HISTORIA/ Dashuria e ndaluar e ish-partizanes me një kuadro të martuar

Mar 9, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Nëse sot marrëdhënia dashurore apo vetëm seksuale, mund të shërbejë edhe për t’u ngritur në detyrë, dikur ndodhte e kundërta. Nëse Partia mësonte për lidhjen e fshehtë, më e pakta, të hiqnin nga puna. Më të rinjtë mbase mendojnë se atëherë nuk kishte të tilla lidhje, por ju që keni punuar e jetuar në atë sistem, e dini mirë se ka pasur në të gjitha kohët; vetëm se arsyet e lidhjes nuk janë më njësoj.


Makbule Dervishi, sot jeton në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Kjo, jo sepse ngeli gjithë jetën e vetme pas historisë që kaloi, por sepse prej moshës, njerëzit me të cilët ka jetuar, nuk jetojnë më. Me kujtesë të detajuar, Makbulja na tregon për jetën e saj, qysh kur ishte fëmijë e u përfshi në radhët e para të femrave që ndihmuan Luftën Nacional Çlirimtare, e deri te punët e saj të mëvonshme gjatë të cilave u takua me njeriun që i ndryshoi rrjedhën e jetës. 

FËMIJA I PËRFSHIRË NË LUFTË
Ishte vetëm 15 vjeç kur u bë pjesë e aktiviteteve të para të Luftës. Në një fshat të Korçës ku jetonte, gjeti njerëzit e duhur, e bashkë me mikeshat e shkollës do të lëviznin të gjithë gurët për t’u bërë të dobishme. Makbulja vinte nga një familje myslimane praktikante, ç’ka atëherë përkthehej menjëherë në fanatizëm, prandaj edhe Makbulja nuk do ta kishte shumë të lehtë.

Megjithatë, nuk u zmbraps. “Ishim një grup shoqesh të përfshira. Shpërndanim trakte e në mënyrë të fshehtë përpiqeshim të përhapnim frymën tonë edhe te të rinjtë e tjerë. Në 1943, ne ishim të parat që na bënë zyrtarisht komuniste”.

Ishte pas kësaj “ngritjeje” që të rejat e fshatrave u stimuluan aq sa të donin të iknin partizane. “U bë shumë bujë atë kohë. Të gjithë njerëzit thoshin, si është e mundur që e bija e hoxhës do të ikë partizane, dhe në fakt im atë ishte kundër kësaj. Por ne tentuam të iknim fshehtas. Bëra gati gjithë ç’mendoja se do më duhej. Familjet e pasura na dhanë bukë e kështu u nisëm”.

Por e gjithë kjo iniciativë, nuk ishte kaq e lehtë sa ç’e menduan. Rrugës, grupin e parë të njerëzve që i ndali, i pandehën gjermane dhe menjëherë u prezantuan si balliste. Frika e fëmijës ishte më e fortë se guximi dhe dëshira.

“Në fakt, ata që na prenë rrugën nuk ishin gjermanë, ishin njerëz nga tanët që na thanë se po, ju balliste jeni, përderisa u zmbrapsët e reaguat kështu. Nuk dola nga shtëpia, prej turpit, për 2 javë”.

Por kjo periudhë kaloi shpejt dhe asnjëra prej vajzave nuk hoqi dorë. Pas Çlirimit, Makbulja kishte ende edhe një vit nga shkolla e mesme për të kryer, që t’i hynte më pas një rruge edhe më të panjohur…

LIDHJA ME BURRIN E MARTUAR QË I NDRYSHOI JETËN
“Punët e mia të para ishin si mësuese në fshatra të ndryshëm të Korçës. Im atë, meqenëse e kishim të afërt, i bëri një letër Haxhi Kroit, dhe mësuesia u bë shpejt puna ime. Përveç se, edhe fshatrat ishin në nevojë. U zhvendosa disa herë në vende të ndryshme, deri në urdhrin e radhës, në të cilin më propozohej të bëhesha anëtare partie dhe të largohesha nga arsimi”.

Propozimi për largim erdhi për mirë, pra, punët e deriatëhershme të Makbules kishin qenë frytdhënëse, ndaj edhe menduan ta çonin në një pozicion ku mund të jepte më shumë. “Pas një kursi kualifikimi shkova në Organizatën e pionierëve. Nga Korça shkova në Pogradec, në Komitetin e Rinisë, si sekretare e dytë”.

Edhe në këtë rast, qëlloi në shenjë. Pas vlerësimit të punës, për ta përgatitur si kuadro, do ta çonin në Shkollën e Partisë. Mirëpo, kishte nisur në Pogradec, një histori dashurie jo e zakonshme për kohën.

“Isha njohur me një kuadro të aparatit, me të cilin u dashurova. Në Korçë, kisha lënë pas një fejesë me një djalë, me të cilin më shumë na lidhën letrat se takimet. Sidoqoftë, ai u largua dhe kërkova po përmes letrave, që ta prishnim fejesën. Ashtu u bë, por nuk mendova që lidhja ime pasardhëse do të ishte edhe më problematike”.

Afërmendsh që, të gjitha takimet e dashurisë së re të Makbules, bëheshin në fshehtësi. Por, siç duket jo aq fshehtas sa të mos i shpëtonte syve të “vëzhguesve”, që asokohe gjendeshin gjithandej. “Unë shkova në shkollë në Tiranë, megjithatë lidhja jonë nuk u ndërpre. Ai vinte vazhdimisht të më takonte, deri sa u dëgjuan fjalët e para rreth nesh”.

Në këtë pikë, edhe për shkak të përgjegjësive që kishte gjithsecili, lidhja e tyre u ftoh sepse i tillë ishte urdhri. Që asnjëri të mos prekej, duhet doemos të mos takoheshin më. Prandaj, edhe Makbulen e lanë në Tiranë si shefe kuadri në PTT, ndërsa i dashuri i saj qëndroi në Pogradec. Tirana mund të ishte ëndrra e të gjithëve, por Makbulja nuk e donte. Së pari, sepse ishte krejt e vetme, dhe sepse, në fund, mendja e saj ishte ende në Pogradec.

“Kërkova të më transferojnë në Korçë, të paktën aty kisha të afërm. Megjithëse doja, nuk mendoja që do të afrohesha sërish me njeriun e zemrës. Nisi të vinte edhe në Korçë, ku unë kisha marrë një shtëpi me qira dhe jetoja vetëm. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se vinte në shtëpi e kishte hyrje-dale të lira, jo, gjithçka ishte e fshehtë. Por nuk ishin të gjata as këto ardhje, sepse ishte i frikësuar. Takimet u rralluan deri sa nuk erdhi më, por, ndërkaq unë isha në një moshë që atëherë ishte e konsiderueshme, 35 vjeç beqare. Im vëlla mësoi për ç’më ndodhi dhe insistoi të shkoja sërish në Tiranë. Tani që çdo shpresë për rikthim ishte e kotë, pranova. Atë vit, u bë Kongresi i fundit i Enverit, ku ai ngriti çështjen e mundësive më të mëdha që duhet t’i jepeshin gruas. Në këtë kohë kërkova të ndjek Ekonomikun për t’u diplomuar pak vite më pas”.

Pas kësaj diplome, duket se jeta e Makbules, gjeti një farë stabiliteti. Nisi punë si përgjegjëse në fabrikën e likernave, në një kohë krize ekonomike. Gjithë konjakut që mbetej stok asokohe, i gjenin treg shitje në Kubë. Punoi edhe pesë vite në Tiranë, deri sa shqyrtoi një tjetër mundësi.

“Të afërmit ndërhynë që të njihesha me një burrë të ve, i cili jetonte në Elbasan. Nuk e refuzova sepse isha gati 40 vjeç. Zgjodha të martohesha dhe prej atëherë jetova në Elbasan. Im shoq ka vdekur prej vitesh dhe tashmë jetoj këtu”.

E thënë apo e shkruar, jeta e Makbules mbase ngjan e shkurtër, por gjatë këtyre 90 viteve, ka kaluar më shumë se ç’është e zonja të tregojë. Tashmë, e kalon kohën e mbyllur në Shtëpinë e të Moshuarve, ku bisedat e gjata mes banorëve si ajo, janë i vetmi argëtim.

ANI JAUPAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura