“Djali i Enverit ngriti shtetin për biçikletën e vjedhur para Postës”/ Historia e mjetit të vetëm privat që përdornin shqiptarët në diktaturë! Nga diplomatët, tek mjekët dhe femrat e njohura

Mar 7, 2023 | 12:29
SHPËRNDAJE

bicikletat enver i

NGA UVIL ZAJMI

Një Shqipëri, nga punëtori, arsimtari, pedagogu, akademiku, intelektuali, studenti, shkrimtari, këngëtari, artisti, regjisori, gazetari, dirigjenti, dentisti, aktori, piktori, sportisti, mjeku deri te kooperativisti të gjithë kanë përdorur biçikletën, si mjetin kryesor për në punë, shkollë, kudo.

Deri edhe personeli i ambasadave. Një histori gjysmë shekullore, kur në mungesë të makinave private, biçikleta ishte mjeti masiv lëvizës urban. Përjashto kupolën, qeveritarë, ministra, udhëheqës, që kishin automjetet shtetërore. Shkodra është konsideruar qyteti i biçikletave për nga numri i madh i tyre në raport me popullsinë, deri në 3,4 biçikleta në një familje. Por, dhe qytet e tjera, në veçanti Tirana. Me biçikletë, për në plazh, apo për të ndjekur ndeshjet nga një qytet në tjetrin me një kamerdare rezervë, pompë, letër smerili, mastiç me vete është udhëtuar. Nga filma shqiptarë ato me atentate, njësitin gueril, njohjet, dashuritë me biçikletën protagoniste, te markat e njohura “Zis” e “Mifa”, biçikletat me qira, riparim-shërbimi, femrat e biçikletave, maniakët, deri tek “Ali Pazari”. Nga e para e markës shqiptare “Ylli”, kur dy persona mbi biçikleta konsiderohej kundërvajtje, te vjedhësit profesionistë, ato me kostum e kravatë dhe vagoni e mallrave ku i fshihnin.

MARKAT E BIÇIKLETAVE, NGA “BIANCHI”, “ZIS”, “MIFA”, “ROBUSTA” TE “VELAMOS” DHE “YLLI”

Si në kohën e mbretërisë, por edhe në socializëm, biçikletat që preferohej ishin ato italiane “Bianchi”, burra-gra që deri në vitet ’50 që tregëtosheshin. Më pas dominonin ato të ardhura nga Vendet e Lindjes. Ishin 26 dhe 28-she, që përfaqësonte diametrin e diskut dhe madhësinë e biçikletës. Me kontrapedal, me një pompë për fryrje gome, më vonë edhe me “libër”. Fillimisht ato sovjetike Zis, për burra 28-she, që shiteshin 8.200 lekë, por edhe sjella nga studentët. Pastaj “Robusta” hungareze, 8. 600 lek, ato gjermano-lindore, “Diamant” burrash, “Mifa”, 26- 28-she, me ngjyra, elegante, burra-gra, me vlerë 9.800 lekë. Të lehta, praktike, me një frekuentim të madh. Në vitet ’70 u shfaqën çeket “Roadster”, 26-28-she M-F, polaket “Mefka”, “Tohan” rumune, për të ardhur te kinezet, 9.600 lek, një shumë gati dy rroga punëtori. Me stemën e tri botëve të stampuar në trup, jeshile, burra e gra, dy modele: 26-she, me zinxhir të hapur, dhe të mbuluar, 28-she të zeza me zgarë e këmbalec të madh. Patën përdorim të gjërë nga e gjithë popullsia, por pas prishjes me kinezët, kishte mungesë në treg.

Në fillim të viteve 80-të erdhën vietnamezet “Velamos”, 26-she, 12.600 lek, bojëqielli, rozë, me hekur dopio në mes. Defektoze, të rënda, ndryshkeshin shpejt. Me to u zhvillua edhe një garë demonstrative në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në qarkullim kanë qenë edhe biçikletat dyshe të sajuara, për dy persona.. Deri në prodhimin nga “Uzina Tirana” të biçikletës së parë të markës shqiptare “Ylli”, 7.600, M-F, 26-she imitim i asaj kineze. U përdorën nga qytetarët, shërbimet publike, mbi 1000 copë e merrte Postë-Telekomi për shpërndarësit, deri edhe ndjekësit e ambasadave të huaja i pajisnin me të tilla biçikleta. Kishin problem disqet, kopertonat të cilat çaheshin, nga cilësia e dobët. Dikush i vendoste në trup një ndenjëse metalike për fëmijët. Më pas u prodhua edhe 22- she, “Valbona”, për të cilat adaptonin kopertonin 26, për atë tip. Biçikletat historikisht janë shitur në dyqanin me komision, atë të valutës, te dyqani i sportit në Rrugën e Barrikadave, përballë ish-Muzeut të Luftës. Më pas në Rrugën e Durrësit. Kishte edhe prej atyre që i vinin, nga të afërm nga jashtë shtetit. Shitja e biçikletave shoqërohej me interesim të madh, me rrallë ta gjata, konfuzion në mesnatë për të blerë një të tillë. Deri edhe me autorizim për qendra pune, redaksitë e gazetave, postierët, shërbime publike janë shitur, shpërndarë.

BIÇIKLETAT ME QIRA, DHE TRUKU PËR TË KËMBYER PJESËT

“Biçikleta me qira”, kështu janë njohur. Në Tiranë, kishte disa dyqane që riparonin por dhe jepnin biçikleta me qira. Kryesisht, ishin në qendër, si ato të biçikletaxhinjve pas ish-Komitetit Ekzekutiv, një tjetër te “Mapo e madhe” në Rrugën e Dibrës, tek ish-lodrat, varkat, ku shërbente Njazi Varvarica. Por, edhe pranë Xingonit, në Rrugën e Barrikadave, një dyqan vetëm për biçikletat me qira, me Metin dhe dy vajzat e tij. Përdoreshin biçikleta “Mifa”, “Robusta”, etj. Fillimisht, 10 lekë, pastaj 30, deri në 60 lekë ora, një pagesë që shërbente edhe për riparimin e ndonjë defekti, gomë, etj. Duhet të dorëzoje pasaportën, ose një dokument identifikues, ndërsa nën 16-vjec nuk ta jepnin, por vetëm biçikleta të vogla “Pionieri”. Studentët, konviktorët, skënderbegas, ushtarët, ata që donin të mësonin biçikletën, ishin frekuentuesit e tyre. Me kulm, fluksin ditën e diel, kur të gjithë i shihje përreth Pallatit të Madh të Kulturës duke bërë xhiro. Ndonëse i jepeshin biçikleta të konsumuara, kur i dorëzonin, biçikletaxhi Remziu i thoshte: “Ça i ke bo kësaj”, kur i shihte që ja sillnin të dëmtuar. Pati një kohë, kur edhe qytetarë nisën t’i merrnin, me qëllim për të zëvendësuar, ndërruar pjesët e biçikletës së tyre të dëmtuar, si aksi, kontrapedali, disku, me ato të reja të biçikletës me qira. Kur u kuptua, dyqanxhinjtë i lyenin me bojë pjesët kryesore të atyre me qira. Deri pas 1970-s, kur biçikletat me qira u hoqën.

bicikletat 7

RIPARIM SHËRBIMI, BIÇIKLETAXHINJTË NJERËZ SHUMË POPULLORË

Biçikletaxhinjtë ishin tejet popullorë. Ato pas ish-Komitetit Ekzekutiv, si Petrit Kika, Idriz Vrapi dhe Hysni Karapici, bashkë me klientët e tyre, si Panajot Pano, Mico Papadhopulli, Koles Kraja deri edhe Loro Borici. Por, ajo më e madhja, mbetet te kinema “17 Nëntori” ku shërbente Bedri Bulku, Medi Dobruna. Te 9-katëshet Arjan Stafa, te lodra, anash “Mapo”-s të në Rrugën e Dibrës Njazi Varvaricën; Medreseja, Ruzhdi Bakalli; Xhamlliku Gjergj Milo ish-çiklist; Rruga e Elbasanit Panajot Selenica; Galip Kallajxhi, me klientët e tij, dr. Nestor Terskën, volejbollistin Njazi Kosavrasti; Laprakë, Eqerem Katroshi; Treni Ymer Begeja, pas “Lidhjes së Shkrimtarëve” Hilmi Pirro, Lulzim Kuci, Rudolf Gurashi, ish-kampion, çiklist i njohur; Kamzë, Tit Pustina ish-lojtar i “17 Nëntorit”, Bedri Petrela. Një kontroll gome kushtonte 10, ndërsa një pullë 17 lekë. Gjithçka në mënyrë artizanale: Fryrja, futja e kamerdares në një legen me ujë, pastaj në gur smeril, lyerja me mastiç e pullës, vrimës, bashkimi, fryrja, kontrolli sërish në legenin me ujë, pastaj montimi. Jo më shumë se 10-15 minuta.

FEMRAT E FAMSHME ME BIÇIKLETA

bicikletat689888

Ka qenë luks, për kohën, konsiderohej moderne, kur një vajzë, një grua përdorte biçikletën. Nuk ishin të shumta në numër, por të njohura, edhe për faktin se vetëm ato kishin biçikleta që nuk tregtoheshin në vend, të bukura, sportive, që binin në sy. Të ardhura nga jashtë, nga të afërm, familjarë, nga Italia, apo kush kishte studiuar në perëndim. Dina Kotherja, italiane, profesoresha e rusishtes në gjimnazin “Qemal Stafa”, gjithmonë me biçikletën blu femra “Cottur” triestineze; Bebi Kristilli, pianistja, pedagoge, nuk e ndante biçikletën, një femrash të ardhur nga Franca. Vajza e doktor Litos, Evelin, me një biçikletë femrash “Bianchi Sport”, të sjellë nga Italia, ngjyrë gri argjenti, shumë e rrallë për kohën, nga “Pazari i Ri”, përgjatë Rrugës së Durrësit në gjimnazin “Qemal Stafa”, tërhiqte vëmendjen si e vetmja nxënëse që shkonte me biçikletë në shkollë të mesme. Git Zyma, vajza moderne e doktorit të njohur, me një biçikletë femrash “Bianchi” të zezë, kur dilte nga shtëpia rruga “Fortuzi”. Mjekja e ambulancës së Lagjes 4, Sofika Suli, edhe ajo me një “Bianchi”. Si një djalë në biçikletë ishte edhe bukuroshja Marie Dindi, e njohur në Tiranë si “Marcela”, për nga flokët kaçurrela të ngjashme me këngëtaren italiane Marcela Bella. Arjana Kroi, me biçikletën e saj të sjellë nga jashtë, si vajzë ambasadori, tërhiqte vëmendjen kur dilte.

NË FILMA DHE VIDEOKLIPI “BIÇIKLETA” E FRANCESK RADIT ME REGJI TË YLLI PEPOS

Nga filmat e huaj, ato italianë të viteve ’50-’60, të shfaqura edhe në kinematë e kryeqytetit, si “Vjedhësi i biçikletave”, tek ato të kinostudios “Shqipëria e Re”. Nga episode e njësiteve guerile, atentatet, tek ato me dashuri, njohjet, me biçikletën protagoniste për të ardhur në dhjetor 1972, me videoklipet e parë shqiptarë, “Biçikleta” dhe “Adresa”, të kantautorit të paharruar Francesk Radi, me regjisor, ikonën Ylli Pepo, kamera Gazmir Shtinon. “Fituesja e fitueseve”, quhej program tri seri televizive në TVSH, me këngët e zgjedhura nga anketat muzikore vjetore. Xhirimet u realizuan në Tiranë, kodrat e liqenit dhe protagoniste mbi një biçikletë çeke “Roadster”, ishte vajza Valentina Baxhaku, njëra nga tri motrat e bukura, të pallateve “Agimi”. Videoklipet patën sukses, edhe pse u shfaqën pak ditë para Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH.

NGA MANIAKËT, QEJFLINJTË, TE TË DASHURUARIT

Maniakët, qejflinjtë e tyre kanë qenë të veçantë në Tiranë. Për mirëmbajtjen, me të gjithmonë pranë, në veçanti ata me biçikleta të huaja me kampanjolë, tërhiqnin vëmendjen. Disa tipa i zbukuronin biçikletat me llapma, stopa, dy pasqyra, dy zile, dalloheshin kur dilnin, sidomos në mbrëmje. Problem ishte mbajtja e biçikletave në apartamente, pallate. Ngjitja, zbritja, pastaj sistemimi, krijonte vështirësi për ngushticën, dhe numrin e madh të familjeve vetëm në një hyrje, deri edhe në ballkon i vendosnin. Lënia, jashtë në korridoret e shkallëve, edhe pse të lidhura me dryn, zinxhir, rrezikonin të vidheshin. Biçikletat i kanë shërbyer shumë edhe postierëve. Pastaj për të dashuruarit, duke i krijuar intimitet, larg vështrimeve, duke humbur në errësirat e periferisë së kryeqytetit, ndonëse dy persona mbi një biçikletë u konsideronte kundërvajtje, dënohej me gjobë 100 lekë, ose me heqje ventili. Policia të ndalonte edhe kur të mungonte çanta e vogël me vegla, një pajisje lëkure që vendosej në trupin e biçikletës. Nuk lejohej të shëtisje në parkun e liqenit artificial, as duke e mbajtur për dore. Biçikletat, ajo “Mifa”, është përdorur për një kohë të gjatë edhe nga punonjësit e kinemave të kryeqytetit, për të dërguar kasetat e filmave nga një kinema te tjetra.

VJEDHËSIT E BIÇIKLETAVE, PROFESIONISTË TË GJITHË MËNYRAVE

Vjedhja e një biçiklete, gjetja e saj ishte thuajse e pamundur, edhe pse ato denoncoheshin në polici. Humbjen e saj e vuante personi, familja, deri në qendra pune, komshinj, miq, të afërm qarkullonte lajmi. Në vitet pas çlirimit, biçikletat regjistroheshin në polici, dhe tek shala, montohej një llamarinë e vogël me targën e saj. Fenomeni i vjedhjes u përhap pas viteve ’70, me vjedhës profesiontë, si në rastin e ngjarjes që ka lidhje me humbjen sistematike te biçikletave te Banka Shqiptare. Nisur nga zhdukja e tyre, punonjës të sigurimit, të veshur si fshatarë, me qeleshe, duke shitur fiq, ruanin hyrjen kryesore, vendin ku e linin biçikletat punonjësit, qytetarët, përballë taksive. Deri sa e zbuluan. Vjedhësi profesionist, ishte një burrë, në pamje serioz, me kostum e kravatë, ulej te biçikleta, dhe me një çelës të bërë për këtë qëllim, i hapte duke u largohej. Polici e kujtonte zyrtar, dhe nuk reagonte. Dy ishin mënyrat e vjedhjeve: Ajo me llullë, një çelës kopil, kështu quhej, me të cilin u hapnin biçikletat, ndërsa tjetra, me një litar të vogël, me dy ganxha hekuri në dy krahët, njërën vjedhësi e vendoste në rripin i mesit të pantallonave, tjetrën në zgarën e pasme të biçikletës, duke e ngritur pak rrotën e dytë nga toka, për të vijuar normalisht, ndërsa një shok mbante timonin. Stacionet e trenave, vagonët e mallrave të linjave të largëta, ishin të preferuar për vjedhësit për t’i larguar nga qytetet ku i vidhnin. Vjedhësit e biçikletave ishin të skeduar, njiheshin nga Policia, lagjet, e ndaj tyre zhvilloheshin procese gjyqësore, deri edhe burgime.

PARKIMI PRIVAT I ALI PAZARIT, QË HABITI HOLANDEZËT E AJAKSIT

Nuk bëhet fjalë për një artist, mjek, këngëtar, shkrimtar, sportist. Por, për një njeri, personazh tejet popullor, Ali Pazari, të njohur, si asnjë tjetër, vetëm nga një detaj, që e lidhte më kryeqytetasit e që i dha famë: Nga stadiumi kombëtar “Qemal Stafa, te “Dinamo” në pallatin e sportit “Partizani”, tifozë, drejtues, sportistë, tek Ali Pazari e dorëzonin biçikletën ndaj një pagese, 5 lekë. Aliu i njihte të gjithë me emra, edhe vendin, ku e vendoste biçikletën, në ato mijëra të tilla dhe me kujdes e nxirrte kur ja dorëzonte. Gjithçka në pak minuta, edhe kur fluksi para dhe pas ndeshjeve ishte i jashtëzakonshëm. “Mos e mbyll, mos e mbyll biçikletën… Mos e prek, ta jap unë…. “të këshillonte zëri tingëllues i tij. Ndodhte që ja merrnin, iknin pa paguar, i shihte, “do ta paguash herës tjetër” i thoshte. Një ritual, vite punë, duke befasuar edhe të huajt, gazetarët holandezë që shoqëronin Ajaksin në shtatorin e vitit 1970, që të habitur filmonin një personazh simpatik, me një radio dore varur në qafë, me një shall, beretë, që me pak fjalë në gjuhë të huaj komunikonte me ta. Madje edhe shteti, kishte rënë në kompromis me të. Li Pazari është njeriu i parë dhe i vetëm me parking privat në Shqipërinë socialiste. Atë të biçikletave! Mjafton të shikoje biçikletat në parkingun e tij, për të kuptuar edhe numrin e madh të tyre në Tiranë.

Një jetë si ndreqës biçikletash. Nga 1975-’76 edhe sot unik, i tillë ka mbetur, kur vazhdon të punojë me orar unik 7-19, si atëherë. “Kam qenë 13 vjeç, si nxënës, ndihmës, kështu kam filluar”, thotë për gazetën “Panorama”, Lulzim Eminaj.

lulzimi bicikletat

Luli, ju kujtohet fillimet tuaja?

Mbrapa Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj te Riparimi pas ish-Komitetit Ekzekutiv, aty ku ndalonte autobusi për “Sanatorium”, ngjitur me trekëndëshinlulishte, te banjat, pas reklamave të kinemasë. Në krah të një bulmeti, xhamaxhiu, një dyqan, deri kur u prishën bashkë me ish-Komitetin Ekzekutiv. Na çuan te riparim-shërbimi te kinema “17 Nëntori”.

Keni qenë nxënës, në krah të mjeshtrave të njohur?

Po, Medi Dobruna, Xhelal Boja, Ilir Sharra, Gjergj Milen e të tjerë. Punohej me normë, punë ditore. Sa riparime gome do të bëje në ditë, bashkë me kategorinë personale, ajo ishte rroga mujore që shkonte nga 1.200 deri 4.500, 5000 lekë. Një ngjitje gome ishte 8 lek, nga të cilat 7 i merrte qeveria dhe 1 lek ti. Pastaj u bë 15 dhe më vonë 17 lek. Përdorej mastiç italian, gurë smeril dhe një kazan me ujë për të futur kamerdaren në fillim për të zbuluar vrimën dhe më pas për të kontrolluar ngjitjen. Jo më shumë se 20 minuta. Një kontroll gome kushtonte dhjetë lek. Një llastik ventili 1 lek, kishte shumë kërkesa, vidheshin në masë.

Sa e lehtë, apo jo ishte të mbaje një biçikletë, ta riparoje, gjeje pjesë këmbimi?

Vështirësia më shumë ishte për kopertona, kamerdare, kur ato mungonin, kishte krizë dhe për gjetjen e tyre duhej mik. Ato që vinin nga Kina, ishin të një kualiteti shumë të mirë, nga Jugosllavia të markës “Sava”, 90 lek. Pastaj nisi prodhimin NISH Goma Durrës. Kamerdaret ishin të hapura, jo rreth, ne i bashkonim, “xhunto” quhej. Merrja 20 lekë për një tillë. Ndërsa kopertonat ishin të cilësisë së parë, 110 lekë, dhe të dytë 90-lekë, si jashtë përdorimit, kur brumi dilte jashtë në stampim. Në raste krizash tregtoheshin edhe ato. Kujtoj edhe biçikletat vietnameze, me të cilat u zhvillua një garë demonstrative në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Ju kujtohen, cilët ishin klientët më të veçantë?

Thuajse çdo biçikletaxhi kishte miqtë, klientët e tij. Unë i kam riparuar thuajse të gjitha tipet e biçikletave, që kanë qarkulluar në Tiranë. Por edhe të personave të njohur, artistë, sportistë, mjekë. Nga Reshat Arbana, Ndrek Luca, Agim Krajka, deri te mjekët e nderuar, Skëndetr Pogoni, Lluka Heqimi, Adnan Këllici, Mel Ostreni nga të parët në Tiranë, me një biçikletë italiane të bardhë, 26-she etj., etj. Nga sportistët Pal Mirashin me bicikletën e kuqe italiane “Chiapini”, Skënder Jareci me “Mifa”, Skënder Hyka me një “Bianchi” burrash të zezë. Ramadan Shehu, me një franceze femrash jeshile. Ali Mema, mbetet i paharruar.

Keni një ngjarje me një personazh të njohur, Telat Agolli quhet?

Telat Agolli, sapo kishte dalë nga burgu, kur vinte në dyqan, me një biçikletë prodhim “Uzina Tirana”, askush nuk ia kapte me dorë, unë si më i vogli “bëja ti më thoshin”. Qeshte se e shihte që nuk donte t’ia riparonte njeri, priste te dera ose në banak. Nuk i jepnin kopertona të rinj, i riparoja të vjetrin, duke i vendosja manikota, kamerdarja me dhjetëra pulla, ja dorëzoja, paguante paratë, largohej. Shumë vite më vonë, në demokraci ka ardhur në dyqan, “atë që ke bërë ti për mua, nuk ma bënte njeri”, më morri dhe qëndruam gjatë në një lokal.

Po nga blloku, kishte që i përdornin?

Më kujtohet, Bashkim Shehu, djali i kryeministrit, e riparonte biçikletën tek unë. Duhet të ketë qenë vitet 80-të. Më sillte paketa me cigare, “Tarabosh” dhe “Partizani” të kuq, me celefon, që prodhoheshin vetëm për ato të bllokut, shiteshin 20 lek, nga 18 që ishin për popullin.

Sa ishte frekuentimi i biçikletave nga të huajt dhe ku i riparonin?

Punonjësit e ambasadës franceze, italiane, kineze qarkullonin me “Punonja” te “Riparmi” te kinema “17 Nëntori”, kur një ditë erdhi bahçevani i asaj kineze. Ia bëra kamerdaren, ishte e kuqe prodhim kinez, në çastin që po e montoja, ai bërtiti “jo, jo, jo”. Çfarë ka ky? “Fshije, thaje, bëje me pudër”, bërtiti. Shoh Bedriun, përgjegjësin, që mu afrua: “Po na shkon në drejtori ky dhe po ankohet, ik blej një pako me pudër”, më thotë. Vajtja te një kinkaleri, pranë reklamave të kinemasë dhe mora një të tillë që përdorej për fëmijë. U ktheva, ia pudrosa, ia montova. Pudrën e ruanim nëse do të vinte një tjetër kinez.

Luli, cilët ishin “viktimat”, ato më të preferuarat për vjedhësit?

Shumë vidheshin në stadium, mjedise sportive, etj. Sportistëve, ishin të shkujdesur, i linin kudo, në ndeshje, stërvitje deri në 5, 6 i kanë vjedhur një sportisti. Dhe me një person të tretë, vjedhësit ja rishisnin po atyre. Por, edhe artistët, mjekët ishin “viktima”, edhe pse i mbyllnin, ishin të detyruar t’i linin jashtë, në hyrje, poshtë pallateve, kur shkonin për shfaqje, vizita, në spitale, qendra pune. Hajdutët i njihnin, ia dinin lëvizjet, i ruanin.

Si është historia biçikletës së djalit të Enver Hoxhës?

Jo se ja vodhën atij, por një shoku, miku të tij, arkitekt. Ai kishte një biçikletë të bukur franceze sjellë nga Franca, shkoi një ditë te Posta Qendrore, e la jashtë të mbyllur. Pinë kafenë dhe kur doli nuk e gjeti. Djali i Enver Hoxhës, drejtor i Postës në atë kohë, thirri policinë. Ajo u angazhua, kishte bashkëpunëtorët e saj, që i vuri në lëvizje.

Dhe cili ishte epilogu?

Njëri prej tyre, vajti në stacionin e trenit, dhe në vagonin e mallrave të linjës Tiranë-Durrës, pa biçikletën. Ta marr njoftoi, jo i thanë prit, shoqëro personin. Në Durrës, personi morri biçikletën, dhe kur policia në vonë i vajti në shtëpi i gjeti 36 biçikleta të vjedhura, një pjesë të tyre të denoncuara nga punonjës të postës. I mbante në shtëpi, i lyente, ndryshonte ngjyrën, ndërronte pjesët, timonin ja vinte një tjetre, për t’i shitur më pas në Tiranë apo qytete të tjera, me një çmim më të lirë. Njerëzit ia blinin, kishin leverdi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura