Historia e dashurisë/ Tentoi të vrasë policen, 27 vjet burg për turkun

Jul 29, 2015 | 17:13
SHPËRNDAJE

Në nëntor të vitit 2013, një 54-vjeçar turk dyshohet se tentoi të vrasë me armën e saj të punës një punonjëse policie shqiptare, me të cilën kishte bashkëjetuar për një periudhë kohe.  

Pistoleta e drejtuar në kokën e saj u shkrep tri herë, por nuk realizoi qitje, pasi nuk kishte plumba. Tashmë, turku Mujdat Sayan, i pandehur në Gjykatën për Krimet e Rënda, rrezikon të dënohet me 27 vjet heqje lirie për këtë veprim.

Krimet e Renda
Krimet e Rendakrimet e
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Sayan duhet të deklarohet fajtor për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare ose të bashkëjetesës”, mbetur në tentativë dhe për “armëmbajtje pa leje”. Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri Sayan, i cili ka pasaportë holandeze, ka pasur si shkak refuzimin e polices shqiptare L. N. për t’iu rikthyer raportit me turkun.

KONFLIKTI

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Mujdat Sayan prej disa kohësh është njohur e ka krijuar lidhje dashurore dhe ka bashkëjetuar me shtetasen L.N. Ajo është punonjëse policie në Tiranë. Pasi janë ftohur marrëdhëniet midis tyre, shtetasja L.N. i ka shkëputur lidhjet me Sayan. I pandehuri nuk e ka pranuar këtë ndarje, duke i bërë vazhdimisht presion polices për të bashkëjetuar me të, madje disa herë ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj.

Më datë 25.11.2013, shtetasja L.N. ka qenë me shërbim turn i dytë. Gjatë kohës së shërbimit, ajo e ka hasur të pandehurin te sheshi “Avni Rustemi”. Pasi i ka dalë përpara, ai i ka thënë: “Hë a u mendove, do të vish të bashkëjetosh me mua, apo do të rrish me fëmijët?”.

“Shiko terezinë tënde, se unë kam probleme me fëmijët”, ka qenë përgjigja e L. N., por i pandehuri e ka kërcënuar duke i thënë “O do të vish të bashkëjetosh me mua, ose do të vras ty e fëmijët e tu”. Ajo ka mundur të shkëputet prej tij, pa ditur se do ta takonte gjatë kthimit të saj në shtëpi.

TENTATIVA E VRASJES

Referuar dosjes së Prokurorisë, rreth orës 22:10, teksa po kthehej në banesën e saj, L. N. është përballur me ish-bashkëjetuesin e saj turk te rruga “Bardhyl”. “I pandehuri i ka dalë përsëri dhe e ka kanosur sërish që ajo të bashkëjetonte me të.

Ai i ka vendosur një thikë në trup shtetases L. N. te pjesa e ijës, në fund të brinjëve dhe e ka shtyrë për tek autovetura e tij afër një picerie. Më pas, i pandehuri i ka vendosur thikën në fyt dhe i ka thënë:

“Do të fus thikën po nuk erdhe të bashkëjetosh me mua”. Në këtë moment, shtetasja L.N. është përleshur me të pandehurin, nga ku i kanë rënë përtokë qeskat që mbante në duar, kapelja dhe mushamaja e policisë, si dhe është rrëzuar edhe vetë përtokë. Menjëherë shtetasja L.N. ka nxjerrë pistoletën që mbante për shkak të detyrës, me qëllim që i pandehuri të trembej, por i pandehuri ia ka rrëmbyer pistoletën nga dora dhe e ka mbushur e rimbushur 2-3 herë.

Dhe ia ka drejtuar shtetases L.N. në pjesën e kokës, por pa mundur të hapë zjarr me të”, rrëfehej ngjarja në konkluzionet e Prokurorisë.

Dëshmia e polices për sulmin në rrugë

Ish-bashkëjetuesja e të pandehurit Mujdat Sayan ka rrëfyer në sallën e gjyqit tmerrin e përjetuar në momentet kur i pandehuri i ka drejtuar armën. “Në momentin që e mori në dorë, unë jam shokuar komplet, sepse ma drejtoi armën.

E ka rimbushur dy – tri herë, në atë kohë kam bërtitur. Pashë si një vegim tek interneti që dolën çunat dhe u futën prapë brenda se panë armën, dhe këta të picerisë, në moment, por unë isha shokuar sa më ngrinë duart, mendova vetëm për fëmijët e mi që ngelën vetëm, asnjë gjë tjetër, dhe kur kam hapur sytë, jam habitur si nuk isha vrarë. Ai ishte sipër meje kur ma drejtoi armën në fytyrë”, ka rrëfyer L. N. gjatë gjykimit.

NGA ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura