Historia e Baltazar Benussit, hartuesi i legjislacionit modern që përfundoi si shitës cigaresh në regjimin komunist

SHPËRNDAJE

/Kujto.al Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/

Nga burgu i Burrelit në internim në Kuç të Kurveleshit… Si e persekutoi regjimi komunist një ndër personalitetet më të spikatura të fillimshekullit të shkuar në fushën e jurisprudencës.

baltazar

Baltazar Benussi është hartuesi i legjislacionit shqiptar të periudhës së Monarkisë. Është një ndër personalitetet më të spikatura të fillimshekullit të shkuar në fushën e jurisprudencës. Baltazar lindi më 6 janar të vitit 1897, në qytetin e Shkodrës. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian të këtij qyteti. Baltazar Benussi ndërpreu studimet në këtë kolegj për t’i vazhduar katër vitet e fundit në Kolegjin Jezuit të Peshtit në Hungari. Pas përfundimit të studimeve atje, më 1916 u kthye në vendlindje.  Në vitin 1920 iu aprovua e drejta për të ndjekur studimet në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit të Romës në Itali.

Benusi Baltazar u diplomua në vitin 1924 pranë universitetit të Romës. Më vonë vazhdoi studimet duke mbrojtur gradën shkencore, Doktor në Jurisprudencë. Është një nga hartuesit e Legjislacionit modern shqiptar të periudhës së Monarkisë shqiptare.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai ushtroi profesionin e avokatit për pak kohë. Në vitin 1947 u arrestua në qytetin e Beratit, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës në organizatën «Bashkimi Demokrat». Më 30 mars 1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor me akuzën: « Ka marrë pjesë në mbledhje të ndryshme dhe ka hapur parulla, me qëllim që të ulin prestigjin e Shtetit dhe të ngjallin pabesim ndaj masës së popullit» dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, humbjen e të drejtave civile e politike për 5 vjet kohë, si dhe me konfiskimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Por një muaj më vonë, më 21 prill të po atij viti, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake ia ktheu dënimin në 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të gjysmës së pasurisë.

Më 20 gusht të vitit 1948, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Tiranës vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij. Si pasojë e këtij vendimi u sekuestruan tre vila luksoze në Tiranë, kurse familja e tij u nxorr me përdhunë nga shtëpia vetëm me petkat e trupit dhe u dëbua nga Tirana për në Shkodër. Dënimin e plotë e vuajti në burgun e Burrelit. Pas lirimit, në vitin 1956 u internua për katër vjet në Kuç të Kurveleshit. Dymbëdhjetë vitet e fundit, për të siguruar bukën e gojës, u lejua të shiste cigare në një kinkaleri në qytetit të Shkodrës. Vdiq në vitin 1982 në Shkodër.

Familja Benussi me origjinë nga Rovignio d’Istria e Italisë

Origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi është nga një provincë italiane afër qytetit të Triestes e quajtur Rovignio d’Istria, që në atë kohë ishte nën Perandorinë Austro-Hungareze dhe sot ndodhet në territorin e Kroacisë. Ajo provincë italiane prej nga është dhe origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kaloi nën administrimin e ish-Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj në fillimin e viteve 1990-të, ajo kaloi nën juridiksionin e shtetit Kroat në të cilën ndodhet edhe sot. I pari i kësaj familje është quajtur Giorgio Bernardo Benussi dhe ka lindur në atë provincë të Italisë në vitin 1801. Giorgio u diplomua në Akademinë Navale (Detare) të Triestes aty nga viti 1823 dhe punoi për disa vjet si marinar pranë Flotës Ushtarake Italiane, në specialitetin e udhëtimeve të gjata për të cilën dhe ishte diplomuar.

Pasi kishte shërbyer për disa vjet pranë asaj marine, aty nga viti 1828, atij i erdhi një kërkesë nga Veziri turk i Shkodrës, për të ardhur në atë qytet si specialist i armës së Artilerisë së rëndë. Giorgio Bernardo Benussi iu përgjigj pozitivisht ftesës së Vezirit të Shkodrës dhe aty nga shtatori i vitit 1828, ai la vendlindjen e tij Triesten dhe erdhi në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij Terezën e dy vajzat, Antonian dhe Giovanën. Nga dëshmi të ndryshme gojore të trashëguara në disa breza, thuhet se Veziri turk i Shkodrës i bëri një pritje të ngrohtë Giorgio Benussit dhe i ngriti atij një shtëpi të mirë aty ku sot ndodhet lagjia Perash, në pjesën e banuar nga katolikët. Po kështu lidhur me ardhjen e Giorgios në qytetin e Shkodrës ka dhe një version tjetër, ku thuhet se ftesa nga Veziri i Shkodrës iu bë atij pasi ai kishte ardhur në atë qytet si vizitor, ku dhe u njoh personalisht me Vezirin.

Pasi shërbeu për disa vjet si specialist i Artilerisë së rëndë pranë Vezirit të Shkodrës, Giorgio Benussi u largua që andej dhe hapi një farmaci private në qendrën e qytetit, për të cilën thuhet se ka qenë dhe e para farmaci që është hapur në Shkodër. Po kështu, krahas aktivitetit të tij tregtar farmaceutik, me të cilin kryesisht merrej bashkëshortja e tij italiane Terezina, Giorgio hapi dhe disa kurse të gjuhës italiane me pagesë, ku mësonin kryesisht fëmijët e aristokracisë së qytetit të Shkodrës, të cilët përgatiteshin për të ndjekur studimet në Itali dhe shtete të tjera të Europës. Aty nga viti 1850-të, teksa Giorgio Bernardo Benussi vazhdonte të banonte në qytetin e Shkodrës, i lindi dhe një fëmijë tjetër i cili u quajt Gasper. Giorgio jetoi deri aty nga viti 1869 dhe pas vdekjes së tij me aktivitetin farmaceutik u mor djali i tij Gasperi, i cili u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, që ishte fare pranë shtëpisë së tyre.

/Marrë nga “Kujto.al“/

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakE bujshme, Interi kërkon Strakoshën. Zikaltrit mendojnë për të ardhmen e portës
Artikulli tjetërSfumohet pista Kale për Flamurtarin, ja situata e brazilianit në gjyqin me Kukësin

S'KA KOMENTE

Comments are closed.