gjithë territorin e vendit.

Si shpërblim ndaj kësaj, nazistët nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të qeverisë”, mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë”. Me gjithë këtë, kjo marrëveshje nuk qe përfundimtare; ajo i përket fazës së parë të qëndrimit të trupave gjermane në vëndin tonë. Nga ana e gjermanëve nuk përjashtohej mundësia, që në një të ardhme, me ndryshimin e situatës në Shqipëri, të ndryshonte edhe qëndrimi i tyre ndaj hebrenjve, çka do të thoshte përndjekje dhe shfarosje si në çdo vënd tjetër ku kishte trupa pushtuese gjermane. Nuk kaluan as gjashtë muaj dhe statusi i trupave gjermane “si ushtri kalimtare”, në Shqipëri mori fund. Ushtria Nacionalçlirimtare e partizanëve shqiptarë të Enver Hoxhës nuk i ngacmoi hebrenjtë, madje i mori në mbrojtje (kjo veçanërisht duhet thënë për komandantin e Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmet Shehun, i cili i ndihmoi ata edhe me ushqime), por duke sulmuar gjermanët, ajo bëri që këta të fundit të ndërrmernin Operacionin e Dimrit dhe të ndryshonin qëndrimin edhe ndaj hebrenjëve që ndodheshin në Shqipëri. Dhe në fakt, Nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, por edhe grumbullimin e të gjithë hebrenjve në një fushë përqëndrimi”.

Me gjithë këtë, listat e hebrenjve nuk ia dhanë gjermanëve dhe as grumbullimi i tyre nuk u bë. Dhe këtë e bëri Xhaferr Deva, i cili “ia doli që të bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorzimin e listave të hebrenjëve”, duke bërë kështu të mundur që ”…sedra nacionale…”, të dalë më e fortë se “antisemitizmi i tij i njohur”. Ky qëndrim nuk ishte vetëm i një personi, por i tërë klasës politike shqiptare që ishte në përbërje të qeverisë së Mehdi Frashërit. Natyrisht që marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe institucioneve gjermane, është bërë me kërkesën dhe këmbënguljen e qeverisë shqiptare dhe nuk ka qenë aspak një dëshirë e gjermanëve. Ajo është arritur me një kompromis të madh nga ana e gjermanëve. Nazistët, siç dihet mirë, i gjuanin hebrenjtë kudo ku kishin mundësinë. Nuk kishin arsye që të vepronin ndryshe në Shqipëri, nëse një gjë të tillë nuk do të kishte kërkuar në mënyrë të vendosur nga qeveria shqiptare. Qëndrimi ndaj herbrenjëve i bën nder kombit tonë. Por duhet thënë se qeveria shqiptare i kishte listat e hebrenjve. Hebrenjtë vetë ndodheshin në popull, në vatrat familjare shqiptare. Populli nuk kishte dijeni për marrëveshjen e lidhur midis dy qeverive. Marrëveshja ishte e fshehtë. Atë edhe nga qeveritarët e dinin pak vetë.

Madje qeveria kishte vetëm listat e atyre hebrenjve që kishin marrë kombësinë shqiptare, por ishin me qindra të tjerë që vinin në Shqipëri nga përndjekjet e tmerrshme që u bëheshin në vise të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës. Dukuria e pranimit dhe e mbrojtjes që populli u shqiptar u bëri hebrenjve ka lidhje me konstitucionin shpirtëror të shqiptarit. Që pasqyrohet në kujdesin dhe nderimin për mikun në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Miku për shqiptarin e asaj kohe nuk ishte vetëm ai i derës, me të cilin kishte lidhur miqësi dhe kishte përzier gjakun, por edhe i largëti, i panjohuri, tjetri, i ndryshmi në zakone, në traditë, në kulturë, në gjuhë, në racë, në kombësi etj. Për shqiptarin cilido që të trokiste në derë quhej mik. Evidentimi i familjeve shqiptare që kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka një vlerë të madhe. Një nga ato familje është dhe ajo Ndregjoni më Katër Grykë të Dibrës. Ndregjonët si një fis i madh nacionalist, bujar, me dyert për herë të hapura për mikun dhe shtegtarin, gjatë Luftës së Dytë Botërore u dha strehë dhe mbrojtje gjashtë hebrenjve. U strehuan në familjen e Llan Destan Ndregjonit dhe të Imer Ibrahim Ndregjonit, por për hebrenjtë qenë të hapura të gjitha dyert e Ndregjonëve të tjerë. Dhe vertetë ata shkonin dhe hynin në çdo vatër Ndregjone. Në shkrimin: “Ndregjonët dhe hebrenjët”, midis të tjerash thuhet: “Imer Ibrahim Ndregjoni dhe Llan Destan Ndregjoni nga Lukani i Dibrës, kanë strehuar dhe shpëtuar familjet izraelite të Emanuel Rubenit me bashkëshorten Lea dhe katër vajza: Rashela, Rifka, Bertya dhe Matilda si dhe kunatin e tyre Isak.

Në fund të vitit 1943 dhe në fillimin e vitit 1944, familja e Isuf Zenunit i mori dhe i dërgoi ata në shtëpinë e Xhemal Herrit; majorit të njohur zogist, dhe nga shtëpia e këtij të fundit, Imer Ndregjoni, i mori në dorzim nga Abdullah Mëniku dhe i strehoi në shtëpinë e Llan Destan Ndregjonit. Në përfundim të Luftës, Ramadan Biba i përcolli në Tiranë…”! Llan Destan Ndregjoni ishte burrë i thjeshtë, i pashkolluar, i cili nuk dinte gjë për Holokaustin dhe egërsinë raciste të asaj kohe. Po ai dinte atë më kryesoren; hebrenjtë ishin njerëz, krijesa të Zotit, në nevojë, të presdizpozuar për t’u zhdukur fizikisht. Llan Destani nuk dinte shumë nga teoritë humane, por ai dinte se jetën çdo njeriu ia jep Zoti dhe vetëm ai ka të drejtë t’ia marrë. Ai dinte se historia e njerzimit është historia e luftës në mes së mirës dhe së keqes. E keqja shumë herë ka dalë fitimtare, por në fund ajo është mundur nga e mira. Llan Destan Ndregjoni nuk i përgjigjet urrejtjes me urrejtje, ai kishte në shpirt vetëm dritë. Jeta ishte e vështirë për të gjithë dhe kishin shumë mungesa. Por atyre nuk u mungoi kurrë vetëm një gjë, dashuria e këtyre malësorëve të ndershëm dhe krenarë. Në korrik të vitit 1944, u mor vesh që një batalion gjerman do të kalonte nëpër Lukan për të dalë në Mat. Ndregjonët morën masa që miqeve hebrenj të mos u ndodhte asgjë e keqe. Për t’u siguruar, i ngjitën në male, i strehuan në një kasolle, i çuan ushqime, veshmbathje, rroba për fjetje, dhe u rrinin natë e ditë roje me pushke në dorë. Vetëm kur kaloi rreziku i zbritën në fshat”./Memorie.al

1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura