Nga Dalip Greca
Memorie.al/ Fratari, ai vend i thyer në cep të Mallakastrës së egër, ka bërë emër jo vetëm në jug, por në krejt viset e shtetit amë. Burrat e atij vendi, ishin mbështetja e parë e Rrapo Heklait, i cili ngaqë kundërshtoi trimërisht Portën e Lartë, në mesin e shekullit të XIX-të, u dënua me vdekje. Nga Fratari, janë me dhjetar burra që u qëndruan trimërisht tufaneve të kohës. Dhe në mesin e këtyre burrave, qëndron nacionalisti i shquar, ai që e deshi atdheun dhe Monarkinë, njësoj si shtëpinë e vet, Rauf Fratari. Ai lindi në Fratar, në vitin 1908, në Mallakastër ku kishin nisur të frynin erërat e autonomisë shqiptare. Nënë Sabires, asaj gruaje trime nga dera e shquar e Frashërllinjëve të Përmetit, i shkuan plot miq e dashamirës për ta uruar. I mungonte vetëm i shoqi, Hajredini. Po kush ishte Hajredin Fratari?
I diplomuar në Stamboll në universitetin e Hylqies, Hajredini ende 24 vjeçar, dërgohet në Janinë. Aty mëson nga administrimi praktikisht dhe pas disa provimesh të tjera në Stamboll, në vitin 1906, dërgohet nga Porta e Lartë, me detyrën e nënprefektit, në një prej nënprefekturat e Mamisit, të Vilajetit të Izmirit në Turqi. Aty, ndonëse punon deri në vitin 1910, ka qenë i lidhur ngushtë me krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste shqiptare. Është ndër nismëtarët e Komitetit Shqiptar të Beratit, të cilët mbështetën fuqimisht Ismail Qemalin, Shahin Kolonjën dhe Hasan Prishtinën, për të ngritur zërin në parlamentin turk, lidhur me alfabetin dhe gjuhën shqipe.
Në fillim të vitit 1912, Hajredin Fratari, e braktis përfundimisht karrierën e lartë në administratën turke dhe shkon në Mallakastër e Berat, duke mos kursyer as forcat e mendjes e as pasurinë e tij dhe vihet në ballë të lëvizjes, për pavarësinë e trojeve shqiptare. Natyrisht, një personalitet si Hajredin Fratari, e kishte të qartë se Pavarësia e Shqipërisë, mund të arrihej vetëm në saje të bashkimit të ideve dhe forcave të krejt shqiptarëve, drejt qëllimit të përbashkët. Për këtë qëllim, ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut, më 25 maj 1912, si përfaqësues i popullit të Mallakastrës dhe Beratit. Fjala e tij, do të dëgjohej me respekt, në mes të 250 burrave të mbledhur në Junik, të cilët përfaqësonin, të gjitha vilajetet shqiptare. Nisur nga aktiviteti i madh patriotik, nga mençuria dhe guximi i tij, populli i Mallakastrës, e zgjedh Hajredin Fratarin, si delegatë të saj në Kuvendin historik të Vlorës, në nëntorin e vitit 1912. Në këtë mënyrë, burri i Mallakastrës u radhit ndër 33 firmëtarët që shpallën me aktin e tyre, pavarësinë e trojeve amtare.
Por qëndrimin e Hajredinit, nuk mund ta harronin rebelët mallakastriotë, që në mënyrë të verbër, shkonin pas Haxhi Qamilit, kësaj figure të urryer të shqiptarëve, në ato vise. Në ditët e para të prillit 1915, ata shkojnë në Fratar dhe e arrestojnë Hajredinin, në shtëpinë tij. Katër ditë më pas, ndërsa ai tentoi t’u largohej rojeve, është qëlluar dhe vrarë prapa krahëve. Gjithsesi, në telegramin për këtë vrasje, thuhej: “Berat 15 prill, ora 8 e ditës. Drejtuar kryesisë së Komitetit Elbasan, Tiranë, Krujë. Zoti Hajredin Fratari, tue qenë nga nënprefektët e administratës së Turqisë, është mbështetës i personit të Ismail Qemalit dhe u bë nënprefekt i Skraparit. Mbas ngjarjeve të bamë së voni, është burgosur në burgun e Beratit dhe mbasi nuk u pa e pëlqyeshme mbajtja e tij në burg, e pamë të udhës, transferimin e tij në burgun e Kavajës. Për dijeni ju njoftohet se sot, ku po përcillesh për në Kavajë, nën vërejtjen e një detashmenti… u muar vesh se rrugës, ka tentuar me u arratis dhe mbasi nuk iu bind urdhrit “ndal”, të dhanun dy-tri herë prej detashmentit, asht vramë nga të qiturat e pushkëve, të bame nga ana e detashmentit”. (Arkivi Qendror i Shtetit-Tiranë. Fondi 245,dosja 26, fleta 118).
Raufi 7 vjeçar, do të shkonte të fillonte mësimet në shkollën e Fratarit, të cilën e pati ngritur që nga themelet, i ati, Hajredini, madje edhe mësuesit e parë të kësaj shkolle, ishin paguar nga burri i shquar i Mallakastrës. Së bashku me vëllanë më të vogël, Skënderin, ata do t’i rriste me dashurinë e saj, nënë Sabirja. Pas mbarimit të shkollës fillore, në Fratar, Raufi shkon në Gjirokastër, ku mbaron dy klasa të tjera. Më pas në, vitet 1923-1927, ai shkon në Modena të Italisë dhe me ndihmën e pakursyer të familjes, mbaron me rezultate të shkëlqyera, studimet në shkollën e mesme ushtarake. Tejet autoritar, me ambicie të vazhdueshme për t’u thelluar në studimet ushtarake, Rauf Fratari, do të këmbëngulte për të vazhduar akademinë e lartë ushtarake. Për fat të tij, në nëntorin e vitit 1928, Mbretëria Shqiptare, e shpalli të atin Hajredinin, “Dëshmor të Kombit”, me ç’rast të birit, Raufit, i ofrojnë studime të larta në Itali. Në këtë mënyrë, së bashku edhe me studentë të tjerë shqiptarë, në vitet 1929-1933, Rauf Fratari, vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Romës, në degën e Kavalerisë. Autoritetit dhe prestigjit që gëzon ndër shokë, do t’i shkonte shumë kjo degë e, për më tej, Raufi do t’u futej studimeve të thelluara, për rolin e madh të kavalerisë në betejat, që kishin zhvilluar në shekuj me radhë, bashkëkombësit e vet. Ndërkaq, ai nuk do të qëndronte indiferent edhe ndaj politikave italiane për fashistizimin e jetës së studentëve shqiptarë, në krejt Italinë. Kundërshton me forcë nderimin alla romana dhe në bisedat me miqtë e vet, shprehet hapur, duke thënë se; studentët shqiptarë, duhet të ruajnë nderimet ushtarake, që bëheshin në atdhe dhe asesi, nuk duheshin harruar zakonet e mrekullueshme shqiptare.