Historia e Aishe Pojanit, që varrosi të shoqin e vrarë në oborrin e shtëpisë

Feb 3, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Aishe Pojani mban mbi supe një krim të rëndë, pesha e të cilit ngjan sikur rëndon edhe më shumë mbi këmbën e saj të djathtë, me të cilën ajo çalon dhe e përforcon ecjen e saj me një bastun metali. Aishe Pojani ka vrarë të shoqin e dhunshëm dhe xheloz pas qindra herëve që kishte duruar mbi kurriz dhunën dhe fyerjet e tij.

 

Aishe Pojani
Aishe Pojani

Gruaja nga fshati Baldushk i dha fund jetës së bashkëshortit, Hasan Pojani dhe kufomën e varrosi me duart e saj në tokë. Mirëpo, as toka nuk i mbulon dot pendesat, zhgënjimin, trishtimin dhe faktin se në duart e saj ndiente aromën e gjakut të burrit, me të cilin pati lindur 7 fëmijë, ku më e vogla ishte 8 vjeç natën që ndodhi krimi.

Aishes nuk i ishte mërzitur vetëm i shoqi, por edhe jeta e saj të cilën e kishte jetuar në terr, poshtë çatisë mjerane të shtëpisë së saj. Aishja ishte pre e dhunës, njësoj si shumë gra shumë herë më të shkolluara se Aishja, të cilave u regjet lëkura me dhunën në familje dhe nuk arrijnë dot të kuptojnë se si janë transformuar nga femra të lira, në robinja.

Nëna e 7 fëmijëve sot jeton e lirë. Ajo bashkë me lirinë ka fituar edhe disa kile të tepërta që e pengojnë edhe më shumë. Nuk punon. Edhe pse ka bërë një kurs rrobaqepësie në burg, ajo nuk ka punuar kurrë që pas daljes prej tij. Ankohet se nuk është në gjendje të rrijë para një makine qepëse (të cilën e ka mësuar në burg nëpërmjet një kursi profesional) dhe thotë se është e pamundur fizikisht për të punuar.

PAS BURGUT

Kur Aishe Pojani iu rikthye lirisë 2 vjet më parë, prej jetës së saj të vjetër, nuk pati mbetur më asgjë. Pesë nga shtatë fëmijët e saj, të cilët e kishin braktisur fshatin e tyre pothuaj një vit pasi Aishja kishte filluar kryerjen e dënimit, ishin transferuar diku pranë “Misto Mames”.

Pas ngjarjes së rëndë kishte qenë e pamundur jeta e tyre në fshat, ku të gjithë flisnin pas shpine se ata ishin fëmijët e gruas që vrau burrin, ose si fëmijët që kishin vrarë dhe varrosur të atin. Ata kishin tentuar t’i iknin jetës së vjetër për të varrosur në zemrat e tyre dhimbjen e madhe të një historie tragjike. Për asnjë moment nuk i shkëputën marrëdhëniet me nënën e tyre, me gjithë krimin makabër që rëndonte mbi të.

Ndoshta se të regjur me atë lloj dhune, disa prej tyre kishin gjetur një mijë arsye për të falur nënën e tyre dhe vajza që kishte marrë pjesë në varrosjen e të atit kishte gjetur edhe ajo arsye për të qenë së paku në dukje në paqe me veten.

Tani që Aishja ka dalë nga burgu, mban kontakte vetëm me disa gra që si ajo kryenin dënimin me burg. Nuk ka më asnjë lidhje me familjarët e saj. Nuk ka lidhje as me familjen e ish-burrit, ndërkohë që fëmijët i ruajnë shumë të forta lidhjet me xhaxhallarët. Aishe Pojani nuk ka më vëllezër, as motra. Ata e braktisën atë kur ajo përfundoi në qeli. Por e vërteta është që ata e kishin braktisur shumë kohë më parë.

E kishin tradhtuar kur ajo u shkoi në shtëpi, në fshatin Zall-Herr dhe u kërkoi ndihmë që të ndahej me bashkëshortin. Vëllezërit ia kthyen se ajo mund të shkonte të jetonte në shtëpi, por pa fëmijët, se nuk e ndihmonin dot. Aishja nuk donte t’i braktiste fëmijët. Me mendjen e saj të painformuar, ajo shpresonte se mund të ekzistonte një mënyrë që të ndahej nga i shoqi dhe të arrinte t’i merrte disa nga fëmijët me vete. Pas refuzimit të vëllezërve, ajo u ndje e pashpresë.

ishja1

Pas asaj bisede, piu fostoksinë në shtëpinë e të vëllait, me dëshirën që duke mbyllur sytë do të shpëtonte nga hallet e saj. Përfundoi në Spitalin Ushtarak ku ndenji 17 ditë në gjendje kome. Kur u rikthye në jetë, familjarët e saj dolën garant se do të kujdeseshin për të, që të mos ishte më pre e dhunës.

Edhe ish-bashkëshorti nënshkroi një deklaratë, ku premtonte që do të sillej mirë dhe nuk do të ishte më i dhunshëm, por premtimi i tij fluturoi tej, pasi Aishja u rikthye në shtëpi. I shoqi, i cili kishte disa pistoleta, me siguri, të përfituara pas shpërthimeve të depove të armëve, ushtronte dhunë mbi të dhe fëmijët.

Aishja nuk shkonte kurrë për vizitë te familja ku ishte martuar e bija për t’u shpëtuar persekutimeve të xhelozisë së tij, të cilat hidhnin hije dyshimi mbi çdo mashkull. Aishja i kalonte ditët mes punëve të shtëpisë, hapjen e tokave të reja (gjithsej dy dynymë), të cilat sot i janë rikthyer përsëri natyrës së egër. KRIMI Aishes i kujtohet mirë ajo natë kur bashkëshorti e ngriti dorën për herë të fundit mbi të.

Ajo e mbushur me hidhërim, me zhgënjim, me vuajtje, ndoshta kishte artikuluar në mendjen e saj një përgjigje të së njëjtës formë. Ajo e goditi Hasan Pojanin me një nga urat e zjarrit pas koke. Ai vdiq ndoshta i habitur që gruaja e tij po bënte me të, atë që ai kishte bërë gjatë gjithë jetës bashkëshortore. Aishe Pojani e varrosi të shoqin e ndihmuar nga vajza e tyre 11-vjeçare.

Pasi groposi kufomën e të shoqit, ajo hapi fjalë në fshat se ai iku në Greqi dhe pas shumë vitesh sherre dhe dhune, për herë të parë u mundua të flinte së bashku me fëmijët më në fund në paqe, në jetën e tyre të varfër. Por nuk fjeti dot asnjë natë. Nuk u afrua kurrë në tokën ku e varrosi Hasanin, as për të parë nëse ajo që kishte bërë ishte e vërtetë, as për të parë nëse dikush e kishte ngacmuar apo diktuar varrin.

Në të vërtetë, ajo nuk fjeti më për asnjë çast. As e bija e saj 11-vjeçare. Një muaj më pas, Aishe Pojani shkoi në polici dhe raportoi krimin që kishte kryer, krim për të cilin u dënua 11 vjet.

FËMIJËT

Fëmijët të mbetur pa prindër sa hap e mbyll sytë u bënë prindër të njëri-tjetrit. Ata u munduan të rriteshin së bashku dhe u larguan nga Baldushku, me të cilin i lidhnin vetëm kujtime të këqija. Vajza që dikur ishte 11 vjeç, sot është e martuar. Ajo shprehet se mënyra e vetme që të mos e ndiejnë persekutimin, është të mos u tregojnë të vërtetën njerëzve që i rrethojnë.

Në punën që bënte më parë si rrobaqepëse, femrat e tjera filluan t’i largoheshin kur morën vesh të vërtetën. Ato shpreheshin me njëra-tjetrën se kur ajo kishte vrarë babain e vet, nuk kishte si t’i donte ato. E gjendur në këtë lloj presioni M. Pojani e la punën.

U largua në një punë tjetër dhe nuk foli më kurrë për jetën e saj. Ajo mbajti të mbyllur brenda zemrës makthet, tronditjet mendore, ëndrrat e këqija, në të cilat i shfaqet babai i gjallë. Ajo tregon që kur e sheh në ëndërr, i lutet që ta marrë atje ku është, se e ka marrë malli, por ai i përgjigjet se ajo ka shumë për të jetuar akoma.

Ankthi nuk iu nda për asnjë moment deri ditën që u martua dhe lindi fëmijën e saj. Ajo i tregon këto me sytë mbi beben dhe shton se fëmija i saj nuk do të ketë kurrë një fëmijëri si e saj. Shtëpia ku jeton është e lagësht dhe e ftohtë. Lagështira është ngjitur në të gjithë faqet e murit dhe i ftohti të akullos mendjen. Shtëpinë ku jetojnë e kanë me qira. E ngrohin me një rezistencë krejtësisht të pamjaftueshme.

Fëmija i saj i ftohur merr frymë me vështirësi. Aishja jeton sot sa te shtëpia e njërës vajzë po aq sa tek e tjetrës. Ka ende dy fëmijë të pamartuar, njëra prej të cilave ndjek studimet e larta për gjuhë të huaj. Ajo është ndihmuar nga një shoqatë kristiane dhe jeta e saj ka marrë një drejtim krejtësisht tjetër nga ai i motrave dhe vëllezërve të saj, të cilët më së shumti kanë mbaruar vetëm shkollën 9-vjeçare.

Fëmijët nuk i kanë humbur raportet me xhaxhallarët, të cilët nuk i braktisën pas krimit në familje. Ata humbën krejtësisht marrëdhëniet me vëllezërit e nënës së tyre, të cilët nuk u bën kurrë të gjallë për t’u kujdesur për fëmijët e motrës së tyre. Në Baldushk nuk do të rikthehet më askush, njësoj sikur të kishin mbyllur një kapitull të jetës së tyre.

Aishja shprehet se nuk flet me të njohurit e saj të rinj për të shkuarën e saj, sepse kjo gjë do t’i sillte vetëm probleme. Familja e saj e shkrirë mes qytetit të zhurmshëm të Tiranës, merr frymë më e lirë pa qenë e detyruar të japë shpjegime për ato që kanë ndodhur.

Të rebilitohesh pas burgut

Aishja nuk është femra e vetme që i ka mbyllur marrëdhëniet me të shkuarën e saj. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve mësojmë se të gjitha ish-të burgosurat, pasi dalin nga burgu transferohen në qytete të tjera, për të mos ndier mbi shpinë persekutimin e të njohurve të tyre. Një pjesë tjetër largohen jashtë Shqipërisë.

Në burgun 325, aktualisht kryejnë dënimin 58 gra. Mosha e tyre mesatare është 45 vjeç (mosha më e ulët është 22 vjeç dhe më e larta 62 vjeç). Veprat për të cilat ato janë dënuar kryesisht janë “vjedhje me armë”, “vrasje me paramendim”, “vrasje në kushtet e tronditjes psikike” dhe “armëmbajtje pa leje”, “trafikim të lëndëve narkotike”, “mashtrim”, “shfrytëzim prostitucioni me të mitura dhe të rritura”.

Disa organizata që punojnë me këtë kategori njerëzish u kanë ardhur në ndihmë. Shoqëria Kristiane e të burgosurve të Shqipërisë i ka mbështetur me pagesat e qirave të shtëpive për disa nga gratë me pamundësi ekonomike (4 raste) dhe kanë filluar një punë të caktuar si sanitare apo kasiere në supermarket. Një grua tjetër ka filluar punë si menaxhere në një qendër biznesi.

Ajo është dënuar më parë (me arsim të lartë dhe zotëruese e dy gjuhëve të huaja) për trafikim të lëndëve narkotike. Informacioni mbi të shkuarën e saj zotërohet vetëm nga pronari i kompanisë dhe është i panjohur për vartësit se kjo do t’i krijonte shumë problem dhe paragjykimin.

Alma Kordoni e shoqatës “Merida Albania” shprehet se me anë të shoqatës së tyre, ato kanë arritur të punësojnë 6 gra dhe vajza pas daljes nga IEVP-të dhe mbështetjes për pagën minimale për 6 muaj pranë një biznesi me shpërndarje gjeografike në qytete Tiranë, Durrës dhe Korçë.

Profili i punës së tyre është në shërbime si shitëse, sanitare, “call centre”. Mosha e tyre varion nga 20-37 vjeç. Njëzet gra dhe vajza janë trajtuar nëpërmjet planifikimit, ndjekjes dhe monitorimit të gjithë procesit të riintegrimit pas daljes nga institucioni. 96 gra dhe vajzave nga në dy sektorët paraburgim dhe burgim janë informuar mbi Tematikat e Orientimit të Karrierës dhe Formimit Profesional.

Gjatë kohës së burgut, gratë angazhohen në aktivitete formuese (kurse profesionale formale) si qëndistari, recepsion, kujdestari fëmijësh, anglisht, rrobaqepësi, asistencë sociale. Në përfundim certifikohen për profesionin e marrë, i cili u shërben për të filluar një punë në jetën e lirë. Pasi dalin nga burgu, ato në raste të pakta mund të rikthehen përsëri brenda tij. Numërohen vetëm tri raste.

Ato kanë qenë të dënuara për veprën penale të vjedhjes. Ambientimi i tyre në jetën e lirë nuk është i kollajshëm. Blerta Daci nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve shprehet se institucioni nuk ka informacion për të gjitha rastet e grave kur ato dalin nga burgu, veçanërisht i pakët informacioni është për ato që vijnë nga zona të largëta suburbane dhe që kanë probleme ekonomike e sociale.

IRENA SHABANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura