Historia e familjes Suli/ Një vëlla u vra në 2012, dy të tjerë u plagosën një vit më vonë

Feb 9, 2016 | 13:33
SHPËRNDAJE

Nuredin Suli, pronari i makinës, të cilës iu vendos eksploziv paraditen e sotme është vëllai i Naim Sulit, biznesmenit fierak që u vra katër vjet më parë.

Viktima Naim Suli
Viktima Naim Suli

Ngjarja ndodhi në 12 nëntor të vitit 2012, kur një konflikt për zhurmën e servisit çoi në ekzekutimin e biznesmenit Naim Suli.

Në atë kohë policia e Fierit e zbardhi shpejt ngjarjen si dhe motivet që çuan në vrasjen e 47- vjeçarit.

Autorë të vrasjes u shpallën Gëzim Sulo, 49 vjeç, si dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Endri Sulo, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç.

Siç u mësua në atë kohë, 49-vjeçari Gëzim Sulo dhe 47-vjeçari Naim Suli, në 2011, janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Shkak i këtij sherri mësohet se ka qenë aktiviteti i familjes Sulo.

Rreth tri metra larg shtëpisë së viktimës, ngjitur me portën kryesore të vilës 4-katëshe, Gëzim Sulo kishte ndërtuar një servis prej rreth 2 vitesh.

Aty përditë shkonin automjetet për të riparuar defektet e ndryshme, por zhurmat e mjeteve dhe puna që kryhej në servis gjatë gjithë ditës, deri në mbrëmje ishte kthyer në një makth për familjen Suli.

Njëri prej djemve të familjes, Naim Suli, rreth 1 vit më parë kishte debatuar me pronarin e servisit, duke i kërkuar të bënte kujdes pasi po i shqetësonte familjen me gjithë ato zhurma. Madje, sherri kishte bërë që për pak kohë ata të mos flisnin dhe pse çdo ditë haseshin te porta e shtëpisë.

Në maj 2013 djali tjetër i familjes, Sulejman Suli, iu vendos tritol në makinë teksa ishte duke udhëtuar me të shoqen.

Ndërkohë, në 25 tetor 2013, u plagos Namik Suli, biznesmen, vëllai i Naim dhe Nuredin Sulit.

Persona të paidentifikuar i janë afruar pikës së karburantit me një makinë tip “Alfa Romeo” dhe qëlluan me breshëri automatike në drejtim të Sulit. Ky i fundit nuk është prekur nga plumbat, por një klient në lokal u plagos.

Ai mori ndihmën mjekësore në spital, pasi një plumb i preku qafën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura