Historia e panjohur e bazës së Lazaretit/ “Kali arab në tokën e shqiponjave”- Artikull i revistës franceze: Unë pashë thesarin që shqiptarët nuk ia dinë vlerën!

Jan 21, 2022 | 14:39
SHPËRNDAJE

Kaprolli Petrit Dumes1“Ka në Shqipëri një thesar të paparë, të fshehur mirë, që po ta zbulosh fiton mijëra dollarë. Ky thesar është kali i rrallë gjakpastër arab”. Zbulimi i gazetarit francez, Zhan Lui Guro, publikuar në revistën “Ndërkombëtare e imagjinares”, në marsin e vitit ‘91, është pjesa më interesante e reportazhit me titull “Kali arab në tokën e shqiponjave”.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Autori është gjendur në Shqipëri për studimin e kuajve në kuadrin e një programi për shkëmbime kulturore franko-shqiptare. Më herët, shkruan Zhan Lui Gjuro, kisha mësuar se në vitin 1957 ky vend kishte importuar nga ferma “Tverskaja” e Bashkimit Sovjetik 15 kuaj arabe, duke u bërë vendi i shtatë në botë posedues i racës së famshme. Njëherazi me përshkrimin e kuajve që ka gjetur në Stacionin Zooteknik të Shkodrës dhe historikun e trashëgimisë së tyre, gazetari rekomandon krijimin e një shoqërie të përbashkët franko-shqiptare për mbarështimin e “arabëve gjakpastër”. Po çfarë shkruan tjetër Zhan Lui Gjuro në reportazhin “Kali arab në tokën e shqiponjave”….

“Ka në këtë vend, në Shqipëri, të futur diku, të fshehur mirë, ose të paktën që bota nuk e di -po ashtu edhe vet shqiptarët -një thesar të vogël në tërë kuptimin e fjalës. Mjafton që atë ta nxjerrësh, ta fërkosh, që të shkëlqejë, t’i bësh një paraqitje të mirë dhe hop – ta shesësh me peshë ari. Ky thesar është kali i rrallë “arabi gjakpastër”. Unë pata rastin të shikoja me sytë e mi vetëm në Shkodër dhe Spitallë të Durrësit shtatë hamshorë të tillë, më shumë se 30 pela dhe rreth 100 mëza.

kuajt 111

Disa syresh ishin me të vërtetë të mrekullueshëm e besoj edhe shumë, shumë të kushtueshëm, po të kemi parasysh tregun ndërkombëtar. Ka ndër ta, po t’u referohemi ankandeve të tilla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Bashkim Sovjetik e Poloni që mund të shiten për disa qindra, madje disa mijëra dollarë. Po këta kuaj me kaq vlerë, në rrethanat e gjendjen ku janë, tani nuk mund të vlejnë as sa një gozhdë. Kjo për arsyen e thjeshtë se këta gjakpastër arabë, vetëm për mungesë informacioni, nuk njihen në shkallë ndërkombëtare si të tillë. Për rrjedhojë, për momentin ata nuk janë gjë tjetër veçse- Të pashitshëm! Ky thesar i padukshëm, ndoshta do të mbetet kështu deri sa të shuhet edhe i fundit ndër ta.

Ndoshta Franca do të bënte mirë të ndërhynte me autoritetin e saj që këta kuaj të njihen nga ËAHO. Unë kam qenë i pranishëm në ankandin e zhvilluar në fermën “Tverskaja”, ku u nxorën për shitje 43 kuaj të kësaj race dhe u shitën 29 syresh kundrejt shumës 1.681.000 dollarë. Rekordin e arriti një pelë 19-vjeçare, që u ble nga një holandez për 681 mijë dollarë.

Me çmimin më të ulët, 10 mijë dollarë, u shit në Finlandë një hamshor pesëvjeçar. Një tjetër çmim interesant: Një pelë 20-vjeçare e bleu në ankand një amerikan për 100 mijë dollarë. Këto kuota janë shumë larg atyre që u shënuan në vitin 1981, ku shifra totale arriti tre milionë dollarë. Në ankandin e atij viti, ndodhi që njëri ndër ta, hamshori “Pesmiar”, u ble një milion dollarë dhe u nis për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar atje karrierën e hamshorit-Yll.

kaprolli petrit dumes

Ndërkaq, në një ankand tjetër të kuajve të racës “Tverskaja”, që rrjedhin nga arabi dhe i ngjajnë atij, por jo me të njëjtën lartësi(disa centimetra më të ulët) shifrat e çmimeve u ulën ndjeshëm, duke shënuar vlerën mesatare 2000 dollarë për copë. Në këtë merkato, një italian bleu gjysmën e kuajve. Kuajt e rrallë në tokën e shqiponjave mesa duket kanë për të humbur pa ua ditur kush vlerën. Sidoqoftë, unë aty takova specialistë të talentuar që më mësuan historinë e këtyre kafshëve të famshme dhe dallova te ta përkushtimin për t’i ruajtur e mbarështuar, por konteksti në të cilin punonin nuk i favorizonte për një sipërmarrje të tillë.

Kuajt 1

Arabi aty kishte mbërritur, siç më thanë, në vitet ’50, kur Shqipëria përjetonte frytet e miqësisë së mirë me Bashkimin Sovjetik. Divorci me këtë të fundit kishte pasuar me një kalvar për fermën e “arabëve”, e cila disa vite më vonë ishte goditur sërish në emër të kundërvënies ndaj armiqësisë së Petrit Dumes, gjeneralit që kishte iniciuar sjelljen e tyre nga ferma e njohur “Tverskaja” e Bashkimit Sovjetik.

LEXO KETU:

INTERVISTA/ ‘Vlashi’ i ‘Pyllit të lirisë’ zbulon prapaskenat: Kur kalëroja me “Kaprollin” e famshëm të Gjeneralit të dënuar me vdekje nga Enver Hoxha! (Pjesa 3)
EKSKLUZIVE/ Historia e panjohur e bazës sekrete të Lazeretit/ Flet pronari i fermës: Si u ble nga ambasadori në tregun e zi “Gjakpastri arab” i Petrit Dumes (Pjesa 2)
EKSKLUZIVE/ Historia e panjohur e bazës sekrete në Tiranë/ Kuajt e Petrit Dumes, shkëlqimi dhe rrënimi i fermës së Lazeretit (PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura